Prof. Dr. Agim Vinca, 23.11.2009
E rilexova këto ditë letrën tënde drejtuar mua, kohë më parë përmes shtypit …(Letër Profesor Vincës) lidhur me ndërhyrjen brutale të organeve shtetërore të Maqedonisë në institucionin më të lartë shkencor dhe arsimor të shqiptarëve në Maqedoni-Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Të falënderoj, ndonëse pak me vonesë (për çka kërkoj ndjesë), për informacionin që më ofrove lidhur me rrethanat në të cilat u bë “puçi” në USHT më 2 korrik të këtij viti. Disa nga detajet që përmend ti në letrën tënde të botuar fillimisht në shtypin e përditshëm shqip (te gazetat “Panorama” e Tiranës dhe “24 orë” e Tetovës) dhe pastaj edhe në librin tënd publicistik “Grandomania”, i kam ditur, disa jo.
Nuk kam ditur, fjala vjen, për vdekjen e pedagogut të USHT-së, Iljas Useini dhe varrimin e tij po atë ditë, pra më 2 korrik, në Gostivar, ku ka qenë e pranishme e tërë udhëheqja legjitime e USHT-së, në krye me ushtruesin e detyrës së rektorit, Prof. Dr. Agim Velën, ashtu siç nuk kam ditur as për përurimin e godinës së re të ambasadës amerikane në Shkup të njëjtën ditë, ku po ashtu është dashur të jetë i pranishëm njeriu i parë i institucionit më të lartë arsimor e shkencor të shqiptarëve në Maqedoni, Universitetit Shtetëror të Tetovës. Nuk kam ditur, natyrisht, as për sjelljen brutale të udhëheqjes së re, të sapoardhur, me eskortë speciale policore, ndaj individëve të veçantë të zënë me punë në këtë institucion dhe posaçërisht ndaj teje, për ç’gjë do të flas më gjerësisht pak më poshtë.
Shumë gjëra mësova, i dashur Ylber, nga letra jote me të cilën ti më nderove duke mu drejtuar publikisht, ashtu siç më nderove duke e hapur po me këtë tekst librit tënd ”Grandomania. Tregime, skica, përsiatje”, që kohë më parë u botua dhe u promovua në Tetovë.
Je njohës i mirë i situatës në Maqedoni, padyshim dhe i lojës që u luajt dhe po luhet në “tempullin e dijes” me emrin USHT. E ke përshkruar mirë atmosferën e krijuar në mjediset e USHT-së më 2 korrik 2009 dhe e ke vlerësuar drejt aktin e sulmit mbi të. Jam plotësisht dakord me vlerësimin tënd en général. Por më lejo të mos pajtohem me ty lidhur me një fakt. Ti thua se pas skenarit të marrjes së Universitetit qëndron kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i njohur për “alergjinë e tij ndaj institucioneve shqiptare”. Pa dashur ta mohoj aspak alergjinë e Gruevskit dhe të Gruevskëve të tjerë ndaj institucioneve me rëndësi për emancipimin e shqiptarëve në Maqedoni, që është një fakt i pakundërshtueshëm, më lejo të të them se kur është fjala për “institucionet shqiptare” pushtetarët maqedonas, përfshirë edhe kryeministrin aktual, ua lënë duart e lira liderëve të partive politike shqiptare.
Atyre nuk u lejohet të përzihen në punët e mëdha të shtetit, përfshirë edhe çështjen e emrit, fjala vjen, por kur vjen puna e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave shqipe dhe “rektorëve” të universiteteve shqiptare, u lihet liri e plotë, sepse në këtë mënyrë arrihen dy efekte: kënaqen ambiciet e tyre të vockëla lideriste; fisnore, klanore e lokaliste, në njërën anë dhe futet sherr mes shqiptarëve, në anën tjetër, sipas parimit të njohur e të sprovuar mirë: “le të çajnë kokën me njëri-tjetrin”.
