Shqip, 22 Dhjetor 2012
Ambasadorja gjermane, Holtkemper: Humbëm një vit, por është rënë dakord. Kostot shtesë, Shqipëria
Ribërja e tenderit do të kërkojë kohë, duke sjellë kosto shtesë, vlerësuar me 15 milionë euro
ARD KOLA
Tenderi për ndërtimin e linjës 400 kilovolt me Kosovën, i bllokuar prej një viti, do të ribëhet nga e para. Pas negociatave intensive të ditëve të fundit, duket se banka gjermane dhe qeveria shqiptare kanë rënë dakord për të anuluar tenderin e mëparshëm që shpallte fitues kompaninë kroate “Dalekovod”, për ndërtimin e linjave të tensionit të lartë të furnizimit të transmetimit të energjisë elektrike mes dy vendeve. Gjatë intervistës dhënë për “TV Scan”, ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Muller-Holtkemper, thotë se palët kanë rënë dakord për ta ribërë nga e para, vetëm pjesën që prek territorin shqiptar, kurse Kosova do të vijojë të lidhë kontratën me fituesin e shpallur në tenderin e mëparshëm.
Qeveria shqiptare ka pranuar të marrë përsipër edhe kostot shtesë, të cilët vërtiten rreth 15 milionë euro, nisur nga çmimet e lëndës së parë dhe nga efekti i mungesës së linjave të deritanishme për transmetimin e energjisë mes dy vendeve. KfW ka qenë dakord për anulimin e tenderit në rast se qeveria pranonte ribërjen e prokurimit sipas kushteve të bankës dhe të merrte përsipër kostot shtesë nga rivlerësimi i projektit, por ministri i Financave nuk pranonte të firmoste.
“Është vendosur që për pjesën shqiptare të këtij projekti, tenderi do të ripërsëritet. Sigurisht që në këndvështrimin e realizimit të këtij projekti, ne kemi humbur kohë, kohë shumë të çmuar, sepse do të nisim ndërtimin e projektit”.
Projekti për palën shqiptare kap një vlerë investimi rreth 42 milionë euro, kurse firma kroate e shpallur fituese kishte ofruar çmimin 36 milionë euro dhe konsiderohej teknikisht nga KfW më e aftë se boshnjakja “Energoinvest”, e cila ofroi një çmim 27 milionë euro. Qeveria preferonte këtë të dytën, por kushtet e tenderit diktonin shpallje të fituesit në bazë të anës teknike (75 pikë).
Koha e humbur dhe ribërja nga e para do t’i kushtojë qeverisë shqiptare, e cila e anuloi tenderin vetëm për faktin e kostos së lartë, por nuk arriti gjë tjetër vetëm sa e vonoi realizimin.
“Deri në këto momente kemi humbur më shumë se një vit. Pas kësaj duhet të rinisë tenderi, të rivlerësohet. Kjo do të marrë disa muaj të tjerë shtesë. Sigurisht që rinisja e tenderit, duhet të plotësojë disa standarde të minimumit teknik dhe sigurisht që nëse rezultati do të jetë përmbi çmimin e financimit, ne mendojmë se është pala shqiptare që duhet të paguajë kostot shtesë”, thotë Holtkemper.
“Marrëveshja që kemi arritur, pas përfundimit të negociatave dhe të ofertave të KfW-së dhe të Ministrisë gjermane të Bashkëpunimit Ekonomik, vendos ripërsëritjen e tenderit për segmentin në territorin e Shqipërisë dhe është i pranueshëm. Ajo çfarë mund të ndodhë më vonë, cilat do të jenë rezultatet, sa pjesëmarrës do të ketë në tender, ne nuk mund ta dimë”, vijon më tej ajo.
Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është me të vërtetë shumë solide dhe këto ulje-ngritje të përkohshme nuk ndryshojnë themelet e marrëdhënies, thotë ambasadorja, duke shtuar se ky ngërç nuk ndikoi te projektet e tjera në sektorin energjetik.
Në rast të ribërjes së tenderit nga e para, qeveria shqiptare duhet të marrë në konsideratë kostot shtesë, direkte dhe indirekte, të cilat shkojnë në më shumë se 15 milionë euro. Sipas vlerësimeve të konsulentit, të bëra publike palës shqiptare më 28 mars 2012 (në mbledhjen e zhvilluar në Frankfurt), të mbështetura edhe nga KfW-ja, nga mungesa e linjave dhe vonesat e vazhdueshme deri në ndërtimin e tyre, Financat shqiptare do të humbasin të paktën 8 milionë euro (nisur nga import-eksportet), plus 6 milionë euro kostot shtesë për zvarritjet. “Intec” thotë se kostot mund të jenë edhe më të larta, pasi janë bërë me çmimet e viteve 2009-2010. Tjetër kosto nga ribërja e tenderit lidhet me riskun e garancive që do të kërkojnë kompanitë konkurrente, nisur nga rasti precedent i anulimit, duke aplikuar çmime ekstra, sikurse shihet me shqetësim fakti i një mungese interesimi nga firmat ndërkombëtare (gjithnjë nisur nga problemet që shkaktoi tenderi i parë me vonesat).
E thënë ndryshe, nëse ministri kërkon të kursejë 8 milionë euro duke anuluar tenderin e parë, zhvilluar në 2010-n, ribërja, e cila kërkon edhe 14 muaj të tjerë procedura (në rast se vendos nga dita e sotme, 26 nëntor 2012), do t’i kushtojë dyfish, për të mos thënë më shumë, sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë. Çmimi i hekurit ka tendencë rritje, dhe në raport me periudhën kur u zhvillua tenderi rreth dy vjet më parë, sot ai kushton 30 për qind më shumë, sqaron më tej “Intec”.
Problemet
“Korrupsioni, krimi dhe zbatimi i ligjit”
Sipas ambasadores gjermane në Tiranë, Shqipëria ka shumë sfida për të zgjidhur. “Shumica e kompanive gjermane në këtë vend raportojnë për probleme me administratën tatimore, me korrupsionin dhe krimin. Nuk do të përdor termin konflikt, por termin përplasje për çështjet administrative. Për ta përmbledhur me një fjalë këtë tablo të përgjithshme është problemi i zbatimit të ligjit”, thotë ajo. “Problemet kryesore me të cilat përballen investitorët gjermanë me pak fjalë janë problemet me taksat, me doganat, zbatimi i ligjit, transparenca në tenderë dhe sigurisht që ka vend për të përmirësuar klimën e biznesit. Nëse do të bëhen këto, ka një potencial shumë të madh”.