Nga Enver Robelli, 18 Korrik 2012
Prej 1 korrikut një vend i vogël do të luajë në skenën e madhe të Evropës: në gjashtë muaj e ardhshëm Qiproja do të jetë kryesuese e Bashkimit Evropian. Kthesa të mëdha, zgjidhje problemesh dhe luftim efektiv i krizës nuk mund të priten nga ky ishull në Mesdhe. Ashtu si Greqia, Irlanda, Spanja, Portugalia, edhe Qiproja është detyruar të futet nën ombrellën shpëtimtare të euros. Njëkohësisht Bashkimi Evropian në fillim të muajit i ka hapur portat për anëtarësim një vendi tjetër, po ashtu të vogël. “Negociatat me Malin e Zi mund të fillojnë”, tha kryetari i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, në margjinat e Samitit të fundit të BE-së.
Në Bruksel lajmi i mirë për Malin e Zi u mbyt nga zhurma dhe ankesat mbi borxhet dhe krizat e njëpasnjëshme të euros, krizat ekonomike, krizat në tregun e punës etj. Në Podgoricë, ndërkaq, gëzimi qe i madh mbi suksesin e rëndësishëm në politikën e jashtme të Malit të Zi. Aq i madh qe gëzimi, saqë ministri i Jashtëm, Milan Roçen, paralajmëroi dorëheqjen. Ai tha se me hapjen e negociatave është mbyllur një kapitull thelbësor i integrimit të vendit të tij në strukturat perëndimore. Tani, tha Roçen, ka ardhur koha që njerëz të rinj të marrin përgjegjësi.
“Bankomati” i Gjukanoviqit
Është mbase jo fort e domosdoshme të theksohet se Roçen ka të drejtë: Malit të Zi i duhen në shumë poste të rëndësishme njerëz të rinj, të paharxhuar, me duar të pastra dhe me plane të qarta. Mali i Zi që nga fillimi i viteve 90 sundohet (disa thonë plaçkitet) nga e njëjta klasë politike. Presidenti dhe kryeministri shumëvjeçar Milo Gjukanoviq ka qenë i njohur në arenën ndërkombëtare për shkak se drejtësia italiane kishte nisur hetimet kundër tij për shkak të dyshimit për kontrabandë me cigare. Gjukanoviq është akuzuar shpesh se gjatë luftërave ballkanike në vitet 90 e kishte mbushur arkën e shtetit edhe me para nga bizneset ilegale.
Por Gjukanoviq ka arritur t’i shpëtojë dorës së drejtësisë – falë imunitetit të tij. Në fund të vitit 2010 ai u tërhoq nga posti i kryeministrit dhe tha se po e bënte këtë, ngase ishte i lodhur dhe tani po synonte të ndërtonte një karrierë në fushën e ekonomisë. Kjo ishte vetëm gjysma e së vërtetës: Gjukanoviq ende kontrollon jo vetëm shumë biznese në vend, por edhe politikën. Ai ende është kryetar i partisë në pushtet, e cila e quan veten Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe e cila shpesh në mënyrë jodemokratike vendos mbi privatizimet dhe ndërtimet.
Në dy dekadat e fundit në Mal të Zi është krijuar një sistem klientelizmi, patronazhi dhe korrupsioni, i cili jo vetëm diplomatëve të BE-së, por edhe strukturave të sigurisë në Evropën Perëndimore u shkakton kokëçarje. Së fundi rrjeti i gazetarëve Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP) ka publikuar rezultatet e një hulumtimi të gjerë; mes të tjerash në shënjestër të gazetarëve investigativë ishte edhe instituti financiar “Prva Banka”, që dyshohet të ketë keqpërdorur mjete të arkës shtetërore. Kjo bankë është pronë e familjes Gjukanoviq, shef i saj është vëllai i Milo Gjukanoviqit. Gazetarja Miranda Petruçiq shpjegon se Gjukanoviq dhe njerëzit e besueshëm të tij e kanë përdorur këtë bankë si “bankomat dhe burim parash”. Sipas raportit të OCCRP, banka u ka lëshuar kredi para së gjithash biznesmenëve të lidhur me Gjukanoviqin, por edhe personave të dyshuar për tregti me drogë dhe cigare.
Madonna për 5.3 milionë euro
Po ashtu disa prej ndërmarrjeve të rëndësishme qeveria ua ka shitur investitorëve të dyshimtë. “Pronarët e rinj shpesh janë njerëz që kurrë nuk kanë investuar në biznese legale”, thotë Zoran Radulloviq nga revista e pavarur “Monitor”. Ndërmarrjen më të madhe industriale, Kombinatin e Aluminit në Podgoricë, pushteti ia ka shitur një oligarki rus – dhe është detyruar t’i vërë në dispozicion mbi 100 milionë euro për të siguruar prodhimin. Një shembull tjetër për politikën e gabueshme të privatizimit është kriporja në Ulqin, thotë Radulloviq. Menjëherë pasi ishte shitur, nxjerrja e kripës u ndërpre, sepse pronari i ri me gjasë s’kishte para për investimet e domosdoshme.
