TI VËSH ZJARRIN FLAMURIT TË NATO-S SI RAJHSHTAGUT

0
36

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Rreth 20 vjet nga përmbysja e komunizmit, politikani Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, digjen nga dëshira që të kthejnë mbrapsht atë kohë kur ata e kishin të lehtë të triumfonin mbi opozitën e majtë, duke e akuzuar si komuniste. Në morinë e taktikave djallëzore që përdorin për ta ekspozuar opozitën e sotme, ashtu siç ajo në fakt nuk është, pra si komuniste e bolshevike, është edhe shfrytëzimi i djegies se flamurit të NATO-s, incident që media pranë qeverisë, thonë se është bërë gjatë njërës prej protestave të opozitës për votën e lirë. Incidenti nuk mund të mos sjellë ndërmend, se pari taktikën e ndjekur nga Adolf Hitleri për të shfarosur komunistët, duke i akuzuar për djegien e Rajhshtaghut.

Por dukuria është e përafërt edhe me akuzat që diktatori Enver Hoxha i bënte opozitës së pushtetit të tij si terroriste, duke e fajësuar për hedhjen e bombave mbi ambasadën sovjetike në Tiranë. Po përse kjo ngjashmëri mes politikanësh, epokash dhe ndodhish në vende të ndryshme? Sepse është në zakonin e përjetshëm të të gjithë tiranëve që ta shtypin lirinë e popullit dhe demokracinë, duke i akuzuar opozitat si armike të popullit dhe demokracisë. Dhe Berisha është nga ky soj i maskuar i tiranëve, por që vetëdenoncohet nga një flamur i NATO-s që digjet si Rajhshtagu në Tiranë.

* * *

S’ka asnjë dyshim se askush në Aleancën e Atlantikut Verior (NATO) nuk do të pranonte që një flamur i djegur, ende nuk dihet se nga kush vërtet, të përdorej si pretekst për një gjueti shtrigash kundër “komunistëve” në Tiranë. Nëse kjo do të tolerohej të ndodhte, atëherë vetë NATO do të shpërfytyrohej si organizatë ushtarake në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë në mbarë botën.

Aq më tepër kur Shqipëria është sot një anëtare e kësaj aleance. Por NATO s’ka të bëjë fare në këtë meselenë e flamurit të djegur. Ajo është qartazi një mendjeshkrepje e fanatizmit berishist, që shpreson se mund ta mposhtë rezistencën e opozitës për votën e lirë, duke zbatuar skenarë që e ekspozojnë në mënyrë të rreme atë si armike të NATO-s dhe demokracisë. Ta paraqesë opozitën si armike të integrimit, si armike të lëvizjes së lirë dhe së fundi edhe si armike të NATO-s, ky është edhe qëllimi i transmetimit të një videoje ku dallohen vetëm ca këmbë njerëzish (dhe asnjë fytyrë) që po djegin një flamur të NATO-s. Por s’ka rëndësi nëse zjarrvënësit pa fytyrë ishin apo jo në mitingun e opozitës apo në festën e pozitës, s’ka rëndësi nëse ishin të vënë nga pushteti apo vërtet ndoca fanatikë të majtë që iu ka mbetur sahati tek Enver Hoxha.

Ajo që denoncon pushtetin berishist dhe frymën e tij, në thelb hitleriane apo enveriane, është pikërisht nxitimi për të vjelë fryte politike nga incidente të tilla. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet me siguri nëse qenë hitlerianët ata që i vunë zjarrin Rajhshtagut apo ishin disa komunistë ekstremistë. Por ama një gjë është e qartë dhe e padiskutueshme: ishin hitlerianët ata që vrapuan që të përcëllojnë me gjuhët e flakëve të Rajhshtagut të gjithë opozitën. Dhe jo vetëm atë komuniste. Praktikisht Hitleri e shfrytëzoi djegien e Parlamentit që t’i vërë vizën Parlamentit, demokracisë të gjitha lirive dhe të drejtave të gjermanëve dhe për të instaluar diktaturën. Ai shfrytëzoi flakët në Rajhshtag për t’i mbushur mendjen Presidentit që të nënshkruante një dekret për “mbrojtjen e popullit dhe shtetit kundër akteve të dhunës komuniste, që vënë në rrezik shtetin”.

