“Të shpëtojmë Shqipërinë, nga thonjtë e mafies në pushtet”

0
54

• Daut Gumeni është njeri në paqe me shoqërinë, por jo me cenet e saj. Si vuajtës i burgjeve të komunizmit, ai e di shumë mirë se ç’është mungesa e demokracisë
• Mendoj që nuk ia vlen të ankohesh për dështimet e jetës tënde. Kujt t’i ankohesh? Aq më tepër që këto vitet e tranzicionit tonë të pambaruar
• Mua më ka ndihmuar dhe fati. Mbase ai më ndihmoi dhe të martohesha. Dhe u njoha me bashkëshorten time gjithnjë me ndihmën e njerëzve të mi

Entela Resuli, 23.02.2013

– Si do të ishte një njeri i ndrydhur 23 vite në hekura, pa dritë, i përdhosur deri në absurditet? E sigurt është që emrin nuk do ta kishte Daut Gumeni. Sepse Daut Gumeni i vërtetë është një njeri që nuk harron, por që di të falë. Është një personazh jo i verbuar nga egërsia. Në këtë 20 shkurt i cili vjen me tragjeditë e kohëve moderne, edhe pse ka falur por nuk ka heshtur, Daut Gumeni nuk ka sesi të mos verë në dukje prangat që i janë vendosur shoqërisë së sotme shqiptare. Nuk ka sesi të mos flasë për tranzicionin mbytës që shqiptarët duhet të durojnë nga ata që 20 vite më parë premtuan ndryshimin e madh. Ndaj edhe pse në moshë të thyer, ai ka zgjedhur të thotë: “Mjaft”. Z. Gumeni është sot anëtar i partisë “Fryma e re Demokratike”. Arsyet përse zgjodhi të luftojë edhe njëherë për demokracinë e rrezikuar dhe për vlerat e saj më të larta, ai i shpjegon në intervistën e dhënë këtë fundjavë për gazetën “Shekulli”

Zoti Gumeni si është përditshmëria juaj?

Besoj si për shumicën e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Me një tranzicion, që e paska të ndaluar të mbarojë siç ka mbaruar me kohë në të gjitha vendet e diktaturave komuniste të Evropës Lindore. Dhe kur them këtë, kam parasysh shumicën e qytetarëve të thjeshtë shqiptar, që kanë vendosur të durojnë jetën në vendin e tyre, me këto kushte jetese që janë stisur nga kasta jonë e pushtetit. Mundohem të mos lejoj që të më mbetet aq shumë kohë e zbrazët. Sepse mendoj që koha e zbrazët e bën më të vështirë përditshmërinë dhe pastaj brezi im është mësuar të mos i bëjë bisht punës. Cilado punë, që ka mundësi, që dëshiron apo që pëlqen të bëjë secili prej nesh. Se puna sikur të shpëton më lehtë nga pesha e zbrazëtisë. Për një njeri në moshën time, ca më tepër kur e ka shprehi të lexuarit e të shkruarit, nuk është aq e vështirë të jepesh pas punës. Këtë bëj dhe unë, me aq sa mundem e ashtu si mundem.

Cili është qyteti juaj i lindjes dhe si e kujtoni fëmijërinë tuaj në atë qytet?

Unë jam pa qytet. Them kështu jo dhe aq me shaka. Sepse kam lindur në Gusmar të Kurveleshit të Sipërm në vitin e largët 1943. Pra, siç e shihni, jam prodhim lufte e ndoshta nga kjo edhe më ka ndjekur ajo e nëmur lufta e klasave në të gjithë vitet e mi të gjatë. Nga fëmijëria mbaj mend mësuesit e mi të shkollës fillore, si z. Makesen Bungo, atëkohë një djalë i ri nga Elbasani, i degdisur në gurët e thatë të Kurveleshit, sepse paskej qenë me “biografi të keqe” politike. Kështu dëgjonim të thoshin të rriturit për mësuesin tonë të rreptë. Por unë e mbaj mend gjithnjë të drejtë edhe në rreptësinë e tij, që na bënte të dridheshim. Sikurse mbaj mend shokët e mi të asaj moshe dhe më duket nganjëherë sikur ato vite sapo kanë dalë pas dere. E nganjëherë sikur kanë një shekull që kanë humbur në mjegullën e kohës. Besoj që kështu u ngjet të gjithëve, kur kujtojnë në pleqëri vitet e fëmijërisë së tyre.

Zoti Gumeni, kur ishin “përplasjet” tuaja të para me diktaturën e kohës dhe pse?

Si shumë e fortë më duket fjala “përplasje” me atë lloj diktature. Të paktën për sa më përket mua, që nuk kam qenë kurrë i sëmurë nga trimëria. Aq më pak nga trimëria, pasi lufta ka mbaruar. Me atë diktaturë më duket se e kam pasur të taksur me kohë përplasjen, sepse im atë nuk i kishte dashur kurrë ata sundimtarë dhe ua kishte thënë haptazi atë që ndiente. Edhe kur qenë pa ardhur në pushtet, edhe kur u bënë pushteti popullor, apo diktatura e proletariatit, e udhëhequr nga bejlurçinat e rënë nga vakti, që mbërthyen flamurin e proletarëve për të ruajtur pushtetin me metodat e kohës së re.

