TemA TV/ Rama: Kupola e policisë është organizata më e rrezikshme kriminale (VIDEO)

0
42

TemA, 28 Shkurt 2013

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se fotoja e djeshme e drejtuesve të policisë fakton edhe njëherë se kupola e policisë në këtë vend është organizata më e rrezikshme kriminale.

Rama tha se fotoja tregon edhe arsyet se përse komisarët vriten rrugëve. Kryetari i PS tha se pas publikimit të fotove, protagonistët duhej të ishin shkarkuar dhe ministri duhej të kishte dhënë dorëheqjen.

Rama tha se ka të dhëna se merren para për shkarkimet e drejtuesve të policisë. Kreu i opozitës shprehu shqetësimin se tani vendi është pa shtet por edhe pa drejtësi.

“Alibia e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe e deklaratave të Burgajt hileqar janë mëshirimi i policisë së shtetit. Dorëheqja nga hetimet është mënyrë e padenjë për të fshehur të vërtetën që duket haptas nga alibia e zv.drejtorit dhe nga deklarata vetëdiskretituese e drejtorit për ndodhinë. Ndërsa heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht. Kjo trio është mallkimi i Policisë së Shtetit, fytyra e tradhtisë së përditshme, dora e rrënimit të saj, truri i korrupsionit dhe kontrabandës që e ka kapluar, veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i çon fjalë krimit”, shtoi Rama.


Rama ka sulmuar edhe kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas tij ka dijeni për gjithçka që po ndodh.

“Sigurisht kjo ka bekimin dhe dijeni e kryeministrit, që pas vrasjes bëri deklaratë për teknologjinë 4G, kurse sot priteni të akuzojë opozitën. Ja pse komisarët këputen rrugëve dhe asnjë nuk ndryshon, ja pse është thyer ekuilibri në favor të krimit, ja pse shteti është tërhequr dhe krimi ka marrë yrysh në bashkëpunim me kupolën drejtuese”, shtoi Rama.

“Kupola e policisë është një organizatë e frikshme kriminale, më e rrezikshmja. Kjo qeveri nuk garanton më jeten e qytetarëve, asnjë liri të tyre përkundrazi luan çdo ditë me jetën e qytetarëve dhe i braktis ata në mes të rrugës. Kjo qeveri nuk garanton dot as ushqimin e fëmijëve, duke dhënë deklarata qetësuese me përmbajtje të gënjeshtërt”.

“Ja pse komisarët këputen rrugëve nga plumbat e krimit dhe asgjë nuk ndryshon. Jeta vazhdon njësoj si më parë, deri në vrasjen e komisarit të radhës. Ja pse është thyer ekuilibri në favor të krimit në fushën e betejës se shtetit me krimin, ku shteti është tërhequr dhe krimi ka marrë yrysh në bashkëpunim me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ja pse krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe ja pse kur PD erdhi në qeveri evidentoheshin 8250 krime në vit, ndërsa në vitin 2012 u evidentuan 20 688 krime në vit. Ja pse diferenca në 7 vjet qeverisje është 12 438 krime më shumë, që do të thotë se vit pas viti progresioni i rritjes së krimit është 1500 krime çdo vit më shumë. Ja pse vetëm viti 2012 në raport me vitin 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë.

Ja pse Shqipëria e sotme ka koefiçentin më të lartë të vrasjeve për 100 mijë banorë në Europë, edhe në rajon. Ja pse Shqipëria e sotme është vendi europian me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë, në një kohë që ka numrin më të vogël të makinave për banorë në Europë. Kemi katër herë më pak makina për banorë se sa në çdo vend Europian dhe kemi katër herë më shumë vdekje, plagosje, dëmtime në rrugë se sa në çdo vend të Europës. Katër herë.

Ja pse sot është dita për të thënë: O shqiptar që ende shkoni symbyllaz si tifozë besnikë ndaj partisë në pushtet, hapni sytë se kjo nuk është lojë me top futbolli ditën e diel, po një lojë me jetën që po bëhet përditë dhe më e pasigurt për të gjithë pa dallim, kudo, në çdo pjesë të territorit. Sepse partia në pushtet ka tradhtuar, jo ju që i shkoni pas symbyllaz, por ka tradhtuar dhe vetveten. Dhe qeveria flet përditë për ju, po bën çdo orë dhe minutë vetëm punën e vet,” vijoi Rama.