Rrjedhimisht, i dashur Ylber, për aktin e turpshëm të 2 korrikut, më parë se Nikolla Gruevskin, duhet fajësuar Ali Ahmetin dhe njerëzit e tij. Zhvillimi i ngjarjeve në USHT në muajt që pasuan: uzurpimi brutal i Universitetit dhe spastrimi i tij gati radikal nga kuadrot “e papërshtatshme”, ekspertë të shquar të fushave përkatëse dhe zëvendësimi i tyre me “rishtarë universitarë”, si thua ti, ose me pleq pensionistë, proces ky në krye të të cilit qëndron kushëriri i Aliut, Ismail Ahmeti, i instaluar në postin e “prorektorit për mësim” të USHT-së, e dëshmon katërçipërisht këtë. Por, të kthehemi sërish te vakia e 2 korrikut, brutaliteti dhe simbolika e saj. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, më 2 korrik 1990, në botën shqiptare patën ndodhur dy ngjarje të paharruara, nga ato që, për mirë a për keq, nuk mund të mos i regjistrojë historia, njëra në Prishtinë e tjetra në Tiranë.
Kështu, në Prishtinë, deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, shpallën Deklaratën Kushtetuese për Kosovën Republikë, kurse në Tiranë, qindra njerëz të lodhur e të frustruar nga gjendja e rëndë ekonomike e politike, por edhe djerrakohës e aventurierë, ua mësynë ambasadave të huaja. Po përse pikërisht atë ditë a thua, pra më 2 korrik, kur u shpall “Kosova Republikë”, e jo një ditë më herët a më vonë, kjo vazhdon të mbetet një enigmë e pazgjidhur? E, po atë ditë, Kuvendi i Serbisë, në mënyrë të paligjshme, suprimoi Kuvendin e Kosovës dhe, me forca të mëdha policore, pushtoi institucionin më të rëndësishëm informativ në Kosovë, Radio-televizionin e Prishtinës (RTP), si quhej atëherë.
Kjo ndodhi plot 19 vjet më parë, kur ti, si djalë i ri, as që ke ëndërruar se do të vinte dita të vije në Tetovë dhe të jepje mësim në një universitet shqiptar. Historia, thonë, përsëritet, herën e parë si tragjedi; herën e dytë si farsë. Ndoshta ideatorët e pushtimit të USHT-së, si e quan ti, i dashur Ylber, rastësisht e kanë zgjedhur këtë datë (ndonëse ti e argumenton të kundërtën, duke i shtuar vdekjes së pedagogut dhe përurimit të ambasadës së SHBA-së, edhe preokupimin e opinionit shqiptar, përfshirë dhe mediat, me telashet e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri), por simbolika është e keqe. Madje tejet e keqe. Dhe jo vetëm simbolika, por edhe mesazhi që transmeton ky akt brutal, për të cilin ti flet hapur në letrën tënde të datës 16 korrik 2009.
Për mua, detaji më pikant i letrës sate, që s’më shqitet mendsh tash sa kohë, është ai ku tregon se si uzurpatorët e USHT-së, posa këmba e tyre shkeli në mjediset e tij, urdhëruan që ti të largoheshe urgjentisht nga ky institucion. “Atë të Shqipnisë për pesë minuta ta shporrni nga zyra!” – paskëshin thënë ardhësit e shoqëruar me eskortë policore, të bindur se po bënin një akt të lartë atdhetarie. Kjo paskësh qenë kërkesë e prerë e tyre. Dhe, “ai i Shqipnisë” ishe ti, Ylber Lili, shefi i Degës së Gazetarisë në USHT, publicist e kolumnist i afirmuar, autor i tre-katër librave të botuar nga fusha e gazetarisë. Të shihja vazhdimisht në mesin e studentëve kur vija për të mbajtur mësim të premteve. Shihej qartë se ti ishe shumë i dashur për ta, studentët e tu të gazetarisë, sepse nga ti ata mund të mësonin jo vetëm si shkruhet lajmi e komenti, por edhe si komunikohet në mënyrë të kulturuar e me një gjuhë të kultivuar. Ti, pedagogu nga Tirana, ishe shumë i afërt me studentët e tu tetovarë të USHT-së, kurse me kolegët, sidomos me ata dialogu intelektual i të cilëve rrudhet në “xhibojsh.com”, si thoshe me humor, dije të ishe herë-herë edhe i ashpër e sarkastik.
