Gazeta SHQIP
Profesor, PD sot ndryshe nga vitet e kaluara e feston pervjetorin e themelimit jo me 12 dhjetor por me date 11. Si e shikoni kete “revizionim” te historise?
Që të revizionohet historia, duhet që paraprakisht të jetë i pranuar dhe të ekzistojë një variant pak a shumë i saktë dhe relativisht i mbështetur në të vërtetën që pastaj modifikohet, plotësohet apo korrigjohet. Mirëpo, shumëçka që është thënë gjatë këtyre 22 viteve lidhur me themelimin e PD-së, ka qënë ose pjesërisht e saktë ose një rrenë e pastër. Legjenda e themelimit është ndryshuar sa herë që ka pasur interesa politike të caktuara, dhe ka qënë e mbështetur në formulime që iu bijnë ndesh dokumenteve, materialeve ekzistuese, logjikës së proceseve dhe dëshmive të njerëzve. Si shumë gjëra të tjera edhe legjenda e themelimit të PD-së, kështu si paraqitet nga Sali Berisha e disa të tjerë rreth tij, mbetet një mashtrim i paskrupullt me historinë.
Komedia është se historia e themelimit të PD-së, duke qënë njerëzit gjallë, është bërë si Rashomon, një film japonez në të cilin të katër dëshmitarët japin katër variante të ndryshme e të papajtueshme të një ndodhie ne te cilen kane qene personazhe aktive. Në rastin e PD-së, unë jam nga ai grup i ngushtë katër themeluesish të fillimit në të cilin janë edhe Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari. Mirëpo, mua as që më ka dalë ndonjëherë emri, e që as përmendem në variantet e tyre të themelimit dhe të kronikanëve të paguar. Arsyeja është se po të përmendem unë, mandej edhe njerëzit, edhe proceset, përfshirë edhe themelimin e PD-së duhen parë pak më ndryshe e në një dritë tjetër. Saliut ne vecanti i dhemb goja dhe nuk e përmend emrin tim. Unë ia di dhimbjen si dhe arsyen pse sillet kështu dhe sinqerisht që me vjen shumë keq për të, sepse nuk ka arritur te kaloje mbi komplekse te caktuara.
Nga një anë, kështu që, si ka ardhur puna, ai ka edhe gurin, edhe arrën në dorë. Po deshi Sali Berisha e deklaron PD-në të themeluar me Mehmet Elezin, Fahri Balliun, Qemal Sakajevën, Mitro Celen, Besnik Mustafajn, Edmond Budinën dhe Arben Imamin mbas frymëzimit që ai mund të thotë se i erdhi nga fjalimi i Lech Valesës në Gdansk dhe askush nuk do ta ngrejë zërin e ta quajë rrenë e mashtrim. Ah, se harrova edhe të cmueshmit e të paharrueshmit, Sabri Godon, Frrok Cupin, Xhelil Gjonin, dhe dikë në Komitetin e Partisë të Rajonit Numër 2 ku shkonin raportet e shkruara me dorë tek njerëz të caktuar. Por kjo nuk ështe e vërteta.
Nga ana tjetër, themelimi i PD-së, si i cdo partie politike ka qënë një proces në të cilin varet se cka konsideron si pikë të rëndësishme e domethënëse. Nëse nisemi me objektivin e me idenë e ndërtimit të një force opozitare, atëherë idenë për themelimin e partise opozitare e kam dhënë unë. Gjithashtu, edhe njerëzit kryesorë të PD-së, Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon për herë të parë i kam bërë bashkë unë me 11 Dhjetor para mensës së Qytetit Studenti në ora 10:30 të mëngjezit. Të dyve iu kam kërkuar që të bashkëpunojnë për themelimin e një partie opozitare dhe iu kam premtuar mbështetjen e studentëve.
Në një kohë tjetër kam folur për motivet e mija, gjendjen, etj. Nga ai moment ku këta individë i kam bërë bashkë me synimin për të krijuar një parti tjetër, ka pasur takime ku kanë marrë pjesë shumë njerëz të ndryshëm, formulime dokumentesh, ide e kontribute nga ana e shumëkujt, por edhe hyrje-dalje individësh nga proceset, e me rradhë. Procesi i themelimit të PD-së nuk reduktohet në një ngjarje apo në një grup të ngushtë personash. Megjithatë, pika të tjera kulmore në historinë e PD-së janë takimi i disa vetëve tek banesa e Gramoz Pashkos me 12 dhjetor 1990 ku mori formë një parti opozitare dhe ku unë nuk kam qënë, krijimi i Komisionit Nismëtar të kësaj partie me 13 Dhjetor 1990, dhe mbi të gjitha, legalizimi i PD me 19 Dhjetor 1990 dhe përhapja e degëve në rrethe.
