Testamenti i panjohur 700 faqësh i Selman Rizës

0
25

Nasho Jorgaqi, 05-06-07.04.2010

Ndëshkimi i gjuhëtarit nga Kosova të cilin regjimi komunist nuk e nderoi as në ditën e vdekjes

Internimi i Selman Rizës pse kundërshtoi filozofinë marksiste

Ndëshkimi i gjuhëtarit nga Kosova që bashkë me Enver Hoxhën ishte organizator i demonstratës së Korçës më 1939

Selman Riza

Kaluan kështu shumë kohë dhe mundësitë e afrimit nuk u krijuan. Vetëm kur u shpërngul Biblioteka Kombëtare në Pallatin e madh të Kulturës dhe u krijua një mjedis komod studimi për intelektualët e kryeqytetit, do të shihja të vinte të punonte dhe prof. Riza.

Sigurisht më erdhi mirë e në radhë të parë se do të kisha rast tani ta takoja. Fillova ta përshëndesja, bile një herë iu afrova tavolinës së tij dhe e pyeta për kuptimin e ca fjalëve latine që më kishin dalë gjatë kohës që përgatitja “Antologjinë e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”.

Ai jo vetëm më ndihmoi, por dhe u interesua për punën që po bëja. Gjithnjë serioz, por gjithsesi i mirësjellshëm dhe kjo sikur ma hoqi drojtjen. Mjaftoi kaq, kur një pasdreke tek po pija cigare në hollin e Pallatit, ai m’u afrua dhe si më përshëndeti më pyeti: “Emri Nasho, mos është variant i emrit Thanas?” “Po”, iu përgjigja .

“E di se ç’do të thotë në greqisht Thanas?” më pyeti sërish. “Jo”, ia ktheva. “Thanas, – shpjegoi ai, – do të thotë i vdekshëm, kurse Athanas i pavdekshëm. Ke një emër me kuptim të çuditshëm. Ç’është e vërteta, të gjithë jemi të vdekshëm, por të emërohesh kështu, të kujton një gjë jo fort të këndshmë.” Unë buzëqesha dhe shtova: “Më mirë do të ishte të mos e dija. Kjo, megjithmend, më trishton pak!”

Ai nuk e ngau bisedën e tij më tej dhe e hodhi fjalën gjetkë, për një gjë që s’e mbaj mend. Ajo që mbaj mend është serioziteti me të cilin më fliste dhe theksi kritik që ndihej nga mënyra si arsyetonte.

Një mbresë që më qe përftuar qoftë dhe në distancë, por që m’u kthye në bindje gjatë kontakteve dhe bisedave tona që erdhën më pas. Sepse më pas, unë do të miqësohesha me prof.

Rizën, për aq miqësi sa të jepte ai, jo vetëm se kish moshën e tim eti, por dhe për shkak të natyrës së tij që tanimë e njihja. Dhe një njeri të nderuar e me vlera morale e intelektuale si ai, duhet ta pranoje ashtu siç ishte. Për këtë do të bindesha në vitet që pasuan, kur do të afrohesha me të e do të bëheshim miq. Ai ishte jo vetëm njeri i mençur dhe i ditur, por edhe i sinqertë, pa lajka dhe prapamendime, njeri që nuk dinte të merrej me thashetheme dhe ç’është më e rëndësishme, ta thoshte të vërtetën në sy.

Zakonisht bisedonte për çështje të rëndësishme, me tone serioze dhe mënyra se si arsyetonte vetvetishëm sikur krijonte debat. Kjo nuk do të thoshte se nuk e përfillte bashkëbiseduesin, përkundrazi e dëgjonte me vëmendje dhe respekt, madje dhe me durim, por pastaj ti duhej të kishe më tepër durim për të dëgjuar mendimet e tij kundërshtuese. Dhe kishte raste që kjo e bënte komunikimin disi të vështirë.

Por në gjykimin tim me kohë do të bindesha se prirja e prof. Rizës për të polemizuar ishte brenda karakterit dhe natyrës së tij. Çdo problem a mendim ai do ta kalonte përmes filtrit të vet kritik. Ishte dyshues, por jo paragjykues.

Dëgjonte me vëmendje, por kjo s’e pengonte të shfaqte rezerva, të pranonte mendimet e të tjerëve, veç rrallë tregohej entuziast. Kjo nuk kish të bënte fare me zilinë apo ambicjet e liga, me mendjemadhësinë apo megallomaninë, me ndonjë prapavijë dashakeqe apo nënvleftësuese.

Në këtë përfundim mund të arrije vetëm në qoftë se problemet dhe argumentet që shtronte e arsyetonte ai të arrije t’i diferencoje dhe t’i shkëpusje nga temperamenti i tij gjithë nerv.

Selman Riza me Lasgush Poradecin
Selman Riza me Lasgush Poradecin

Sepse logjika e të arsyetuarit, formimi i tij solid, erudicioni dhe elokuenca i hapnin bisedës horizonte dhe e ngrinin nivelin e saj. Dhe ajo që të lidhte pastaj me të, qe fakti se ai nuk vihej në rolin e mësuesit, por të partneritetit të barabartë dhe raporte të tilla s’kish si të mos ngjallnin interes dhe të të zgjonin kënaqësinë që falte miqësia e tij.

Një miqësi e sinqertë, burrërore, por e përmbajtur, me sentimente që vetëm mund t’i ndjeje dhe asnjëherë të manifestuara prej tij.

Përshtypja e përgjithshme që më ka mbetur nga natyra e prof. Rizës sepse më kujton një fjalë të urtë sipas së cilës: “Mendjet e vogla bisedojnë për njerëzit, mendjet e mesme flasin për ngjarjet, kurse mendjet e larta diskutojnë për idetë.”

Them kështu se zakonisht në bisedat e tij vendin kryesor e zinin mendimet, një terren ky, që nxiste shkëmbimin e pikëpamjeve dhe çonte dashur pa dashur në debat, pa të cilin nuk mund të kuptohet ekzistenca intelektuale e prof. Rizës.

Sigurisht, me këtë nuk dua të them se biseda që bënte ishte abstrakte, por fusha e ideve qe preferenca dhe pasioni i tij zotrues. Me kohë, do të kuptoja se duke qenë njeri me karakter të palëkundur, ai mbahej fort pas parimeve dhe duke, qenë se ato i konsideronte të shenjta, i mbronte me tërë arsenalin moral e intelektual. Prej këndej buronte fryma polemizuese dhe shpirti kritik, gjë që e kthente herë pas here bisedën në një oponencë të ndërsjellë.

Në këtë rol unë do të vihesha sa herë që atij i lindnin probleme ose kishte shqetësime nga fusha ku punonte apo kur dhe unë i kërkoja opinion për çështje të ndryshme. Atëherë ndodhte ajo që të përballesha me mendimet e tij, të cilat jo rrallë qenë aq origjinale e befasuese, të guximshme, por dhe të diskutueshme, sa hutohesha dhe përpiqesha të gjeja një pozicion të pranueshëm.

Nuk ishte për t’u çuditur që mendimet e tij të pavarura gjatë bisedave që shpesh ai i kthente në diskutime, të dilnin jashtë kornizave ideologjike të kohës dhe t’i kundërviheshin Biblës e sistemit.