Kemi ëndërruar një shekull që tiranasi të punojë në Tetovë, në Shkup, Prishtinë e anasjelltas dhe tani kur kjo ëndërr është bërë pjesërisht realitet, dalin njerëz që thonë: “At’ t’Shqipnisë për pesë minuta ta shporrni nga Fakulteti!”. As albanofobët serbo-maqedonë të viteve ’80-’90 nuk kanë ditur të mendojnë e të veprojnë më keq! A janë shqiptarë a shqipfolës këta argatë të dreqit? Dhe a s’është fatkeqësi që tipat e tillë të vihen në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm, siç është Universiteti i Tetovës?
Më kujtohet si sot takimi i parë me ty, dy-tre vjet më parë, te hotel “Liraku”. Ishe në një rreth miqsh dhe unë të thashë se më dukesh si “tetovar”. Dhe vërtet ashtu m’u duke, nuk e di pse. Ndoshta ngaqë ti ishe mishëruar aq shumë me këtë qytet dhe njerëzit e tij, ashtu siç ishe mishëruar plotësisht si njeri e gazetar me hallet dhe problemet e shqiptarëve të Maqedonisë në përgjithësi. Të quajta, prandaj, që ditën e parë, “tetovari nga Tirana” dhe për mua ti vazhdon të jesh i tillë, pavarësisht se u detyrove të largohesh nga ky qytet, shpresoj përkohësisht. Uzurpatorët e USHT-së, të yshtur nga partia në pushtet, u kujdesën që ty të të shporrnin nga Universiteti dhe nga Tetova, qyteti në të cilin i kalove plot shtatë vjet, duke i dhënë mjaft nga vetja dhe duke marrë nga ai dashurinë dhe respektin e njerëzve, në radhë të parë të studentëve, kolegëve dhe miqve të tu të shumtë.
Gjithkush e di se njerëzit që u vunë në krye të USHT-së janë marioneta të partisë në pushtet ose, më saktë, të koalicionit VMRO-BDI dhe se ata të gjorë nuk bëjnë asgjë pa marrë leje e instruksione “nga lart”. Agron Rekën nuk e njoh (emrin e tij e kam dëgjuar për herë të parë më 2 korrik), por e njoh mirë – si paren e kuqe – “krahun e tij të djathtë”, “prorektorin për çështje mësimore”, Ismail Ahmetin, për të cilin disa njohës të rrethanave aktuale në USHT thonë se është realisht rektor!
E njoh mirë, pra, njeriun që është caktuar të bëjë politikën akademike në USHT. Tridhjetë vjet punojmë bashkë në Fakultetin Filologjik të UP. Personi në fjalë njihet nga të gjithë si servili më i madh i çdo dekanati, vardisës i çdo pushteti, që edhe nga Libia e Gadafit, ku pat qëndruar një kohë në vitet shtatëdhjetë, u kujdes t’i sillte dhuratë të shtrenjtë sekretarit të Lidhjes së Komunistëve të Fakultetit. Nuk është i denjë t’i përmendet emri, sepse as pas tridhjetë e sa vjetësh karriere universitare nuk ka arritur të bëjë emër. Me formim orientalist, kurse me botëkuptim hoxhë nga ata të dikurshmit, ai është shërbëtor besnik e i dëgjueshëm i çdo hyqymeti dhe njeri primitiv, intrigant, inatçi e hakmarrës në raport me kolegët e vet, sidomos kur ndodh të ketë një grimë pushtet. Si mund të lihet universiteti në duart e një njeriu si ai? Ai s’është i denjë të drejtojë një shkollë fillore të një fshati të humbur të nahijes së vet, e jo më një universitet!
