TemA TV/ Rama: Do marrim minimumi 77 deputetë. Në zyrat e shtetit do jetë fotoja e Ismail Qemalit (VIDEO)

0
19

TemA, 10 Maj 2013

Kryetari i PS, Edi Rama

Edi Rama thotë se ndikimi i të pavarurve në rezultatin tonë do jetë zero. Kryetari i PS shpjegon se përse e ka ftuar Koço Kokëdhimën në listën e PS dhe përse la jashtë kandidimit Arben Malajn dhe Agron Dukën. Rama kërcënon se nëse preket rezultati i zgjedhjeve nga KQZ, do përballen me popullin sovran

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, ka shpjeguar se si është përzgjedhur ekipi që do të garojë më 23 qershor.

“Nuk është marrë vendimi i bazës në formën e një tërheqje vendimi tradicionale sepse do ishte shumë kundërproduktive. Nuk e bën asnjë parti që zhvillon zgjedhje në këtë sistem.

Por janë bërë anketime të posaçme për të testuar personalitetin publik të çdo figure,” tha Rama.

Sipas kreut të PS, kjo është skuadra që do e nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

I pyetur në lidhje me faktin nëse sistemi ka një problem, pasi shumica e deputetëve janë të zgjedhur automatikisht kur vendosen në krye të listës, Rama tha: “Nuk dua të them broçkull, por ky është një nonsens. Ky është një sistem absolutisht demokratik. 23 qershori do provojë që ky sistem mund të prodhojë diferencë të madhe”.

I pyetur në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor, Rama tha: “Nuk kam asnjë arsye të premtoj diçka që nuk është e nevojshme”.

Duke komentuar skuadrën kundërshtare, Rama tha se “Berisha ka ndërtuar një skuadër që është konglomerat mes besnikësh qorra dhe tradhtarësh të të gjitha kohërave”.

Rama bëri edhe një premtim në rast fitoreje të zgjedhjeve. “Ne nuk do ndajmë administratën në bazë të votave, por përgjegjësitë politike, rolet që lidhen me vendimmarrjen politike, jo administratën, që do ua japim në dorë shqiptarëve sepse nuk e kanë pasur kurrë në dorë”.

I pyetur se cili do të jetë efekti i atyre që dalin si të pavarur në zgjedhje nga krahu i majtë, Rama tha se efekti i tyre do të jetë zero.

“Nuk ka më budallenj në Shqipëri, nuk ka më njerëz që kërkojnë të dalin me çdo kusht nga një ekonomi në krizë, që të rendin pas berihajt dhe të shkojnë pas disa personazheve që kanë dalë në rrugën e kandidimit të pavarur vetëm për të bërë dëm dhe pa asnjë shans për të marrë ndonjë mandat. Por nuk do bëjnë as dëm,” tha Rama.

I pyetur nëse këtu fliste edhe për Dritan Priftin, Rama tha: “Këtu përfshij çdo lloj prifti a hoxhe që nuk është as prift as hoxhë. Të kërkosh vota që shkojnë jashtë koalicionit të socialistëve, do të thotë që në mënyrën më qorre t’i shërbesh pushtetit të Sali Berishës”.

Edi Rama komentoi edhe moskandidimin e Agron Dukës, duke thënë se nuk është e vërtetë që LSI ka bërë presion që ai të mos kandidohej.

“Unë kam mbrojtur mendimin se dy kunetër në dy forca aleate në një front do ishte shumë për të njëjtin qark. Është shumë nga pikëpamja etike në raport me elektoratin,” tha Rama, duke theksuar sërish se Duka nuk u shkakton asnjë problem.

Duke komentuar deklaratat e Berishës se ai ka ikur nga Tirana për të kandiduar në Vlorë, pasi ka komplekse nga Tirana, Rama tha: “Unë i lindur dhe rritur në Tiranë, paskam komplekse, kurse Sali Berisha i ardhur këtu nuk paska komplekse nga Tirana”.

Më pas Rama shpjegoi se përse ka zgjedhur Vlorën për të kandiduar.

“Kam zgjedhur qytetin e pavarësisë, qytetin që vendosi gurin e parë në themelet e shtetit shqiptar, për të dhënë një mesazh shumë të thjeshtë: pas 100 vjetësh ne kemi nevojë për t’u bërë shumë seriozë dhe për të marrë përsipër një përgjegjësi për të bërë shtet. 100- vjetori i dytë nuk mund të vazhdojë kështu siç po mbaron 100- vjetori i parë”.

I pyetur se përse nuk e ka kandiduar Malajn, Rama tha: “Çdokush nga ne nuk mund të cenojë axhendën dhe qëllimin e përbashkët, duke i mbivendosur një axhendë personale”.

Rama deklaroi se e ka ftuar Koço Kokëdhimën për të kandiduar si një opozitar që i ka rezistuar presioneve të pushteteve të ndryshme.

“Koço Kokëdhimën e kam ftuar si një njeri që do përfaqësojë në skuadrën e qarkut të Vlorës Bregun dhe gjithë pjesën poshtë bashkë me Luiza Xhuvanin, Andrea Markon, etj.

E kam ftuar si një botues që ka kontribuar në vite për të majtën, si një opozitar që i ka rezistuar për hir të lirisë editoriale të mediave të tij presioneve të pashembullta të pushteteve të ndryshme dhe si një sipërmarrës që është dëshmia e gjallë e rrënimit për shkak të mospërkuljes.

E kam ftuar edhe si person, i cili përmban një kulturë dhe dituri të mjaftueshme për të qenë një vlerë e shtuar në skuadrën tonë kombëtare.

Koço Kokëdhima nuk ka përfituar nga Bashkia asgjë më shumë se ajo që i ka takuar. Sot jam gjithnjë e më shumë krenar për atë që kam bërë unë në krye të Tiranës, duke parë se si po katandiset Tirana,” tha Rama.

Duke komentuar deklaratat e Islamit, Rama tha: “20 vjet investim i PS, për një njeri që ka qenë kryetar parlamenti, ministër pa pushim, figurë e vlerësuar dhe respektuar që përfundon në një Laurë, njësoj si Laura apo më keq, pasi është shumë i pagëlltitshëm estetikisht”.

Për kundërshtarin e tij, Sali Berisha, Rama tha: “Nuk ka hall më të madh se të plaket keq njeriu”.

Kurse për Fatos Nanon, Rama deklaroi: “Fatosin nuk e kam bërë unë kundërshtar, ai ka zgjedhur të jetë kundër Partisë Socialiste”.

Rama tha se nuk ka asnjë shans që këto zgjedhje të dalin barazim. “Nuk ka asnjë shans që mbeturinat e të djathtës dhe të majtës të na nxjerrin barazim,” tha Rama.

Duke komentuar shifrat e sondazhit të IPR Marketing, ku të pyeturit shprehin rezerva për punën e Ramës në krye të opozitës, kreu i PS tha se sondazhi i IPR Marketing është i pasaktë.

I pyetur në lidhje me çështjen e KQZ-së, Rama kërcënoi duke thënë se nëse KQZ tenton të bëjë atë që bënë në Tiranë më 8 maj, do të përballen me popullin sovran.

Rama tha se aleanca e majtë do marrë minimumi 77 deputetë.

Në fund kryetari i PS premtoi se nëse ata vijnë në pushtet, në të gjithë zyrat e shtetit do të jetë fotoja e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali dhe jo fotot e presidentëve./ep