Thashethemnaja si argument

0
39


Arbën Xhaferri, 25.12.2010

“Të gjithë kanë ditur se çfarë po ndodh në Kosovë, por kanë heshtur”… Kështu deklaron raportuesi i Këshillit për çështje juridike të Kuvendit Parlamentar të Këshillit të Europës, Dik Marti, në raportin e tij për tregtinë ilegale me organe njerëzore në Kosovë.

Kjo fjali e shkëputur nga një intervistë e tij dhënë një agjencie informative, “Infosud”, më datë 17.12.2010 zbulon strukturën mentale të raportuesit. Edhe një gazetar mesatar nuk do t’ia lejonte vetes këtë formulim përgjithësues “të gjithë”. Formulimet e këtilla nuk janë përdorur as në periudhën më të egër të komunizmit.

Ky raport është dashakeq, mirëpo nuk duhet të hidhet me indinjatë, por të analizohet burimi i kësaj armiqësie kundër nesh që sa vjen shtohet. Nuk mjaftojnë bindjet tona për pafajësinë tonë, nuk mjafton as brerorja prej shenjtori, sado që ta kemi merituar atë. Më në fund duhet të fillojmë aksionin e organizuar në të gjitha shoqëritë shqiptare për përmirësimin e imazhit tonë të përkeqësuar.

Sado që kemi të drejtë t’i kritikojmë paragjykimet e dashakëqijve si percepsione të gabueshme, megjithatë duhet të marrim parasysh se edhe ato luajnë rol të rëndësishëm në krijimin e opinionit negativ ndaj nesh.

Në kapitullin 175 të këtij raporti pohohet se hulumtimi ka filluar pas zbulimeve në memoaret e ish-prokurores të Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte, “Gjahu”. Çka paska zbuluar ajo? Asgjë, pos hamendjeve të tipit “flitet se”…

Ajo nuk jep asnjë argument të verifikueshëm për pohimet e saj, prej të cilave u distancua edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, në kohën kur u botuan memoaret e saj.

Karla Del Ponte u referohet zërave të paidentifikuara, i shndërron ato në dyshime, kryesisht të fabrikuara nga shërbimet sekretet serbe, pastaj në shtypin botëror botohen aty këtu tekste të porositura nga ata që nuk pajtohen me dobësimin e Serbisë si shtet hegjemon në Ballkan, pastaj alarmohen institucionet ndërkombëtare që natyrisht manifestojnë shqetësimin e tyre duke dërguar emisarë për ta verifikuar të vërtetën. Mjerisht e gjithë kjo i ngjason situatës kur qeni përpiqet ta kapë bishtin e vet dhe sillet vërdallë derisa nuk alivanoset.

Në raportin e tij voluminoz (176 pika ), z. Marti përdor vetëm supozime, gjeneralizime dhe mistifikime të paverifikueshme.
Në hyrje të raportit ai e sheh të udhës të përkufizojë karakterin klanor të shoqërisë kosovare.

Pse ai e sheh të udhës që ta tipizojë veçorinë klanore të shoqërisë kosovare? Kjo bëhet e qartë më vonë kur ai duhet t’i ofrojë argumentet konkrete. Mungesën e tyre, ai e arsyeton me karakterin, moralin fisnor të kosovarëve, të cilët tregojnë lojalitet ndaj fisit dhe jo ndaj ligjit.

Këtë imputim, ai e zbukuron me nocionin e “omertës” që kultivohet në grupet e mafies italiane. Ka të bëjë me zakonin e heshtjes së dëshmitarëve, me pamundësinë për të gjetur dëshmitarë.

Ç’është e vërteta në Kosovë ka omertë ndaj imputimeve serbe apo paragjykimeve të disa qarqeve europiane. Meqë shqiptarët nuk pajtohen të jenë pjesë e një makinerie që fabrikon gënjeshtra, atëherë akuzohet se kanë një strukturë mentale mafioze.

Sipas gjitha analizave sociologjike ekonomike në Kosovë dhe kudo ndër shqiptarë, fiset më nuk ekzistojnë. Në çdo vendbanim shqiptar, sot bashkëjetojnë përfaqësuesit e shumë fiseve kështu që akuza për strukturën mentale fisnore të shqiptarëve është në funksion të kompensimit, të arsyetimit pse mungojnë dëshmitë: faktet ekzistojnë, por s’mund të zbulohen për shkak të institucionit të omertës.