Përkundër gjendjes së keqe ekonomike, shteti në vitin 2008 harxhoi 5.3 milionë euro për një koncert të këngëtares amerikane Madonna në qytetin bregdetar të Budvës. Këtë e kanë zbuluar tani gazetarët hulumtues të rrjetit OCCRP. Për t’i qetësuar kritikët, përfaqësuesit e qeverisë atëbotë kishin thënë se koncerti i Madonnës do të paguhej nga sponsorët. Edhe në këtë rast “Prva Banka” e familjes Gjukanoviq ishte urdhëruar me gjasë nga pushteti të organizonte transferin e honorarit për Madonnën dhe trupën e saj.
Përballë kësaj situate revista amerikane “Foreign Affairs” e quajti Malin e Zi së fundi një “shtet mafioz”. Në fund të qershorit Fondacioni për Shkencë dhe Politikë (SWP) me seli në Berlin në një studim të shkurtër arriti në përfundim se përkundër indikacioneve për korrupsion politik dhe krim të organizuar në Malin e Zi nuk ndërmerren masa sistematike politike dhe juridike. Pakënaqësia e popullsisë është në rritje: në mars në Podgoricë protestuan mbi 15 mijë qytetarë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve. Lufta kundër këtyre të këqijave në Malin e Zi me vetëm 620 mijë banorë është shpesh e vështirë: atje pothuaj secili e njeh tjetrin dhe nepotizmi është stil jete.
Viti 2020
Derisa Mali i Zi të plotësojë kushtet për anëtarësim në BE me siguri do të kalojnë shumë vite. Në vitin 2003, kur në Samitin e Selanikut BE-ja ua kishte ofruar një perspektivë evropiane të gjitha vendeve të Ballkanit, ishte paralajmëruar se në vitin 2014 – në 100-vjetorin e atentatit në Sarajevë – do të përmbyllej zgjerimi i BE-së – nga Sllovenia në Maqedoni. Nga ky cak BE-ja është larg. Nga njëra anë rajoni ende stagnon dhe vuan nga krimi e korrupsioni, nga elitat plaçkitëse dhe politikanët e papërgjegjshëm, të cilët përveç fjalëve boshe shpesh nuk ndërmarrin ndonjë masë apo reformë për evropianizimin e vendeve të tyre.
Nga ana tjetër kriza në BE ka bërë që dukshëm të bie entuziazmi për zgjerim. Po ashtu nuk duhet harruar një faktor tjetër: në Bruksel jo pak diplomatë ende janë të tronditur me pranimin para kohe të Bullgarisë dhe Rumanisë në BE. Në këto dy vende ende nuk është konsoliduar as demokracia, as lufta kundër korrupsionit. Këto ditë në Rumani po bëhen përpjekje nga ish-komunistët për demontimin e të gjitha institucioneve të pavarura shtetërore. Pas anëtarësimit të Kroacisë më 1 korrik 2013 duket se vendet e tjera të rajonit duhet të presin gjatë. Si vit orientues përmendet 2020! Për disa vende si Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova rrugëtimi drejt BE-së mund të zgjasë shumë vite përtej 2020, nëse vazhdon ky trend i degradimit të politikës dhe i shndërrimit të saj vetëm në sinonim për korrupsion, plaçkitje të resurseve shtetërore dhe demontim të demokracisë.
Në rastin e Malit të Zi, BE-ja madje i ka ndryshuar rregullat e anëtarësimit: në të ardhmen kapitujt 23 dhe 24 (të drejtat themelore dhe drejtësia) do të luajnë rolin kyç. Ato po ashtu do të hapen së pari dhe do të mbyllen të fundit. “BE-ja duhet të shfrytëzojë rastin që ofrohet në Mal të Zi. Në vendet e tjera të rajonit protagonistët politikë dhe shoqërorë po shikojnë shumë qartë nëse BE-ja e ka seriozisht kur i shpall luftë korrupsionit”, thuhet në analizën e Fondacioni për Shkencë dhe Politikë me seli në Berlin. Ky fondacion kërkon nga BE-ja sidomos monitorimin e proceseve gjyqësore kundër politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve, si dhe mbështetjen e prokurorëve, policëve dhe gazetarëve, të cilët në nivel lokal zbulojnë raste të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të pushtetit.