Njëherë duke folur për pikëpamjet e Stalinit në gjuhësi, që udhëheqësi komunist i kishte shfaqur vite të shkuara dhe që propaganda i kish bërë aq zhurmë, profesori më tha prerazi se ato nuk qëndrojnë shkencërisht dhe shtoi se po të hyjë politika në shkencë, shkenca pushon si e tillë. Ishte hera e parë që më fliste kësisoj e megjithatë e ruajta gjakftohtësinë dhe me takt i thashë se kjo ishte një çështje me zarar, ndaj zëre se nuk e kam dëgjuar.

Ai nuk më kundërshtoi, por u tërhoq, e këputi fjalën në mes dhe nuk e ngau më tej bisedën. Pas ndonjë muaji, një miku im që punonte me prof. Rizën në Institutin e Gjuhësisë, më tregoi se gjatë një diskutimi në sektor, ai kish thënë hapur: “Filozofia marksiste nuk më hyn në studimet e mia gjuhësore.”

Të gjithë kishin mbetur pa frymë dhe pastaj qenë ngritur dhe e kishin kundërshtuar e kritikuar. Por ai nuk kishte hequr dorë nga pikëpamjet e tij dhe qe munduar t’i argumentonte. Veç kish qenë e kot, sepse gjithë sa kish thënë kishte rënë si një bombë. Më pas qenë bërë mbledhje pas mbledhjesh, bile me autoritete partiake të ardhura nga lartë, duke ngritur një furtunë të tërë mbi të.

Ndërkohë, do të shpërthenin fletë-rrufetë, ku do të dënohëshin mendimet e tij heretike dhe i kërkohej të jepte llogari. Por ai do të qëndronte në një farë mënyre në të vetat, duke bërë një autokritikë evazive, si një barkë shpëtimi për të kaluar stuhinë që kish përfshirë aso kohe shoqërinë shqiptare. Askush nuk ia falte, përkundrazi sa vinin e shtoheshin zërat për ta dënuar. Dhe në fakt do të dënohej.

Në valën e asaj që po ndodhte do të takoheshim rastësisht. Ai kish kohë që nuk po vinte në Bibliotekën Kombëtare. Ishte një përballje e vështirë për mua dhe kur i dhashë dorën se si më doli pyetja: “Ç’bëre kështu, profesor?” “Atë ç’ka ban burri, – ma priti i vrejtur dhe serioz. – Burri para burrave thotë ç’ka mendon. Nuk mashtron.

Edhe unë s’bana asgja ma tepër.” “Burri mund t’i mbajë dhe për vete, – thashë, – dhe të mos dalë kundër rrymës. Se rryma s’pyet, të merr me vete dhe s’dihet ku të çon!” Mbeti një hop dhe pastaj tha: “Gjithkush ka mendimin e vet.” Ndjeva se mezi e përmbante dufin e brendshëm. U ndamë pa e zgjatur më tej.

Ndërkaq vazhdonte fushata e fletërrufeve, Tirana zjente nga shpërthimi i mërive, i intrigave e thashethemeve. Marrëzia kolektive kapi dhe rrethet intelektuale e sidomos institucionet shkencore. U godit dhe prof. Eqrem Çabej, por një nga ata që e pësuan rëndë do të qe dhe prof. Riza.

Atë e larguan nga Instituti dhe për dënim e qarkulluan në Berat si ciceron pranë Muzeut të qytetit, duke e shkëputur kështu nga puna e mirëfilltë shkencore. Mund ta kishin dënuar dhe më keq. Por ndërhyrja e Enver Hoxhës, me të cilin kishin qenë kolegë në Liceun e Korçës, e shpëtoi. Këtë do ta dëgjoja më vonë. Lideri qe mjaftuar me këto fjalë: “Selmani gaboi” dhe kjo ndikoi me sa duket në masën që u mor.

Pasi shkoi në Berat lidhjet tona u ndërprenë për shumë kohë. Nuk dija se ç’bëhej me të, veç e merrja me mend, duke ia njohur natyrën, me siguri ai do të qëndronte në vetminë e tij, i mbyllur në vetvete dhe si gjithnjë korrekt me detyrën dhe njerëzit.

3

Qëlloi njëherë të shkoja në Berat me shërbim dhe një mbrëmje, tek ngjitesha për në kala me një të afërmin tim, do të përballesha me profesorin, që po zbriste tatëpjetë nëpër udhën e kalldrëmtë.

Një takim krejt i papritur, që gati më hutoi, sepse nuk ia falja vetes që më kish dalë nga mendja se ai ndodhej në Berat dhe mund ta takoja. Po ja që rasti çfarë nuk sjell. Iu afrova me dëshirën për ta rrokur në qafë, por ai më zgjati dorën dhe vetëm ma shtrëngoi.

Nuk ia mora për të keq dhe si shkëmbyem shkurt fjalët e rastit, e lamë të takoheshim të nesërmen te Hotel Turizmi i qytetit. Kur u ndamë, i afërmi im, burrë i moshuar, që nuk kish të bënte me kulturën, më pyeti: “Ore, ku e njeh këtë njeri të çuditshëm?!

Sepse ky ngjitet e zbret 2-3 herë në ditë në kala gjithnjë vetëm dhe pa fjalë.” I tregova se kush ishte njeriu i çuditshëm, se ku kish punuar dhe vlerat e tij. I afërmi im më dëgjoi dhe tha: Tani e kuptoj se ç’të bën taksirati, qofsh dhe më i mençuri e më i dituri i dynjasë.”

Të nesërmen u takuam te Turizmi. Kësaj here u rrokëm në qafë dhe u ulëm ballë njëri tjetrit. Ndryshe nga zakonisht, ndjeva përzemërsinë e tij burrërore, miqësinë që ai e mbante përbrenda, ndoshta nostalgjinë për takimet tona në Tiranë.

Koha dhe distanca kishin bërë, me sa duket, punën e tyre. Nuk di, po atë ditë pashë një njeri disi tjetër, më të butë, një shfaqje të panjohur të karakterit e të shpirtit të tij, që ai ndoshta e tregonte rrallë, në raste apo situata të veçanta. Dhe kjo më preku, bile më përgëdheli dhe pak sedrën që ai po më falte miqësi aq sinqerisht dhe natyrshëm.

Pasi e pyeta për shëndetin dhe se si po i kalonte ditët larg Tiranës në Berat, me një punë që s’ishte punë për të dhe si i shpreha keqardhjen time për ç’ka i kish ndodhur, ai zuri të më tregojë me fjalë të kursyera, ku ndjehej një farë ironie, me një mllef të përmbajtur dhe pa u ankuar për asgjë.

Mbaj mend fjalët e para që më tha: “Unë këtu jetoj në Antipatria, në shoqëri me historinë e saj të bukur. Turistët vijnë e ikin nga muzeu im, marrin me vete mbresat e tyre, po prapë gjithçka mbetet e imja. Është e bukur dhe madhështore çdo gjë që ka gdhendur koha këtu nën Tomor!” “Po shoqëri, a ke ndopak?” e pyeta, megjithëse e dija përgjigjen pak a shumë.

