Tiranë në Kairo e Tiranë

0
58


Atena Bishka

Cili ka fat më shumë?Ishte e vështirë t’i shqisje sytë nga Egjipti i derdhur rrugëve të Kairos javët e fundit. Brenda 18 ditësh – që shënuan epilogun e gatitjes së (pa)dukshme, të avashtë, të gjatë, herë të zëshme e herë të pazëshme të pakënaqësisë popullore – egjiptianët kundër gjasave e duke zënë shumëkënd në befasi, i rrëfyen vetes dhe botës, se përmes protestës paqësore e këmbënguljes së disiplinuar qe e mundur të përmbysej një nga regjimet më totalitare të pellgut të Mesdheut e Lindjes së Mesme, edhe pse së jashtmi shfaqej po aq monumental, i shtangët e i patrazueshëm sa edhe vetë solemniteti i piramidave të Gizës.

Në këtë atmosferë plot ethe e zjarrmi politike në rajonin e Lindjes së Mesme, ndër të parat gjëra për t’u shënuar – veçanërisht për shqiptarët, që sot teksa përballen me skizofreninë politike si kurrë ndonjëherë, paraqiten me vetëdije të topitur – ishte natyra e turmës protestuese. Dihet se turmat si fenomen janë ambivalente. Kanë së paku dy fytyra. Njëra, është ajo e pasionit irracional dhe shtazërisë së instinkteve. Tjetra shpërfaqet si prirje e njeriut për shoqërizim dhe solidaritet, me tipare racionaliteti, civilizimi dhe standardesh të larta etike.

Masa e madhe protestuese që kërkonte liri në sheshin Tahrir (që do të thotë po liri) për fat të mirë rrëfeu fytyrën e dytë për tri javë rresht. Tipar i spikatur i protestës ishte natyra gjithpërfshirëse sa i takon përbërjes demografike. Protestuesit ishin në pjesën më të madhe të rinj (mosha mesatare në Egjipt është 24 vjeç, aq sa ç’ishte Mubaraku kur me revolucionin e Nasser-it të vitit 1952 për Egjiptin nisi një kapitull i ri jashtë tutelës britanike), djem e vajza; por edhe të reja me ”make-up” e me ”hijab”; burra e gra muslimanë e kristianë; besimtarë e shekullarë; familje, nëna, baballarë e fëmijë.

Faktor ndihmues ishte padyshim edhe roli i ushtrisë si një komponent jo antagonist madje mbrojtës i lëvizjes (ushtria ish popull e populli ish ushtar), rol i cili mbetet ende për t’u vërejtur e zbuluar sidomos gjatë pjesës tjetër të udhës — asaj më të gjatës e më të vështirës, kur Egjipti të vendosë se ç’do ta zëvendësojë Mubarakun dhe klikën e porsapërmbysur, e si do të bëhet ri-shpërndarja e frerëve dhe e pushtetit. Atëhere urtësia e mençuria racionale do të jenë në provë më fort se kurrë e do të lipsen si asnjëherë… Ne shqiptarët pas përmbysjes së diktaturës 45 vjeçare, kemi plot 20 mote që ia provojmë vetes këtë nevojë edhe ende s’kemi sosur së provuari, së vuajturi gabime të përsëritura, e së nxëni me mundim mësime historie.

