TemA TV/ Çamët në protestë: Papulias, je bashkombësi ynë, mos ki frikë nga çështja jonë! (VIDEO)

0
49

TemA, 04.11.2013

Ashtu siç pritej, përfaqësuesit çamë janë tubuar në një protestë që vjen në ditën kur presidenti grek, Karolos Papulias, takon krerët më të lartë të shtetit në Tiranë.

Kërkesa për tubim është bërë nga shoqata “Çamëria”, ndërkohë që vendi i protestës është spostuar për shkaqe sigurie.

Fillimisht ishte menduar se çamët do protestojnë përpara Pallatit të Kongreseve, por më pas vendi i protestës u zhvendos tek Piramida.

Përfaqësuesit e shoqatës “Çamëria” i kërkuan presidentit grek që të zgjidhë çështjen çame.

“Z.Papulias, çështja çame është një çështje ende e pambyllur dhe ti je shprehur se duhet të kalojnë 20 vite që të mbyllet kjo çështje. Ndaj 20 vite kaluan dhe Papulias duhet të mbajë fjalën e atëhershme për zgjidhjen e çështjes çame, por edhe çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi. Ne duam t’i tregojmë Papulias se çështja çame do kontribuonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana.

Kurse kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, tha se vetë Papulias është çam.

“Z.President i Greqisë është bashkëkombësi ynë, çam ortodoks dhe vetëm ai nuk duhet të ketë frikë nga kompleksi, ai është dëshmitar i gjallë i gjenocidit që është bërë ndaj vëllezërve të një gjaku, ai ka luftuar krah për krah me batalionin “Çamëria”.

Nga ky shesh i bëjmë thirrje Papulias, të takon për moshën që ke të luash rolin e pajtuesit mes dy vendeve, për gjakun që ke, mos u bëj bartës i segmenteve anakronike të vendit ku je prijës. Ke rastin historik t’i bësh shërbimin historik dy kombeve që i përkisni,” tha Idrizi.

“Autoritetet tona të kanë ftuar si mik dhe ju duhet të mbani vendin e mikut, shqiptari është dalluar për mikpritjen, por ne nuk pranojmë dot një mik që na tregon se ku e kemi vendin në shtëpinë tonë. Nga ne nuk të gjen gjë, Zoti ju mëshiron dhe ju falë mëkatet që keni bërë ndaj një populli të tërë, ne jemi gjallë e do të jemi brez pas brezi për të kërkuar të drejtat tona”, vijoi Idrizi.