Selman Riza, Ibrahim Femiu dhe Sokol Dobrashi
Selman Riza, Ibrahim Femiu dhe Sokol Dobrashi

Ai nuk m’u përgjigj menjëherë. U mendua një çast dhe buzëqeshi. Në fytyrë i ra një tis i lehtë ironie që ia njihja aq mirë dhe tha: “Me thanë të drejtën, as që bëhet fjalë për shoqëri. Unë kryej detyrën time, jap’ e marr me vizitorët në muze e më tej shoh punët e mia.

Lexoj e shëtis, shtegtoj e harrohem pas shqipes, që i kam kushtuar jetën dhe këto më mjaftojnë. Po ndodh dhe ndonjë rast si ky që do të kallxoj.” Heshti, vështroi nga lumi Osum dhe nisi të më tregojë: “Duke shetitur një ditë, ndala te ura e Goricës.

Ishte kohë zhegu; disa ditë më parë kishin rënë shira dhe kish ardhur Osumi. Ujët rridhte nën këmbët e urës dhe unë i përkulur në parmakët e saj sodisja ujët që rridhte teposhtë i kthjellët si pikë loti. Një bukuri e rrallë që më bëri për vete dhe më futi në mendime.

M’i kujtuan fjalët e Heraklitit “Koha rrjedh si ujët e lumit që kurrë nuk kthehet mbrapsht.” Fjalë me mend, një e vërtetë e përjetshme, e pamohueshme. Këtë të vërtetë në atë çast, jo vetëm po e mendoja, por dhe po e përjetoja në gjithë qenien time njerëzore.

Pra, i qesh kthyer i tëri vetvetes, në një çast krejt të pafajshëm, kur dëgjoj një zë të rreptë: “Shok qytetar!” Nuk i besova veshëve dhe m’u deshën disa dekika të kthej kryet e të të drejtoj trupin. Ishte një polic. “Ç’bën këtu?” – më pyet prapë rreptas, thua se më kish zënë në faj. Unë i ngula sytë dhe pa iu përgjigjur, i vura dorën qetësisht në sup dhe e afrova nga parmakët e urës.

Ai u hutua, ndërsa unë shqiptova fjalët: “Vrej aty poshtë, vrej sa bukur është.” Ai çuditërisht m’u bind, uli kryet mekanikisht dhe m’pyeti: “Çfarë?” “Ujët që rrjedh, çfarë tjetër! Një bukuri e madhe, mor djalë!”

Ai e soditi disa dekika dhe si ngriti trupin nga parmaku i urës, gati pëshpëriti, me një zë që s’i ngjante të parit: “Më pëlqen” dhe shtoi: “Ti qenke njeri që të bën sir!” “Unë sir nuk bëj, – i thashë, – por kënaqem në këtë zheg kur shoh këtë bukuri të natyrës.

A përbën kjo ndonjë shkelje rregulli, ose ruajna, o zot, shkelje ligji?” “Jo, – ia pat menjëherë polici, – por të them të drejtën, më ke tërheq vëmendjen, se t’kam parë kushedi sa herë, duke shetitur vetëm dhe desha të di kush je e ç’punë bën!” Unë i buzëqesha dhe i nxorra letërnjoftimin. Ai s’e preku me dorë e ma ktheu mbrapsht e pastaj më kërkoi ndjesë. Unë i zgjata dorën dhe kështu u ndamë.”

Kurse unë me profesorin atë ditë nuk e pata të lehtë të ndahesha. Do të qëndronim gjatë, do të bisedonim miqësisht, por duke i anashkaluar çështjet e ditës. Dikur u ndamë, se atë e prisnin punët në muze dhe unë kisha angazhimet e mia. Në Berat ai do të qëndronte afro dy vjet.

Do të punonte dhe në Bibliotëkën e qytetit dhe pastaj u kthye në Tiranë sapo mbushi moshën e pensionit. Pas kthimit, vendqëndrimi i tij i përhershëm do të ishte salla shkencore e Bibliotekës Kombëtare. Aty do të shiheshim ose do të takoheshim për ditë.

Dilnim në hollin e Bibliotekës ose ngjteshim lartë në kafe dhe bisedonim. Në sallë ai kishte tavolinën e tij, ulej zakonisht në të njëjtën tavolinë dhe aty punonte sipas një orari të vetin. Pak jepte e merrte me të tjerët dhe akoma më pak i afroheshin të tjerët atij.

Si gjithnjë serioz e hijerëndë dhe i tërhequr i tëri pas punës, kërkonte qetësi dhe ndodhte t’i tërhiqte vërejtjen ndonjërit që bënte zhurmë. Kush i afrohej t’i kërkonte ndonjë mendim ngrihej nga vendi dhe dilte në holl të bisedonte. Kështu do të ndodhte dhe me mua. Unë, si dhe të të tjerë do t’ia respektonim këtë autodisiplinë profesorit.

Nga takimet e kësaj kohe, do të kujtoja një rast që nuk e kam harruar.

Një rast që skalit do të thosha karakterin e tij burrëror. E ftova njëherë për kafe, me gëzimin që kisha për t’i dhënë një lajm të mirë. Atë kohë, unë po merresha me studimin e historisëstë Rinisë Komuniste Shqiptare dhe m’u desh të hulumtoja në Arkivin Qendror të Shtetit.

Do të kaloja nëpër duar dhjetra dosje , me qindra dokumente të organeve të larta të pushtuesve fashistë, si ato të Mëkëmbësisë mbretërore, qeverisë kuislinge, të shërbimeve sekrete e të policisë.

Të gjitha kishin të bënin me gjurmimin dhe përndjekjen e Lëvizjes antifashiste, të patriotëve shqiptarë, sidomos të komunistëve. Rastësisht më ra në dorë dosja me emrin e Selman Rizës.

Më habiti në fillim për nga vëllimi, pastaj nga pasuria e dokumentacionit që dëshmonte me fakte për përndjekjen sistematike dhe të vazhdueshme që i kidhin bërë fashistët gjatë gjithë pushtimit italian, nga viti 1939-1943.

Dosja hapej me dokumentin e parë, që fliste për pushimin e tij nga puna në vjeshtën e vitit 1939 me motivimin si një nga organizatorët e demonstratës së parë antifashiste të nxënësve të Liceut të Korçës.

Emri i tij vinte pas atij të Enver Hoxhës. Dokumente të tjera flisnin për internimin e tij në Itali në ishullin famëkeq të Ventotenes dhe kështu me radhë, dëshmi pafund për antifashizmin e mikut tim.

Bile, pas kthimit nga internimi (1942) në Shqipëri, dokumentohej refuzimi i ftesës djallëzore të qeverisë kuislinge për t’u kthyer përsëri në arsim. Ai preferoi të punonte si llogaritar në një shoqëri tregtare private në Kavajë, por kurrsesi t’i shërbente shtetit të pushtuesve. Megjithë mend u befasova pa masë.

