Nga Mero Baze, 20 Mars 2012
Rotacioni politik në Shqipëri duket se po vjen sërish në mënyrë anormale, duke bërë diferencë jo nga keqqeverisja e vendit dhe autoritarizmi i Berishës, por nga ikja e tij prej linjës properëndimore, për shkak të rrezikut që i sjell pushtetit të tij një shtet demokratik normal, një proces i lirë dhe i ndershëm zgjedhjesh dhe një ekonomi konkurrente e shtyp i lirë. Në vitin e fundit të mandatit të tij, diferenca mes tij dhe opozitës nuk është vetëm politike siç duhet të ishte, por njësoj si në vitin 1997 ka të bëjë me orientimin e Shqipërisë. Në vitin 1997 dy forcat politike konkurronin (për shkak të Berishës), jo me vizionin e tyre politik, por me raportet e tyre ndaj Perëndimit. Ish- komunistët, të cilët Berisha tentoi t’i shkelë me këmbë në emër të Perëndimit, u bënë aleatë të Perëndimit dhe Berisha, i cili udhëhiqte forcën properëndimore të Shqipërisë, u bë simbol i antiperëndimit në Shqipëri me tentativa të qarta për tu lidhur me botën islame dhe shtete batakçinj kundër Perëndimit.
Prej vitit 1997 kjo situatë nuk u përsërit më në skenën politike shqiptare, por ato zgjedhje lanë shenja të thella në politikën shqiptare. Pas 15 vitesh cikli po ripërsëritet dhe Berisha po tenton të mbetet në politikë me një kurs të ri antiperëndimor më të moderuar, por shumë më frikshëm pasi është një eksperiment që po rezulton me sukses kundër Perëndimit në shumë vende të ish- Lindjes komuniste. Shqipëria, Maqedonia, Hungaria, Bullgaria, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Kazakistani, Azerbajxhani, Turkmenistani, Bjellorusia dhe kryeqendra e këtij kursi, Moska, po stabilizojnë regjime autoritare, që dhunojnë lirinë e zgjedhjeve, mediat, gjykatat, prokurorinë dhe gjithçka tjetër për hir të pushtetit.
Opozitat në këto vende po kthehen në fasada morale, ndërsa mediat thuajse nuk ekzistojnë. Më i shquari i kohëve të fundit të këtij grupi është kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ka rrëmbyer flamurin e nacionalizmit hungarez për t’i treguar vendin Perëndimit. Sali Berisha po gjendet pas 15 vitesh në të njëjtin pozicion që ishte në fund të vitit 1996, kur izolimi nga Evropa dhe SHBA e detyruan të hidhte sytë nga regjime islamike dhe grupe të dyshimta të lidhura me Al Kaedën. Sot ai gjendet si mysafir i Viktor Orbanit në Hungari, ndërsa kundërshtari i tij në Uashington si mik i administratës së Presidentit Obama. Diktimi i rotacionit politik nga kjo diferencë është i sigurt, pasi shqiptarët janë shoqëri properëndimore, por kostoja që do të përballojmë për këtë rotacion është e lartë.
Qeveria shqiptare, dhe konkretisht administrata e Berishës, përdori anëtarësimin në NATO jo si një hap që do garantonte standardet perëndimore të demokracisë shqiptare, por si një fasadë për të maskuar deformimet e demokracisë shqiptare. Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka një kurbë konstante të deformimit të demokracisë, duke filluar me zgjedhjet e vitit 2009 e deri tek zhvillimet e fundit dramatike me gjyqësorin dhe betejën e sapunisur publike kundër kryeprokurores Ina Rama. Qartësia e Berishës për të përdorur anëtarësimin në NATO si fasadë për deformimet e demokracisë në favor të pushtetit të tij, janë thelbi mbi të cilin ngrihet filozofia e pushtetit të tij, që është ikja nga Perëndimi.
Duke i vënë shqiptarët para dilemës të zgjedhin një forcë politike properëndimore apo një të izoluar nga Perëndimi, natyrisht që do të kemi një triumf të opozitës, por dhe një rrezik të ndryshimit të pushtetit pa një garë reale për politikat me të cilat do të qeveriset.
Sali Berisha nuk do të ishte bërë armik i Perëndimit nëse Perëndimi dhe standardet demokratike të tij do të ishin një aleat për pushtetin e tij. Ai nuk do të kishte dhunuar zgjedhjet sikur të kishte mundësi të fitonte me zgjedhje të lira, nuk do të dhunonte drejtësinë sikur fëmijët e tij të mos rrezikoheshin nga drejtësia për shkak të korrupsionit, ai nuk do të kishte dhunuar medien sikur ajo të ishte luajale me të dhe nuk do të kishte zaptuar çdo gjë që prodhon ky vend, sikur të mos kishte neps për tu pasuruar aq shpejt. Thjesht ai ndryshoi Shqipërinë për të mos ndryshuar vetë. Ai e ktheu këtë shoqëri nga një vend që ishte nisur drejt Perëndimit në një vend që funksionon si çiflig i tij. Përplasja e tij me Perëndimin është e pashmangshme dhe ai është i detyruar të kërkojë një aleancë të re për pushtetin e vet.
Ikja e Berishës nga orientimi perëndimor i Shqipërisë dhe izolimi i tij nga Perëndimi, e rrisin shumë dramacitetin brenda PD-së, e cila në thelb është një forcë properëndimore dhe rrisin shumë lehtësinë me të cilën opozita mund të nënvleftësojë standardet e qarta që e bëjnë atë një forcë properëndimore. Të jesh me Perëndimin se Berisha është kundër tij është e lehtë, por të jesh me Perëndimin për arsyet e tua është një sfidë reale.
Sot Edi Rama është mysafir i administratës së Obamës, ndërsa Berisha mysafir i Viktor Orbanit, dhe kjo e bën të qartë diferencën. Por Shqipëria do ta fitojë Perëndimin, jo si dhuratë nga Perëndimi, por nga beteja jonë për tu bërë perëndimorë. Ne duhet ta mundim Sali Berishën politikisht, si një kryeministër i dështuar që ka qeverisur keq Shqipërinë. Ne duhet ta mundim Sali Berishën edhe gjeopolitikisht, si një antiperëndimor të suksesshëm. Kam frikë se izolimi i tij nga Perëndimi do ta bëjë më të lehtë fitoren, por më të vështirë betejën me të. Në një farë mënyre ai mund të na ikë pa e mundur. Është mënyra që ai iku në vitin 1997. Është mënyra tinzare që ai të gjejë alibi për të qëndruar aty në skutën e vet, për të mbajtur gjallë mbështetësit e vet me idenë e një komploti kundër tij. Ndaj është mirë që në këtë betejë të ndahet e djathta nga Berisha. Qeverisja e djathtë duhet mundur si një qeverisje e dështuar, kurse lideri i tyre, Berisha, duhet larguar edhe për arsyen se sa herë që i rrezikohet pushteti rrezikon dhe të ardhmen perëndimore të Shqipërisë.