Nga Beqë Cufaj, 17 Janar 2012
Policët e policet, djemtë dhe vajzat e këtij institucioni shtetëror të Republikës së Kosovës, kanë më së paku faj pse të shtunën u desh të mbathin çizme lufte, mburoja antiplumb, hedhës uji, armë të gatshme për të shtënë, urdhra që s’mund t’i kthenin prapa dhe para së gjithash të nxirrnin kërbaçët e “punës” në mënyrë që me ta të godisnin mbi bashkëqytetarët dhe mbi bashkëkombësit e tyre. Ata e kryenin punën. Zbatonin urdhrin. Sepse ky (Hashim) Thaç u kishte thënë u mëshoni me kërbaç!
Askush, absolutisht askush nuk ka faj më shumë për dhunën e eskaluar në kufirin e Republikës së Kosovës me atë të shtetit fqinj, Serbisë, sesa Hashim Thaçi. Retorika e tij primitive dhe mburravecëria me të cilën mundohej ta imitonte “kolegun” e tij në Tiranë, flasin jo veç për shkurtpamësinë dhe jointeligjencën e tij, por në pah nxirrnin diçka shumë më të thellë dhe për këtë edhe frikësuese: ky Hashim Thaç, ky kryeministër i Kosovës, është në gjendje të godasë dhe të vrasë vetëm e vetëm që të mbetet në pushtet.
Kjo është pika në fundin e çdo përllogaritjeje analitike dhe emocionale, politike dhe patriotike, ekonomike dhe financiare, kulturore dhe shoqërore, që del për këtë njeri.
Që të jemi edhe më të saktë: Thaçi, me komitët dhe me varësit e tij, është në gjendje të rrahë e të godasë, të vrasë e të përndjekë jo veç për protesta si ato të Vetëvendosjes por ka bërë, bën dhe do të bëjë çdo gjë që të mbetet në pushtet edhe nëse qytetarë të vendit dalin për të protestuar për mungesa dhe tepri të kësaj Republike, të cilat s’ua gjen shoqet askund në Evropë.
Thaçi është në gjendje të nxjerrë soldateskën e tij edhe nëse në pyetje do të ishin protesta për mungesë rryme elektrike, mungesë uji, mungesë të vendeve të punës, mungesë investimesh, mungesë rregulli, rendi e ligji… Thaçi është dhe do të jetë në gjendje të godasë edhe nëse provohet t’i preket sistemi që s’ka sistem…
Ajo që dje ka ndodhur tek Besiana, ku njerëzit u prenë në besë, te Dheu i Bardhë, i cili u zi me pika gjaku shqiptaresh e shqiptarësh të rinj nga bashkëkombësit e tyre, shënon një moment të ri, një nismë të re, në jetën e rëndë politike të Prishtinës dhe Kosovës. Hashim Thaçi me kompaninë e tij na tregoi që për të qëndruar në pushtet jo vetëm që është në gjendje të bëjë çdo gjë, por duhet të shtrëngohemi mirë dhe fort që atë ta heqim nga ai vend ku është.
Kërbaçi i Thaçit është jo përgjigjja e tij përfundimtare, por ajo fillestare. Për të na frikësuar? Natyrisht! Për të na treguar që ka edhe mjete të tjera – shumë më të forta? Po se po! Por, ata kërbaçë të tij mund të thuhet se ishin edhe shenja e parë e nervozës, e pamaturisë, e pasigurisë, e panikut që ky njeri pati, ka… dhe nga tash e tutje edhe do të ketë.
Sepse, në pah doli që nuk është më Hashim Thaçi, ai njeri që ka në dorë vranësinë apo kthjelltësinë politike dhe të sigurisë mbi këtë nënqiell dhe këtë vend. Këtu duhet parë fitoren e Vetëvendosjes dhe mençurinë e qytetarëve të Kosovës për të mbajtur qëndrim pak a shumë “neutral” ndaj krejt këtyre inateve të moçme, sharjeve primitive dhe rrëshqitjeve drejt vendeve me metoda totalitare të veprimeve të shtetit ligjor me mjete krejt joligjore ndaj protestave demokratike për çështje … edhe patriotike edhe ekonomike.
Tashti jemi ku jemi dhe nga kjo e hënë në Kosovë, ka nisur një kapitull i ri politik të cilin duhet ta kapim dhe kuptojmë si një frikë të bazuar por edhe optimizëm të prekshëm.
Frika është që Thaçi ka nxjerrë kërbaçin. Optimizmi është që nëse ai kërbaç në mënyrë të pamëshirshme godiste qytetarë të këtij vendi… do të mbetet të shihet kur dhe s’i do t’u kthehet pikërisht atyre dhe sidomos atij që kishte dhënë urdhrin për ta përdorur atë!…
Doni shembuj? S’ka nevojë sepse e kemi parë dhe po e shohim si përfundojnë krejt ata që përdorin dhunë ndaj qytetarëve të tyre.







