
Shekulli Online, 20.06.2010
TIRANE – Thellohet skandali i shitjes dhe privatizimit të makinave shtetërore. Çmimet qesharake të shitjes së automjeteve në pronësi të institucioneve shtetërore poseduesve të tyre përbëjnë vetëm njërën nga pikat e dobëta të ligjit “Për rregullimin e shërbimit të transportit të funksionarëve publik”. Kjo pasi përveç mundësisë së artë për të luajtur me çmimin real të tyre, ky ligj lë dhe një mundësi tjetër abuzimi nga drejtuesit e institucioneve dhe që ka të bëjë pikërisht me ato makina që në momentin e daljes së ligjit nuk kishin përdorues.
Ish-deputetët
Një fenomen i tillë duket se shtrihet më gjerësisht, pikërisht në institucionin e Kuvendit të Shqipërisë, ku më shumë se gjysma e makinave, për shkak të ndryshimit të legjislaturës dhe moszgjedhjes së gati të 50 për qind të deputetëve të mëparshëm, në momentin e daljes së ligjit nuk kishin përdorues. I pyetur nga “Shekulli” lidhur me fatin e automjeteve të ish-deputetëve, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, nuk pranoi të kthejë përgjigje. Ndërsa vetë ish-deputetët të kontaktuar me telefon kanë sqaruar se në disa raste nuk kanë fare informacion mbi fatin e makinave të tyre, ndërsa në disa raste të tjera kur makinat kanë qenë të reja dhe të shtrenjta janë vënë në përdorim të atyre zyrtarëve të lartë që edhe me daljen e këtij ligji kanë të drejtë të mbajnë ende makinë shtetërore.
“Nuk e di se kush e ka sot makinën që unë e kam pasur në përdorim për gati 10 vjet, por shpesh e shikoj në Elbasan. Unë e dorëzova në momentin që na mbaroi mandati dhe që nga ajo kohë nuk kam informacion mbi makinën që përdorja, pavarësisht se për shkak të problemeve të kohëve të fundit të legjislaturës së shkuar të gjitha shërbimet ia kam bërë makinën me shpenzimet e mia”, – tha ish-deputeti Ndriçim Hysa. Një tjetër ish-deputet që denoncon këtë fenomen është edhe kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, që gjatë legjislaturës së shkuar përdorte një nga makinat më të mira të Kuvendit. “Nuk e di se ç’u bë, por me sa kam informacion sot atë e përdor Topalli”, – u shpreh Gjinushi, ndërsa ka shprehur indinjatën e tij për të gjithë procesin e shitjes së makinave me çmime qesharake.
Në bazë të ligjit dhe vendimit që ka dalë në referencë të tij, kjo kategori automjetesh duhet të dilte në ankand për t’u shitur nga institucioni si makina të tepërta. Por, edhe për këtë kategori automjetesh, ashtu si edhe për ato që po i shiten zyrtarëve me të drejtën e parablerjes, procesi i shitjes është jotransparent dhe mbi të gjitha mënyra e vlerësimit të tyre është krejt abuzive, duke pasur parasysh se përcaktimin i saj bëhet mbi një formulë që ul ndjeshëm çmimin në disfavor të interesit publik.
Braçe
Skema e shitjes së automjeteve me të drejtën e parablerjes poseduesve të tyre, pa qenë e nevojshme të dalin në një ankand të mirëfilltë, është refuzuar nga deputeti socialist, Erion Braçe. Nëpërmjet një letre dërguar pikërisht sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Braçe refuzon të blejë makinën që ka pasur në përdorim për 159 mijë lekë të reja. Arsyet që ai paraqet në këtë letër lidhen pikërisht me mungesën e transparencës në procesin e vlerësimit të automjetit, çka, sipas tij, hedh hije të forta dyshimi për një proces klientelist, favorizues, por edhe diskriminues.
