Nga Emirjon Senja
Në pamje të parë, të gjitha shkeljet e kapura nga KLSH duket se janë bërë nga pakujdesia apo përllogaritja e pasaktë, por shpeshtësia e tyre dhe masa e gabimit, e cila varion ne disa milionë lekë hedh hije të mëdha dyshimi. Rasti më tipik është ai i rrugës së Arbrit, ku është zhvilluar tender për punime të cilat nuk ekzistojnë. Gazeta vijon sot me publikimin e raportit të KLSH-së pas kontrollit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshmë të Rrugëve për aktivitetin e saj përgjatë viteve 2008, 2009.
Rruga e Arbrit
Kontrolli përfshin vetëm lotin e parë të kësaj rruge, i cili fillon nga Ura e Vashës deri në Bulqizë. Problemet në këtë segment kanë të bëjnë me zhvendosjen e linjës së tensionit 110 kv si dhe vendosjen dy tombinove (kulluese uji) në rrugë. Në fakt, nga sa konstaton KLSH, në atë zonë nuk ka ekzistuar fare asnjë linjë tensioni 110 kv dhe tenderi prej 17 milionë lekë për kryerjen e këtyre punimeve është zhvilluar gabim. “Në projektin e kësaj rruge (segmenti Ura e Vashës-Bulqizë) janë parashikuar punime për spostimin e linjës së tensionit të lartë 110 kv.
Por, në fakt në këtë segment rrugor nuk ka linjë TL 110 kv për t`u spostuar, çka do të thotë se ky zë është preventivuar gabim, e për pasoje vlera e kontratës është rritur fiktivisht në shumën 17,552,266 lekë me t.v.sh”, – shpjegon KLSH. Krahas kësaj, gjatë vendosjes së kullueseve të ujit, kompania projektuese ka bërë përllogaritje të gabuara duke rritur artificialisht koston e ndërtimit të rrugës me rreth 155 milionë lekë.
Kukës-Morinë
Kontrolli i ushtruar për këtë segment ka hasur me një dëm ndaj buxhetit në vlerën e 39 milionë lekëve. Çështja ka të bëjë me zhvillimin e tenderit për ndërtimin e dy viadukteve. Sipas të dhënave të ofruara nga KLSH, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka rritur padrejtësisht koston e ndërtimit të tyre me rreth 39 milionë lekë duke skualifikuar nga gara kompaninë që kishte dhënë ofertën më të ulët, më arsyetimin se nuk përmbushte kushtet financiare. Nga ana e saj, KLSH arsyeton se kompania mund të ishte shpallur fituese nisur nga fakti se diferenca e bilancit financiar të kompanisë midis shumës kusht për të marrë pjesë në tender dhe asaj që posedonte ajo ishte e ulët.
Plepa-Rrogozhinë
Segmenti Plepa-Shkëmbi Kavajës përmendet disa herë në raportin e KLSH-së për shkelje, të cilat shkaktojnë edhe rritje artificiale të rrugës. Fillimisht ishte vendosja e paplanifikuar të paneleve anësore kundër zhurmës, e cila rriti koston me rreth 280 milionë lekë. Kësaj të fundit i shtohet një tjetër shumë prej rreth 150 milionë lekësh, por këtë radhë shkelja është bërë tek procedurat e tenderimit.
Sipas KLSH-së, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar me pa të drejtë një kompani nga gara, e cila kishte marrë përsipër përfundimin e punimeve me një vlerë rreth 150 milionë lekë më të vogël se kompania që u shpall fituese. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit përmban një mori shkeljesh të ngjashme të rrugë të tjera të vendit, të cilat kapin vlera disa qindra milionë lekë. Vetëm shkeljet në tre rrugët e mësipërme, mësohet t’i kenë shkaktuar buxhetit të shtetit një kosto shtesë prej rreth 360 milionë lekë
Pagesat, si u futën në “kurth” kompanitë
Fillimi i punimeve njëkohësisht në të gjithë trasenë e rrugëve është një fenomen që haset shpesh gjatë ndërtimit të rrugëve në vend duke bllokuar apo vështirësuar për një kohë të gjatë kalimin e automjeteve në të. Punimet në rrugë zgjaten në kohë duke kaluar çdo afat limit, madje jo në pak raste, afatet e dorëzimit të punimeve janë shtyrë me muaj më radhë.
