TemA TV/ Topi: Nurja do jetë pjesë e parlamentit. Shkodra s’mund të identifikohet me emrin e Topallit (VIDEO)

0
61

TemA , 19 Qershor 2013

Të mërkurën, Fryma e Re Demokratike i përqendroi tubimet zgjedhore në qarkun Shkodër me banorë të komunave Bushat, Velipojë dhe Postribë.

Në këto takime, Topi tha se “entuziazmi i qytetarëve paralajmëron fitoren e FRD-së”.

“Fatlum Nurja, që prin listën e kandidatëve për qarkun, do të pjesë e grupit parlamentar të FRD,” u shpreh ai.

Kryetari Topi u ndal edhe në situatën politike në vend.

“Për qytetarët shkodranë, 23 qershori është momenti për t’i thënë ik politikanëve që e lanë Shkodrën dhe Shqipërinë jashtë Europës, atyre që braktisën të përndjekurit dhe mbledhin vota për Kaçin e zi, atyre që tradhtuan kauzën e demokratëve”, tha Topi.

“Programi i FRD është i guximshëm, ai ka përparësi kompensimin përfundimtar të të përndjekurve, sepse ky akt është çështje dinjiteti dhe respekti për shtresën e vuajtur në diktaturë,” vijoi kreu i FRD.

Përpara banorëve të Postribës, kryetari i FRD-së theksoi se kjo zonë me demokratë të vërtetë, pas 23 qershorit do të riketë vlerat e mohuara nga sistemi komunist dhe sot nga partia në pushtet.

“Shkodra ka personalitete dhe vlera njerëzore te çmuara dhe është e padrejtë të identifikohet me emrin e Kryetares së Kuvendit,” tha Topi.

“Si ka mundësi që përmbytet Shkodra, Nënshkodra dhe Velipoja dhe mungojnë reagimet nga njerëzit? Sigurisht që kanë frikë, por unë ju them se mënyra më e mirë për të reaguar ndaj indiferencës së qeverisë është VOTA. Fanatizmi që ngrenë 2 gishtat lart kur janë 3 metra nën ujë është e keqja e njerëzve të thjeshtë”, vijoi Topi.

Kryetari i FRD tha se ekonomia është në mjerim, ndërsa i vetmi biznes që lulëzon janë studiot që prodhojnë postera e flamuj partie, duke shpërdoruar paratë e popullit./ep