Të kish një të kaluar të tillë politike, më aq përipeci dhe sakrifica, këtë nuk e dija, aq më tepër që ai asnjëherë në bisedat tona nuk më kish treguar gjë. Dhe në fakt nuk e prisja, duke e njohur tanimë karakterin e tij. Por mbahesha pas shpresës se ai me siguri nuk ishte në dijeni që ekzistonte një dokumentacion aq i pasur në Arkivin e Shtetit për të.

Mbaj mend se para se t’ia hapja bisedën atë ditë në kafe isha në siklet. Një kthim në të kaluarën e tij s’ishte e lehtë, mund dhe të më keqkuptonte, ndaj nuk dija nga ta nisja fjalën.

Por prap s’e zgjata më dhe hyra drejt’ e në temë. I thashë se kisha punuar në Arkiv të Shtetit dhe duke hulumtuar për një studim që kisha ndërmarrë për luftën antifashiste, kisha ndeshur në dosjen e tij dhe isha befasuar dhe çuditur. Shtova pastaj se nuk dija asgjë për tërë ato veprimtari që kish zhvilluar dhe pasojat e rënda që kish pasur, të cilat qenë pasqyruar nëpër dokumente autentike.

Ai më dëgjonte me vëmendje të përqëndruar, ndërsa i kishte rënë në fytyrë një hije, më e rëndë se zakonisht, aq sa unë nuk po kuptoja se ç’po ndodhte me të. Një pamje e tillë sikur më tuti dhe ma trembi entusiazmin. Ndjeva të më kapë një lloj zhgënjimi, sepse isha nisur për mirë dhe nuk po më dilte ashtu siç e kisha menduar.

Për këtë u binda kur e mbarova fjalën dhe u përballa me heshtjen e tij, ndërsa ai vështronte nga dritarja, ku dukej sheshi Skënderbej. Dikur dëgjova të thotë me një ton serioz : “I dashur mik, të faleminderit për gjithësa më kallxove. Gjana të kalueme.

Ajo ç’ka due të të them si burri burrit dhe mos ma merr për keq asht kjo: unë i përmbahem fort mendimit se ajo ç’ka ban njeriu për atdhe të vet, lypet me u harrue.

S’ka pse me e përmend. Atdheu asht fryma jote. A flitet për frymën? Mandej, ti e din fort mirë që Arkivi e ka të shkrueme në rregullore që të ndalon me e nxjerrë të fshehtën prej andej e me ia thanë të tjerëve, aq ma tepër të interesuemit që përmendet në dokumente, siç po ban ti me mue.”

Unë shtanga. Ai sikur ma refuzoi keqazi atë që i thashë, bile duke ma shprehur si asnjëherë tjetër në gegërishte, që sado epike më tingëllonte, ia rëndoi më shumë theksin qortues. Për një çast, u ndjeva keq, si nxënësi para mësuesit, të një mësuesi të rreptë madje. M’u lidh gjuha.

Ç’mund të thosha dhe heshta sy ulur. Ai e kuptoi dhe mori fjalën rishtazi, po kësaj here me një ton paksa të zbutur: “Mik i dashur, mos ma merr për të keq. Kjo asht çështje parimi që mbahet njeriu. Unë e kuptoj dhe e çmoj fort miqësinë dhe dashurinë tande. Të faleminderës!”

Unë isha aq’ i lënduar në sedër sa nuk iu përgjigja menjëherë. Sadoqë e prisja një farë reagimi jo fort entuziast nga ana e tij, prapë nuk e mendoja të ishte kaq i prerë. I thashë vetëm këto fjalë: “S’ka gjë, profesor, s’ka gjë. Ju kuptoj fare mirë” dhe u hodhëm pastaj në një bisedë tjetër, ku unë më shumë do të dëgjoja se sa do të flisja.

Në ditët që erdhën, sigurisht ne do të takoheshim në sallën e Bibliotekës si ngahera. Ai do të tregohej më i përzemërt se zakonisht, kurse unë përpiqesha të mos e tregoja qefmbetjen. Por kjo nuk zgjati shumë dhe miqësia jonë do të vazhdonte si më parë. Do të ishte bile ai që do të më ftonte pas një kohe të pinim kafe.

Persekutimi i Selman Rizës, jashtë Kongresit të Drejtshkrimit

U mblodhën në këtë kongres historik gjuhëtarë, shkrimtarë e publicistë të nderuar nga gjithë Shqipëria, trojet shqiptare dhe diaspora. Vura re atë ditë që mungonte në sallë Selman Riza.

S’do mend që më erdhi shumë keq, megjithëse nuk ishte fare e papritur po të merrje parasysh kriteret e rrepta që u ndoqën në përzgjedhjen e delegatëve. Ishte e qartë se profesorit të nderuar nuk ia kishin harruar atë që kish ndodhur pak vite më parë, kur e kishin qarkulluar në Berat.

Më kujtohet që në ditët kur po bëheshin përgatitjet për Kongresin e Drejtshkrimit, në një bisedë që pata me prof. Rizën, e pyeta se ç’mendim kish ai për gjuhën e njësuar letrare shqipe. Sipas platformës zyrtare, të njohur tanimë në rrethet shkencore, në bazën e saj qe vënë dialekti tosk. Mendoja se një pyetje e tillë, për një çështje aq delikate që ishte në diskutim e sipër do ta bënte bisedën tonë të vështirë.

Dyshoja se ai nuk do të qe dakord me këtë zgjidhje që po i jepej. Por për çudinë time, ai, pa u menduar gjatë, m’u përgjigj qetazi dhe prerë: “Toskërishtes i takon. Është e vetmja alternativë e arsyetuar shkencërisht, për ta vënë në bazën e gjuhës sonë të përbashkët.”

Të them të drejtën, një përgjigje të tillë nuk e prisja, duke u nisur jo vetëm nga paragjykimi se ai ishte geg, por dhe sepse platformën e njësimit të gjuhës e kishin përgatitur disa nga kundërshtarët e tij. Më tej, profesori më tregoi se ai kishte qenë partizan i toskërishtes qysh në vitet 30.

Aso kohe, ai bile kish botuar dhe artikullin “Shqiponja dhe shqipja” në revistën “Përpjekja shqiptare”, kushtuar pikërisht këtij problemi jetik të shqipes. “Shqiptari i vërtetë, aq më tepër gjuhëtari, – tha, – nuk duhet kurrsesi të jetë lokalist, kur është puna për një çështje madhore.

Problemi duhet gjykuar racionalisht dhe jo në mënyrë sentimentale. Toskërishtja në krahasim me gegërishten është më e përbashkueme, kurse gegërishtja ende jo, sadoqë dhe ajo ka po aq vlera sa simotra e saj.”

Dhe si u menduar një copë herë, më tregoi me buzë në gaz: “Atëherna, kur u botua artikulli pata madje dhe telashe me kolegët gegë, por s’desha t’ia dij. S’është punë sentimenti në këtë mes, po çështje arsyetimi, arsyetimi shkencor.

Më vjen për të qeshur kur kujtoj fjalët e Justin Rotës, i cili më tha: “Ti kosovar, si don me e vu tosknishten në një rang me gegnishten. Më beso, më ke ba me brejt hekra!” E pra, kështu mendoja dhe kështu mendoj dhe sot e tan ditën!”

