Test për të provuar implikimin e Berishës

0
41

Nga Mero Baze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju bashkuan dje kërkesës zyrtare të Bashkimit Evropian që Kolegji Zgjedhor në Shqipëri të mos marrë një vendim përfundimtar pa u konsultuar me Komisionin e Venecias. Fillimisht një deklaratë e Baroneshës Ashton dhe Komisionerit Fule, dhe dje një deklaratë e qartë e zëvendës/ndihmës sekretarit të Shtetit Kantrimen, flasin për një gjuhë të përbashkët të Evropës dhe SHBA lidhur me këtë çështje. Të qartë mbi ndikimin e plotë politik të Berishës mbi Kolegjin, e cila u dëshmua dhe në dy votimet e para të tij, Bashkimi Evropian dhe SHBA kërkojnë t’i japin një shans Kolegjit të interpretojë paqartësinë ligjore të prodhuar enkas pas mbarimit të lojës për të devijuar fitoren në tavolinë.

Kërkesa për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias në të vërtetë nuk është vetëm një kërkesë për të shmangur Kolegjin Zgjedhor nga gjykimi, por për të vënë në provë përfshirjen e Sali Berishës në këtë proces që po kriminalizohet dita- ditës. Komisioni i Venecias vihet në lëvizje nga kërkesa konsensuale parlamentare, nga kryeministri ose presidenti i vendit. Opozita nuk ka fuqi ta vërë në lëvizje Komisionin e Venecias. Për këtë shkak personi kyç që ka në dorë të vërë në lëvizje Komisionin është Sali Berisha. Këmbëngulja e Perëndimit për Komisionin e Venecias më shumë se sa me rekomandimin që do të japë ky Komision ka të bëjë me testimin e vullnetit politik të Sali Berishës për të mos prekur mandatin e Tiranës.

Burime nga Brukseli bëjnë të ditur se Berisha ia ka refuzuar këtë kërkesë Brukselit, bile flitet se ia ka refuzuar direkt presidentit Barroso me arsyetimin se është duke testuar “institucionet demokratike në Shqipëri”. Njeriu që kërkoi hetim ndërkombëtar për gardistët që vranë më 21 Janar vetëm që të mos i arrestonte Ina Rama, për një çështje shumë delikate që mund të destabilizojë vendin, jo vetëm që këmbëngul tek gjykatësit e kontrolluar prej tij, por injoron këshillat e dy kryeqyteteve më të rëndësishme perëndimore, Brukselit dhe Uashingtonit. Ky është demonstrimi më i qartë i vullnetit të tij politik që nuk ka ndërmend ta lëshojë mandatin e grabitur me gjykatë në Tiranë.

Një shenjë tjetër që Berisha është i angazhuar që kjo çështje të mos përfundojë në Venecia, lexohet qartë në agresivitetin e shumicës ndaj presidentit Topi. Poshtërimi publik që i bëri presidentit duke inskenuar “zbardhjen” e votimit të gabuar të tij pro Ramës, dhe më tej akoma sulmet e përditshme ndaj tij që gjoja “nuk po u kërkon palëve të njohin rezultatin”, janë një paralajmërim i qartë që ai të mos guxojë t’i drejtohet Komisionit të Venecias pasi sipas berishëve, është palë në këtë proces. Pra, Berisha, jo vetëm që po i reziston vetë kërkesave ndërkombëtare për të mos marrë këshilla nga Komisioni i Venecias për gjykimin e Kolegjit, por po intimidon dhe presidentin e Republikës ta bëjë këtë në emër të shpëtimit të procesit zgjedhor dhe parandalimit të një krize të re në vend.

SHBA dhe Brukseli, të cilët kërkojnë përdorimin e këshillave të Komisionit të Venecias, nuk është se janë të paqartë për atë që ka ndodhur. Në kulturën e tyre politike nuk është praktikë pune presioni mbi një gjykatë, qoftë dhe qesharake si Kolegji ynë Zgjedhor. Ata nga ana tjetër janë të qartë se rekomandimet e mundshme të Komisionit të Venecias në kushtet e boshllëkut ligjor i drejtohen precedentëve të mëparshëm për votat e hedhura në kutitë e gabuara. Pra në një farë mënyre ata janë të qartë për situatën, por duan të provojnë deri në fund se Sali Berisha është në krye të operacionit të grabitjes së mandatit të Tiranës.

Të gjithë ata që mendojnë se Berisha do të dorëzohet nga presioni i SHBA dhe BE, gabojnë. Sot në fillim të verës së vitit 2011 jemi fiks në kushtet e qershorit të vitit 1996 kur Berisha refuzoi me vendosmëri rekomandimet amerikane dhe evropiane për përsëritje të zgjedhjeve në 40 zona për t’i dhënë shans një rezultati të pranueshëm që nuk prekte integritetin e procesit. Berisha nuk e bëri. As sot nuk ka për ta bërë. Edhe pse dje në drekë nxori një zonjë që recitoi një letër ku i kërkonte Ramës të dëgjonte ndërkombëtarët, vetë është njeriu që po hedh në kosh të plehrave rekomandimet e dy qendrave më të rëndësishme perëndimore që vendosin për fatin e Shqipërisë.

Mes Brukselit dhe Uashingtonit që vendos për fatin e Shqipërisë, dhe Kolegjit Zgjedhor që vendos për fatin e Lulëzim Bashës, Berisha zgjedh këtë të dytin. Nuk është ende gati të bëjë kurban njeriun me të cilin po merr dhunshëm Tiranën për të kompensuar humbjen e dhimbshme në gjithë Shqipërinë. Nuk është gati të vendosë të parët qytetarët, para fatit politik të Lulëzim Bashës që nënkupton kandidatin e fëmijëve të tij. Për të i pari është Basha, pastaj vjen Shqipëria. Të parët janë fëmijët e tij, pastaj vjen Shqipëria. Ai nuk është në këtë betejë për fatin e Shqipërisë, por fatin e pushtetit të tij dhe familjes së tij.