“Ulja e vlerës së mjetit në mënyrë apriori në masën 50 për qind, pa pasur parasysh gjendjen reale të mjetit dhe amortizimin faktik të tij, përbën një bazë të rëndësishme për të favorizuar disa dhe diskriminuar disa të tjerë. Kjo po përdoret si elementi themelor në një vjedhje masive të pasurisë publike, prej funksionarëve publik të të gjitha rangjeve, të cilët po pronësojnë me çmime qesharake mjetet e institucioneve publike… Nisur nga këtu, refuzoj ofertën tuaj për të blerë një mjet në pronësi të Kuvendit me çmimin 159 mijë lekë”, – thotë deputeti Erion braçe në letrën që i ka dërguar Kuvendit.
14 qershor
Shkeljet e qeverisë me shitjen e makinave
Nisma e qeverisë për të shkurtuar shpenzimet e buxhetit të shtetit me heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë është kthyer në një mundësi të artë abuzimi me pasurinë publike. Të gjitha automjetet që deri në fund të vitit të shkuar ishin në pronësi publike dhe në përdorim të zyrtarëve të lartë ose jo, po shiten me tenderë jo transparentë për “një copë bukë”. Pjesë e këtij procesi abuziv janë bërë edhe të gjitha makinat në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe që deri para pak kohëve përdoreshin për transportin e deputetëve ose të drejtuesve të tjerë të lartë të këtij institucioni. Nëpërmjet komisioneve të ankandit të ngritur në çdo institucion, automjetet shtetërore po u shiten me të drejtën e parablerjes që siguron ligji i miratuar në fund të vitit të shkuar “Për rregullimin e shërbimit të transportit të funksionarëve publik”.
Në bazë të këtij ligji vetëm një javë pas miratimit të tij qeveria e kryeministrit Sali Berisha miratoi një vendimi nëpërmjet të cilit përcaktoi praktikën e shitjes së automjeteve në pronësi të institucioneve publike dhe në shërbim të zyrtarëve. Kështu vendimi respektiv përcakton se fillimisht titullarët e institucioneve shtetërore përcaktojnë listën e automjeteve të tepërta dhe që në bazë të ligjit do u jepen për t’u parablerë nga vet përdoruesit e tyre. Lista përkatëse e automjeteve i vihet në dispozicion drejtorisë së doganave e cila nëpërmjet buletineve të saj dhe vlerësimit të tregjeve europiane paraqet vlerën e blerjes së automjetit nga ana e institucionit përkatës.
Ndërkohë që titullari i institucionit paralelisht me marrjen e vlerës së automjetit nga zyra më e afërt doganore ngreh komisionin e ankandit, i cili përpilon dhe formularin përkatës të shitjes së automjetit zyrtarit që e posedon. Në bazë të nenit 4, pika 1, komisionet për të llogaritur vlerën e mjetit të transportit që do të dalë në ankand, i referohet tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet europiane. Kësaj vlere të përcaktuar në këto tabela doganore, sipas pikës 2 të të njëjtit nen i zbritet 50 për qind si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur pas kësaj zbritje, është edhe vlera fillestare që do ti paraqitet zyrtarit për ta blerë.
Pikërisht kjo formulë përllogaritje lë vend për abuzim dhe nuk jep vlerën reale të automjetit. Kështu zyrtarëve së pari automjetet nuk do u njihet si vlerë totale e automjetit kostoja e zhdoganimit, pasi bëhet fjalë për automjete në pronësi shtetërore. Së dyti ajo që e bënë këtë proces vlerësimi të automjetit skandaloz është kriteri i zbritjes së vlerës së amortizimit. Përcaktimi që bëhet në vendimin e qeverisë nuk bënë dallim nëse automjetit është futur në përdorim në Shqipëri prej 1, 2 apo më shumë vitesh. Të gjitha automjetet pavarësisht nga viti i hyrjes në përdorim në vendin tonë kanë të njëjtën vlerë amortizimi, pra duke iu zbritur 50 për qind të vlerës së raportuar nga zyra doganore.
Kështu për të bërë vlerësimin përfundimtar të automjetit nuk merret parasysh viti i prodhimit, vitet e përdorimit në Shqipëri, si dhe gjendja faktike e automjetit. Pak rëndësi ka nëse një automjet është në një gjendje të rëndë apo të mirë teknike, pasi vlera e zbritjes është e barabartë, pra 50 për qind. Kjo sjell një humbje të konsiderueshme të pasurisë shtetërore, pra të pasurisë së shqiptarëve, pasi nga vlera fillestare makinat do shiten me gjysmën e atij çmimi. Humbja bëhet më e madhe në rastin e makinave të shtrenjta, pavarësisht se në përqindje është e barabartë. Nëpërmjet këtij favori funksionarit përkatës i garantohet mundësia e parablerjes së automjetit me vlerën fillestare të përcaktuar nga komisioni i ankandit, pa qenë e nevojshme të kalohet në një proces të rregullt ankandi çka mund të rriste edhe vlerën e automjetit apo asetit publik.