Është mirë që pavarësisht pozicionimeve të ndryshme politike, të dalë e vërteta e themelimit. Ajo nuk ia heq mbështetësit Saliut, sepse ata nuk duan t’ia dinë për të vërtetën. E vërteta nuk shton gjë në kontributet e mia sepse kam se cfare te them per veten. Megjithatë, nuk kam ndërmend që t’i lë këta individe që kontributin tim e të studentëve të Lëvizjes Studentore ta përvetësojnë dhe të na kthejnë në fantazma historike që përmblidhen në kategorinë “e të tjerëve,” garniture e dikujt, sepse nuk kemi qënë. Këta kanë qënë garniturë e jonë. E vërteta do t’ua vërë nderin në vend shumë njerëzve që deri më sot janë injoruar, neglizhuar, apo përcmuar e ne vecanti studentëve konviktorë, pa të cilët nuk do të kishin ndodhur demonstratat dhe nuk do të kishte as PD as demokratizim e pluralizëm politik. E vërteta duhet vënë në vend mbi të gjitha për studentët e demonstratave të 8 Dhjetorit e të 9 Dhjetorit, që më pas u shmangën nga procesi dhe luajtën një rol dytësor.
Mirëpo, pa ato djem e vajza, asgjë nuk do të kishte ndodhur, as PD, as pluralizmi politik dhe as përfitimi i legjitimitetit të intelektualëve në nivel kombëtar. Prandaj, duke u mbështetur tek ajo që di unë, si dhe duke lënë mënjanë përrallat e organizatat e imagjinuara që kanë nisur të dalin andej e këndej, data 11 Dhjetor është dita e saktë e fillimit të PD-së. Mirëpo, arsyet pse unë mendoj kështu nuk janë të njëjta me të Saliut, që me siguri do të ketë mbledhur nja 10 vetë që të dëshmojnë se PD u formua në lagjen e Brrakës, mbi kopshtin me hurma të Xhemiles në te gdhirë te datës 11 Dhjetor. Gjithsesi dua të theksoj se pa miratimin e mbështetjen e studentëve, as unë e askush tjetër nuk do të mund të merrte vendime të tilla. Prandaj merita edhe për këto kontribute iu takon djemve e vajzave të Lëvizjes Studentore, që në mos tjetër na mbështetën në ato vendime.
Duke sjelle ne vemendje 22 vjet me pare themelimin e Partise Demokratike, shume ditare dhe dokumentare po botohen per historikun e themelimit te partise se pare opozitare. cila ishte ideja fillestare e formimit te nje partie opozitare?
Varet se kur i intereson Sali Berishes. Por, realisht, PD është nisur me datën 11 Dhjetor, paradite nga ora 10:00-10:30 me inisiativën time. Sali Berisha më solli vendimin e Pleniumit të KQ të PPSH që ishte mbajtur një natë më parë, dhe që ai e solli direkt nga Ramiz Alia. Ai vendim tekstualisht theksonte se do të lejohej një pluralizëm fiktiv, organizatash e subjektesh elektorale. Ky nuk ishte pluralizmi i vërtetë politik, por një manovër e zgjuar e Ramiz Alisë, d.m.th. simbas parimit “po e hëngrën, mirë, po nuk e hëngrën, të shohim sa kanë kurajo dhe a u mban.” Mirëpo, kryesorja ishte se në këtë pikë krijimi i një organizate studentësh dhe intelektualësh të rinj, një nga kërkesat tona, ishte tashmë dicka e pranuar dhe e legjitimuar edhe nga sistemi dhe nga partia në pushtet. Por ky nuk ishte pluralizmi i vërtetë politik dhe beteja për të fituar pluralizmin do të zhvillohej në takimin e Përfaqësisë Studentore me Ramiz Alinë. Ky nuk ishte një problem i vogël dhe nuk mund të kalohet lehtë, përkundrazi.