Atë përplasje të taksur e kam ndjerë më herët se të kuptoja shumicën e gjërave të kësaj bote, sepse e ndjeja në luftën e klasave që i bënin tim eti, vëllezërve të mi më të rritur e gjithë familjes sime. I rritur në një familje të parë me sy të keq nga pushteti, e me një baba mendjemprehtë, që nuk i honepste dot fitimtarët e luftës të kthyer me aq verbëri në humbës të paqes, ia kam borxh atij burri të mençur dhe fatin e mirë për të bërë me kohë dallimin midis të mirës dhe të keqes. Ai dallim i qartë, i mësuar nga im atë, më rriti me dëshirën e zjarrtë për të pranuar mundimet në emër të lirisë. Sepse diell ka për të gjithë e jo vetëm për pushtetarët e sëmurë.

Po nga ana psikologjike, si e përballuat akuzën e parë?

Në ato kohë të rënda, nuk kishim ndihmën e psikologut si në ditët tona. Dhe kjo mbase na bënte disi më të duruar edhe ndaj akuzave të vërvitura për koke nga prokurorët e diktaturës. Me këtë nuk dua të them që më erdhi mirë kur më akuzuan për “Tradhti ndaj Atdheut”. Duke qenë se me librin kam pasur miqësi të hershme, mbaj mend që Makdafi te tragjedia e njohur “Makbethi” e Shekspirit, e quante tradhti ndaj Atdheut po të mos kërkoje ndihmë edhe jashtë vendit tënd për të përmbysur tiraninë dhe jo kur arratiseshe nga tmerri i tiranisë. Po në atë lloj diktature, konceptet ishin të përmbysura, tok me të drejtën për të jetuar si njeri i lirë në një vend të lirë.

Keni qenë për 23 vite në burg. A ktheheni dhe i mendoni ato kohë, apo i keni fshirë nga kujtesa?

I kam tejkaluar 23 vitet me 40 ditë, por nuk mund të fshihen nga kujtesa, edhe po të përpiqesh për një gjë të tillë. Sepse është e pamundur të fshish nga kujtesa gjysmën e jetës në fund të ferrit! Nuk i fshij dot nga kujtesa, po as nuk rënkoj aq shpesh e aq shumë për ato vite të humbura në birucat e burgjeve të diktaturës. Sepse mendoj që nuk ia vlen të ankohesh për dështimet e jetës tënde. Kujt t’i ankohesh? Aq më tepër që këto vitet e tranzicionit tonë të pambaruar, dëgjon të ankohen sekretarët fanatikë të Partisë së Punës, se na paskan vuajtur shumë rëndë në diktaturën e tyre(!).

Dhe kjo është një arsye më shumë për të qeshur me dobësinë njerëzore dhe jo për t’u ankuar se ke vuajtur nga njerëzit e dobët. Sepse kam mendimin që të gjitha diktaturat e historisë, janë ngrehina të dobësisë njerëzore. Janë ngrehina të njerëzve të dobët, që, duke e ndier që nuk janë kurrkush, rropaten me dhunë të duken dhe ata përmbi të tjerët. Dhe e kanë urrejtjen më të madhe me njerëzit e aftë. Se u duket sikur njerëzit e aftë janë ata që nuk i kanë lënë të dalin në pah. Punë njerëzish të dobët, që tremben nga e vërteta, tremben nga e mira, tremben nga çdo vlerë e mirëfilltë njerëzore.

Cila është situata më e rëndë që keni kaluar në qeli?

Ka qenë një grevë urie për 24 ditë në burgun e Burrelit, në vitin 1971. Ishte bërë e padurueshme hetuesia e pandërprerë, që zhvillohej dhe brenda burgut, nëpërmjet njerëzve të thyer, që sigurimi i përdorte për ta bërë burgun një nga rrathët më të errët të ferrit. Atëherë kam parë më nge dhe vdekjen. E kam parë nga afër dhe ajo afërsi, më duket se më hoqi dhe të shumtën e frikës nga vdekja.

Si erdhi aktivizimi juaj në Frymën e Re Demokratike?

Fryma e Re Demokratike, për mendimin tim, do të bëhet përherë e më shumë një strehë për të gjithë të djathtët e marrë peng nga skemat e Katovicës. Nuk ka pse të rrinë më gjatë të marrë peng, aq gjatë sa të mbërthehen nga sindroma e Stokholmit, as pronarët e shpronësuar edhe nga enveristët e rinj –demokratikas, sikurse qenë shpronësuar për gjysmë shekulli nga enveristët e diktaturës. Nuk kanë pse rrinë më peng i enveristëve të rinj as të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të diktaturës. Sepse mendoj e besoj që Fryma e Re Demokratike është streha e tyre e natyrshme. Kjo ishte dhe shtysa që më shpuri të bashkohem në këtë moshë me ata që krijuan para një viti Frymën e Demokratike, si një alternativë e politikës për shtetin dhe qytetarët. Sepse në atë Frymë politikën e shohim të gjithë tok si shërbim qytetar dhe jo si biznes për pasurimin e një skote pushtetarësh.