Por nuk mjafton vetëm me kaq pasi në mënyrë abuzive sërish komisionet e ankandeve iu është dhënë e drejta të bëjnë ulje të tjera dhe kjo në varësi të problematikave që mund të kenë automjetet e ndryshme. Kjo ka sjellë që automjete në pronësi shtetërore me vlera të konsiderueshme të mund të blihen nga përdoruesit e tyre me çmime qesharake. Kështu automjete me vlerë reale 40 deri në 50 mijë euro po arrijnë të shiten për vetëm 4 deri në 5 milionë lekë të vjetra. Një praktikë e tillë nisma e qeverisë për të kursyer paratë publike të shpenzuara më parë për transportin e funksionarëve publikë, rezulton të jetë kthyer në një nismë për të pronësuar pasurinë publike të shqiptarëve nëpërmjet procedurave jo transparente dhe çmimeve qesharake.
* * *
PS shkon në seanca, Topalli i heq pagën
9 qershor
Trajtimi financiar i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë vijon të mos bëhet në bazë të ndonjë ligji e as në bazë të ndonjë praktike fikse të njëjtë për të gjithë. Administrata që merret me financat në Kuvendin e Shqipërisë duket se më shumë punon mbi bazën e urdhrave të kryeparlamentares Jozefina Topalli sesa mbi normat ligjore që parashikojnë dhe praktikat përkatëse, duke bërë shpeshherë trajtime preferenciale për deputetë të ndryshëm. E duket se deputetët socialistë kanë mbetur sërish pre e një politike të tillë, pasi në muajin maj janë penalizuar në mënyrë abuzime me nga 20 mijë lekë secili për mospjesëmarrje në të 5 seancat plenare të muajit prill, pavarësisht se procesverbalet e publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit tregojnë të kundërtën.
Ndëshkimi
Deputetët socialistë ndëshkohen financiarisht me heqjen e një pjese të pagesës së muajit maj për mospjesëmarrje në 5 seancat plenare të muajit prill, megjithëse ata kanë qenë të pranishëm në 3 prej tyre. Siç vihet re në tabulatin e lajmërim kreditimit për pagën e muajit maj, të zgjedhurit socialistë kanë mundur të marrin vetëm 19.4 lekë dhe kjo edhe si pasojë e penalizimit që administrata e Kuvendit i ka bërë atyre me nga 20 mijë lekë me argumentin se nuk kanë marrë pjesë në seancat e muajit prill. Kështu, në tabulatin sqarues evidentohet se atyre iu janë ndalur nga 20 mijë lekë të reja për mungesa dhe masa disiplinore të kryera në muajin prill.
Duke u nisur nga fakti se me vendimet e mëparshme të Kuvendit është caktuar që një deputeti i mbahet 4 mijë lekë për çdo mungesë në seancë plenare, rezulton se deputetëve të majtë iu janë mbajtur 20 mijë lekë, të cilat i korrespondojnë 5 seancave plenare, që janë zhvilluar në muajin prill. Por, një përllogaritje e tillë e bërë nga administrata e Kuvendit nuk qëndron, pasi nga procesverbalet e publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni rezulton se të zgjedhurit socialistë kanë marrë pjesë në 3 seanca plenare nga 5 që janë zhvilluar gjithsej. Kështu, ata kanë qenë prezentë në seancën e së enjteve të datave 1, 8 dhe 29 prill, duke mos qenë prezent vetëm në dy prej tyre kur edhe u sensibilizuan me kolegun e tyre Taulant Balla, i cili u dënua nga Byroja Parlamentare.