Më preku profesori atë ditë për gjithë sa më tha. Nuk desha ta besoja, por një njeri me karakter si ai, vetëm kështu mund të fliste. Erdhi pastaj dita kur u thirr Kongresi i Drejtshkrimit. U mblodhën në këtë kongres historik gjuhëtarë, shkrimtarë e publicistë të nderuar nga gjithë Shqipëria, trojet shqiptare dhe diaspora.

Vura re atë ditë që mungonte në sallë Selman Riza. S’do mend që më erdhi shumë keq, megjithëse nuk ishte fare e papritur po të merrje parasysh kriteret e rrepta që u ndoqën në përzgjedhjen e delegatëve.

Ishte e qartë se profesorit të nderuar nuk ia kishin harruar atë që kish ndodhur pak vite më parë, kur e kishin qarkulluar në Berat. Ai e dinte mirë këtë dhe nuk ushqente iluzione. Ndaj e kish pritur i qetë, me heshtjen e tij burrërore, që unë ato ditë do ta konstatoja dhe do ta përjetoja.

Asnjë fjalë në bisedat tona para dhe pas Kongresit, për atë shpërfillje publike që ishte bërë. Asnjë të vetme dhe unë asnjëherë s’do të dilja në atë shteg. Më dukej se ajo që kish ndodhur me të, nuk i bënte nder jo vetëm gjuhëtarëve shqiptarë, por gjithë inteligjencës sonë, ku bëja pjesë dhe unë e miqtë e mi. Por ç’kishim në dorë ne? Ishte koha e partisë shtet dhe profesori e dinte fare mirë këtë.

– 5 –

Prof. Riza do të tregohej i përmbajtur dhe i matur në lëvdata, sidomos për punët e kolegëve të fushës së tij. Dhe kur ndodhte kjo, gjë që nuk ndodhte shpesh, ishte i kursyer dhe asnjëherë nuk i lëshohej emocioneve. I vetmi njeri për të cilin ai fliste me entusiazëm dhe dilte nga natyra e tij e zakonshme ishte Kostaq Cipo.

Për të, ai kishte stimë tepër të veçantë, gati e adhuronte, por dhe këtë gjithsesi e shprehte me raste. Cipon e kish pasur profesor, ndofta të parin, të gjuhës shqipe në Liceun e Korçës dhe më vonë qenë kolegë. Kjo e bënte të ndjehej në një farë mënyre nxënës i tij, por padyshim mik i patjetërsueshëm.

E çmonte lart për karakterin, për ndershmërinë dhe modestinë, por mbi të gjitha e cilësonte shëmbëlltyrë të shqiptarisë, shfaqur dhe mëshiruar kjo në përkushtimin dhe devoconin e tij thuajse fetar që kish treguar ndaj gjuhës shqipe.

Ishte nga ata intelektualë që e kish pësuar si vetë ai, duke u internuar nga fashistët në Itali për qendrimin e vendosur atdhetar. Dhe në këtë qëndrim, thoshte, e kish çuar në radhë të parë dashuria për fjalën shqipe.

Me këtë dashuri të shtrenjtëruar, sipas tij, kish hartuar vepra themelore të gjuhësisë shqiptare nga të cilat vlerësonte “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe punën cilësore që kish kryer si kryetar i komisionit për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), i pari fjalor i mirëfilltë shpjegues i gjuhës sonë.

Mbaj mend që do ta quante një gjuhëtar artist, pasi tregonte ndjeshmëri emocionale ndaj fjalës dhe kish një stil të vetin në të shkruar. Në një përvjetor jubilar të vdekjes së Cipos, (s’më kujtohet në 20 apo 25 vjetorin) ai shkroi dhe një artikull me këtë rast.

E dërgoi në një nga gazetat e kohës, po ia zvarritën aq shumë sa ai u detyrua pastaj ta botojë në “Revistën pedagogjike”, që kaloi pa rënë në sy të publikut të gjerë. Profesorit i mbeti qejfi, aq sa nuk kish dëshirë t’ia kujtoje. Ai zakonisht nuk bashkëpunonte me shtypin, veç atij shkencor, po dhe një herë që u afrua, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur.

Raportet e prof. Rizës me prof. Çabejn përbëjnë një kapitull më vete, që nuk më takojnë ndofta mua t’i evokoj.

Së pari, se miku im nuk e kish zakon t’i përfliste në biseda ato, së dyti, se unë nuk i kam njohur nga afër marrëdhëniet e tyre, pasi s’kam punuar me ta dhe së treti, këto raporte janë komplekse dhe i takojnë një sfere shkencore.

Në të vërtetë, siç e kam përshkruar dhe më sipër, vetëm një herë jam ballafaquar me raportet e tyre dhe ajo ngjarje më dha të kuptoj se ata ishin kolegë, por jo miq dhe në fakt këtë do ta tregonte koha. Ashtu si për shumëkënd dhe për mua, ata ishin dhe mbeten personalitete të spikatura të gjuhësisë shqiptare.

Nuk dua të vë në këtë mes shenjë barazimi, sepse secili ka vlerat dhe meritat e veta. S’ka dyshim se ata ishin gjuhëtarë dhe intelektualë të një formati jo të zakonshëm, me kontribute të dalluara, që lanë gjurmë të pashlyera. Duke i përqasur me njëri tjetrin nuk mund të mos vesh re përngjasimet dhe ndryshimet midis tyre.

Ata i takonin një brezi, me dy vjet diferencë nga shoku shoku, vinin nga dy krahina të skajshme të trojeve shqiptare, Çabej nga Gjirokastra, Riza nga Gjakova. I pari rridhte nga një familje qytetare e kamur, i dyti nga një familje e thjeshtë, me prejardhje malësore.

Ishin rritur dhe brumosur në një frymë dhe mjedis atdhetar të përbashkët, po me mentalitete të ndryshme. Çabej me një fëmini e rini pa telashe, Riza, i mbetur jetim, e kaloi këtë moshë në Jetimore.

Të dy qenë të zgjuar, me interesa e synime intelektuale, të vullnetshëm e të zellshëm, punëtorë të palodhur, me shpirt kërkues e ambiciozë. Por më pas, gjatë shkollimit morën formim akademik nga shkolla evropiane të largëta nga njëra tjetra. Njëri do të vinte nga bota gjermanike, tjetri nga ajo frankofone.

Çabej do të formohej në Grac e Vjenë të Austrisë, në qendra me tradita në studimet albanologjike, nxënës i K. Paçit, N. Joklit, kurse Riza do të studionte në Tuluzë të Francës, në një shkollë po aq serioze e me kërkesa të larta shkencore, por që dallonte për nga konceptet dhe metodat e studimit të botës akademike gjermanike. Kështu, Çabej do të merrte një formim etno-gjuhësor serioz, siç do të merrte një formim serioz dhe me themel dhe Riza në fushën e gjuhësisë.

Nga veprat që shkruan, del që i pari do të ishte etnolog, i specializuar në lëmin e gjuhësisë krahasuese indoeuropiane dhe albanologji, sidomos me etnologji, por dhe me probleme të folklorit e të letërsisë, ndërsa i dyti ishte dhe mbeti kryesisht morfolog duke ia kushtuar jetën kryesisht problemeve të mirëfillta të kësaj fushe të gjuhës shqipe. Pra, kish në profilet e tyre gjera të përbashkëta, por dhe diferenca, të cilat do të shfaqeshin në veprimtarinë e tyre shkencore.