Tubime si ato të Egjiptit sjellin vetiu në mendje demonstratën disa orëshe të 21 janarit në Tiranë, e cila rrëfeu se edhe pse shqiptarët e kanë thikën në kockë ende janë ndërgjegje-mpirë dhe të pagatshëm për plan të mirë-menduar veprimi. Sjellin në mend edhe kuvendin e Shqipërisë, si tubim i elitës, i atyre shqiptarëve që sot mbajnë titullin e lartë e prestigjplotë ”deputetë” (jo etiketën e ulët e vulgare turmë!), por që mjerisht bash si në ”turmë shtazësh” dhunojnë jo vetëm verbalisht por edhe fizikisht njeri-tjetrin mu në mes të parlamentit. Pylli dhe parlamenti reflektojnë kështu njeri-tjetrin. Sjellin në mendje sidomos kryemodelin e kësaj sjelljeje — atë të kryeministrit shqiptar — të cilin e shoh si një variant tjetër, ose karikaturë të asaj të Mubarakut, paçka se këta liderë i përkasin konteksteve të ndryshme gjeo-politike, shoqërore dhe ekonomike e paçka se autokrati Mubarak, ndryshe nga Berisha ”demokrat” sundoi vendin e tij me dorë të hekurt për tri dekada pa patur nëpër këmbë inkonveniencën opozitare. Veçanërisht performanca televizive e Mubarakut në fjalimin e pafat të 10 shkurtit më solli ndërmend aktrimin e Berishës. Natyrisht fjalimi i egjiptianit ishte pjesë e një skeme të parallogaritur ose hedhje e dëshpëruar për herë të fundit e zarit — e zarit që s’vlente më të hidhej (a në mos për t’i dhënë pak më shumë kohë të huajve ose marionetave të mundshme të fatit të mblidhnin mendjen e të vendosnin përfundimisht se fijet e cilës anë qe më mirë të tërhiqnin). Grandioziteti, ende sfidues edhe në çastet e fundit, ia deformoi autokratit aq fort gjykimin dhe leximin e realitetit saqë, siç ndodh shpesh me tiranët, Mubaraku nuk deshi t’ia pranonte vetes se ylli i fikur i fatit s’mund të shndriste më, madje as deri në shtator. Si nëpër dramat epike vijoi të shpresonte se shelbimi do të vinte duke pozuar si ati i emocionuar, plot dashuri e shpirtgjerësi, gjithnjë i gatshëm për t’i falur bijtë dhe kthyer nga udha e shtrembër, teksa përulshëm pohonte ”po, janë bërë edhe gabime”, dhembshurisht deklaronte ”më trishtojnë martirët tuaj” (e si mund të thoshte ”martirët tanë”?), e përgjërimisht lutej që ”për hir të Egjiptit, atdheut tonë, ne duhet edhe kam besim se do ta kapërcejmë së bashku këtë krizë”.

Fjalimi ishte natyrisht i regjistruar e gatuar për skenë e zor të dihet sesi e këshillonin e nëse ua vinte veshin a jo këshilltarëve. Por nëse Mubaraku s’kish a s’qaste këshilltarë, së paku a kish një ekran televizori t’i hidhte një sy sheshit Tahrir? A e kish idenë e numrit të protestuesve? A dëgjonte se ç’thonin, ç’kërkonin e ç’mendonin për të? Përnjimend mendonte se duke e thirrur veten ”At” dhe protestuesit ”Femijët e mi”, e duke e spërkatur retorikën me Zotin Fuqiplotë, kish shans t’i prekte në zemër të rinjtë egjiptianë, që si shumë të rinj gjetkë kanë sot për Zot Facebook-un e Twitter-in, aq sa shumëkush tani është gati të besojë se Media Sociale po udhëheq deri edhe revolucionet? Kaq sahatmbetur e i hermetizuar të ishte ky president i përjetshëm sa t’i drejtohej një turme imagjinare që nuk ekzistonte veçse brenda mendjes së tij, e të mos kishte sadopak vetëdije se egjiptianët e rinj kanë sot të tjera pikëpamje sa i takon kombëtarizmit, ushtrisë, fesë, ideologjisë? Sipas James D. Le Sueur në Foreign Affairs kjo mospërputhje botëvështrimesh shpjegohet me konceptin e Çrregullimit të Kohës Postkoloniale. Sipas këtij koncepti për ”Mubarakun, që i përket atij brezi që e konsideronte nacionalizmin të domosdoshëm dhe e përdorte mbrojtjen ushtarake në kurriz të lirive civike, koha qëndronte në vend e ngrirë, e kësisoj poterja e protestuesve për ndryshim s’mund të kishte kuptim historik.” Edhe rrallë tiranët (sikurse për analogji iranianët Shah Pahlavi, Ajatollah Khomeini, Ahmadinexhadi; tuniziani Ben Ali, zimbabviani Robert Mugabe, al-Gaddafi i Libisë, etj.) që jetojnë mendërisht në tempuj hyjsh janë të vetëdijshëm ose duan t’i rrokin disa të vërteta që i dinë tokësorët poshtë.