Në pikën tre, ai e konteston intervenimin ushtarak të NATO-s duke përdorur formulime që nuk mund të pranohen si metodë për verifikim të vërtetës: …”operacionet të cilat sipas disa mendimeve (të kujt, cilat) kanë bërë shkelje të ligjit ndërkombëtar…”. Pakënaqësia nga intervenimi i NATO-s është vlerësim politik që në fakt mohon raportet e reja gjeostrategjike në Ballkan. Kjo pakënaqësi të disa qarqeve evropiane arsyetohet me përkufizime të rrejshme të karakterit fisnor të shqiptarëve që nuk meriton mbrojtje të NATO-s.

Meqë nuk u arrit të pengohet ky intervenim atëherë përmes akuzës për tregti ilegale me organe njerëzore kontestohet legaliteti i intervenimit të NATO-s. Në këtë kapitull po ashtu pa argumente kritikohet NATO-ja pse paska sulmuar vetëm nga ajri duke e shfrytëzuar UÇK-në si këmbësori. Në fakt gjithë ky pluhur, gjithë ky mohim i intervenimit të NATO-s është në funksion të mohimit të suksesit të intervenimit për të penguar shkeljen drastike të drejtave të njeriut. Rasti i Kosovës mbase është i vetmi rrëfim i suksesshëm (succes storry) i intervenimeve të kësaj natyre.

Në pikën pestë ai e përshkruan situatën në kufi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës duke përkufizuar si kaotike, duke heshtur faktin se si dhe për se u krijua ky kaos. Ai harron fare eksodin biblik që u shkaktua nga vetë serbët, nga formacionet paramilitare, kriminale dhe të rregullta, policore dhe ushtarake.

Në pikën e gjashtë ai tregon pakënaqësinë e tij me këndshikimin e krizës: “… në njërën anë janë serbët, të paraqitur si pushtues të ligë, ndërkaq në anën tjetër shqiptarët si viktima të pafajshme…” Këto formulime, kategorizime janë fryt i mbresave, paragjykimeve personale që asnjë institucion nuk mund t’i pranojë si fakte.

Në pikën shtatë jepet përkrahje përkufizimit serb të statusit të shtetit të Kosovës si sajesë e NATO-s.

Në pikën tetë, gjithnjë në funksion të arsyetimit të mungesës së fakteve kritikohet UNMIK-u që nuk ka lënë një arkiv të sistemuar për krimet e shqiptarëve( 300 000 faqe të shkapërderdhura), mirëpo manifestohet edhe zhgënjimi nga EULEX-i për shkak se nuk ka filluar hetimin mbi veprimtarinë e të paprekshmëve.

Si argument raportuesi thirret në dëshminë e Nazmi Bllacës, i cili paska pranuar vetë se ka vrarë sipas urdhrit të njerëzve që janë sot janë në poste të larta. Në gjithë raportin e raportuesit Marti, ekziston vetëm një dëshmi konkrete: deklarata e Nazmi Bllacës. Asnjë tjetër!

Në pikën dhjetë në fillim jepen vlerësime deri diku pozitive për policinë e Kosovës, por megjithatë, sipas metodës të dhënies së rëndësisë argumentuese mbi baza të pohimeve të qarqeve të paidentifikueshme, ai arrin ta mohojë edhe rolin pozitiv të policisë: “…megjithatë, vëzhguesit, me të cilët kemi biseduar, kanë vlerësime të tjera për rolin e policisë…”

Mbështetja në pohimet e qarqeve të padefinuara vazhdon të përdoret si argument. Por, jo vetëm kaq. Autori i raportit kërkon nga policia kosovare përkushtim absolut: “…në mesin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë hetuam dilemë lidhur me gatishmërinë dhe vullnetin politik që fuqimisht t’u kundërvihet të gjitha formave të krimit…”

Në pikat 11, 12, 13, 14 dhe 15 flitet për të pagjeturit. Jepen të dhëna përafërsisht të sakta statistikore që s’kanë mundur të heshtin, por menjëherë vrapohet të nxirret përfundimi: në Serbi zbulohen varrezat masive të shqiptarëve, ndërkaq në Kosovë nuk paska gatishmëri për bashkëpunim në zbulimin e tyre.

