TemA TV/ Blushi: PD, terror ndaj bizneseve që s’i binden në Elbasan. Gjoba deri në 20 milionë euro (VIDEO)

0
45

TemA Online, 25 Maj 2013

Drejtuesi i fushatës së PS-së në Qarkun e Elbasanit, Ben Blushi, ka denoncuar nëpërmjet një konference shtypi, atë që ai e cilësoi terror të mirëfilltë që po ushtrohet ndaj biznesmenëve elbasanllinj.

Sipas Blushit, 2-3 javët e fundit PD ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj bizneseve që nuk i binden, duke i gjobitur. Blushi shprehet se këto gjoba kapin shifrën deri në 20 milionë euro.

“Dua të ngre një shqetësim mbi biznesin. Në tri javët e fundit një grup terrorist, taksambledhësish, tatimorësh, kryesisht të ardhur nga Tirana kanë gjobitur në përmasa të paimagjinueshme. E thashë që ky qytet është i papunë dhe e vetmja mundësi është përkrahja pa kushte e biznesit. Kam takuar biznesmenë që ankohen për gjobat që kanë marrë në 2-3 javët e para. Nga përllogaritjet që ne kemi bërë janë vënë të paktën 20 milionë euro gjoba vetëm në Elbasan. Nuk janë gjoba të merituara, janë gjoba të pamerituara, pjesa dërrmuese e tyre.

Ne kemi premtuar se të gjitha gjobat që janë vënë pas marsit të këtij viti do të falen. Unë dhe kolegët e mi ndihemi të dëshpëruar, pasi për fat të keq Elbasani mbetet sot një ndër qytetet më të varfra për shkak të investimeve të munguara, për shkak të problemeve që kanë zonat periferike, për shkak se fshati është më i varfër se kurrë. Kjo na jep ne më shumë përgjegjësi për t’i bërë premtimet e duhura duke mbajtur përgjegjësi për gjithçka ne premtojmë”, tha Blushi.

Sipas tij, kjo është e paprecedentë, po të kihet parasysh që Elbasani është një nga zonat me popullsinë më të madhe.

“Takoj çdo ditë vajza dhe djem deri në 35 vjeç, akoma nuk kanë pasur fatin e madh të punojnë. Kjo është një plagë që duhet të marrë fund në Elbasan”, tha ai./b.l