Kjo mungesë kontakti me kohën reale e ky besim paranojak te e pamundura, ka pika të përbashkëta me besimin kryengulët e po aq të sëmurë të kryeministrit tonë. Oratoria e tij, ndonëse super e hidhur, fyese, kërcënuese dhe brutale krahasuar me ëmbëlsinë e tonin përdellestar hiper të shtirur që rrëfeu Mubaraku, dëshmon se të dy këta liderë njëlloj të shkëputur nga realiteti janë e të njëjtën kokëshkëmbësi tiranësh ndajnë. Madje për kryeministrin tonë, por edhe për shpurën e tij të vjen të pyesësh, a i besojnë vallë vetes e fjalëve që shqiptojnë? Kur me veten vetëm për vetëm ndodhen, e sytë e mendjes zënë të shohin ”playback” deklaratat, fjalimet, thëniet, kundërthëniet, marrëzirat, lapërdhirat, a e ndiejnë vallë sëmbimin e vogël, akuzuesen e madhe, e dëshmitaren e pamëshirë — ndërgjegjen vetiake? Apo Gulagu shqiptar si ai Solzhenjitzin-it ”nuk njeh sëmbime të ndërgjegjes… [sepse] shkeljet që kanë bërë s’janë qortim në sytë e tyre, janë shenja vlere… Ata s’kane kurrgjë per t’u penduar.“?

Nuk dihet. Por çka mund të thuhet është se Berisha si të tjerë tiranë progresivisht i largohet zonës së arsyes e sundohet gjithnjë e më pakthyeshëm nga pasioni. Siç e vë në dukje R. Qosja, stili i Berishës mbështetet në manipulimin me emocionet e njerëzve. Veçse ky në vend që t’i drejtohet kundërshtarëve plot delikatesë, dashuri atërore, e paternalizëm patetik zgjedh t’i zbrazë mbi kokë kova me fyerje e fjalor të fëlliqët bash nga foltorja e parlamentit dhe kamerat televizive. Duket se shqiptarët anë e kënd Shqipërisë po mbyten më fort nga rreketë e ofendimit, aq shkatërruese për mirëbesimin, sesa nga rreketë e ujit që iu derdh pamëshirshëm qielli.

Nga ana tjetër, natyra paranoide e personalitetit të liderëve të tillë, siç vëren studiuesi Abbas Milani në librin e sapobotuar “Shahu”, i bën këta të prirur që t’i kërkojnë rrënjët e pakënaqësisë popullore jo në kushtet shoqërore, por në faktorë të jashtëm e teori konspirative, po ashtu sikurse edhe Berisha arsyetoi protestën, vrasjen e 4 qytetarëve dhe ”grushtin e shtetit” me çadra dhe stilolapsa më 21 janar.

Mubarakut, si udhëheqës autokrat që kish humbur besimin dhe respektin e qytetarëve, i kish ardhur koha të ikte, madje i sëmurë e me moshë të shtyrë edhe pa revolucion njëlloj ndoshta s’e kish të gjatë, sikurse Shahu i Iranit, i cili edhe ai ishte i sëmurë, e vdiq në ekzil një vit pas revolucionit të 1979-s, kryer po në muajin shkurt, kur Irani përfundoi siç dihet nga shiu në breshër. E ndërsa dëshira popullore për ta rrëzuar Mubarakun u realizua, a do të thotë kjo se Egjipti është i gatshëm për regjim demokratik? Historiani Niall Ferguson (duke kritikuar administratën e Obamës për mungesë strategjie e sjellje dy-faqëshe ndaj Egjiptit) në një intervistë në MSNBC u shpreh këto ditë se Egjipti nuk është gati, sepse nuk ka as këllqe ekonomike e as shtresat e nevojshme shekullare demokratike. Ngjashëm, James D. Le Sueur në Foreign Affairs është i mendimit se populli egjiptian (qysh prej revolucionit të 1952-it) ende nuk ka mësuar të vetë-qeveriset e të vendosë për fatin e tij. E ndërsa ushtria ka hë për hë punët në dorë e nuk dihet nëse vërtet do t’i ndihmojë proceseve e reformave demokratike, edhe përsa kohë nga ana tjetër Vëllazëria Islamike është sot forma më e organizuar opozitare, fatet e revolucionit ende nuk dihet se ç’shteg do të marrin…

