TemA Online, 28 Shtator 2013
Ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjknuri, ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me banorët e Zharrëzit në Fier, të cilët prej kohësh ankohen për lëkundjet si pasojë e shpimeve për gjetjen e naftës.
Ndërsa ka thënë se kjo situatë do të zgjidhet, Gjiknuri është ndalur veçanërisht në situatën e krijuar në kompaninën e Albpetrol.
Ai ka thënë se janë bërë abuzime në miliona dollarë, ndërsa ka premtuar transparencë.
“Albpetroli ka pasur para por këto para janë shpërdoruar. Miliona e miliona dollarë të shpërdoruara me ankande fiktive, me vjedhje nafte, vjedhje fizike dhe vjedhje me ankand. Është ndërmarrja që meriton të hetohet plotësisht, dhe shumë shpejt do të kryejmë edhe ndryshimin në drejtimin e Albpetrolit. Publiku do të mësojë për të gjitha ato të zeza që kanë ndodhur në atë ndërmarrje. Shumë shpejt do të kemi ndryshimin e drejtimit të Albpetrolit, një transparencë të plotë se çfarë është bërë aty, si janë harxhuar ato para”, ka thënë Gjiknuri.
“Ju e dini se Albpetroli nuk e ka më atë aktivitet ekonomik dhe ai ushtrohet nga kompani koncesionare, por ne si shtet nuk mund të lajmë duart duke thënë e ka marrë privati e tani le të bëjë çfarë të dojë. Jo, këtu publiku siç e thashë meriton një përgjigje. Përgjigja është se kompanitë e huaja kanë marrë këto kontrata por ato kontrata duhen zbatuar. Nuk mund të pranoj unë që kanë vite këto kompani dhe na dilkan me humbje kur ju e shikoni e jeni dëshmitarë të pagave të tyre të larta, të investimeve e blerjeve të mëdha.