Puna e parë që bëri ky njeri në fillim të vitit të ri akademik, këtij në të cilin kemi hyrë, ishte angazhimi i rektorit të UP-së, Mujë Rugova, zëvendësrektorit për marrëdhënie me botën, Naser Mrasori dhe i dekanit të Fakultetit Filologjik, Osman Gashi, për të mbajtur mësim në USHT, madje jo një lëndë të vetme, por edhe dy-tri sosh! Dhe a e dini pse? Duke i angazhuar në USHT dy nga njerëzit e parë të UP-së dhe njeriun e parë të Filologjikut, ky delikuent plak, në prag të pensionit, ka menduar jo vetëm të mbetet në listën e rrogave në fakultetin e tij “amë”, Fakultetin Filologjik të Prishtinës dhe të zhvatë një mijë euro në muaj pa qenë fare i pranishëm aty, por edhe ta ruajë vendin e tij të punës në Degën e Orientalistikës – për t’u kthyer sërish, pa konkurs, kur të marrë fund aventura e tij e turpshme në USHT, që s’besojmë se do të zgjasë shumë.
Është hera e dytë që ky njeri vjen në krye të një institucioni të rëndësishëm, siç është Universiteti i Tetovës. Herën e parë më 2004, pas zyrtarizimit gjysmak të USHT-së (me gjithsej 4-5 fakultete), kur këtij qyqari iu besua posti i zëvendësrektorit për çështje mësimore dhe herën e dytë tani, pas aplikimit të masave të dhunshme më 2 korrik të këtij viti, kur ai doli nga strofulli tek ishte fshehur plot dy vjet e gjysmë pa bërë gëk me gojë dhe drejt e në fotelen e prorektorit për mësim, në krye të detyrës së spastrimit të kuadrove të padëshiruara. Dhe e vetmja meritë e tij është që ka të njëjtin mbiemër me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe është nga një fshat me të, në të vërtetë kushëri i afërt i tij.
Lideri i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, do të duhej ta qortonte Kushëririn e vet prorektor, i cili, me veprimet e tij, e komprometon rëndë postin që i është besuar, institucionin tek e ushtron atë dhe politikën e punëdhënësit të tij. Thënë paksa harbutçe, me gjuhën që e kuptojnë më mirë kreatorët e kësaj politike dhe mbështetësit e tyre, Aliu do të duhej t’ia ngrehte veshin Kushëririt të tij hakmarrës e primitiv, I. A., por, me gjasë, ai nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. Hë për hë jo. Për më vonë nuk e di. Si pasojë e kësaj politike të mbrapshtë e diletante, në USHT po rrënohen vlerat në mënyrë rapide, kurse Universiteti si institucion rrezikon të përjashtohet nga Karta e Bolonjës dhe nga instancat e tjera të ngjashme në rajon e në botë, për t’u shndërruar në një geto të vërtetë, tamam sipas shijes së atyre që e drejtojnë.