Fjala e mbajtur nga kryetarja Topalli në këto seanca, duke bërë të ditur listën e deputetëve socialistë që kishin kërkuar fjalën në këto seanca, por edhe fjalimet e vetë deputetëve socialistë të zbardhura në këto procesverbale janë një dëshmi e plotë për të treguar se kriteri penalizues i ndjekur nga Kuvendi nuk ka për bazë pjesëmarrjen në seancë, por penalizimin e vazhdueshëm që kryetarja Topalli u ka bërë atyre për gati 10 muaj me radhë.
Akuzat
Pavarësisht vlerës simbolike të shumës së lekëve që janë ndalur, e rëndësishme është se penalizimi i kryer nga Kuvendi është abuziv dhe jo i drejtë, çka duket se bind edhe më shumë deputetët e majtë për të akuzuar kryeparlamentaren Topalli se po e përdor këtë institucion kundër opozitës. Gjatë ditëve të fundit, grupi parlamentar socialist përveç akuzave të drejtpërdrejta të ngritura në sallën e Kuvendit duket se janë duke menduar edhe për një padi të kryetares Topalli në organet e drejtësisë, për abuzim me pagat dhe dietat e tyre.
Gjithashtu, një plan tjetër është edhe ai për të kërkuar një hetim parlamentar për të gjithë veprimtarinë parlamentare të Topallit dhe përdorimin e buxhetit të këtij institucioni. Do të jetë pikërisht mbledhja e sotme e grupit parlamentar ajo që do të vendosë ndër të tjera edhe për këto dy mundësi. Dje, shqetësimin e tyre për këtë problem, ata ia përcollën nëpërmjet një letre edhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
* * *
Politika e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me pagat dhe dietat e deputetëve socialistë përfundon në dyert e trupit diplomatik në Tiranë. Grupi parlamentar socialist ka vendosur t’i drejtohet me një letër përfaqësuesve të shteteve më të rëndësishëm në marrëdhëniet me Shqipërinë në vendin tonë, për t’i vënë në dijeni mbi atë që ndodh realisht me trajtimin financiar të tyre nga ana e Kuvendit, si një përpjekje e vazhdueshme e kryeparlamentares Topalli për të frenuar apo asgjësuar rolin opozitar parlamentar.
Deputetë socialistë kanë konfirmuar dje se letra do të mbajë firmën e kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, dhe do t’i niset konkretisht kreut të përfaqësisë diplomatike të Komisionit Europian, Helmut Lohan, kreut të ambasadës spanjolle, Emanuel Montobio, si vendi që mban presidencën e radhës së BE-së, ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, si dhe ambasadorit amerikan, Xhohn Withers. Në letrën e hartuar tashmë pasqyrohet një histori e shkurtër e penalizimeve të njëpasnjëshme që kryeparlamentarja Topalli i ka bërë pagës dhe dietave të deputetëve socialistë, duke bërë interpretime të ndryshme të ligjit “Për statusin e deputetit”. Më tej, siç mësohet nga të njëjtat burime informacioni në letër konstaton shkelje të veçanta të ligjit dhe të rregullores së Kuvendit nga ana e kryeparlamentares, ku natyrisht veprime të tilla cilësohen si të qëllimshme nga ana e saj.
Në letër, çështja e pagave dhe dietave nuk trajtohet thjesht si një e ardhur financiare për deputetët, por si një instrument financiar i domosdoshëm për të kryer aktivitetin normal kushtetues të të zgjedhurit të popullit. Ambasadorët informohen nëpërmjet kësaj letre se administrata financiare e kryetares Topalli përdor standarde të shumëfishta për trajtimin financiar të deputetëve që, sipas socialistëve, tregon fare qartë se kufizimet apo mbajta e pagës dhe dietave nuk bëhet në bazë të ndonjë ligji apo rregulli të caktuar, por vetëm në referim të dëshirës dhe humorit të kryeparlamentares.