Intelektualët që erdhën në Qytetin Studenti ishin një problem i madh për ne sepse duke qënë edhe pedagogë, kishin hyrë dhe ishin ngujuar në fakultete. Sado që kishim një rreth të fortë studentësh, shumica konviktorë, që na mbështesnin me shumë besim, prania e pedagogëve ishte një influencë e jashtëzakonshme negative edhe sepse ofronte një siguri e madhe për studentët. Në një përpjekje për t’i shkëputur nga studentët, mbi të cilët pedagogët kishin një ndikim të madh, si dhe për t’i futur në atë hullinë ku duhej, kërkova që t’i bëj bashkë disa prej tyre. Aty ishin shumë njerëz, ndër ta ishte edhe Moza Pashko, gruaja e Gramoz Pashkos dhe motra e Genc Rulit. E pyeta ku ishte Gramozi dhe më tha se ishte në fakultet me studentët e Ekonomikut. Cova dike më Mozën dhe e thirra. Si erdhi Gramozi, i prezantova me Sali Berishën, dhe iu thashë se ne do të shkonim në takim me Ramiz Alinë për të kërkuar pluralizmin, se do të ruanim Lëvizjen Studentore dhe se ata duhej të themelonin partinë opozitare, së bashku me intelektualët dhe pedagogët e tjerë.
Që nga ai moment ata nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Pavarësisht se e dinin se dy gjela nuk rrinin dot në majë të plehut, dhe e shihnin veten si te paret e katundit, bashkëpunimi i tyre ne atë pikë ishte i domosdoshëm dhe të dy e pranuan. Në atë moment që këta ikën, organizova zgjedhjet e para të lira në shtetin shqiptar, në të cilin studentët e cdo fakulteti do të votonin me aklamacion për studentët që do ti përfaqësonin në takimin me Ramiz Alinë. Në lidhje me sekuencen e ngjarjeve, keshtu shkurtimisht, me 12 Dhjetor janë mbledhur tek Gramoz Pashko një grup ku ishin Azem Hajdari Mimoza Ferraj, Aleksander Meksi, Sokol Necaj, Sali Berisha, etj. Me 13 Dhjetor është vendosur përbërja e Komisionit Nismëtar dhe është shpallur partia. Në ditët e tjera janë mbledhur firmat dhe me 19 Dhjetor është aprovuar ligjërisht si parti politike.
3. Si ndodhi zgjedhja e krerëve dhe pse ju shpallët kundërshtimin?
Kush janë kreret? Le te dale njeri e te thote se eshte para meje apo që ka pasur peshë më shumë se unë në këtë proces. Shiko, kjo është komedi që luhet në Tiranë, ku gjithkush kërkonte të hynte në histori duke u mbajtur mbas xhakaventos së dikujt, apo të pardesysë së një tjetri. Ideja kryesore e jona ka qënë ajo të përshkrova më lart. Intelektualët do të bënin partinë opozitare, ne studentët do të kërkonim pluralizmin e vërtetë politik, por edhe do të ruanim Lëvizjen Studentore të pavarur nga intelektualët e të tjerët. Mirëpo, ndërsa ne po punonim me intensitet për detyrat që I kishim vënë vetes, këta, d.m.th. intelektualët, nuk qenë në gjendje të mblidhnin as një grusht me njerëz që ti mbështesnin hapur as ndër krushqitë, miqtë e kushërinjtë e tyre. Ishte një gjendje pritjeje në kryeqytet ku askush nga këto rrethe që dinin, por që ishin edhe të lidhura me regjimin nuk donte të lëvizte pa u qartësuar ujërat.
Kështu që, nga pasditja, mbasi mbetën pak a shumë një grusht, deshën të vinin në Mbledhjen e Përfaqësisë Studentore, të beheshin pjesë e saj dhe fitonin legjitimitetin që iu mugonte në takimin me Ramiz Alinë. Unë i nxora jashtë ata të dy dhe nuk lejova që të bëheshin pjesë e Përfaqësisë. Kështu që as Sali Berisha as Gramoz Pashko nuk do të kishin kurrë legjitimitet politik nga LËvizja Studentore e nga arritjet e saj. Për ne ata do të ishin e mbetën të jashtëm e të huaj. Por, në përfaqësi mbeti një pjestar i atij grupi që ishte edhe i zgjedhur nga studentët e Arteve sepse ishte pedagog, Arben Imami.
Kur në atë takim më Ramiz Alinë u fitua pluralizmi i vërtetë politik, dhe meritat i takojnë atij që i takojnë për këtë fitore historike, nuk kishte më frikë se sistemi do të ndëshkonte kënd aq më shumë po të ishe edhe njeri i sistemit sic ishin shumica e këtyre të vetëquajturve intelektualë. Fill mbas kthimit nga takimi Ben Imami, që edhe në atë kohë nuk kishte kurrfarë konceptesh politike, tha se do të formohej Partia opozitare apo partia Demokratike. Mirëpo Pashko dhe Berisha ishin ende të pasigurtë, një ditë më parë e kishin ndjerë veten keq sepse nuk kishin gjetur mbështetje as ndër miqtë e tyre, dhe, prandaj, kur i mblodhën njerëzit me 12 Dhjetor iu thanë se donin të bënin partinë e Studentëve, sepse kështu i lanin duart nga përgjegjësia, d.m.th. thjesht do të thonin se na ndihmuan ne.