Ti di mjaft për Tetovën, Maqedoninë e edhe Kosovën, i dashur Ylber, por ka edhe gjëra që s’i di, natyrisht. Dhe kjo që po të rrëfej ty dhe lexuesve për Kosovën e kohës së dhunës dhe të apartheidit serb, është vetëm maja e aisbergut. E vërteta e plotë është shumë më e hidhur. E mbaj mend si sot atmosferën e uzurpimit të Radiotelevizionit të Prishtinës nga policia serbe më 5 korrik 1990. Tmerr i vërtetë, dhunë, përleshje… Në orën 15 e shtatë minuta polici serb i armatosur gjer në dhëmbë hyn në studion e Radio-Prishtinës dhe i thotë spikerit që po jepte lajmet e mesditës: “Prekini!” (Pusho!). “Ndërpreje në çast programin!”. Dhe institucioni i vetëm radiofonik i Kosovës pushon së foluri shqip. Në ora 15.07. Plot dhjetë vjet! Rolin e spikeres së emisioneve shqipe të RTP-së në ato vite do ta luajë një femër, e cila në kujtesën e njerëzve ka hyrë si “Hajrije spikerica”. Kujt i ka shkuar mendja se njëzet vjet më vonë në Universitetin e Tetovës do të dalin në skenë monstra si “Hajrije spikerica”, të denja për emisionet satirike të tipit “Portokalli” dhe “Fiks fare”!
“Hajrijet” e sotme të USHT-së, të ngarkuar për të bërë politikën akademike në këtë institucion, vuajnë nga mendësia dhe verbësia tribale, të cilën poeti dhe publicisti i talentuar Bilal Xhaferi, çam me origjinë, e karakterizon si vijon.“Ju shqiptarët e Shqipërisë, thonë ata që vijnë nga trojet jashtë kufirit shtetëror. Po si kështu, bre, vëlla? Kur unë jam shqiptar i Shqipërisë, po ti i kujt je? I dreqnisë? Përderisa jemi shqiptarë, ne jemi të gjithë shqiptarë të Shqipnisë, se në këtë plan ekziston vetëm një Shqipëri, vetëm një dhe ne jemi bijtë e saj. Ti vjen nga Kosova e unë nga Çamëria, ai tjetri nga Myzeqeja e ai tjetri nga Mirdita, po këto krahina janë të gjitha pjesë të kombit shqiptar dhe ne nuk duhet ta ndajmë njëri-tjetrin me një logjikë të çmendur principatash. Që t’i bëjmë ballë serbit e grekut, kusht i parë është që të flakim nga mendja jonë kufijtë imagjinarë që ndajnë shqiptarin nga shqiptari”.
Letra jote, i dashur mik, natyrisht “i Shqipnisë”, si shumë të tjerë, më kujtoi një ngjarje nga përvoja ime personale, të cilën po e kujtoj këtu, jo për të treguar karakterin tim “të vështirë” si njeri dhe krijues, të cilit shpesh ia shoh sherrin, por ngaqë i përgjigjet temës për të cilën flasim: paragjykimet krahinore dhe vetëdija kombëtare.
Vite më parë, në një orë letrare në Shkup, kur më erdhi radha mua të lexoja, udhëheqësi i mbrëmjes, një shkrimtar nga Struga që jeton në Shkup, tha: “Nuk e di si të të prezantoj: nga Struga apo nga Prishtina?”. Një pjesë e auditorit vuri buzën në gaz, gjë që mbase edhe ishte qëllim i moderatorit. “Mund të më prezantosh si nga Struga dhe si nga Prishtina, por mund të më prezantosh, po deshe, edhe si nga Pogradeci, Ulqini a Presheva, sepse unë jam panshqiptar… Nuk e ndaj shqiptarinë në ngastra e mëhalla!” – thashë nga tribuna para se të filloja deklamimin e vargjeve të mia.
Ata që një çast më parë nënqeshën, sakaq e ulën kokën.
Do të vijë dita, i dashur Ylber, që edhe aparatçikët e USHT-së (poeti A. Tufa në një deklaratë të tij dhënë shtypit shqip në Maqedoni i pat quajtur “halabakë”) të pendohen dhe ta ulin kokën për këtë që po bëjnë sot me këtë dhe në këtë institucion të rëndësishëm arsimor e shkencor. Sillen me të si të ishte pronë e tyre private, si t’ua kishin lënë trashëgim gjyshi a babai, e jo institucion publik i një rëndësie të veçantë.