Rasti më i freskët i këtij lloj abuzimi, sipas socialistëve, është paga e muajit maj, ku vendimit të fundit të këtij muaji për detajimin e ri të pagës së deputetit, iu dha fuqi prapavepruese, çka solli për pasojë që deputetët socialistë të merrnin në rastin më të mirë maksimumi 19.4 mijë lekë ose në rastin më të keq minimumi o lekë, pavarësisht se ata morën pjesë në një seancë plenare nga 4 që u kryen gjithsej. Ndërkohë që më parë ka pasur raste të shumta ku deputetë të të njëjtës zonë zgjedhore, trajtoheshin me dieta në mënyrë të ndryshme, ku përfaqësuesit socialistë arrinin të merrnin vetëm 18 mijë lekë dieta, ndërsa ata demokrat mund të merrnin deri në 80 mijë lekë të reja. Këtu Topalli përfshinte edhe veten e saj, duke akorduar rreth 80 mijë lekë dieta sikur jetonte në Shkodër, megjithëse jeton në Tiranë.
Sipas socialistëve, dietat dhe paga nuk jepet vetëm për pjesëmarrjen në kuvend dhe komisione, por edhe për të mundësuar ushtrimin e funksionit të deputetit në zonat e tyre përkatëse zgjedhore. Lidhur me këtë problem, socialistët kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin edhe nisma hetimore, parlamentare apo penale. Sipas burimeve pranë grupit socialist, pritet që në ditët në vijim të përcaktohet se cili do të jetë hapi që do të ndërmerret, pasi ekziston mundësia e një padie në prokurori e kryeparlamentares Topalli dhe sekretarit të saj të përgjithshëm për abuzim me pagat dhe dietat e tyre, por nuk përjashtohet si mundësi paraqitja e një kërkese për hetim parlamentar të shpenzimeve të buxhetit dhe funksionimit të institucionit të kuvendit.
* * *
Topalli, 600 mln lekë për sallën e re të Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë do ndryshojë fytyrë. Selia e seancave plenare do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Kuvendi ka përmbyllur dy tenderat me vlerë totale 600 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e godinës dhe mobilimin e sallës ku zhvillohen mbledhjes së seancave plenare dhe në fund të korrikut firma fituese do filloj punë për të realizuar projektin.
Rikonstruksioni
Bojkoti 9 mujor i Kuvendit nga opozita ka pasur dhe një anë të vet pozitive. Për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve socialistë në jetën parlamentare dhe për rrjedhojë të mospagimit të tyre, drejtuesit e Kuvendit kanë mundur të sigurojnë një gjendje të mirë financiare, çka u ka dhënë mundësi që jo vetëm të japin shpërblime për punonjësit e administratës, por edhe të krijojnë mundësinë për të rritur zërin e investimeve. Falë një gjendje të mirë financiare, të siguruar edhe për shkak të këtij bojkoti, institucioni legjislativ vendosi të ndërhyjë godinën e sallës së seancave plenare.
Megjithëse Kuvendi ka hartuar një projekt afatgjatë për ngritjen e një kompleksi parlamentar në ambientet ekzistuese të kryesisë apo siç njihet ndryshe tek godina e ish-Komitetit Qendror, drejtuesit aktual të këtij institucioni kanë vendos të mos presin gjatë por të ndërhyjnë në godinën ekzistuese të seancave plenare. Kështu, drejtoria e prokurimeve ka zhvilluar në mes të muajit maj tenderin me vlerë 48,6 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e Sallës së Seancave Plenare dhe ka shpallur firmën fituese e cila do merret me zbatimin e projektit në teren.
Ajo që dihet me siguri deri më tani është ndërhyrja brenda në sallë, por nuk përjashtohet mundësia që me këtë shumë të konsiderueshme lekësh të mund të rikonstruktohen edhe pjesët e tjera të kësaj godine. Burime nga Kuvendi kanë bërë të ditur se pritet të ndërhyhet edhe në llozat e të ftuarve, në platenë ku sot qëndron media, zyrat e grupeve parlamentare etj. Nuk dihet ende nëse projekti parashikon ruajtjen e formatit aktual, por nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të vendeve ku qëndron kabineti qeveritar, si dhe të tavolinës së drejtuesve të Kuvendit.
Një tjetër ndryshim mund të bëhet edhe për vendet ku qëndrojnë kamerat dhe gazetarët. Sipas formularit të kontratës së nënshkruar mes drejtorisë së prokurimeve dhe firmës fituese punimet duhet të nisin menjëherë dhe të përfundojnë para datës 1 shtator 2010, pra para nisjes së sesionit të ri parlamentar.







