Të vdesësh për të ikur

0
53

Ruben Avxhiu, 25.10.2009

Shoqëria duhet të reflektojë për domethënien e tragjedisë në Lumin Tisa dhe për kontrastin e fortë social-ekonomik në realitetin e ri të Kosovës

Nuk mund të ketë lajm më shokues për të gjithë ata që për vite me radhë punuan për pavarësinë e Kosovës sesa lajmi se 15 qytetarë të saj mund të jenë mbytur, duke u përpjekur që të ikin nga shteti për krijimin e të cilit u sakrifikuan shumë.

Autoritetet nuk janë ende në gjendje të konfirmojnë numrin e saktë të viktimave, por ngjarja është një kujtesë e vogël e tragjedisë së madhe të re që po i varet mbi kokë popullit të Kosovës me mbi 50% të popullsisë së papunë, me dhjetëra vetvrasje, me kontrabandë e trafik prostitucioni, me ikje masive drejt Perëndimit etj.

Kjo fotografi e jetës së sotme në Kosovë ka përballë atë tjetrën: të kafeneve të zhurmshme e lokaleve plot drita, të shtëpive dhe makinave luksoze, të milionerëve të rinj të një shteti të sapo krijuar, të mashtrimit të parë e të zhgënjimit të parë të një populli që besoi se ikja e serbëve do të sillte në mos begatinë të paktën drejtësinë sociale.

Viktimat mbi Lumin Tisa, pavarësisht nëse janë 15 apo një e vetme, rëndojnë në ndërgjegjen e politikanëve të Kosovës. Askush nuk pret një ngritje të ekonomisë në më pak se një vit. Ajo që nuk falet është paaftësia për të mbajtur lart optimizmin dhe shpresën e popullit. Ata humbën vetëm në një mënyrë: kur vdes besimi te shteti dhe e ardhmja.

Shqiptarët që po vdesin për të ikur nga Kosova mbeten në ndërgjegjen e atyre që po qeverisin, duke lejuar korrupsionin dhe kontrabandën. Janë në ndërgjegjen e ndërkombëtarëve që kanë më shumë merak marrëdhëniet shqiptaro-serbe sesa ato të krimit të armatosur e që harrojnë se një rini e papunë e pa perspektivë ekonomike nuk mbahet me policë e me specialistë.
Por, këto vdekje janë edhe në ndërgjegjen e qytetarëve të thjeshtë të Kosovës. Vetëm politika nuk do ta ndryshojë shtetin e ri. Mbarë shoqëria duhet të punojë për të ringritur ekonominë e për të ndalur krimin.

Këto vdekje janë në ndërgjegjen e të gjithë atyre që bëjnë biznes në të zezë dhe nuk i paguajnë taksat shtetit të Kosovës (duke u bërë vjedhës të pasurisë së popullit, aspak më të mirë se serbët që bëjnë bllokadën ekonomike). Këto vdekje janë në ndërgjegjen e njerëzve në doganat dhe administratën e re të Kosovës, që mbyllin njërin sy në shkëmbim të ryshfetit dhe lënë të kalojnë mallrat e padoganuara e kriminelët e biznesit.

Në gjendjen e mjeruar që ndodhet një pjesë e popullsisë së Kosovës, është e domosdoshme që të mblidhen taksa e tatime të mjaftueshme për të krijuar një mbrojtje sociale për këta njerëz. Që ata të mos ikin, si dikur në kohën e Millosheviçit, drejt një vendi tjetër, për një fat më të mirë, të ndryshëm nga fati i shtetit të tyre.

Këto vdekje janë në ndërgjegjen e qeveritarëve dhe ekspertëve të Kosovës që kanë lejuar e lejojnë shitjen e pasurive të popullit të Kosovës në procedura naive apo mashtruese të privatizimit që pranojnë çmime shumë më të ulëta se vlera e tyre reale në shkëmbim të korruptimit personal. Të gjitha këto janë vjedhje në kurriz të popullit të Kosovës e pjesë e faturës që një ditë do të detyrohen ta paguajnë të gjithë.

Këto vdekje janë në ndërgjegjen e politikanëve, që paratë e buxhetit i kanë shpërdoruar sipas interesave të tyre dhe njerëzve të tyre të afërt.
E për më tej, këto vdekje janë edhe në ndërgjegjen e atyre mijëra njerëzve, që ndonëse nuk kanë pasur gisht në asnjë nga veprimet e lartpërmendura i kanë parë ato të ndodhin e të kryen nga njerëz të tyre të afërt dhe kanë heshtur, kanë aprovuar e kanë përfituar në mënyrë të tërthortë.

Ata që po pasurohen në kurriz të popullit, apo ata që janë në gjendje të mirë financiare nga të afërmit që jetojnë në Perëndim, ndoshta mendojnë se jeta e tyre nuk rrezikohet nga fati i një pjese të shoqërisë. Ndoshta mendojnë se Lumi Tisa është shumë larg oazit të tyre të bukur e të lumtur. E pra, ata rrezikojnë një zgjim të frikshëm.

Nuk duhet harruar se mungesa e perspektivës për një jetë më të mirë krijon shtresën rinore, të pakënaqur që mund të transformohet kulturalisht në mënyra që variojnë nga terrorizmi e deri anarkizimi majtist. Shenja të këtyre dukurive që janë parë që tani në Kosovë.

Një shprehje politike thotë se “nëse nuk shkon ti te lagjia e keqe, lagjia e keqe do të vijë te ti”. Ata që drejtojnë Kosovën dhe emrat e njohur të shoqërisë e të medias duhet ta mendojnë edhe njëherë se pse kërkuan me ngulm pavarësinë dhe të drejtën për të pasur një shtet më vete. Është koha për të shpallur zi kombëtare për të qarë jo thjesht ata që ikën, por zhgënjimin e madh që mbillet dalëngadalë në zemrën e një populli që vuajti e luftoi shumë për lirinë e që tani meriton në mos një jetë më të mirë, të paktën më shumë sinqeritet e ndershmëri.