“Ti mua Kosovën, unë ty nanën”

0
52

Nga Enver Robelli

Lojëra fëmijësh të paedukuar në Ballkan: Presidenti serb Boris Tadiç po përpiqet të bllokojë integrimet evropiane të rajonit, duke e kushtëzuar pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të kryetarit të ri të Kroacisë Ivo Josipoviç me mospjesëmarrjen e shefit të shtetit të Kosovës

Skena politike e Serbisë këto ditë të kujton një kopsht fëmijësh të paedukuar, të cilët gjuajnë me baltë pasi i kanë hedhur të gjitha lodrat nëpër gropa bërlloku. Në garën e ekspozimit të muskujve dhe gjuajtjes me baltë dallohen dy figura, ministri i jashtëm Vuk Jeremiç dhe profesori i tij i shkollës së mesme dhe kryetari i tanishëm Boris Tadiç. Arsyeja më e re pse këta dy politikanë janë zemëruar është vizita e presidentit kroat në largim Stipe Mesiç në Kosovë.

Ndonëse në së paku tri të katërtat e territorit të Kosovës, Serbia kurrë nuk do të ketë mundësi të sundojë sërish, qeveria në Beograd ende dëshiron t’i mbajë në duar çelësat e Kosovës dhe të vendosë kush hyn e kush del në shtëpinë e dy milionë shqiptarëve dhe pakicave të tjera. Tadiç dhe Jeremiç nuk po pajtohen me gjendjen faktike. Nëpër vendbanimet serbe ata ende investojnë dhjetëra miliona euro për të mbajtur gjallë iluzionin se Kosova është pjesë e Serbisë. Madje pushtetarët serbë shpesh ua marrin inat atyre përfaqësuesve të shteteve të rajonit, të cilët vizitojnë Kosovën pa izën dhe vizën e tyre. Kërcënohen me prishje marrëdhëniesh, kur vendet e rajonit pranojnë Kosovën si shtet. Në rastin e Malit të Zi dhe Maqedonisë Beogradi pati përzënë ambasadorët e këtyre dy vendeve, tani që Podgorica vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ambasadori serb në Malin e Zi u tërhoq për konsultime në Beograd.

Sulmet e njëpasnjëshme të udhëheqësve serbë kundër Mesiçit nuk janë aq të papritura. Ato drejtohen kundër një politikani, i cili si njohës i mirë dhe pjesëmarrës i procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë kundërpërgjigjet i ka në majë të gjuhës dhe pa asnjë problem mund të ballafaqohet e propagandën serbe.

Ende pa përfunduar polemika mes Tadiçit dhe Mesiçit rreth vizitës së këtij të fundit në Kosovë, në shesh kanë dalë mospajtime të reja, kësaj radhe mes kryetarit të sapozgjedhur kroat Ivo Josipoviç dhe homologut të tij serb. Josipoviç do të marrë detyrën më 18 shkurt – dhe ai ka thënë se do t’i ftojë kryetarët e të gjitha vendeve të rajonit në ceremoninë e inaugurimit që do të mbahet në Zagreb. Por, Josipoviç bëri një gabim taktik, sepse mes të gjithë presidentëve të tjerë e përmendi vetëm Boris Tadiçin. Tha se do të dëshironte që Tadiçi të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Në këtë mënyrë kryetarit serb vetëm sa iu përforcua bindja se është më i veçantë se homologët e tij të rajonit dhe se Serbia për nga rëndësia qëndron tri shkallë mbi fqinjët. Prej kësaj pozite imagjinare Tadiç filloi të kushtëzojë ardhjen e tij në Zagreb. Ai tha se do të vijë vetëm nëse autoritetet kroate nuk e ftojnë kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pas ngurrimit fillestar pala kroate u përgjigj se në ceremoni të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, do të trajtohen njëjtë. Sjellja idhnake e Tadiçit ka ndikuar që një pjesë e opinionit kroat të kuptojë se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga grandomania politike.

Me këtë sjellje ndaj Mesiçit dhe Josipoviçit kryetari serb ka rënë në nivelin e mirënjohur dhe të ulët të shtypit popullist të Beogradit. Para disa ditësh në një koment të edituar në portalin e gazetës së verdhë serbe “Press” nënvizohej: “Kjo është politika e duhur kundër Kroacisë – ti mua akuzën (në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, v. j.), unë ty kundërakuzën, ti mua Bosnjën, edhe unë ty Bosnjën, ti mua Kosovën, unë ty nanën”. Sjellja e Tadiçit nuk dallon shumë prej mesazhit që përçon kjo parullë e shtypit bulevardesk serb. Në këtë mënyrë Tadiç po përpiqet të ndalë rrotën e historisë, të pengojë integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe të bllokojë çdo përmirësim të marrëdhënieve fqinjësore. Ndaj parullave primitive të stilit “Ti meni Kosovo, ja tebi majku” ndokush në Kosovë që e ka zemrën në fyt mund të kundërpërgjigjet: “Ti mua pavarësinë, unë ty nanën”.

Sa i përket Kosovës në Serbi jo vetëm shtypi i verdhë ka humbur kontrollin. Shpesh edhe gazeta “më e vjetër e Ballkanit”, “Politika”, zbret në nivel qesharak. Të shtunën komentatori i saj Miroslav Lazanski, i cili edhe kur s’e pyet kush ka qejf të tregojë se është analisti më i mirë i çështjeve ushtarake mes Vjenës dhe Stambollit, ankohej pse admirali amerikan dhe shefi i krahut jugor të NATO-s Mark Fitzgerald gjatë qëndrimit në Kosovë kishte thënë se “strukturat paralele në veri të Kosovës paraqesin rrezik për sigurinë në rajon”. Pastaj Lazanski vajtonte e pyeste (veten? apo publikun?) se si mund t’ia lejonte vetes një sjellje të tillë gjenerali Fitzgerald. “Si i ka harruar mikpritjet opulente në Beograd, në shtëpinë e gardës në Topçider, koktejet, qoftet (“ćevapčiće”) dhe sarmat”. Nëse politikanët dhe komentatorët e Beogradit presin që admirali Fitzgerald për shkak të sarmave serbe do të flasë sipas qejfit të tyre, atëherë Serbia i plotëson kushtet të shpallet “vend i hajgarexhinjve të rrezikshëm”.

Koha Ditore