Nga Xhovani Shyti, 18 Dhjetor 2012
Goditjet e njëpasnjëshme ja kanë thyer mitin e qenies burrë shteti kryeministrit dhe kryetarit dinastik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Qeset e miellit të hedhura në drejtim të makinës së tij, nga grupimi i të përndjekurve politik, si dhe protestuesit e Aleancës Kuq e Zi në Itali, ishin fillesa. Më pas vijoi raporti i Transparency International Albania (TIA), që e rreshtonte Shqipërinë e qeverisur nga Berisha shumë më të korruptuar se një vit më parë. Më tej, tërheqja e vërejtjes nga bashkësia europiane dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, për lojën arkaike me retorikën e nacionalizmit ekstrem të manifestuar befshëm nga Kryeministri i pashqitshëm shqiptar.
Rezoluta e Parlamentit Europian dhe refuzimi i statusit kandidat, për aq kohë sa Shqipëria të gjallojë nga korrupsioni galopant zyrtar, si dhe mosrealizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, ishte goditja finale. Njëherësh dhe dështimi më i madh i qeverisjes koalicioniste, ku Berisha mban timonin e drejtimit. Marrja e statusit të vendit kandidat ka qenë retorika më e shpeshtë dhe epiqendra e objektivit, me anën e të cilës koalicioni qeverisës kishte llogaritur të kompensonte gjithë dështimet e derisotme, ndaj dhe refuzimi nuk mund të anashkalohet.
Statusi, një shans i humbur nga keqqeverisja. Integrimi i vendit në Bashkimin Europian, një objektiv i parealizuar. Janë motiv i mjaftueshëm që, në një demokraci normale, do ta detyronin kreun e qeverisë të dorëhiqej. Fjalë e huaj, kjo e fundit, në vendin më të varfër të rajonit, ku edhe pas dështimit të madh kryeqeverisësi autokrat e i dalë jashtë çdo kodi ligjor e moral, do të vazhdojë të kryesojë kabinetin objektivthyer. Megjithatë diçka thelbësore nuk është më si më parë. Edhe pse Kryeministri shqiptar bën veshin shurdh, miti i Sali Berishës, si burrë kombi, vazhdon rrokullimën.
Mendimi se ai është demagog, njëri që për pushtetin shet shtetin, se e përdor pushtetin, kombin dhe politikën për interesin e veta, se nuk është aspak begatues, prosperues e demokratizues i vendit, por vetëm i vetes dhe bajrakut të tij, nuk sundon vetëm tek shqiptarët,por edhe tek partnerët e huaj. Tek ata partner që, fatkeqësisht, për me shumë se dy dekada e kanë parë fytyrën euroatlantike të vendit të varfër ballkanik në retinën e syve të Sali Berishës. Por, shkërmoqja e mitit Berisha po ndodh edhe në sytë e kosovarëve. Në pjesën e dytë shqiptare, ku miti i Kryeministrit të dheut amë gjendej i mumifikuar për së gjalli.
Në pragfestën kombëtare të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptarë lajmi se një grup qytetarësh të Kosovës ja arritën t’a sabotonin mitingun inaugurues të autostradës së Kosovës (vazhdim i asaj shqiptare), kaloi pa vëmendje. Përveç dhënies së lajmit, nuk pati komente, opinione apo analiza të mëtejshme. Arsyeja pse u hesht nuk dihet ekzaktësisht, por nisur nga praktika e shkuar është e përligjur mendjemarrja se heshtjen duhet ta ketë pjellë ndërhyrja e më të interesuarve, që ngjarja të mbetej deri tek lajmi.
Që për rastin në fjalë janë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe homologu i tij i Kosovës, Hashim Thaçi. Në fakt, më shumë Berisha sesa Thaçi, të cilin kosovarët, përveçse e kanë duartrokitur dhe brohoritur nuk kanë hezituar edhe ta shajnë, ta fishkëllejnë, madje edhe ta qëllojnë me domate, patate, vezë etj. sende rrethanore. Ndërsa Sali Berishën jo. Të paktën, deri ditën kur grupi i veteranëve kosovarë, ish luftëtarë të brigadës 101 të UÇK, të komanduar nga Fatmir Limaj, t’ia arrinte të prishte aktivitetit festiv të prerjes së shiritit inaugurues të rrugës së kombit, nuk kishte ndodhur që, qoftë edhe një kosovar i vetëm, ti bënte karshillëk Sali Berishës.
Përkundrazi, si Kryeministër tropojan, si banor i malësisë së Gjakovës, në sytë e pjesës dërmuese të kosovarëve portreti i Sali Berishës është mbështjellë nga aureola e mitit. Falë armës së propagandës, demagogjisë dhe papërgjegjshmërisë për të lëshuar slogane patriotizmi, pjesa dërmuese e kosovarëve besonin se Kryeministri i Tiranës qe i vetmi që mund të realizonte idealin e bashkimit, se ishte i vetmi që e mbante fjalën e dhënë, se ishte i vetmi të cilit i batonte zëmra për shqiptarizmën etj.