Në kontrollin e ushtruar në DPRR për periudhën 2008-2009 Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton tejzgjatjen e afateve kohore të mbarimit të punimeve nëpër rrugë për shkak të mos financimit në masën e duhur nga autoritetet shtetërore.
Pra, krahas problemeve me projektet, mos lirimit të sheshit të punimeve nga privatet, shkak për zgjatjen e punimeve në rrugë sipas KLSH-së është edhe mungesa e parave. Në kushtet kur nuk paguhet, kompania ose është e detyruar të vijojë punimet me paratë e saj, gjë e cila ka ndodhur shpesh ose duhet të ndërpresë punimet. Rastet më flagrante janë edhe ato kur autoritet i thonë kompanive që të fillojë punimet ndërkohë që në kontratë nuk parashikon afatet e kryerjes së pagesave. Kjo është edhe një ndër format e zgjedhura deri më tani nga autoritetet për të shtyrë pagesat.
Në lidhje me këtë fenomen, KLSH merr shembull kërkesat e dërguara për likuidim në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve nga kompanitë ndërtuese deri në fund të vitit 2009. Gjatë kësaj periudhe, mësohet se kompanitë kanë dorëzuar në DPRR kërkesa për likuidime në vlerën e rreth 4.7 miliardë lekëve, shumë e cila është konsideruar tepër e lartë nga KLSH.
“Ky detyrim në vlerë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit është krijuar nga prokurimi i fondeve për projektet e infrastrukturës rrugore me vlerën e plotë të tyre, por i pa shoqëruar me financimin pjesor nga buxheti i shtetit për të mbuluar punimet e kryera”, – shpjegon raporti duke vijuar edhe më tej me shtjellimin e gjendjes. Pra, kompanitë nuk janë paguar për punën e bërë. Kujtojmë se gjatë asaj periudhe Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkoi publikisht nga Ministria e Punëve Publike që të paguheshin për punën e bërë.
Shtyrja e pagesave rrisin koston finale
Raporti i KLSH-së konstaton se në mjaft raste, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ministria e Transporteve kanë prokuruar të gjithë segmentin e rrugës në mënyrë të menjëhershme edhe pse ai është parashikuar të mos përfundojë brenda një viti buxhetor. Në këto kushte, kompanitë fituese fillojnë punimet në lotet që kanë marrë përsipër të realizojnë dhe pas mbylljes së një pjese të punës dorëzojnë tek autoritetet situacionet, të cilat kanë të bëjnë me punimet që janë kryer duke kërkuar njëkohësisht edhe të paguhen.
Por pagesat faktikisht bëhen jashtë afateve, disa herë vonesat janë edhe më të gjata se një vit. Kuptohet që këto vonesa pengojnë firmat dhe i detyrojnë ato të marrin masa që e shkarkojnë gjithë stresin financiar mbi punonjësit, që shkurtohen apo që u zvogëlohen e u vonohen pagat. Gjithashtu i pengon këto firma që të kryejnë investime sipas parashikimeve në rritjen e kapaciteteve teknike e njerëzore.
Prokurimi i plotë i rrugës vlerësohet pozitivisht nga ekspertët e KLSH, por ata i mëshojnë faktit se mos financimi në kohë i punimeve bëhet shkak për zgjatjen e tyre. Krahas kësaj, kompanive iu lind e drejta që të kërkojnë kamatë vonesa duke rritur në mënyrë fiktive koston e ndërtimit.







