TemA Online, 20 Mars 2013
Fryma e Re Demokratike zhvilloi takim me qytetarë të Rrogozhinës.
“Vizioni ynë për ndryshimin e situatës në vend është i qartë në këtë komunikim me qytetarët. Rrogozhina është shembulli i qartë i premtimeve të pambajtura të kryeministrit,” tha kryetari i FRD, Bamir Topi.
Topi përmendi se aksi kombëtar që kalon në Rrogozhinë është pjesë e korridorit të 8-të, i cili përdoret nga kryeministri në çdo vend, madje edhe si sukses, por gjendja e kësaj rruge për fat të keq është skandaloze.
“Është tashmë e padurueshme që në një zonë bujqësore si Rrogozhina, ose nuk prodhon askush, ose ata që arrijnë të prodhojnë nuk mund të gjejnë treg për të shitur prodhimet e tyre,” tha Topi.
“Sot në Kuvend kemi vetëm 20 deputetë që janë aktivë dhe bëjnë punën e tyre, pjesa tjetër janë kthyer në disa dorë ngritës të kryetarit sa herë që ai ka nevojë. Tani ka ardhur koha që të marrë fund dominimi i këtij pushteti, i cili ka marrë tiparet e monizmit me një kryeministër diktator,” tha Topi.
“FRD ka shumë dashamirës në administratën shtetërore, të cilët i falenderojmë për mbështetjen që na japin në heshtje dhe do t’i falenderojmë më shumë më 23 qershor kur këta persona do të votojnë për FRD-në”.
Nga Rrogozhina kryetari i FRD-së i bëri thirrje gjithë qytetarëve të verifikojnë listat në qendrat e votimit, për të shmangur manipulimet.
Ndërkaq kryetari i FRD-së për qarkun Tiranë, Saimir Shehri, përshëndeti qytetarët dhe vuri në dukje problematikat që ka sot vendi dhe ky qytetet.
Ai tha se infrastruktura rrugore e Rrogozhinës është për të ardhur keq dhe e braktisur totalisht nga shteti.
Më tej ai evidentoi punën për ngritjes e strukturave të FRD në këtë qytet, të cilat veprojnë në mënyrë dinamike për afrimin e qytetareve në alternativen politike të FRD-së.