TemA, 8 Mars 2013
Aleanca Kuq e Zi në ditën ndërkombëtare të grave organizoi galerinë e vajzave të dhunuara gjatë një viti në një organizim krejt ndryshe nga partitë e tjera politike.
Me tone të ashpra, gratë kuqezi kanë adresuar mesazhe të ashpra ndaj kupolës së një grushti politikanesh të korruptuar në qeveri dhe parlament.
“Në 365 ditë të vitit kjo është e vetmja ditë ku nënat dhe motrat shqiptare mund te ndihen si qenie njerëzore të pabarabarta. Femra shqiptare sot është më e skllavëruara, braktisura dhe dhunuara në të gjithë rajonin dhe Bashkimin Europian. Shqipëria sot ofron një polarizim ekstrem të panjohur në historitë e vjetra apo moderne. 12 gra në qeveri dhe parlament të cilat janë lustruar nga luksi i pushtetit nga njëra anë dhe nga ana tjetër dy milion vajza dhe gra në mjerim dhe varfëri.
Aleanca Kuq e Zi në këtë realitet ekstrem rreshtohet me respekt dhe dashuri në krah të dy milionë grave, femrave dhe vajzave të skllavëruara, të cilat me thjeshtësinë e tyre përçojnë më shumë bukuri, vlera, pasuri shpirtërore, atdhedashuri se sa ai grusht femrash, të cilat për me shumë se dy dekada kanë mbetur në ajër dhe fluturime duke u mbytur në luksin e parave të pista dhe korruptuara”, deklaroi kreu i AK, Kreshnik Spahiu.
Zonja e zezë në veshje dhe vizion është e vetmja spikere parlamenti në botë që ruhet nga dhjetëra truproje pasi në asnjë vend të botës funksioni i spikeres së Kuvendit nuk përbën rrezik për jetën. Ajo mbrohet nga një komisariat i tërë policie, ndërkohë që qindra e mijëra femra shqiptare dhunohen. Ne bashkohemi me pikëllimin dhe lotët e mijëra nënave dhe vajzave, të cilat dhunohen dhe vuajnë çdo ditë braktisjen nga qeveria, dhunën nga shoqëria, përçmimin nga demokratet dhe partia, injorimin nga paria. Viti që kaloi ishte një vit i dhunshëm dhe me bilanc lufte.
Me dhjetëra gra të vrara, dhunuara, masakruara dhe përçmuara. Kurrë më parë Shqipëria nuk ka njohur një terror ndaj femrës se sa gjatë 23 viteve të pseudodemokracisë. Aleanca Kuq e Zi apelon dhe bëhet pjesë e zemrave dhe ndjenjave të milionave grave shqiptare në Shqipëri Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe në të gjithë Shqipërinë natyrale për një standard të ri dhe për ta ngritur femrën shqiptare në piedestalin e një pranvere kuqezi.
Modeli i femrës shqiptare nuk është ky që ka formuar regjimi politik shqiptar në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Femra shqiptare do të jetë lulja që do sjell pranverën për një Shqipëri tjetër, e cila duhet të patriotizojë të gjithë sistemin, por edhe të flakë tej modelet e shëmtuara të politikaneve të lustruara,” përfundoi fjalën e tij Spahiu.