Nga ana tjetër, duke i vënë përballë këto dy figura të gjuhësisë shqiptare, nuk mund të mos konstatosh natyrat dhe karakteret e tyre të ndryshme. S’ka dyshim që të dy qenë njerëz me integritet të lartë moral, të drejtë e të ndershëm, studiues të përkushtuar. Por dallonin për nga natyra.

Çabej ishte natyrë e butë, fjalë ëmbël e fjalë pak, përgjithësisht i heshtur, kish ndjesi artistike, kurse Riza vinte natyrë paksa e ashpër, tipik malësor, i hapur e i drejtpërdrejtë, i vëmendshëm për të dëgjuar, por i gatshëm për të kundërshtuar, i prirur nga mendimi ndryshe.

Po këta dy intelektualë, duke punuar në lëmenj të përbashkët apo të përafërt, në të njëjtin mjedis, ku studioheshin dhe ballafaqoheshin probleme shkencore, do të kishin momente afrimi e bashkëpunimi, por për hir të së vërtetës, siç kam dëgjuar nga kolegët e tyre, shumë herë dhe momente kundërshtimi, përplasje mendimesh, polemika.

Nga kjo pikëpamje, Riza ishte gati i papërballueshëm, i paepur, gjithnjë si të thuash në ofensivë, polemizues i rrallë. Të dy qenë këmbëngulës dhe seriozë në mbrojtje të tezave dhe mendimeve të veta dhe në këto raste tregonin nivelin e tyre jo të zakontë, por secili brenda natyrës së tij: Çabej në dukje i qetë, i përmbajtur, pa e ngritur zërin, ndërsa Riza tërë nerv, shpërthyes, me zë të lartë dhe i hapur, pa rezerva. Kam përshtypjen që të dy nuk ishin ziliqarë dhe ambiciozë ndaj njëri tjetrit.

Debatet e tyre zhvilloheshin në një truall shkencor dhe nga pozita shkencore. Jo rrallë këto debate në mes tyre i nxisnin dhe drejtuesit e Institutit, duke u dhënë për oponencë vepra të njëri tjetrit.

Në këto raste Çabej nuk tregohej plotësisht i hapur, i linte mendimet të nënkuptoheshin, ndjehej njëlloj shperfilljeje, kurse Riza ishte aq transparent e i drejtpërdrejtë sa lexohej qartë në mendimet dhe arsyetimet e veta. Është e çuditshme, por e vërtetë, që Çabej, në asnjë nga veprat e tij nuk e citonte ose t’i referohej punimeve shkencore të Rizës.

Me siguri kjo e prekte sedrën e këtij të fundit, por, kur binte fjala për Çabejn, miku im nuk mbaj mend që ta shprehte këtë qejfmbetje. Ai kishte burrëri, nuk e ulte veten në nivelin e pakënaqësive të rëndomta.

Aq më tepër që e dinte që një i tretë në marrëdhëniet e tyre, i hidhte benzinë zjarrit. Nuk e kam dëgjuar qoftë dhe një herë të flasë kundër Çabejt, të merret me jetën e tij personale. Bile më kujtohet, ato ditë kur Çabej ndërroi jetë në Itali dhe e sollën në atdhe, ku i bënë homazhet e merituara, prof.

Riza ishte i pikëlluar dhe do ta cilësonte vdekjen e tij të parakohshme një humbje të pazëvendësueshme për shkencën e kulturën shqiptare. Në kohën kur ata ishin gjallë, por dhe tani kur kthehem pas dhe i kujtoj, nuk ka si të mos ndjej keqardhje që këta dy burra të shquar qenë dhe mbetën deri në fund kolegë të denjë për njëri tjetrin, por nuk arritën kurrë të bëhen miq. E megjithatë kjo është normale dhe si e tillë, njerëzore.

Ishte fundi i viteve 70, koha e lidhjeve të ngushta në mes Universitetit tonë dhe atij të Prishtinës. Një kohë e paharruar, plot kontakte dhe takime vëllazërore në mes kolegësh që dhe tani më zgjon nostalgji të thellë.

Shkonim e vinim te njëri tjetri si në shtëpinë tonë. Ndjeheshim sikur kishim rigjetur të afërmit e humbur prej kohësh dhe s’dinim si t’i gëzoheshim gjithë kësaj që po ndodhte. Jepnim leksione, mbanim ligjërata, shkëmbenim përvoja e mendime, i dhuronim libra njëri tjetrit. Ishim të përfshirë nga valë të fuqishme patriotizmi dhe afërsie shpirtërore, thua se na kish zbritur nga lartë një fat i lum që nuk u përsërit më kurrë.

Në këtë atmosferë të ndezur që ishte krijuar, sidomos në radhët e intelektualëve do të vija re që profesor Riza qëndronte larg. Të gjithë e dinin se ishte kosovar, nga Gjakova, se kish njerëz të fisit andej, se kushedi sa fije e lidhnin me atë pjesë të Shqipërisë që kish mbetur jashtë. Merret me mend se si mund ta përjetonte një iredentist veteran si ai afrimin që po ndodhte në mes shqiptarëve të dy anëve. Ne pedagogët e Universitetit vinim e shkonim.

Po kështu dhe kolegët kosovarë. Organizoheshin konferenca e takime, po prof. Rizën s’e shihja gjëkundi. Në sallën e Bibliotekës Kombëtare studionin herë pas here me dhjetëra pedagogë e studiues nga Kosova, por rrallë herë do të shikoja profesorin në shoqëri me ta.

As që bëhej fjalë që të shkonte të jepte leksione në Kosovë. Në fillim kjo do të më çudiste, por duke menduar pastaj për rrethanat e jetës së tij, do ta kuptoja fare mirë se përse ndodhte kjo, prandaj dhe në bisedat tona nuk e prekja drejtpërdrejt temën e Kosovës ose do të tregohesha i matur. Do të më tërhiqte vëmendjen fakti që dhe kolegët kosovarë nuk i afroheshin profesorit, i qëndronin larg ose i shmangeshin. Aq më tepër, që dhe ai rrinte në distancë.

E gjithë kjo ndodhte për shkak të së kaluarës së tij. Kolegët kosovarë, si duket kishin porosi të mos takoheshin me një iredentist të njohur si ai, por dhe ai ishte aq realist e dinjitoz sa nuk e bënte veten. Unë padashur do të isha dëshmitar i kësaj situate të çuditshme e delikate.

Por çfarë do të ndodhte? Aty nga fundi i viteve 70, kur po i vinte fundi dasmës së vëllazërimit tonë, dy gjuhëtarë kosovarë të Institutit Albanologjik, emrat e të cilëve fatkeqësisht s’më kujtohen saktë dhe që studionin në sallën e Bibliotekës Kombëtare, më takojnë një ditë dhe më luten t’i siguroja një takim me prof. Rizës. Me sa duket më kishin parë tek rrija e pija kafe me të ose kur takoheshim në sallën shkencore.

