TemA TV/ Rama në Korçë: Berisha më përgjon si sigurims. Vesi del me shpirtin (VIDEO)

0
76

Në një atmosferë elektrizuese dhe një dekor interesant ku mbizotëronin ngjyrat lejla (simbol i PS-së në këto zgjedhje), socialistët mbyllën fushatën në qytetin e Korçës.

Mijëra vetë kishin mbushur sheshin qendror para Katedrales. Entuziazmi ishte tepër i lartë teksa flisnin njëri pas tjetrit kandidatët për deputetë opozitarë. Për një përshëndetje të veçantë kishte ardhur në Korçë edhe Ben Blushi, i cili është zhvendosur nga ky qark në Elbasan. Duke i kthyer përgjigje në distancë deklaratave të kryeministrit, që thotë se Edi Rama nuk ka një familje të denjë sepse i ndan gratë çdo 2 vjet, lideri opozitar tha se Berisha vazhdon të përgjojë tek vrima e çelsit, siç bënin dikur “sigurimsat” me çiftet tek liqeni.

“Le ta lëmë Saliun të vazhdojë ta mbajë syrin tek vrima e çelësit tim si ata të Sigurimit që ju shkonin mbrapa të dashuruarve tek liqeni artificial dhe ju bënin raporte për degjenerimin. Vesi del me shpirtin, thotë një shprehje, e ke nga koha e vjetër me shfaqjet e huaja, nga koha e gërshërëve për prerjen e flokëve, nga koha kur të mbanin në varkë e të shëtiste partia në liqen e t’i bëje çmos që t’i tregoje Partisë ku t’i gjente armiqtë”, u shpreh Rama.

“Shqipëria do të ndëshkojë edhe për shumë e shumë arsye të tjera këtë kryeministër që e nisi si kryetar i Partisë së ëndrrave dhe shpresave dhe po e bitis si bajraktari i një familje që e ka bërë shtetin leckë”, ironizoi kreu i PS-së.

Kreu i PS-së i komentoi sulmet personale ndaj tij të kryeministrit Berisha të motivuar me frikën për humbjen e thellë.

“Nga rilindja do përfitojë edhe katragjyshi, se do çlirohet nga antiplumbi, do ketë një shans për tu bërë një plak normal. Saliu po e dëshmon me fushatën e tij të dëshpëruar, po e dëshmon me robërit, me valën e fundit të sulmeve personale se më mirë, më shumë dhe më thellë nga të tërë ai e ndjen disfatën e 23 qershorit. Më qartë nga të gjithë ai e kupton se Shqipërisë i ka ardhur në majë të hundës dhe se Shqipëria më 23 qershor do kujtojë 44 dhe do votojë 29”, apeloi lideri opozitar.

Atmosferën e krijuar në sheshin e qytetit Rama e cilësoi të paparë e të mrekullueshme dhe falënderoi çdo korçar për zgjedhjen e bërë, për të qenë në krah të Rilindjes.

“E paparë. Ju jam shumë mirënjohës, nuk i vë faj katragjyshit kur thotë ata vënë lente nëpër kamera, me gjithë ato makineri shtetërore me robërit e pushtetit, duke ngarkuar mësues, nuk ka faj i gjori plak që i duket se sheshet tona i sajojnë lentet e kamerave”, tha Rama.

Ai premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes, Korça do të vazhdojë projektin e kthimit në identitetin e vjetër të Parisit të vogël të shqiptarëve.

“Korça e ka bërë zgjedhjen e vetë më 8 maj. E ka zgjedhur ustain, më 23 qershor do zgjedhë edhe shërbëtorët e vetë në Tiranë për të mbështetur projektet e ustait të vetë Niko Peleshit. Edhe 6 ditë na ndajnë për të hequr nga qafa pushtetin mbytës, hapini derën rilindjes”, u shpreh Edi Rama.