TemA TV/ Rama: Do shlyejmë me çdo kusht borxhin 400 milion dollarë të qeverisë ndaj biznesit

0
17

TemA, 19 Shtator 2013

Është një nga bombat që ka lënë pas qeverisja e Sali Berishës, një borxh gjigand i qeverisë ndaj sipërmarrjes private.

Por kryeministri i ri, Edi Rama, është angazhuar sot se do e shlyejë këtë borxh me çdo kosto.

Rama e bëri deklaratën në konferencën me temë “Perspektivat e biznesit në Europën Juglindore”.

“Borxhi ndaj sektorit privat futi ekonominë në një ngërç dhe paralizoi në një masë të konsiderueshme fuqinë ndikuese të bankave mbi ekonominë. Ne po përgatitemi një orë e më parë ta shlyejmë këtë borxh. Nuk mund të bëjmë sikur ky borxh nuk ekziston dhe t’ia lëmë në kurriz sektorit privat dhe kompanive që po asfiksohen. Do të shlyejmë borxhin me çfarëdo kostoje”, tha Rama, duke theksuar se ky borxh shkon deri në 400 milion dollarë.

“Ne kemi marrë votën për t’i dhënë jetë një profili të qartë ekonomik dhe me një strukturë që na ofron me ekonominë europiane si një ekonomi që provon suksese përmes lirisë së konkurrencës. Dhe për këtë arsye, ne synojmë që të adresojmë disa çështje kyçe për të filluar një proces të rimëkëmbjes së ekonomisë në një afat të shkurtër, pa pretenduar që kjo rimëkëmbje të jetë e menjëhershme.

Ne duam të mbështetemi mbi politikat themeltare të hapjes se tregjeve, privatizimeve që janë të patjetërsueshme në një proces demokratizimi të ekonomisë, por ne besojmë për vetë përmbajtjen dhe numrin e popullsisë sonë që ndryshimi i marrëdhënieve të shtetit dhe ekonomisë, qeverisë me sipërmarrjen, është një bazë me të cilën mund të ngremë shumë më pas. Duam që të ndërtojmë një model të ri të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe të orientohemi drejt një marrëdhënie të re me biznesin,” tha Rama.

Sipas Ramës, Shqipëria përjeton një krizë sistematike që vjen si pasojë e neglizhimit apo mosadresimit disavjeçar të nevojave të ekonomisë.

Kryeministri Rama lajmëroi gjithashtu se në muajin tetor do të mblidhet Këshilli Ekonomik Kombëtar.

“Këshilli Ekonomik Kombëtar do të jetë një forum i munguar në gjithë këto vite, që do të ulë bashkë protagonistët në mënyrë permanente si Kryeministrin, Ministrin e Financave, Guvernatorin dhe këshilltarët e nivelit më të lartë të ekonomisë do të diskutojë për mbarëvajtjen dhe të shqyrtuar strategjinë tonë”, tha Rama./ep