Ç’është e vërteta, më erdhi mirë që më kërkonin mua të bëhesha ndërmjetës, por isha i ndërgjegjshëm se një detyrë e tillë shoqërore nuk ishte e thjeshtë. Hynin në këtë mes dhe rrethana politike, që mund ta vështirësonin pozitën e profesorit. Megjithatë, e mora me optimizëm dhe nuk bëra asnjë përpjekje për të marrë ndonjë miratim zyrtar.

Gjithë puna ishte a do të pranonte profesori, ndonëse nuk dyshoja se ai thellë thellë do ta kishte kënaqësi të takohej me vëllezërit e vendlindjes. Por argumenti më i fortë që kisha qe se dy gjuhëtarët kishin ardhur me një mision fisnik: Instituti Albanologjik i Prishtinës kish vendosur të botonte një vëllim me vepra të tij gjuhësore dhe me këtë rast kërkonte lejen e autorit.

Pa humbur kohë, duke përfituar dhe nga raportet tona miqësore, gjeta momentin dhe ia parashtrova dëshirën ose më saktë kërkesën për një takim të dy kolegëve të rinj kosovarë me të. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe për kënaqësinë time e mirëpriti dhe pranoi. Por, pasi më dëgjoi deri në fund, më tha se në këtë rast duhen zbatuar rregullat.

Pra, të merret leje në institucionet përkatëse. Unë buzëqesha dhe i thashë, “S’ka nevojë”, ndërsa ai u bë serioz dhe këmbënguli: “Veç në qoftëse e lypin rregullat s’duhen neglizhue.” Pastaj shtoi prerazi: “Me kusht që të jesh dhe ti i pranishëm.”

I premtova dhe kështu u bë. U takuam në kafen e Pallatit të Kulturës. Mbaj mend që të dy palët qenë të emocionuar, por në qoftë se profesori tregohej i përmbajtur, i fshihte emocionet pas seriozitetit, dy miqt’ ishin gati të hutuar dhe m’u desh mua ta kapërcejmë këtë situatë që u krijua.

Më bëri përshtypje që miku im, ndryshe nga zakonisht, ishte veshur me kostum dhe kish marrë një pamje, s’di të them, zyrtare apo festive. Kjo tregonte rëndësinë e veçantë që i jepte takimit me dy sivëllezërit e tij kosovarë.

Nuk pati fjalë hyrëse, veç frazës që shqiptoi njëri nga miqtë: “Ju profesor kini mbjellë i pari farën e albanologjisë në Kosovë.” Ai vetëm tundi kokën dhe priti vazhdimin. U kalua drejt’ e në temë, por pa mundur dot ta përmbanin gëzimin që ndjenin që ai kish pranuar për t’u takuar. Prapë profesori nuk bëri asnjë koment.

Atëherë njëri prej tyre shpalosi projektin që kish hartuar Instituti Albanologjik i Prishtinës për të botuar një vëllim me veprat e tij të zgjedhura gjuhësore. Ishte fjala për disa nga studimet për çështje kyç të shqipes, siç janë ato për Pronorët, Emrat, Nyjet apo Diftoren e gjuhës sonë. Profesori i dëgjoi i përqëndruar dhe si tha se ndjehej tepër i nderuar dhe u ishte mirënjohës kolegëve të rinj të gjuhësisë kosovare, të cilët nuk i njihte personalisht, e miratoi plotësisht projektin.

Pastaj tha në mënyrë pavetësore se fara e albanologjisë e hedhur në Kosovë, kish qenë e shëndoshë dhe e mbarë, përderisa tani kishin dalë një çetë e tërë gjuhëtarësh vendali dhe kishin arritur të kryenin studime të shqipes me vlera të thukta shkencore. Kjo e gëzonte dhe e bënte optimist. Në këtë rast, ai nuk evokoi ndonjë kujtim të vetin nga Kosova dhe s’iu refrerua fare veprave të tij.

E megjithatë, atmosfera e bisedës sikur u ngroh dhe njëri nga miqt’, duke përfituar nga kjo, i propozoi që Instituti ishte gati të botonte dhe ndonjë nga studimet që ai kishte në dorëshkrim. Profesori menjëherë u vrenjt, mori një pamje zyrtare dhe, pa u menduar gjatë, tha: “Jo, unë jam qytetar i Shqipërisë dhe ma parë do t’i botoj në atdheun amë e mandej ju fare mirë mundet me i marrë e me i botue në Prishtinë.”

Sigurisht, dy miqve nuk u erdhi mirë dhe u përpoqën të arsyetonin e t’i mbushnin mendjen se në këtë mes nuk kish asgjë të keqe. Por profesori u tregua i vendosur dhe tha: “Kjo nuk është as etike e çka asht ma e rëndësishme as në përshtatje me rregullat që zbatohen këtu.”

Pas këtyre fjalëve, miqtë nuk ngulën këmbë më tej dhe me kaq si duket i kishte ardhur fundi takimit. Ata u ndanë pastaj përzemërsisht dhe unë u ndjeva i shkarkuar nga barra që kisha marrë përsipër.

Kolegët kosovarë e mbajtën fjalën. Nuk kaloi shumë kohë dhe Instituti Albanologjik i botoi studimet e tij të zgjedhura në një vëllim voluminoz nën titullin “Studime albanistike” (1979). Libri ishte përgatitur nga gjuhëtarët e Prishtinës F. Agani, B. Bokshi dhe R. Ismajli.

Një ditë profesori, tek studionim në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, më ftoi te tavolina e tij dhe me një gëzim që ia shprehnin sytë dhe zëri, nxori nga çanta librin e botuar që ia kishin dërguar nga Prishtina përgatitësit, nëpërmjet Dritëro Agollit. “Ma kanë bërë shumë qejfin, – tha. – U lumtë!”

7

Ne do të shiheshim gati çdo ditë, tek punonim në të njëjtën sallë të Bibliotekës. Ai edhe pse kish dalë në pension nuk e kish ndërprerë kurrsesi punën studimore. Si gjithnjë vinte dhe largohej nga Biblioteka në të njëjtin orar, ulej gjithnjë në një nga tavolinat e radhëve të para, punonte ngultas, krejt i përqëndruar duke shkruar zakonisht në disa fletore të trasha, herë me stilolaps, herë me laps, evitonte bisedat në tavolinë dhe po kaq i rregullt ishte dhe në shetitjet e tij.

Shëtiste në intervalet e punës nëpër hollin e Pallatit, po pasdrekeve e shikoje të shëtiste përgjatë trotuareve, nga sheshi Skënderbej deri te sheshi para Universitetit. Si zakonisht, ai shetiste vetëm, më hapin e tij karakteristik, i tërhequr në mendimet e veta, duke iu përgjigjur me mirësjellje përshëndetjeve të të tjerëve.

Qëllonte, jo rrallë, që të ulesha në një tavoline të sallës në krah ose pas tij. Do të shkëmbenim përshëndetje në heshtje dhe vetëm kaq. Nuk e trazonim asnjëherë njëri-tjetrin kur ishim duke studiuar. Unë ia dija këtë zakon dhe bisedat do t’i bënim duke dalë në holl ose ngjiteshim në kafe.

