TË VRASËSH DREJTËSINË ME RIKOSHET

0
44

ANDREA STEFANI, 30 Dhjetor 2012

Andrea StefaniQëllimi i kapjes së institucioneve në përgjithësi dhe i drejtësisë në veçanti, është maskimi i krimeve apo korrupsionit të një pushteti me “drejtësi”. Tani që Kryeministri Berisha ka vendosur besnikë të tij në postet kyçe të institucioneve të sistemit, nuk mund të pritet gjë tjetër veçse që këto institucione të funksionojnë vetëm për këtë qëllim pra, që të japin “drejtësi” për krimet e pushtetit duke e shpallur të pafajshëm. Specialistë, institucione, gjykatës, veç dhe së bashku po vihen me nxitim në shërbim të vullnetit të Kryeministrit. Shembulli më alarmant i kësaj vartësie orientale është edhe ç’ka po ndodh me gjykimin e masakrës së 21 janarit, ku 4 demonstrues paqësorë u vranë me plumba luftarakë nga Garda e Republikës.

Së fundi mësohet se edhe një tjetër specialist ka “provuar” se një nga protestuesit, Ziver Veizi, është vrarë me një plumb rikoshet. Çdo të thotë kjo? Do të thotë që është vrarë “pa dashje”. Mekanizmi po funksionon sipas udhëzimeve të Kryeministrit që, në fakt, ka qenë i pari që e ka formuluar publikisht këtë version. Tamam si në kohën e PPSH kur prokurorë dhe gjykatës kishin detyrë të prodhonin prova për armikun e caktuar nga Partia dhe Enveri, edhe sot specialistë të këtij lloji, kanë detyrë të prodhojnë prova për të shpallur të pafajshëm vrasësit e demonstruesve në 21 janar.

Dhe bashkë me ta edhe qeverinë, edhe Berishën dora vetë. Por e kanë kot. Sepse për fatin e tyre të keq, çështja është trajtuar kohë më parë jo thjesht në rrafshin faktik, por edhe në atë logjik. Të vërtetat faktike mund t’i zhdukësh, t’i manipulosh me “rikoshet” ose duke akuzuar opozitën, por të vërtetat logjike jo. Dhe e vërteta logjike që Berisha dhe i gjithë sistemi i tij i kriminalizuar nuk e zhbën dot shprehet në aksiomën: Në demokraci nuk qëllohet me fishekë luftarakë mbi protestuesit! Një aksiomë që lidhur me ngjarjet e 21 janarit, e ka formuluar për herë të parë publikisht Presidenti francez në atë kohë, Nikolas Sarkozi.

* * *

Në mars 2011, në Bruksel, në përfundim të një samiti për zhvillimet në vendet arabe, Sarkozi dha një konferencë për shtyp ku ndër të tjera e shpjegoi kështu filozofinë e Perëndimit lidhur me sulmet kundër regjimit të Gedafit: “Ne do të jemi gjithnjë në krahun e popullit që manifeston pa dhunë e që nuk mund të shtypen me dhunë. Në çdo demokraci mund të ketë manifestime, ndonjëherë të dhunshme, për fat të keq. Por në asnjë demokraci ne nuk mund të tolerojmë mobilizimin e ushtrisë që të qëllojë me plumba të vërtetë kundër protestuesve. Ky është qëndrimi francez dhe ky nuk ndryshon ndaj cilitdo vend që do të bëhej fjalë”

E pranishme në atë konferencë shtypi, Arta Tozaj, reportere e “Top Channel” në Bruksel, e pyeti Presidentin nëse kjo deklaratë vlen edhe për një vend anëtar të NATO-s siç është Shqipëria ku më 21 janar katër manifestues u vranë me plumba të vërtetë, të qëlluar në kokë dhe në kraharor, dhe se a vlejnë katër jetë në Shqipëri më pak se qindra jetët e humbura në vendet arabe? Presidenti francez u përgjigj: “Nëse pyetja është se a ka një jetë, qoftë ajo në Shqipëri apo në Siri, më shumë apo më pak vlerë, përgjigjja ime është e thjeshtë, jeta ka të njëjtën vlerë dhe parimet vlejnë njësoj… është evidente se nëse ndodh ose nëse ka ndodhur njësoj në Shqipëri deklaratat e mia do të ishin fiks të së njëjtës natyrë”.