Duke qenë se, për arsye pune, kam pasur rastin të qëndroj për një kohë të gjatë në Prishtinë, jam dëshmitar okular i raportit të Berishës dhe politikanëve të tjerë të Tiranës me kosovarët. Me jo pak prej të cilëve duhej të ishe shumë i kujdesshëm kur artikuloje opinion të kundërt rreth virtyteve të burrit të malësisë së Tropojës Sali Berisha. Dhe ishte pikërisht kjo njohje, jo sipërfaqësore e mentalitetit kosovarë, që më ndihmoi ta shoh ndryshe protestën e bashkëluftëtarëve të ish komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj.
Protestën e ashpër që jo vetëm shkatërroi karrige, tryeza, mikrofona etj, por edhe ndali prerjen e shiritave dhe fjalëmbajtjen e Berishës e Thaçit. Ndodhi kështu pasi grupi i veteranëve kosovarë të brigadës 101 kishte shkuar në Malishevë, jo për të duartrokitur dyshen kryeministrore, Berisha-Thaçi, kur të priste shiritin e pjesës kosovare të autostradës bashkuese Shqipëri -Kosovë. Ata qenë bashkuar në krahinën bazë të UÇK-së për ta shkatërruar atë fasadë suksesi false, të indinjuar prej arrestimit nga policia e EULEX-it të Fatmir Limajt.
Nga shtypi e media shqiptaro-kosovare u tha se protesta e dhuntë e ish bashkëluftëtarëve të komandant “Çelikut” (pseudonimi i luftës i Limajt), i adresohej Hashim Thaçit, duke e lënë të pacënuar kryeministrin e ftuar nga Tirana, Sali Berisha. Gjë pak e besueshme kjo po të kihet parasysh se jo vetëm protokolli zyrtarë, por as kodi kanunor nuk e lejon një sjellje të tillë, për hatër të mikut. Sado ta kishin inatin me Thaçin, që lejoi EULEX-in të prangoste Limajn, për hatër të mitit kombëtar Berisha bashkëluftëtarët e komandant “Çelikut” do ta kishin lënë për një ditë tjetër shkatërrimin e dekorit, ndalimin e ceremonisë së shiritprerjes dhe detyrimin e fluturimit me helikopter të Thaçit e Berishës drejt Vlorës.
Sepse kështu ndodhi. Pasi protestuesit ja arritën t’a ndalnin ceremoninë e inaugurimit të autostradës as Thaçi, por as miti Berisha nuk ja doli të priste shiritin(që e ka hobin më të madh të karrierës së tij). Jo vetëm kryeministri i Kosovës, por as Kryeministri mit i qeverisë së shtetit amë nuk u lejua të mbante fjalën e rastit. Ndaj Thaçit, një qëndrim i tillë është i përligjur,por dhe mund të falej nëse figura e Sali Berishës do të vazhdonte të shihej si mit,si një burrë shteti gjithëkombëtar, e për hatër të prezencës së të cilit prishja e ceremonisë së Malishevës nuk duhej të ndodhte një ditë para festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit amë.
Aq më nuk duhej të ndodhte pasi Thaçin, bashkëluftëtarët e indinjuar të Fatmir Limajt e kanë përditë para syve dhe mund t’ia gjenin anën edhe në një ditë tjetër. Gjë kjo që nuk ndodhi, pasi, nga ana e protestuesve kosovarë edhe Sali Berisha, është vlerësuar i njëjtë si Hashim Thaçi. Ndaj dhe protesta e Malishevës duhet parë si fundi i durimit të shqiptarëve të Kosovës, si fundi i demagogjisë me anën e të cilës Sali Berisha arriti të hyjë në psikikën e kosovarëve si mit gjithëkombëtar. Por edhe si fundi i mbajtjes me hatër, e i faljes së jo pak prapësive që nisin në Rambuje dhe përfundojnë me UÇK-në.
Kosovarët e falën ish Presidentin e dheut amë, kur u bëri thirrje të mos e firmosnin traktatin e paqes në Rambuje. E falën ish Presidentin Berisha, që në kohën e embargos së vendosur nga OKB-ja, lejoi firmën e Partisë Demokratike “Shqiponja” të furnizonte me karburant makinerinë e luftës së Slobodan Milosheviçit. E falën edhe për etiketimin e UÇK-së “formacion marksistë”, por nuk ishte e mundur ta falnin pasi zbuluan të vërtetën. Domethënë qenien e tij shtijak. I njëjtë me Hashim Thaçin e tyre.