Tetraplegjiku kundër ministrit Ksera, e pushoi nga puna për shkelje hierarkike

0
57

Ismailaj: “Për largimin tim të padrejtë, kam hedhur në gjyq Ministrinë e punëve, çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta

Zbardhet draft-raporti i vitit 2009 për personat me aftësi të kufizuar dhe padrejtësive që u bëhen.

Quhet Ndrek Ismailaj dhe për katër vjet përfaqësoi 117 mijë persona me aftësi të kufizuar në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si drejtor i Sekretariatit Teknik për Personat me Aftësi të Kufizuar. Nga 20 qershori i vitit 2006 deri më 26 qershor 2010 ai punonte dhe si përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në Këshillin Europian për problemet sociale. Ismailaj shprehet se pushimi nga puna ishte i padrejtë. Ai u largua mbas botimit të një raporti vjetor për zbatimin e strategjisë, politikën dhe administrimin që qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Punës, u bënte personave me aftësi të kufizuar. Sipas Ismailajt, ministri Spiro Ksera e ka mbajtur në tavolinën e tij këtë draft-raport për më shumë se tre muaj, madje ka qenë i pranishëm edhe në Këshillin Kombëtar të PAK me 6 ministra të tjerë, përfshirë këtu dhe ish-ministrin e Shtetit, Genc Pollo, kur u prezantua draft-raporti i vitit 2009.

“Ky draft-raport, 2 muaj mbasi i ishte dorëzuar ministrit Ksera, mori miratimin me shkresë për t’u botuar nga Genc Pollo, ministër i Shtetit, njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar në atë kohë. Pas botimit, Spiro Ksera urdhëroi bllokimin e librit dhe njëkohësisht kërkoi dorëheqjen time të menjëhershme”, – tha Ndrek Ismailaj. I revoltuar ai tregon se pushimi nga puna ishte kolektiv, pasi më të u pushuan të gjithë vartësit e tij. Ndreka thotë se në ato momente ka qenë i gatshëm të niste dhe grevë urie brenda në ministri, sepse kishte dhe mbështetjen e shumë personave, por nuk e bëri sepse, sipas tij, ai ka luajtur dhe do të luajë rolin e avokatit mbrojtës të PAK dhe jo të mbajë vendime për çështjet personale.

Procesi
Pas pushimit nga puna, Ndrek Ismailaj thotë se është në proces gjyqësor me Shoqërinë e Shërbimit Civil ku ai punonte, për largim të padrejtë nga puna. Sipas tij, i kërkuan të jepte dorëheqjen për arsye se kishte kryer shkelje hierarkike. “Nuk është e drejtë, nuk duhet të ishte kjo arsyeja që unë të jepja dorëheqjen. Këtu nuk ka asnjë shkelje hierarkike, kur Ksera e ka pasur draftin mbi tavolinë për tre muaj dhe kur materiali u dërgua për botim me shkresë dhe miratim të ministrit Pollo. Më vjen keq që më larguan pa më të voglin justifikim dhe që të gjithë mbyllën veshët para kësaj padrejtësie, madje nuk reagoi as kryeministri Berisha, i cili ishte gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjej me ndihmë çdo ankese që unë i dërgoja.

Por, nga ana tjetër, ndihem mirë sepse nuk mundën të më akuzonin as për korrupsion, as për të paaftë, as për shpërdorim apo neglizhencë detyre, gjë që ndodh rëndom në atë ministri, duke filluar që nga drejtuesit deri te vartësit”, – tha Ismailaj. Procesi gjyqësor me këtë institucion vazhdon pasi Ismailaj denoncon mungesën e të drejtës së fjalës së lirë në këtë ministri dhe dënimin kolektiv, që iu bë atij dhe punonjësve të tij. Sipas tij, në të gjithë botën shoqëria civile financohet nga shteti e nga donacionet e tjera private edhe për të shprehur pakënaqësitë nga shteti, por në asnjë vend të botës nuk shkarkohesh pa arsye bindëse apo nëse nuk shkel ligjin dhe nuk të mohohet e drejta e fjalës.

Momentalisht Ndrek Ismailaj është drejtor i shoqatës së paraplegjikëve “Shpresë dhe dashuri”. Kjo qendër është projekt i Bankës Botërore, por që nuk u realizua ashtu siç ishte planifikuar, sepse sipas Ismailajt, fondi është shpërdoruar nga Ministria e Punës. ”Kam rreth 2 muaj që investoj në këtë qendër dhe deri tani po e mbaj nga xhepi im. Ky ishte një projekt i Bankës Botërore prej 3 milionë dollarësh për ndërtimin e shumë qendrave të tilla, por janë ndërtuar vetëm 6 të tilla dhe këto janë dorëzuar si godina”, – tha Ismailaj. Në këtë qendër trajtohen personat e paralizuar dhe aktualisht ushqeheshin çdo ditë 25-30 persona me probleme sociale.

Drafti
Draft-raporti i vitit 2009 informon mbi situatën e personave me aftësi të kufizuara (PAK) dhe strategjinë që qeveria ndjek për këta persona. Sipas këtij drafti, si pasojë e moshartimit të mirë të politikave nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe nga institucionet e tjera përgjegjëse, situata e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri është tejet e vështirë. Në draft thuhet se shkak për këtë është dhe moszbatimi me rigorozitet i legjislacionit ekzistues prej strukturave zbatuese të tij.

Raporti denoncon gjithashtu faktin që Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) vazhdon të jetë mjekësor dhe jo një komision social, si dhe faktin që ka pasur një rritje artificiale e buxhetit për PAK dhe për mosadresimin e këtij fondi posaçërisht për PAK. Raporti përmbledh në brendësi të tij monitorimin e Strategjisë Kombëtare për PAK, shërbimet mbështetëse, trajtimet, përfitimet dhe programet që janë ndjekur gjatë gjithë vitit.

Problemet
Disa nga problemet më shqetësuese të PAK të pasqyruara në këtë draft janë: Në vendin tonë klasifikimi i aftësive të kufizuara (AK) nuk është bërë duke ndjekur rregullin e përcaktimit me përqindje të aftësisë së humbur nga personi dhe kompensimi i asaj përqindjeje të humbur. Pra, e njëjta pagesë bëhet si për të verbrit që kanë humbje të aftësisë thuajse 100% (kjo sipas OBSH-së), si për paraplegjikët që kanë humbje të aftësisë 50-70% dhe po të njëjtën pagesë merr dhe një person që ka humbur një gjymtyrë, pra rreth 30% të aftësive.

Të gjitha këto kategori marrin të njëjtën pagë nga shteti, rreth 87 mijë lekë të vjetër në muaj. I njëjti shqetësim shprehet në draft edhe për kujdestarët e PAK, të cilët paguhen njësoj si kujdestarët e një tetraplegjiku, të cilët duhet të kujdesen 24 orë deri në detaje për jetën e personit, ashtu dhe ata që kujdesen maksimalisht disa orë për personin me aftësi të kufizuar. Sipas Ismailajt, këto paga nuk kanë ndryshuar që prej 3 vjetësh.