Nuk do të tolerohet përdorimi i plumbave luftarakë kundër protestuesve në cilindo vend që të bëhet fjalë? Po përse po ndodhte ndryshe në Tiranë? Sigurisht pa e ditur, Sarkozi kish vënë në pozitë të vështirë diplomacinë perëndimore, përfshi edhe atë franceze në Shqipëri. Deri në atë moment të gjithë kishin gjetur një alibi për vrasjet duke ia hedhur topin prokurorisë. Ndërkaq, Berisha po bënte përpjekje që versioni përfundimtar i hetimeve të sugjeronte një vrasje të protestuesve “me rikoshet” pra “pa dashje”. Me një rikoshet të tillë Berisha donte jo vetëm t’i shpëtonte përgjegjësisë, por synonte të bënte fajtor edhe liderin e opozitës: Ai i solli demonstruesit para plumbave! – ulërinin megafonët e Berishës. Kuptohet që orvatja ishte qesharake, por aty ku mungon drejtësia, nuk është aspak çudi që tragjedia të maskohet me komedi. Dhe në fakt kjo po ndodh. Gjyqi për 21 janarin është një farsë, një komedi që pason tragjedinë.

* * *

Gjithsesi, deklarata e Sarkozisë nuk ka lënë ekuivoke as për diplomatët perëndimorë të Tiranës dhe as për Berishën. Ajo thotë prerë: Në demokraci nuk lejohej përdorimi i plumbave luftarakë kundër protestuesve! Deklarata e Sarkozi është në logjikën e parimeve të demokracisë. Protesta është një nga format e mbetura të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisje dhe, në një farë kuptimi, një nga format e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Prandaj të qëlloje mbi demonstruesit me plumba luftarakë, ishte të qëlloje mbi demokracinë duke i konsideruar protestuesit palë të një konflikti ushtarak. Dhuna e manifestuar nga disa protestues në 21 janar nuk është e pranueshme, por njëherazi, nuk përbënte shkak për përdorimin e fishekëve luftarakë. Nëse qeveritë në shtetet perëndimore do kishin përdorur plumbat kundër demonstruesve sikundër bëri Berisha në Tiranë më 21 janar, demokracia do qe fshirë me kohë nga faqja e dheut si e tillë.

Për të justifikuar vrasjet, Berisha shpif dhe mashtron duke akuzuar opozitën se donte të merrte Kryeministrinë me dhunë. Gjë që hidhet poshtë nga vetë dinamika e ngjarjeve që dëshmon se edhe pse policia e la godinën në mëshirë të fatit, askush nga demonstruesit nuk tentoi të hynte brenda saj. Po edhe sikur protestues të paarmatosur por të zemëruar me qeverinë do kishin tentuar të hynin në Kryeministri çfarë? Mos duheshin vrarë? Demokracia ka mjete të tjera si i bën ballë një dhunë të tillë që sikundër thotë edhe Sarkozi, për fat të keq, ndodh jo rrallë në demokraci.

Prandaj demonstruesit nuk janë vrarë as në Paris, as në Romë, as në Athinë, madje as në Gjeorgji kur kanë depërtuar në brendësi të godinave të institucioneve. Vret vetëm ai pushtet që i duhet të vrasë. Dhe pushteti vrau për të kriminalizuar opozitën. Sepse një pushtet i korruptuar kërkon shpëtim te krimi. Prandaj Berisha nxitoi të akuzonte opozitën se i kish vrarë ajo demonstruesit, edhe Ziver Veizin, me pistoleta çadër, një mashtrim që nuk mund të lihet jashtë hetimeve për të zbërthyer skenarët e zinj të 21 janarit. Tani duan ta rivrasin Ziverin me rikoshet. Në fakt, duan të vrasin drejtësinë në Shqipëri.