Nga Ernest Bunguri
Po dëgjoj fjalën qelbësirë, gjithnjë e më fort, të veshur herë herë me epitete shumë më të rënda. E më sjell ndërmend një tjetër të tillë që e hoqën zvarrë (bustin) tek Sheshi. Duheshin pritur sërish disa dhjetë vjeçarë për të shtënë në tru se na ka drejtuar një tjetër i çmendur! Historisë leckamane të vendit tonë nuk i duhej kjo njollë e freskët, por ç’ti bësh, ndërgjegjësimi vonon në një popull të urtë si dele, që gabojnë kur e quajnë të prapë e trazovaç.
Atëbotë, para gati 21 vjetësh, nuk flisnim kur disa individë vinin kafeneve të Tiranës, fiknin magnetofonin dhe bërtisnin: “Jam filani, t’shisha rëbt”. Nuk tronditeshim kur vasha të bukura fshiheshin nga faqja e dheut me dhunë, për tu shfaqur nëpër semaforë në dhe të huaj. Nuk bëzanim para bandave, tutotëve, të fortëve, ç’do qytet a fshat kish dy a tre të tillë që bënin kërdinë. Të njëjtët surretër, i kemi parë më afër politikanëve, meqë ndanin të njëjtin profesion, rrjepjen e popullit, madje të tillë janë zgjedhur shefa policie e deri dhe deputetë.
Nuk na bënte përshtypje kontrabanda e naftës as ajo e armëve më vonë, s’na hynte në sy korrupsioni, Sudja, doganierët, makinat e vjedhura, ndërtimet prej betoni vend e pavend, paligjshëm, djersët e dollarët për një vizë fallco, apo për një “xhiro me skaf”. Ishim të ngazëllyer, se kishim hedhur poshtë një qelbësirë, e si të droguar nga “suksesi” nuk na bënte pështypje asgjë e ligë përreth. Ah sa shumë të tjera ka në këtë vend muti. Qershia mbi tortë 97′, ku nuk ja vlen të zgjatem, fill pas të cilës përjetuam përbuzjen disavjeçare të pijanecit Nano, i cili na la sërish peshqesh ujkun plak Berisha.
Ja ku jemi: pa jetë (të gjithë të vrarët nga regjimi) pa integrim, pa dinjitet, pa ujë, pa drita, pa drejtësi, pa arsim, pa shëndetësi a bujqësi, pa prona, gjithë plehra, pa turistë, pa votë, pa lekë me punë a pa punë, disa prej nesh qindra metra ndërtokë e të uritur, ashtu të urtë e të mjerë po përballë hajdutëve, kriminelëve të fortëve që bëjnë prapësira në kurriz të shqipëtarëve të vërtetë.
Kur të vijë dita, edhe unë do të jem aty tek Sheshi, për të hedhur poshtë qelbësirën e radhës megjithë qelbësirat përreth. Do të jem tek sheshi sa herë do të duhet të hedhim kokëposhtë ndonjë qelbësirë, duke shpresuar që ndëshkimi shembullor i qelbësirës së radhës të shkurajojë sa më shumë pasardhësit.