Pyetja themelore për Egjiptin në ag të një epoke të re, por edhe për Shqipërinë, e cila njëlloj dëshmon se s’ka mësuar të mirë-qeveriset e mirë-kullandriset, mund të shtrohet kështu: ”Të tashmen nuk e duam, por si e përfytyrojmë të ardhmen e ç’kërkojmë prej saj?”. Sepse si Egjipti tashmë pa Mubarak, ashtu edhe Shqipëria, që përgatitet për zgjedhje në maj në një kohë që klima politike është më e ashpër se kurrë, njësoj ndodhen në udhëkryqe. Edhe sa kohë që teatri politik gjendet në kaos dhe shteti nuk funksionon, aq sa shumëkush problemin e shtron ”si të zgjedhim të keqen më të vogël?”, një tjetër pyetje e pashmangshme rri pezull: ”Vallë kujt do t’i besohen frerët e vendit t’i marrë në dorë?” Në këtë rast për të dy popujt njësoj kanë vlerë fjalët e historianit Abbas Milani drejtuar Egjiptit në një program televiziv të TVOntario: ”Ruhuni nga premtimet e udhëheqësve. Cilët janë këta prijësa? Vallë, e kaluara, sa demokratë i ka dëftuar të jenë? Merrni vesh e peshoni ç’plane e ç’strategji për të ardhmen ofrojnë.” Edhe akoma mund të shtohet: hapni sytë e kujdes nga Berishat e djathtë e të majtë e nga pseudo-prijësat që gjenden në gjirin tuaj e mos lejoni grabitjen e revolucionit! Gjithnjë ka ndodhur grabitja e revolucionit, nga jakobinët, nga bolshevikët, o nga kleri si në Iranin e 1979-s! Atë çast që tirania bie, atë çast nis sfida e vërtetë e demokracisë, rrugëtimi i gjatë për të mësuar se ”çdo të thotë liri e ç’të bësh me lirinë”, rrugëtim i cili siç po e mësojnë mirë shqiptarët kalon nga shtigje plot miklime sirenash e joshje djajsh, rreziqe të pritura e të papritura, grykësi materiale e etje për pushtet.

Protesta e 21 janarit në Tiranë qe e pasuksesshme edhe sepse populli sado i manipulueshëm të jetë, arrin megjithatë të diktojë dikur hilet e majta e të djathta, të cilat (edhe pse pa dyshim tani flasin shumë më keq për pushtetin në fuqi) janë të shumta e të përsëritura saqë vështirë të mos pikasen. Njerëzit janë lodhur duke ndjekur beteja të personalizuara krerësh e nuk rrehen dot tek shohin që njëra palë luan arsonistin (zjarrvënësin), e pala tjetër rreket të luajë zjarrfikësin, për t’i këmbyer pastaj rolet sipas rastit. Për fat të keq kjo gjendje krijon kulturën e ”mënjanësisë” dhe apatisë depresive. Edhe në këtë katrahurë në të cilën dergjet Shqipëria, kur forcat politike e kanë humbur besueshmërinë, Shqipërisë i lypset sot një Virgjil udhërrëfyes që t’i thotë si atëbotë Dantes syrrëmbushur e të humbur në pyllin e terrtë ku lëvrijnë hije të frikshme: “Eshtë një tjetër shteg ai që lipset të marrësh!”