Natyrisht, nuk e bën një parti të studentëve pa pyetur paraprakisht studentët, apo jo? Dhe don s’don njeri, në atë pikë, besoj se kam pasur shumë influencë ndër studentët dhe më është dëgjuar shumë fjala. Aty në atë mbledhje në banesën e Pashkos, u dha dhe u pranua mendimi që duhej të bënin parti të vërtetë të tyren, dhe jo të studentëve. Kështu këta na erdhën si grup në Qytetin Studenti me mendimin se Azemi, që ishte me ta, do ti kontrollonte shokët e shoqet e Lëvizjes dhe këta intelektualët do të gjenin një ushtri të gatshme për mbështetjen që iu duhej për t’i ndjekur ata që e shihnin veten si liderë të vetëshpallur të opozitës. Mirëpo, i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Kur e pashë se kush po vinte, patëm një përplasje me Azemin që erdhi të më bindte në dhomën time.
Shkurt, unë iu thashë se do të nxjerr studentët në rrugët e Qytetit Studenti e t’i përzinim prej aty. Mbas shumë negociatash jo të këndshme me Berishën e bëmë një marrëveshje që të mos ishte vetëm Azemi në shtatëshen themeluese por ajo të kishte gjashtë studentë, tre intelektualë dhe katër pedagogë. Gjithkush solli njerezit e vet. Saliu, Gramozi, Azemi dhe unë. Unë i luta shumë intelektualë që të vinin dhe të bëheshin pjestarë të Komisionit Nismëtar por nuk deshën. Besimi i im dhe i disa të tjerëve ishte se me Azemin e me disa të tjerë që i njihnim, do të kishim shumicën, por nuk dolën gjërat ashtu, dhe për këtë ka përgjegjësi Azem Hajdari qe i shiti shoket e shoqet e veta dhe zgjodhi Berishen e Pashkon perpara nesh.
Megjithatë, duhet theksuar se PD është themeluar në Qytetin Studenti, studentët kanë qënë pjesa heroike e saj, por, në të njëjtën kohë, ne e kemi ruajtur dhe mbrojtur Lëvizjen Studentore si një strukturë të dallueshme nga PD. por une vete nuk jam pajtuar asnjehere me perberjen e Komisionit Nismetar dhe me perpjekjen e tyre sistematike per te kontrolluar, manipuluar e perdorur studentet. dhe natyrisht as ata nuk jane pajtuar ndonjehere me pranine time dhe me rolin qe kam luajtur. Pavaresisht se idete i kam pasur shume te qarta, kam qene tejet abraziv me shume prej tyre, por edhe me shoket e mi dhe kjo natyrisht qe pat pasoja sepse mungesa e ngrohtesise dhe dogmatizmi dhe ekstremizmi im ideologjik i largonte te tjeret.
4. Nga themeluesit e parë të PD-së, sot në krye të saj kane mbetur vetëm Berisha, Imami, Ruli e Pollo…
PD ka nje histori te ngaterruar. Unë jam themeluesi i PD-së por PD nuk është partia e ime. Unë idealet e mia i kam ruajtur në veten time dhe nuk i kam ndrruar, përkundrazi kam punuar për t’i vënë në jetë, ndërsa PD është transformuar ne një strukturë kriminale që është vënë pa kushte në shërbim të interesave joshqiptare, që ka punuar e që punon kundër cdo gjëje që unë e kam të shenjtë. PD punon kundër shqiptarëve, kundër shtetit të tyre, kundër kombit shqiptar, kundër shtetit ligjor, kudnër të drejtës së pronës, kundër të mirës shoqërore dhe njerëzore, kundër begatimit e prosperitetit të shqiptarëve, kundër të ardhmërisë e shpresës së tyre. PD është një bandë në shërbim të Sali Berishës. Sa për këta që përmendni, në majë të sitës morale e kombëtare shpesh mbesin krundet, dhe Sali Berisha, si kalores i aftë qe i jep kalit edhe maje malit, e din se për se shërbejnë ato. Më mirë të sakrifikoj për bindjet e vlerat e mija se të jem shërbëtor i shpërblyer i dikujt tjetër.