TemA TV/ Rama, letër kryeprokurorit: Të ngrihet Task Force hetimi për zgjedhjet. PS nis denoncimet e para (VIDEO)

0
32

TemA Online, 4 Qershor 2013

Kreu i PS-së, Edi Rama, i ka dërguar një letër kryeprokurorit Adriatik Llalla, me anë të së cilës kërkon ngritjen e një Task Force për hetimin e zgjedhjeve.

“I Nderuar Z. Prokuror i Përgjithshëm,

Ka më shumë se një javë që ka filluar fushata zgjedhore dhe që në fillim të kësaj periudhe janë hasur problematika të karakterit penal, të parashikuara këto edhe në ndryshimet e fundit të bëra në Kodin Penal. Partia Socialiste e Shqipërisë po konstaton gjithmonë e më shpesh problematika që po pengojnë ushtrimin lirisht të të drejtave kushtetuese të shtetasve dhe subjektet zgjedhore që garojnë në këtë proces zgjedhor dhe po përpiqet ti dokumentojë ato.

Gjithashtu, kjo gjendje shqetësuese është pasqyruar dhe vijon te pasqyrohet përditë në median e shkruar, elektronike dhe atë sociale, me fakte konkrete dhe emra konkret. Fakte të tilla si presion individual apo familjar për devijimin e votës, detyrim për të marrë pjesë në aktivitete politike, të studentëve të sistemit parauniversitar, nëpunësve të administratës publike apo dhënie e marrje premtimi për tregtimin e votës, përbëjnë jo vetëm një shqetësim serioz për cenimin e garimit të ndershëm, por përbëjnë vepra penale të cilat duhet të evidentohen dhe ndëshkohen nga ana Juaj.

Lidhur me sa me sipër, bazuar në kompetencat Tuaja kushtetuese dhe ligjore, Ju drejtohem me kërkesën për ndërmarrjen e masave organizative, për krijimin e një Task Force, që të ketë si objekt të sajin të vetëm hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, të parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal, duke pasur në vëmendje situatën e ngarkuar, në çdo aspekt të sajin, që është krijuar tashmë dhe pritet të theksohet më tej gjatë ditëve në vijim, për periudhën e fushatës zgjedhore.

Shpreh besimin dhe bindjen time të plotë, se kërkesa që po ju paraqes do të vlerësohet prej Jush me rëndësinë dhe emergjencën, që ajo ka dhe do të ketë si përgjigje realizimin e një pune serioze, krejtësisht të pavarur nga aktorët dhe faktorët politike, sikurse jeni zotuar për të bërë dhe sikurse unë personalisht dhe të gjithë shqiptarët kemi shpresën, që do te arrini të përmbushni”, thuhet në letrën që Rama i ka dërguar kryeprokurorit Lalla.

Letra vjen pas ankesave dhe denoncimeve të shumta nga ana e punonjësve të administratës, për presion nga ana e shefave të tyre për t’u përfshirë në fushatën e PD-së.

Pasi opozita i kërkoi zyrtarisht organit të akuzës për t’u bërë pjesë aktive e parandalimit dhe ndëshkimit të shkelësve të ligjit zgjedhor, pranë Prokurorisë ajo ka çuar edhe kallëzimet e para penale.

“Ka të bëjë me institucione si çerdhe apo shkolla të ndryshme fillore apo të mesme, ku drejtuesit janë edhe personat që janë kallëzuar e të penalizuar janë sigurisht vartësit e tyre”, deklaroi Bledar Çuçi, nënsekretar i Partisë Socialiste për çështjet zgjedhore.

Në këtë kallëzim, të depozituar në prokurori, janë dy raste, ajo e zonjës Klarita Doku, 53 vjeç, e punësuar në çerdhen e vendosur pranë fushës së tenisit, në njësinë bashkiake nr. 10 dhe po në të njëjtën çerdhe, znj. Diana Corraj, 58 vjeç, me mbi 30 vite e punësuar aty, janë pushuar pasi sipas kallëzimit, nuk janë angazhuar në fushatën e PD./ep