Të tallur nga “Nënë Liria e Pushtetit”

0
93


Nga Drita Haxhiu (Qosja)

Çdo ditë në Tiranë (dhe jo vetëm), ndeshet panorama trishtuese e fëmijëve të rrugës që lypin, pastrojnë makina, përdoren për të lypur, që punojnë në punë të rriturish etj. Ndërsa po çdo ditë, shikojmë kryeministrin e “parajsës shqiptare” Sali Berishën, që del në ekranet “TVSH-PD” e “TV KLAN Frangaj-Fevziu”, që çirret e ngjiret për “sukseset e qeverisë”. Këta fëmijë kontigjent rruge, të cilët nuk janë pak, janë një nga këto “arritje madhështore” të pushtet-Saliut.

Duke qenë se Saliu merret me “politikat e mëdha të qeverisjes e të pushtetit”, nuk ka kohë të kujtohet për këta të mitur e fëmijë që përjetojnë varfërinë dhe shfrytëzimin ekstrem për shkak të mungesës së bukës së gojës. Në dispozicion të tyre, Saliu “zemërgjerë” ka vënë bashkëshorten e tij Liri Berisha, duke i ngritur një fondacion (fonde), synimin për t’i ndihmuar e integruar këta fëmijë të braktisur e të përdorur si skllevër.

Mirëpo edhe “Nënë Liria”, zonja e parë e familjes kryeministrore, pavarësisht se më të shumta ka fjalimet se sa projektet e realizuara në këtë mision, nuk ka patur shumë kohë të merret me këta fëmijë, paçka se “arkat” me donacione e ndihma kanë qenë e janë shumë të mëdha. Shpërfillja e Saliut si kryeministër ndaj kësaj kategorie fëmijësh dhe “reklamat” e propagandës boshe të misionares që ka bashkëshort kryeministrin shpërfillës, janë në unison të plotë dhe kanë si tregues këtë qëndrim: heshtje ndaj fëmijëve të rrugës, ndaj fëmijëve që punojnë, ndaj fëmijëve që kanë braktisur shkollën për mungesë veshjeje e librash dhe ndaj fëmijëve që lypin si skllevër të shfrytëzuar.

Në të dy programet qeverisëse, kryeministri “Sali Bollëku”, nuk belbëzuar asnjë fjalë për të integruar këtë kategori fëmijësh brenda shoqërisë shqiptare. Kryeministri Sali Berisha, ose siç e konsideron veten “Borëbardha” e fëmijëve shqiptarë (në fakt është shtriga), nuk ka as ndjesinë më minimale njerëzore për të reaguar qoftë edhe formalisht, kur shikon qindra fëmijë të të punësuar, të mjeruar e lypsarë rrugëve të Tiranës, përballë PD së tij, përballë Selisë së Qeverisë e të ministrive. Janë afro 13 mijë fëmijë skllevër të moshës 0-16 vjeç në të gjithë vendin, që punojnë, që lypin e përdoren për bukën e gojës.

Ndërsa ky kryeministër SALI, ky prind, ky gjysh, po shkatërron shtetin, po grabit ekonominë e po varfëron popullin shqiptar, për të siguruar deri në mënyrë kriminale të ardhmen miliardere e super pronësore të fëmijëve, të mbesave e nipërve të tij. Ndërsa “Nënë Liria e Pushtetit” e quan të kryer misionin e saj ndaj këtyre fëmijëve të mjerë e të braktisur, duke u dhuruar banane, mollë, portokaj, çamçakëza e tollumbace të fryra për 1 Qershorin, apo Vitin e Ri!

Ndërsa “Sali Baba i Qeverisë” e di dhe e shikon që rrugët e Tiranës e të qyteteve ka fëmijë të shumtë, të cilët për “5 lekë bukë”, rrezikojnë jetët e tyre mes makinave në lëvizje. Janë këtë fëmijë, të cilët nuk duan të jenë si mbesa e tij në jetë luksi, por që duan, që qeveria “Sali Bollëku” t’u garantoj jetesën minimale, shkollimin dhe nxjerrjen nga kthetrat e skllavërimit e shfrytëzimit që po u bëhet. Në vend të “internet Saliut” ata në shtëpi kanë dollapët pa bukë. Në vend të piknikëve në Malin e Dajtit si mbesat e gjysh Saliut, ata kanë daljen në rrugë për të lypur e pastruar xhamat e makinave për të siguruar ndonjë lek. Kanë braktisur shkollën, shumë nga ata janë larguar nga qytetet e tyre për të ardhur në Tiranë, aty ku mund të fitojnë më shumë për veten por dhe për familjet, të cilat janë në ditë të hallit.

Shumë prej tyre bien pre e abuzimeve, duke përjetuar edhe dhunshëm drama të mëdha jetësore. Çdo vit, “ushtria e analfabetëve” rritet, ndërsa kryeministri del e thotë: “Jemi vendi me arsimin më të përparuar e më të frekuentuar në Europë”! Ndërkohë që familjet e fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë, nuk kanë as mundësi për të blerë as librat, sepse për të blerë librat, fletoret, pajisjet shkollore duhen të ardhura deh këto sigurohen prej punës e cila nën pushtetin e Sali Bollëkut mungon masivisht dhe po humbet përditë e më shumë.

Varfëria e tejskajshme ka krijuar probleme në shumë familje shqiptare, duke rezultuar dhe me ngjarje të rënda e tragjedi, viktimë e të cilave bëhen edhe fëmijët. Rastet e fundit të ngjarjeve të tmerrshme në Sukth e Vlorë ku u dogjën fëmijë në gjumë janë fytyra e varfërisë kriminale, të instaluar nga pushteti barbar dhe hajdut i Sali Berishës. Të braktisur nga shteti, ata vocërrakë në Sukth e në Vorë, paguan “çmimin” e kësaj qeverie indiferente ndaj problemeve të jetës së shqiptarëve, të cilëve, vetë Saliu u premtoi parajsën dhe u solli mjerimin vrasës. Këta fëmijë, tipik si personazhet e “Lulit të Vocërr”, nuk njohin pushim, nuk njohin ditët e javës, nuk dinë as datëlindjen e tyre, por dinë vetëm një gjë: Të punojnë, të lypin, të fitojnë diçka! Këtë jetë ua ka afruar “Pushtet-Saliu”.