Telenovela e Sulejmanit të Madhërishëm në Kalanë e Lezhës

0
22

Nga ARTAN FUGA, voal.ch | 28 shtator 2015

Prej dy ditësh, sikurse pritej, po dalin me nxitim njerëz që kanë arsye personale të mbrojnë se vendosja e asaj pllakës që e cilëson Kalanë e Lezhës si e rindërtuar nga i madhërishmi Sula, pra na e etiketon gjënë tonë nisur nga vështrimi i ndonjë myteberi të Perandorisë shekuj më parë, pra na e tëhuazon, pra na e bën ta shohim Kalanë ku kanë kaluar akte të mëdha të historisë shqiptare me syrin e tij, gjoja qenka respekt ndaj historisë.
Fali Zot se nuk dinë se çfarë thonë!
Pllakatën na e paskan gjetur dhe na e paskan vendosur në mur.
E përsëris, paraqitja për publikun e trashëgimisë kulturore nuk është thjesht monopol historianësh a arkeologësh, ndonëse kontributi i tyre është i madh, por kërkon disa nivele kompetencash, përndryshe u morëm më qafë më keq sesa e kemi bërë copë – copë parkun e madhështisë sonë monumentale.
Po e shpjegoj pak më qartë.
Jo çdo tabelë që ka rënë duhet vendosur në vendin nga është rrëzuar. Më kujtohet se në një krijim letrar të Kadaresë dikush ngriti një tabelë që kishte rënë dhe ku shkruhej në gjermanisht : “Këtu na qëlluan, bëni masakër!” Andej kaloi një divizion i dytë nazist dhe pasi lexoi tabelën masakroi Borovën.
Kuptojeni lidhjen që bëj.
E para, ajo tabelë edhe nëse është padyshim një vlerë historike, askush besoj nuk është në gjendje të vërtetojë se përmbajtja e asaj që shkruhet atje është e vërtetë. Pra një tabelë historikisht nga ana materiale mund të jetë e vërtetë, por nuk do të thotë se përmbajtja e saj që shkruhet atje është e vërtetë. Pastaj, edhe sikur të jetë e vërtetë, që Sula quhet i përndritshëm a ku e di unë, kjo është pikëpamja e servilëve të tij, dhe jo e jona. Imja jo të paktën. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ajo tabelë duhej shoqëruar me një kundërtabelë shpjeguese ku të tregohej se çfarë vlere historike relative dhe të kufizuar kishte tabela historike me fjalët që përmbante.
Se ndonjë armik i Sulës do të kishte shkruar : “Këtë kala e ndërtoi Sula duke abuzuar me fondet e perandorisë dhe duke detyruar me kërbaç banditët vendas të bartnin gurë e dhè për disa vjetë.”
Historia është objektive, por paraqitja e saj është gjithmonë subjektive.
E dyta, patjetër që tabelat e gjendura mund të rivendosen, a thua se po zbulojnë vezën e Kolombos, por, kur në një Kala, atje a gjetiu, nuk ka asnjë tabelë tjetër të hajrit, për të treguar jo një pjesë të historisë të kalasë, që edhe ajo duhet respektuar, por pjesën tërësore të saj, kjo tabela krijon keqkuptime. Të pajiset kalaja dhe të gjitha kalatë me treguesit përkatës, mos jenë si mure vdekjeje, të tregohet se ajo kala e stërlashtë ka parë shumë si Sula dhe shokët e vet të përndritshëm të kalojnë andej, pastaj të vendoset edhe tabela për Sulejman padishahun. (Unë në fakt filmin serial nuk e kam parë, por te Al Pazari diçka kam ndjekur. Tip i këndshëm më është dukur.).
E treta, kur dihet se kalaja është e zhytur në nje mjedis social multikulturor, të ndjeshëm edhe për shkak të besnikërisë të një komuniteti të rëndësishëm për ruajtjen e vlerave të veta katolike, ku ndjeshmëritë janë të larta, të vesh një tabelë pa bërë kujdes jo vetëm për “faktin historik” por edhe për imazhin e vlerës kulturore në publik, kjo do të thotë të jesh naiv, se provokator është shumë të them. Aq më shumë kur ai komunitet sheh me sy dyshimi edhe intelektualë që pesëqind vjet otomanizëm nuk i quajnë pushtim. Dakord, por të paktën kur të shkatërrojnë kalatë – akt pushtimi është… Për të tjerat debatojmë herë tjetër…
Pra, hiqeni atë argumentin se ajo pllaka skandaloze na paskësh qenë atje dhe prandaj meqë e gjetëm, por e rivendosim… duke respektuar historinë. O pika e respektit për historinë, pse ajo është historia!!!
Mos na habisni me injorancën tuaj në marketimin e vlerave të kulturës sonë të traditës…
Mos na bëni të qeshim me ju. Na lini të qajmë nga gabimet tona, që duhet t’i rregullojmë dhe të bëjmë autokritikë të thelluar…
Pajiseni si duhet me tabela rrëfyese kalanë dhe askush nuk krijon keqkuptime…
Sula ka kaluar ndofta andej me dorën dhe myteberët e tij, por aty kanë kaluar burra arbërorë që duhen vendosur në majë të identitetit të kalasë, sepse atë kuptim ka për ne. Po të ishte koha e Sulës ende, ndoshta ajo pllakatë skandaloze do të mjaftonte…
Eshtë njësoj si te dera e ministrisë të kulturës të mos ketë asnjë pllakatë tjetër, vec asaj: Kjo ndërtesë është bërë me ndihmën e të lavdishmit J. Stalin, shkatërruesin e Hitlerit, kolektivizuesin e bujqësisë sovjetike, sjellësin e traktorit të parë në Shqipëri, burrit me mustaqet më të bukura të kohës të tij, vazhduesit të veprës të Leninit, në vitin e hixhrit 1950 e ca…
Imagjino se çfarë do të ishte bërë…
Sa për sqarim, unë e respektoj historinë e peradorisë osmane për atë që ajo ka qenë, sigurisht, përulem për ato vlera që ka krijuar dhe i ka dhënë historisë të botës, por mbi ilirët dhe shqiptarët vendos vetëm Zotin
Dhe e dyta, shpreh bindjen se zonja ministre e kulturës është një intelektuale e vërtetë, di se çfarë flas, dhe i di këto gjëra po si unë dhe mos më mirë… Por, jo për çdo gjë që ndodh nëpër kala është ajo direkt përgjegjëse.
Ndërkaq, unë përkrah çdo nismë të komunitetit lezhjan, që të mbrohet kalaja e Lezhës, si nga zhgarravimet dhe dëmtimet, ashtu edhe nga budalliqet, që nuk i bëjnë vetëm nëpunësit e perandorive…