MANCHESTER – Rrethimi i Sarajevës dhe shpëtimi që gjeti populli nëpërmjet një rruge që u pagëzua me “Udha e jetës”, është tema e filmit “1395 ditë pa të kuqen”. Në fakt ata janë dy filma që bëjnë një. “Të shikosh dy filma njëri pas tjetrit është diçka më shumë se sa loja ‘gjej dallimet’, edhe pse ngjashmëritë midis këtyre dy filma janë të pafundme”, – shkruan “The Guardian”.
Artistja boshnjake Shejla Kameriq dhe ai shqiptar Anri Sala kanë shkrirë rrëfimin e tyre në filmin “1395 ditë pa të kuqen” i cili ka mahnitur publikun dhe kritikën britanike. Ai është shfaqur në “Manchester Film Festival”. “1395 ditë…”, ka për kryetemë rrethimin e Sarajevës, por nga një këndvështrim krejt tjetër. Filmi vë në pah mënyrën si funksiononte rruga, e cila në kohë lufte u pagëzua me “Udha e jetës”. Filmi është xhiruar në Sarajevë. Roli kryesor i është besuar aktores spanjolle Maribel Verda.
Nëpërmjet metaforës së personazhit, një grua që i bie ‘Rrugës së jetës’ në Sarajevë tregojmë pikërisht se si ka funksionuar krejt qyteti dhe si qytetarët rrugëtonin pa çarë kokën për asgjë. Njerëzit kryenin punët e tyre. Kishte në mesin e tyre muzikantë, artistë e shumë njerëz të tjerë, profesionet e të cilëve, në kohë lufte nuk janë ekzistenciale, por në një farë forme edhe janë të tillë, ngaqë bëhen dora e djathtë e mbijetesës mentale”, – ka thënë njëra nga bashkautorët e këtij filmi, Shejla Kameriq, transmeton “Radiosarajevo.ba.”
Një sërë rrethanash kanë rezultuar me mospërputhjen e qasjes artistike midis Shejla Kameriqit dhe të Anri Salës. Për këtë kanë lindur dy filma e jo një. Ky fat i pazakonshëm, sipas vlerësimit të kritikut të gazetës prestigjioze “The Guardian”, i ka dhënë filmit një tjetër kuptimësi. “Të shikosh dy filma njëri pas tjetrit është diçka më shumë se sa loja ‘gjej dallimet’, edhe pse ngjashmëritë midis këtyre dy filma janë të pafundme”, – ka shtuar Adrian Searle në “The Guardian”, pasi ka parë filmin në “Manchester Film Festival”.
Edhe pse në të dy filmat – ku secili zgjat diçka më pak se një orë, aktorja e njëjtë ecën njësoj aty ka disa detaje që përthekojnë dallimet, siç është rasti me provat e një orkestre simfonike, kuadrimeve të gjera në instrumente, krrokamës së sorrave, njeriut që ecën nëpër shinat e trenit, apo ndeshja në udhëkryqe. Por “fotografia” zanore megjithatë ia jep një tis dallimesh të theksuara, njashtu siç bën edhe mënyra e kuadrimit, apo forma regjisoriale e plasimit të rrëfimit, ka shkruar kritiku i gazetës me nam. Filmi “1395 ditë pa të kuqen” është dyfishuar siç është bërë edhe me ecjen që sërish vë në lëvizje personazhen kryesore, simfoninë e cila sërish interpretohet, rrethimin që ndodh për së dyti. E krejt kjo dyfishon edhe jetën e cila sërish jetohet.
(d.b/GSH/BalkanWeb)







