Thyerja e një dere të hapur

0
32

Analize Nga PREÇ ZOGAJ

Milioneri apo miliarderi Tom Doshi, deputet i Partisë Socialiste, është pa imunitet prej disa muajsh, ndërkohë që kryeministri Berisha po zhvillon një fushatë intensive kundër “miliarderëve” socialistë, sikur këta nuk lejojnë Ramën dhe opozitën të votojë heqjen e imuniteteve siç do shumica dhe kur do shumica.

Majfton ky fakt emblematik për të shfryrë e zhvlerësuar retorikat e kësaj vere kundër armiqve imagjinarë të heqjes së imunitetit. Prokuroria mund të hetojë pa pengesa çdo akuzë dhe madje çdo dyshim në adresë të Tom Doshit dhe të çdo milioneri, apo miliarderi tjetër me imunitet. Siç e kanë vwnë në dukje disa kolegë gazetarë, Prokuroria e Shqipërisë nuk ka patur e nuk ka arsye për t’u qarë në lidhje me heqjen e imunitetit të deputetëve. Në shumicën dërmuese të rasteve kërkesat e saj gjatë dy dekadave të fundit janë miratuar nga Kuvendi.

Në këtë pikë pushteti ligjvwnës dhe pushteti i drejtësisë në Shqipëri kanë shkuar grurë në krahasim me pushtetet analoge në Itali, apo në vende të tjera të Europës ku shpeshherë Parlamentet kanë hedhur poshtë kërkesat e Prokurorive për zhveshjen e deputetëve nga imuniteti. Nëse ka një gjë që mund edhe ta nderojë Kuvendin e Shqipërisë këto njëzet vjetër e fundit është mospengimi i Prokurorisë për të hetuar persona me imunitet kur kjo e fundit ka ndërmarrë veprime zyrtare në këtë drejtim.

E megjithatë, në analizë të fundit kjo nuk ka vlejtur për gjë. Kemi qenë dhe mbetemi një vend kampion i korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta. Që do të thotë se nuk çalon gomari nga veshët, se tjetërkund duhet kërkuar zgjidhja, se Brukseli dhe Uashingtoni janë në iluzion në lidhje me efektet që ka heqja e imuniteteve në luftën kundër korrupsionit. Në thelb, lufta apo gjoja luftë për heqjen e imunitetit në Shqipëri është si të thyesh një derë të hapur. Kjo tashmë ka marrë rrugë dhe nuk ia vlen ta diskutosh më shumë.

Konteksti i çwshtjes tregon qartë se duke shpikur një luftë boshe me kundërshtarë imagjinarë, tani që iu mbush mendja për heqjen në rrugë ligjore të imunitetit, kryeministri është duke ia futur kot me ato që thotë përditë për ketë temë. Ai nuk ka hallin e bllokimit. Nga përvoja e tij e pasur politike e di se një opozitë serioze nuk mund të funksionojë kështu, “amin o hoxhë”, edhe për gjëra kaq të rëndësishme.

Ai e ka të qartë gjithashtu se do të këtë një zgjidhje, sa kohë që heqjen apo kufizimin e imuniteteve e kërkojnë edhe ndërkombëtarët. Në këto kushte atij me sa duket i shijon loja e vjetër e marrjes zvarrë të opozitës, sikur kjo nuk po i afrohet zgjidhjes me opsionin e saj, por po e tërheq me forcë kryeministri. Kështu mendon të nxjerrë kapital politik për vete. Nëse për dreq nuk do ta tërheqë dot në afatin e parashikuar, do të mundohet t’ja faturojë asaj refuzimin për herë të tretë të statusit të vendit kandidat në BE.

Sido që të shkojnë punët, në respekt të popujve dhe vendeve që kanë sakrifikuar për demokracinë dhe në respekt të inteligjencës së publikut shqiptar gjithashtu, është rasti të sqarohen disa gjera të thjeshta.

Së pari, imuniteti nuk ka lindur për të diferencuar qytetarët para ligjit, por për t’i dhënë frymëzim, mbështetje dhe garanci me të madhe lirisë së të zgjedhurve me votë të lirë nga populli në organin ligjvenës. Imuniteti është një arritje e demokracisë. Imuniteti ka fituar vlerë në histori si mburojë e opozitës kundër arbitraritetit dhe tundimeve hakmarrëse të pushtetit. Është pasuria e opozitës, për rrjedhim e demokracisë. Po të ishte për kulturën dhe traditën politike shqiptare imuniteti nuk dot vendosej kurrë.

E kemi marrë nga kushtetutat e botës. Duke e huazuar si një gjë të huaj, nuk e ndjejmë as kur e kemi, as kur duam ta heqim. Diktaturat që reklamojnë barazinë nuk e kanë njohur e nuk e njohim imunitetin. Kjo nuk do të thotë që në vartësi të pjekurisë së demokracisë dhe problematikës së kohës të mos rishikohet heqja apo kufizimi. Por një gjë që është vendosur me përpjekje si arritje e shekujve nuk mund të hiqet duke parë orën se mos po mbyllet kazinoja.

Së dyti, siç e cekëm edhe ma lart, heqja e imunitetit le të bëhet, meqenëse janë lëshuar edhe ndërkombëtarët me “eureka”, duke provokuar kukurizma dhe të qeshura në pallatet politike të Tiranës, por nuk na bind njeri se kjo do të ketë ndonjë ndikim domethënës në vetvete në luftën kundër korrupsionit. Mendoj se do të jëtë kozmetikë dhe asgjë me shumë. Shqiptarët e dinë dhe ndërkombëtarët nuk kanë përse të mos e dinë: ka vetëm një “imunitet” që pengon drejtësinë dhe ndëshkueshmërinë në Shqipëri.

Është mbrojtja politike që kryeministrit i vendit dhe një sistem i twrë politik, ekonomik dhe mediatik u bëjnë të gjithë atyre zyrtarëve që nuk duhet të preken, nuk duhet të hetohen, nuk duhet të gjykohen dhe ca më pak të dënohen ngaqë pandëshkueshëria e tyre është dega ku mbahet qeveria. Duhet hequr ky “imuniteti” tjetër piksëpari. Ky politiku, ky që mban ligjin larg ministrit të korruptuar, ky që tremb prokurorin dhe gjykatësin, duke i bërë dora-dorës ortakë në të keqe. Sepse drejtësia që nuk godet shkeljet korruptohet.

Sqarimi i tretë, është më i thjeshtë: heqja e imunitetit nuk krijon vende të reja pune, siç u tha një ditë në një mbledhje qeverie. Ky është një spekullim populist. Është një lajthitje në fakt. Kush mund ta besojë këtë? Askush, përveç ndonjë trushplari që ka mbetur i tillë që nga koha e komunizmit.
Sqarimi i katërt është midis sqarimit dhe pyetjes: sa do të ndikojë heqja e imunitetit në fatin e ftesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kadidat në BE? Kam përshtypjen se pikat e pazbatuara të listës së kritereve peshojnë me shumë se ato të zbatuarat. Opozita duhet të ketë një ide të saktë për ketë. Sëpaku të mos i shkojë vota kot.

(Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)