Thesar Kombëtar… edhe n’Tetovë

0
34

Libri “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” tani e tutje mund të gjendet edhe në qytetin e Tetovës. Konkretisht, botimi numër 4 gjendet në bibliotekën e qytetit të Tetovës.

Përveç kësaj, “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, botimi numër 5 do të promovohet vitin e ardhshëm (Korrik 2016) në qytetin e Tetovës nën patronatin e kryetares së komunës së Tetovës. Këtë e bëri të ditur vet kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një takim me kryetarin e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi. “Do të organizojmë vitin që vjen, në kuadër të kalendarit të aktiviteteve kulturore në Tetovë, të jetë pjesë edhe promovimi i librit “Thesar kombëtar i mërgatës shqipëtare në Suedi – botimi i radhës”, si dhe disa libra të tjerë të autorëve shqiptarë nga mërgata dhe autorë vendorë”, u shpreh Arifi. Kryetarja Arifi, përveq tjerash potencoi se ka shumë sfida në rrugën e saj drejt një qeverisje të mirë, mirëpo për aktivitete kulturore do të jap gjithmonë kontributin e saj.

Përveç kryetares së komunës së Tetovës, libri në fjalë gjeti përkrahje edhe te rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti. Ameti falemnderoi punën që bënë shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë dhe ofroi përkrahje të vazhdueshmë për punën dhe veprën e bashkëatdhetarëve.

Nga ana tjetër, sekretari gjeneral i Universitetit të Evropës Juglindore, shprehi gatishmëri për bashkëpunim ndërmjet Universitetit dhe Shoqatës dhe mundësinë e pjesëmarrjes në sesionin e pestë shkencor, i cili do të mbahet në Lund të Suedisë, në muajin Maj të vitit 2016.

Përveç, Universitetit të Evropës Juglindore edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës shprehu gatishmëri për pjesëmarrje në këtë sesion shkencor. Në këtë sesion shprehu gatishmëri për pjesëmarrje edhe kryetarja e komunës së Tetovës – Teuta Arifi.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi, njëherit edhe nënkryetar i Lidhjes së Krijuesëve Shqiptarë për Mërgatë, u takua me kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pastaj me Rektorin i Universitetit Shtetëror të Tetovës – Vullnet Ameti, si dhe Sekretarin Gjeneral i Universitetit të Evropës Jug-Lindore – Xhevair Memedi.

Në këto takime kryetari Hysen Ibrahimi dorëzoi nga një set prej katër librash, katër botimet e librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Këto takime u aranzhuan nga Sadije Aliti (poete) me bashkëpunëtorët e saj.

Takime të tilla, me përfaqësues të sferave edukative, kulturore e artistike do të organizohen edhe në vendet tjera të trojeve etnike shqiptare, me qëllim për ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare.

Lulzim Hakaj – Gazetar
lulzim.hakaj.1@gmail.com
+386 (0) 49 116 254