
Albin Kurti, 19.07.2010
Thuhet që bisedimet e reja me Serbinë do të jenë vetëm për çështje teknike. Mirëpo, thuhet kështu sepse vetëm njohja e Kosovës nga Serbia, përkatësisht vetëm statusi politik i Kosovës, konsiderohet çështje politike. Çdo gjë tjetër sipas kësaj pikëpamje është teknike.
Pra, kemi të bëjmë me një zgjerim të kategorisë së gjërave që përshkruhen me predikatin ‘teknikë’ dhe me ngushtim të kategorisë së çështjeve që cilësohen si politike. Kështu, depolitizimi na shfaqet si mekanizëm, që merr nga politika për t’i dhënë teknikës.
Decentralizimi, trashëgimia kulturore e veriu i Kosovës nuk mund të jenë çështje teknike. Në fakt, po të kërkohej që të renditen çështjet e posaçme politike që vazhdojnë të mbesin shumë problematike me Serbinë këto tria do të ishin të pashmangshme.
Kompetencat nëpër komunat me shumicë serbe dhe kufijtë e atyre komunave, madhësia e numri i zonave të veçanta rreth kishave e manastireve ortodokse si dhe përgjegjësitë lidhur me to, instanca që emëron gjykatësit e prokurorët në veri, kontrolli mbi hekurudhat, postën dhe energjinë elektrike mbi lumin Ibër, organi ku do të përfundojnë tatimet e mbledhura në pikat 1 dhe 31, të gjitha këto dhe shumë të tjera, nuk mund të jenë çështje teknike.
Nuk është thjesht punë efikasiteti e funksionaliteti zgjidhja e këtyre problemeve por ajo kryekëput përcaktohet nga autoriteti politik që merr e zbaton vendime për to. A do të jetë kjo Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës në përgjithësi, apo strukturat e Serbisë do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të ushtrojnë pushtet në këto çështjet ‘teknike’?
Çdo gjë me Serbinë është çështje politike. Jo vetëm pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Pikësëpari, Kosova nuk ka as marrëveshje paqeje me Serbinë. Kosova me Serbinë është në një gjendje lufte pa luftë. Nuk është aspak e vërtetë se vetëm një çështje, pra statusi politik i Kosovës, është çështje politike.
Aktualisht, në raport me Serbinë, vlen e kundërta: nuk ka as një çështje të vetme e që nuk është çështje politike. Prej sportit, kulturës dhe ekonomisë e deri tek dëmet e luftës, drejtësia për viktimat dhe politika e jashtme.
Në njërën anë, po na thuhet që nuk do të flitet në ato bisedime për statusin e Kosovës, kurse, në anën tjetër, thuhet se do të flitet për veriun, gjithnjë duke aluduar dhe duke e menduar veriun si një territor disi me status të padefinuar.
Çka është Kosova nëse nuk është (edhe) territori i saj, çdo pjesë e territorit të saj? Mos ndoshta Kosova për zyrtarët e saj na qenka vetëm qyteti i Prishtinës? Apo, ndoshta, vetëm oborri i ndërtesës së Qeverisë dhe pasuritë e qeveritarëve?
Serbia edhe kur ka luftuar, edhe kur ka negociuar, tradicionalisht këtë e ka bërë për territore. Nuk është ndryshe as kësaj radhe.
Deklaratat e kohëpaskohshme për ndarjen e Kosovës vetëm sa e përforcojnë territorin si koncept themelor të politikës së Serbisë. Madje për këtë punë ajo s’ka asgjë personale me ne shqiptarët. Gjithmonë na e ka rrudhur territorin që e kemi populluar prej se dimë për Serbinë.
Dhe, ashtu siç e deshi ndarjen e Kroacisë por nuk e realizoi dot, ashtu siç e deshi ndarjen e Bosnjës ku e realizoi Republikën Serbe, ngjashëm e do edhe ndarjen e Kosovës. Po t’i jepet shansi do ta synojë edhe ndarjen e Malit të Zi a Maqedonisë. Gjithnjë për territore, gjithnjë për më shumë territore.
Sepse përveç dimensionit irracional të obsesionit me territoret, më shumë territor do të thotë më shumë tokë bujqësore dhe më shumë pasuri natyrore e nëntokësore.
