TELEGRAM NGUSHLLIMI për humbjen e Enver Jasharit

0
20

Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani”,
Kryesia e Shoqatës

Për Familjen e Enver Jasharit
Vidishiq, Mitrovicë

Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani”, sot mori një lajm të zi, të kobshëm, të tmerrshëm! Nga mesi ynë qenka larguar, na paska lënë përjetë njëri prej anëtarëve tanë më të devotshëm dhe njëri prej themeluesve të kësaj Shoqate, shumë i respektuari dhe i nderuari Enver Jashari.

Enver Jashari (tani i ndjerë) në fjalimin e tij gjatë promovimit të veprave në Kullën e heroit tonë kombëtar Isa Boletinit, në Boletin të Mitrovicës. Më 18-07-2012

Shoqata jonë e ndien veten të hendikepuar e të cunguar pa praninë e tij në mesin tonë. Lajmi i hidhur na goditi thell e trishtueshëm. Si mund të vazhdojmë ne më tutje pa te?

Enver Jashari ishte njëri prej iniciatorëve për themelimin e kësaj Shoqate. Ai nuk kurseu asgjë me krejt çka pati e mundi që të na ndihmojë ne të gjithëve në shërbim të atdheut, Kosovës të cilën aq shumë e deshti, të çështjes shqiptare dhe të popullit të vet me të cilin bashkëvuante gjithmonë. Pasi që ai i kishte këto karakteristika kaq të vlefshme, gjithmonë u ndodh aty ku e donte dhe kërkonte puna e nevoja, ndihmoi materialisht edhe themelimin e Shoqatës sonë, edhe funksionimin e saj, edhe promovimin e veprave të krijuara.

Pra, ishte një donator zemërgjerë, dorëlirë e bujar. Ne kurrë nuk mund ta harrojmë kontributin e tij. E kemi shumë të freskët angazhimin e tij në botimin e librit tonë më të ri ”Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, numër 1, Për pavarësinë e Republikës së Kosovës”, e që ai kurrë nuk iu shmang as për një çast synimit gjersa libri doli në dritë. E kemi shumë të freskët pjesëmarrjen e tij në promovimin e veprave tona në këtë verë në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe në Kullën e Isa Boletinit në Boletin.

Duke vlerësuar lart kontributin e Enver Jasharit në Shoqatën e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani”, duke pasur parasysh edhe humanitetin, bëmirësinë dhe kontributin e tij, ne e ndiejmë veten më të dobët dhe më të varfur për një vlerë të lartë njerëzore. Familja e humbi shtyllën e shtëpisë, kurse ne e humbëm anëtarin e Kryesisë së Shoqatës sonë dhe vendi i tij ngeli i zbrazët, i pazëvendësueshëm.

Në këto çaste të vështira ne i shprehim ngushllimet më të sinqerta familjes së Enver Jasharit nga Vidishiqi.

Enver Jasharit i qoftë i lehtë dheu i Nënës Kosovë! Le të pushojë trupi i tij në këtë dhe pa as më të voglën brengë, sepse për Kosovën ai bëri shumë, Kosovës i shërbeu me njerëzsi, devotshmëri dhe sinqeritet.

Lavdi i qoftë këtij burrit ë madh të Shalës së Bajgorës dhe të Kosovës!

Në emër të Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani”

Kryetari,
Hysen Ibrahimi