Ai do të më pyeste për punën që kryeja, por jo aq për krijimtarinë, se sa për studimet letrare duke shkëmbyer mendime, sidomos për çështje të përafërta me fushën e gjuhësisë.

Nga bisedat që bënim, do të mernja vesh se gjatë kohës që kish dalë në pension, ai sikur ishte tërhequr nga studimet e mirëfillta gjuhësore, sidomos nga fusha e morfologjisë së shqipes.

Vitet e fundit, profesori i qe kushtuar një fushe tjetër, që kur ma tha nuk më kish shkuar fare mendja. Ishte fjala për një sferë jo vetëm të pa trajtuar, por dhe krejt të panjohur në studimet tona. Më tregoi se po merrej me filozofinë e gjuhës.

Menjëherë më shkoi mendja te telashi i madh që kish pësuar vite të shkuara dhe mbaj mend që reagova duke i thënë: “Fushë shumë delikate kjo, profesor.” Ai ma priti: “Tash jam i lirë, në pension, s’kam asnjë detyrim. Shkruaj çka më diktojnë interesat e mia intelektuale.”

Nuk e ngava më tutje. Tek e fundit ishte puna e tij. Për më tepër, e kish marrë me dëshirë e aq përkushtim dhe ç’është më e rëndësishme e mbante si të fshehtë, sa unë nuk do të guxoja asnjëherë ta pyesja.

Vetëm njëherë më la të kuptoja se ajo ç’po shkruante do të ishte një vepër e postume, që do të botohej një ditë kur ai do të kishte ikur.

Dhe kështu ndodhi vërtetë. Kjo vepër, ndofta e fundit, u botua pasi ai kish ndërruar jetë, në vitet e demokracisë që ai s’e arriti dot dhe u botua sëpari në Kosovë. Dhe botimi atje nuk ishte pakuptim.

Atje ku kish parë së pari dritën e diellit, atje do ta shihte dritën e botimit edhe vepra e tij testament. Një vepër voluminoze, afro 700 faqe, me një titull domethënës “Mendime të shkëputura të një vazhde të vetme.”

Janë mendime e meditime për jetën e për vdekjen, për filozofinë e moralin, për shkencën e politikën, sigurisht dhe për gjuhën, një enciklopedi meditative, fryt i përvojës së gjatë e të vështirë, i kulturës dhe intresave të gjera, i forcës së mendimit dhe vështrimit të tij kritik, por dhe i botës së tij të pasur shpirtërore dhe i përjetimeve ekzistenciale njerëzore.

Të gjitha këto, të dhëna në mënyrë të koncentruar, në trajtë aforizmash, por dhe mikroshqyrtimesh, paragrafesh të gjata ose të shkurtra, me një gjuhë lakonike dhe me prirje përgjithësuese. Për fat të keq, kjo vepër nuk njihet nga lexuesi i Shqipërisë dhe as është bërë deri më sot objekt studimi dhe vlerësimi nga kritika shkencore.

8

Prof. Riza iku në një kohë kur s’duhet të kish ikur: në prag të ardhjes së demokracisë në Shqipëri dhe disa vjet përpara çlirimit të Kosovës. Dy ngjarje këto të mëdha, ëndrra të jetës së tij , të një jete përkushtuar aspiratës gjithë kombëtare për një Shqipëri të lirë e demokratike, brenda kufijve të saj natyralë.

Një aspiratë e tillë, ndonëse e pashprehur hapur për afro dyzetë vjet, do ta bënte personalitetin e tij disi enigmatik, të dallueshëm në mesin e intelektualëve të brezit të vet dhe kjo do të dukej dhe në përcjelljen e tij të fundit.

Një përcjellje e nderuar dhe e merituar që evidentoi në një farë mënyre diferencën në mes opinionit të gjerë popullor dhe atij zyrtar, duke krijuar dashur pa dashur, ditën e varrimit një situatë që nuk kaloi pa u vënë re. Ishte çasti kur arkivolin e kishin ulur para varrit të hapur dhe gjindja e mbledhur priste të mbahej fjala e rastit. Pritej fjala zyrtare.

I ndjeri kish qenë për vite me radhë punonjës shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, një nga personalitetet e albanologjisë shqiptare. Padyshim i takonte nderimi institucional. Por drejtuesit e tij të politizuar nuk e kishin parë të arsyeshme ta kryenin këtë detyrë, qoftë edhe formalisht.

U krijua atë çast, ndërsa prisnim të gjithë, një heshtje e nderë dhe vështrimet e njerëzve u kryqëzuan. Përballë dallova në krah të të birit të të ndjerit, Eminit, prof. Aleks Budën, kryetarin e Akademisë së Shkencave, i cili i shqetësuar lëvizte kokën sa djathtas majtas.

Dikur u kuptua se s’kish ardhur asnjë folës zyrtar. Atëherë e mori fjalën prof. Aleksi, një fjalë kjo e improvizuar në moment, por që shprehte dhimbshëm dhe në mënyrë lakonike me tonin e tij karakteristik vlerat njerëzore, atdhetare dhe intelektuale të Selman Rizëz. Sapo ai mbaroi, u dëgjua një zë i thekshëm burri: “Nuk varroset kështu Selman Riza!” Ishte Dr. Behxhet Reso, një nga miqtë e vjetër e të pandarë të të ndjerit.

Foli edhe ai duke e ngritur lartë figurën e tij, por me një duf të papërmbajtur, si reagim ndaj heshtjes zyrtare. Turma sikur mori frymë lirisht dhe pastaj arkivolin e të ndjerit e zbritën në varrin e hapur për ta mbuluar në fund me kurora e buqeta lulesh.

Ndërsa morëm për të ikur, një mik i përbashkët i imi dhe i profesorit të ndjerë, më vuri krahun e më tha: “Selmanit të shkretë nuk iu ndanë telashet deri ditën e fundit të jetës.”

E pastaj, kur zumë vend në autobus, shtoi: “E çuditshme, si ngjizet fati i njeriut: Selmani i mbetur jetim, ishte 13 vjeç kur erdhi në këmbë nga Gjakova në Tiranë për ta mbyllur jetën këtu!”

Nga prof. Riza, veç kujtimeve të paharruara që ruaj, kam dhe një libër të dhuruar nga ai. Është libri i tij i parë “Tri monografina albanologjike. Abeceja.

Drejtshkrimi. Çështje gjuhësore.” Ma solli një ditë në Bibliotekë. Nuk e prisja, ndaj dhe më preku ky akt i tij miqësor. Së pari se ishte një koeçidencë e bukur. Ishte tamam ai libër që ma bëri të njohur për herë të parë emrin e tij, në adoleshencën time të hershme.

Dhe së dyti, po më i rëndësishëm, qe dedikimi: “Shokut Nasho, në kujtim të miqësisë sonë burrnore, me dashuri e respekt, Selman Riza.” “Shumë të faleminderit”, i thashë pasi lexova fjalët e shkruara dhe i emocionuar e rroka në qafë si të rrokja tim at, që ai s’di sepse ma kujtoi atë çast me përzemërsinë e tij jo të zakonshme.

(Fund)