Kushti dhe mundësia e kësaj mendësie është fakti që në Serbi përgjithësisht nuk ka pendesë e keqardhje për të kaluarën dhe kriminelët e shumtë të luftës nuk fshihen në Serbi por mu në aparatin shtetëror të Serbisë. Në Serbi nuk ka ndodhur asgjë që do të mund t’i përngjante denacifikimit.
Serbia e din që nuk e fiton ndarjen e Kosovës thjesht pse deklaron, gati pa paramendim, që e do atë.
Meqë nuk ka trysni ndërkombëtare që Serbia ta njohë Kosovën, nga këto bisedime ku do të diskutohen temat nga 6 Pikësh i Ban Ki-moonit, Serbia do të fitojë pushtet më të madh të njohur nga Prishtina, p.sh në nivel kantoni për veriun dhe jo vetëm atë, ndërkohë që ajo vazhdon të mos e njohë Kosovën.
Pra, më parë se për ndarje përfundimtare dhe të plotë bëhet fjalë për thellim të ndarjes së brendshme të Kosovës që ia rrit dhe zgjeron kontrollin Serbisë përbrenda Kosovës.
Fundja, Serbia gjithmonë e do ndarjen sepse e do territorin, mirëpo nëse ajo e pranon ndarjen e bërë varet nga madhësia e territorit që ka përfituar me atë rast.
Pse atëherë faktorët ndërkombëtarë, e posaçërisht BE-ja, i duan këto bisedime? Cili është motivi i BE-së në idenë dhe përgatitjet e këtyre bisedimeve?
Pse ajo është e interesuar që të jetë ndërmjetësuese? BE-ja është e ndarë sa i përket pavarësisë së shpallur të Kosovës. 22 shtete e kanë njohur pavarësinë ndërsa 5 sosh nuk e kanë njohur dhe nuk duket të ketë gjasa që ta bëjnë këtë pa e bërë vetë Serbia njëherë.
BE-ja është e interesuar ta thellojë integrimin e saj dhe kontesti i pazgjidhur ndërmjet Kosovës e Serbisë është destruktiv për BE-në. Po ashtu, EULEX-i, si shprehje e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, nuk dëshiron që ta zbatojë 6 Pikëshin i vetëm përderisa politikanët kosovarë mund ta nxijnë atë në media.
Pas protokollit për bashkëpunim policor me Serbinë, për temat e tjera të 6 Pikëshit, EULEX-i do që institucionet dhe partitë e Kosovës t’i ketë në anën vet.
Prandaj Brukseli preferon që 6 Pikëshi i Ban Ki-moon-it të avancohet në marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket integrimit evropian të Serbisë, BE-ja është më shumë e brengosur për mbarëvajtjen e procesit të gjatë sesa për momentin e aderimit. Duke qenë se thellimi i integrimit të BE-së përmes
Traktatit të Lisbonës paraqet zëvendësim për zgjerimin e BE-së, vendet ende të paintegruara (përfshirë këtu edhe Serbinë), do të presin për një numër të viteve që është larg prej optimistëve që besojnë në integrim të shpejtë dhe diku ndërmjet realistëve dhe pesimistëve.
Po ashtu, dobia e integrimit në BE në kuptimin e subvencioneve që marrin vendet më të varfra anëtare nuk do të jetë as për së afërmi sikurse dikur. BE-ja e dëshiron Serbinë kooperative përgjatë gjithë këtij procesi.
BE-ja frikësohet që nëse ngec ky proces Serbia radikalizohet dhe e destabilizon rajonin. E, për të ecur ky proces i integrimit të Serbisë sa më lëmueshëm, BE-së i nevojiten një varg dakordimesh të Serbisë me Kosovën si vend fqinj i saj.
Të gjitha këto përbëjnë arsyet pse pritet që ndërmjetësimin në bisedimet e reja do ta kryesojnë pikërisht zyrtarë të BE-së.
Pra, BE-ja gjithsesi e ka hallin e vet. Faktorët e tjerë ndërkombëtarë e kanë hallin e BE-së sepse e kanë prioritet të lartë partneritetin me të. Pyetja është: kush e ka hallin e Kosovës që po e fusin në pazar të ri e ku në pyetje është vetë ajo?