Shpesh krimineli i vërtetë zbulohet nga fakti se kush përfiton më shumë prej krimit të sapokryer. Thuhet se qe Hitleri që e dogji Rajhshtagun, sepse qe ai që përfitoi nga ky krim. Me këtë metodë, Ciceroni zbuloi vrasësin e vërtetë të një qytetari romak, sepse ishte ai që kish përvetësuar tokat e të sapovrarit në kurriz të të birit që akuzohej padrejtësisht nga vrasësi i fshehtë për vrasjen e të atit. Sot nuk dihet ende me siguri se kush e ka vrarë Azem Hajdarin, por ama dihet me siguri se ishte Berisha ai që u përpoq të përfitojë në maksimum politikisht prej këtij krimi. Shqiptarëve nuk iu falet të mos kenë mësuar asgjë nga historia e hidhur e Rajhshtagut, ku i ka rrënjët një nga tragjeditë më të mëdha të botës.

Nuk i lejohet të mos kenë mësuar asgjë edhe nga shtypja e diktaturës komuniste që shfarosi opozitën antikomuniste me skenarë të ngjashëm bombash dhe terrorizmi. Kohët po tregojnë se, sikundër thotë me të drejtë Breht në fund të dramës së tij “Arturo Ui”, barku që e polli një gjëmë të tillë si nazizmi, ende nuk është shterpëzuar. Prandaj shqiptarët duhet të alarmohen për të ardhmen e tyre kur shohin ekraneve, episode misterioze zjarrëvëniesh që i bëjnë jehonë tezave mbi “opozitën komuniste që vë në rrezik integrimin, lëvizjen e lirë, opozitën armike të popullit që e urreka NATO-n aq shumë, sa digjka edhe flamujt e saj”.

* * *

Episodi i djegies së një flamuri të NATO-s, po të merret i veçuar, është tejet banal. Por ai nuk është i tillë po të merret i lidhur me gjithë zinxhirin e përpjekjeve që po bën sot pushteti berishist për ta paraqitur opozitën si armike të demokracisë, të popullit madje, edhe të kombit shqiptar. Në këtë kuptim, ai është shprehësi më simbolik i një fryme antiopozitare, antidemokraci, i një neokomunizmi që me “antikomunizmin” e tij të vonuar, priret nga sundimi dhe jo nga liria. Prandaj dhe akuzat që i bëhen opozitës për djegien e flamurit të NATO-s janë në thelb, kundër vetë frymës së NATO-s dhe të gjithë vlerave që mbron ajo. Por incidenti me flamurin e NATO-s provon edhe një gjë tjetër. Provon se pushtetit i kanë mbetur gjithnjë e më pak argumente në dorë, në përballje me opozitën. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë arsyeja del në opozitë me pushtetin berishist.

Berisha ka premtuar se është i hapur për transparencë pa shkelur vendimet e gjykatave. Por po afron me shpejtësi momenti kur do t’i thonë: “hap kutitë në ato zona që nuk janë shqyrtuar nga gjykatat”! Ora e demaskimit të gënjeshtrës së tij të madhe po afron. Arsyeja, që është liri, dhe parimet e saj nuk mund ta tolerojnë më. Dhe prandaj Berisha po priret ta zhvendosë betejën në arenën e pasioneve. Berisha e di fare mirë se turma dhe pasionet e saj komandohen me anë të simboleve dhe akteve simbolike, si djegia e një flamuri që e ekspozon opozitën si armike të NATO-s dhe demokracisë. Dhe për trutë e ndezur nga flaka e urrejtjes nuk kanë rëndësi të vërtetat. As ato të shqiptuara pak kohë më parë edhe nga vetë qeveria.

Nuk ka rëndësi aspak, për shembull, se është pranuar botërisht, edhe nga vetë Berisha, se hyrja në NATO u bë në sajë të realizimit të reformave të përbashkëta me po atë opozitë që sot mallkohet si komuniste, si armike e NATO-s. Por kur ka ndodhur që pushtetet tiranike t’i jenë përmbajtur besnikërisht të vërtetave objektive? Për një tiran dhe pushtetin e tij, e vërtetë është vetëm ajo që i intereson në një moment të caktuar. Hitleri premtonte paqe dhe ofronte luftë, Enveri fliste për demokraci dhe ofronte diktaturë, Berisha premton transparencë dhe ofron errësirë. Dhe hajde mos thuaj se nuk është një Hitler i vogël i demokracisë.