Përsëritet mënyra e gabueshme e argumentimit. Kërkohet të zbulohet paragjykimi, teza se gjatë luftës në gjithë Jugosllavinë ka pasur fajtorë në gjitha anët. Ky relativizim i fajit funksionon si argument për shfajësim të serbëve të cilët burrërisht bashkëpunuakan me faktorin ndërkombëtar në zbulimin e krimeve.

Kjo tendencë ngërthen në vete bindjet aprioristike të autorit për fajësi të gjitha palëve. Kërkohet nga Kosova që të bashkëpunojnë në zbulimin e varrezave inekzistente që do të dëshmonin fajësinë e shqiptarëve në përgjithësi. Raportuesi harron se shumica e varrezave masive në Serbi janë zbuluar nga xhirimet satelitore të faktorit ndërkombëtar të implikuar në krizën jugosllave.

Krahas kësaj xhirimet që u bënë nga satelitët izraelitë të paguara nga qeveria serbe (30 milionë dollarë) nuk dhanë asnjë provë.

Në pikën 16 flitet për vizitën e ekspertëve të UNMIK-ut shtëpisë së mitizuar të verdhë ku janë bërë operacionet për nxjerrje të organeve njerëzore. Vlerësimi i UNMIK-ut ka qenë negativ, nuk kanë gjetur fakte inkriminuese.

Për ta kritikuar dhe zhvlerësuar raportin e UNMIK-ut, z. Dik Marti përpiqet me po atë metodë të gabueshme të hedhë dyshimin e tij mbi këtë raport: “…njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë mision të cilët i kemi intervistuar(cilët?) haptazi kanë kritikuar mungesën e profesionalizmit…”.

Ai vazhdimisht operon me argumente të paqena, përkatësisht me dëshmitarë jo konkret. Ai e akuzon UNMIK-un pse nuk kanë vazhduar hulumtimet më të detajuara, me fjalë të tjera përse Komisioni i UNMIK-ut nuk ka vazhduar të zbulojë atë që parapëlqen Dik Marti dhe të tjerët rreth tij.

Në pikën 22, raportuesi ndërton argumentin që e shfajëson atë nëse zbulimi i tij do të dalë një konstruksion i sajuar nga përgojimet e qytetarëve, gazetarëve sensacional apo nga memoaret e zyrtarëve të lartë që synojnë ta kapitalizojnë rolin e tyre në këtë krizë duke “zbuluar” fakte shokante.

Këto “zbulime” janë të sajuara dhe në funksion të leverdisë konkrete të autores e cila pret që libri i saj të shitet, të bëhet bestseller. Gabimet eventuale ai i arsyeton me kushtet e vështira të punës.

Në kapitullin “Mafia e paprekshme shqiptare” ai krijon një nocion kryekëput sensacionalist gazetaresk që nuk mund të trajtohet si argument i dorës së parë, por shërben që të thellohen paragjykimet për shqiptarët.

Natyrisht askush nuk mund të mohojë ekzistimin e kriminelëve shqiptarë të cilët me veprimtarinë e tyre kriminale janë armiq më të mëdhenj të popullit shqiptar. Veprimet e tyre kriminale, propaganda antishqiptare i shndërron në mesazhe të pa pranueshme politike.

Por, sot nuk ekziston asnjë studim serioz sociologjik që do të vërtetonte funksionimin e kriminelëve shqiptarë si rrjet i veçuar mafioz. Megjithatë mafia në kuptim të rrjetit kriminal është produkt i ndërtimit të shtetit mbi parimet e lirisë, siç janë shtetet më demokratike të botës që nuk e luftojnë madje edhe mafian duke sakrifikuar lirinë dhe bazën e shtetit ligjor.

Në Shqipëri dhe në Kosovë gjithsesi nuk mund të ketë mafia, por grupe kriminelësh që s’çajnë kokë për patriotizëm.

Në vazhdim, duke u thirrur në qarqe të paidentifikuara e cilëson UÇK-në si një strukturë jo fisnike. Nëse merret parasysh se fjala “fisnike”ka domethënie morale, atëherë shtrohet pyetja, cila strukturë militare qenka fisnike dhe a mund të jenë ato të atilla? Me këtë qasje raportuesi përuron një standard shumë të lartë që asnjë komb në botë nuk mund ta garantojë. Kërkohet nga shqiptarët të jenë absolutisht të mirë, fisnikë se përndryshe do të pësojnë keq.

Shqiptarët megjithatë gjatë gjithë kohës së krizës nuk rrëshqitën në zonën e terrorizimit. Ata vepronin vetëm brenda zonës së konfliktit në Kosovë. Nuk e zgjeruan fushëbetejën, si në territorin serb ashtu edhe në shtete të tjera të botës ku jetojnë shqiptarët.

Në pikat 34, 40, 41 raportuesi fillon pak nga pak, pa asnjë dokument të akuzojë SHBA-të për sponzorizues të kryengritjes: “…lobimi i fuqishëm i SHBA-ve pro UÇK-së krijoi perceptimin pozitiv për të në opinionin ndërkombëtar…”.

Pra, mos të kish qenë përkrahja e SHBA-ve shqiptarët dhe kriza në Kosovë do të zgjidhej sipas standardeve të Millosheviqit, ose thënë më thjesht amerikanët paskan prishë do pazare të tjera gjeostrategjike. Involvimi amerikan në funksion të pengimit të gjenocidit të paralajmëruar qenka më problematik sesa strategjia serbe e pastrimit energjik të popullit jo lojalë ndaj rolit kundërperëndimor të soldateskës serbe.

Në raportin voluminoz, 37 faqesh të Dik Martit më së paku trajtohet tema kryesore: tregtia me organet njerëzore (2-3 faqe).

Në vend të kësaj teme ai trillon, flet për strukturën fisnore të shoqërisë shqiptare, për mafian shqiptare, për UÇK-në si një strukturë jofisnike kriminale, për përçarjet brenda strukturës së UÇK-së, për ekzistimin e strukturave inteligjente informative në kuadër të çdo fraksioni, për grupin më të fuqishëm të Drenicës në krahasim me grupet e tjera kryengritëse, për fshehjen e fakteve ndaj këtij grupi nga ana e SHBA-ve, për llogoret e civilëve në Shqipëri, për llogoret ku janë vendosur kundërshtarët, për rrahjen e të burgosurve në “llogorin” e Kukësit, për varrezat në Shqipëri duke trajtuar vdekjet e refugjatëve si pasojë e veprimtarisë kriminale të segmenteve të ndryshme të strukturave ushtarake të UÇK-së, për likuidimin e serbëve duke iu bashkangjitur përpjekjeve të serbëve që të fshehin numrin e ushtarëve të tyre të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s.

Në atë kohë propaganda serbe fshehte numrin e ushtarëve të vrarë të cilët sot trajtohen si të zhdukur, përkatësisht të vrarë. Flitet po ashtu për zbulimet e gazetarëve amerikanë pa i theksuar emrat e tyre edhe pse dihej se ata nuk mund të ishin të shantazhuar nga mafia shqiptare. Emrat e tyre mungojnë, ashtu edhe të shoferëve të kamionëve dhe të fugonëve që paskan qenë të involvuar në këtë veprimtari johumane dhe kriminale.

Raportuesi Dik Marti për të krijuar efektin neveritës në një kapitull të veçantë flet për lutjen e të burgosurve që të mos masakrohen, të copëtohen trupat e tyre. Edhe në këtë kapitull mungojnë emrat, datat, vendet ku qenkan masakruar të burgosurit.
Raportuesi ndërton argumente duke mos përfillë logjikën, etikën si dhe metodën elementare që duhet të ketë çdo akuzë.

Ai thirret në pohimin e dëshmitarëve inekzistentë, qytetarë, gazetarë dhe zyrtarëve të dikurshëm që shkruajnë në mënyrë skandaloze për të joshur opinionin, gjithmonë në funksion të afirmimit të imazhit të prokurorit sypatrembur e cila lufton me qarqet politike që synojnë t’i fshehin qëllimet dhe interesat e tyre kryesore.
Sido që të jetë fati i këtij raporti ai, megjithatë do të ketë një efekt konkret. Do ta ringjallë nacionalizmin serb dhe pretendimet e tyre irracionale.

Sipas metodës së përdorur për ndërtimin e argumentit që mbështetet në deklaratat e dëshmitarëve pa identitet apo në formulime konfuze të ish-zyrtarëve të lartë që merren me krizën jugosllave, shumë lehtë mund të ngritën aktakuza kundër Papës për antikrishterizëm.