E shohim politikën si shërbim qytetar në dobi të shtetit të të gjithëve dhe jo të pushtetit të një kaste të kalbur nga korrupsioni e nga abuzimi me pushtetin. Për sa i përket emrit tim në listën e kandidatëve për deputetë, atë e vendosin forumet e FRD-së, sepse besojmë që FRD-ja nuk është sh.p.k e kryetarit, por është një alternativë politike, që demokracinë dhe institucionet i ndërton së pari në parti dhe pastaj lë vend të besohet nga shumë e më shumë që ajo do të ndërtojë institucione dhe në shtet. Institucione të shëndetshme të një shteti, që do shpëtuar një orë e më parë nga thonjtë e palarë të mafies në pushtet, në mënyrë që të reformohet nga themelet, për t’u bërë shteti modern i të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

“Jam në paqe me veten dhe me shoqërinë”

Edhe pse jeni një personazh që jeni dënuar nga diktatura, sërish dukeni një njeri në paqe me veten dhe me shoqërinë, nga ju vjen kjo qetësi?

Jam në paqe me shoqërinë, por jo me cenet e saj. Jam në paqe me shoqërinë, se nuk më dënoi shoqëria, por më dënoi sëmundja e saj. Jam pastaj në paqe me veten, sepse më duket që vërtet më ka ndihmuar fati. Por e kam ndihmuar ca dhe vetë fatin tim që të kem të shkuar të njëjtë me atë të mbarë popullit tim dhe nuk më thotë dot njeri që kam jetuar duke dëmtuar të tjerët. Madje dhe dhimbjet e mia i ruaj për veten time, sepse me të tjerët më pëlqen të ndaj humorin dhe gëzimet, kur kam dhe aq pak sa mund të ketë gëzime një i mbetur gjallë nga burgjet e diktaturës. Jam në paqe me veten, sepse e pranoj jo vetëm me vete që në çdo dështim, fajin më të madh e ka vetë i dështuari. Jam në paqe me veten, sepse as i jam ankuar e as nuk i ankohem askujt për dështimet e për paaftësitë e mia.

Zoti Gumeni, keni jetuar diktaturën në formën e saj më të keqe dhe këto 23 vjet keni qenë i lirë, çfarë është liria për ju?

Si të gjithë të burgosurit politikë të botës, unë di mirë sa e shtrenjtë është liria, por si koncept i lirisë, më pëlqen përcaktimi i Konicës mendjemprehtë, e prandaj po e them tok me Konicën: “Liria është të mundë njeriu të besojë ç’i do zemra, të thotë ç’i do zemra, të shkruajë ç’i do zemra, të bëjë ç’i do zemra, veç të mos besojë kurrë e të mos thotë kurrë e të mos shkruajë kurrë e të mos bëjë kurrë asgjë që është kundër lirisë së të tjerëve”.

Ju keni realizuar një sërë botimesh, A keni aktualisht një libër të ri në prag të botimit?

Kam një libër të ri me publicistikë. Doemos që merret me gjendjen aktuale të punëve tona dhe them se do të dalë së shpejti në treg.

Çfarë do të thoshte për një mësues 24-vjeçar si ju në atë kohë të përballeshe me hetuesinë?

Të përballeshe përditë me hetuesinë në moshën 24-vjeçare, do të thoshte të bëje llogaritë mirë, që të mos humbisje emrin njeri. Sepse kishe përballë njerëz të shpërfytyruar nga abuzimi me pushtetin. Kishe përballë njerëz të kthyer në ca vegla qorre, që dinin të bënin mirë vetëm zagarin mekanik të luftës së klasave. Prandaj dhe e quaj veten me fat që munda të mbroj emrin njeri, edhe kur nuk mbrohej më shtati nga mundimet. Tek e fundit, ata zagarë mekanikë të luftës së klasave kishin në dorë shtatin, po jo ndërgjegjen e të burgosurve të tyre, si puna ime.

“Drejtuesit e sotëm shajnë Enverin, por ruajnë me xhelozi enverizmin”

Në këtë pjesë të intervistës, Daut Gumeni, rrëfen ditët e para pas burgut, takimin me familjarët e plakur nga vuajtjet si edhe krijimin e familjes me sforcot e mendimit të të qenit një ish i burgosur profesionist. Sot pas 20 vitesh nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, ai e konsideron diktaturën si një ngrehinë të kalbur e cila solli pas vetes dy produkte OMGJ me pasoja të rënda për shëndetin e shoqërisë së sotme.

Ditët e para pas daljes nga burgu në vitin 1990…?

Të trishtuara e të dhimbshme njëherësh. Të dhimbshme, kur takoje njerëzit e t’u aq të munduar e aq të rregjur, sikur të kishin qenë dhe ata në të njëjtat burgje me ty! Të trishtuara, kur shikoje njerëzit të përtypnin kudo fara luledielli. Kur shikoje njerëzit të rrekeshin për t’i shpëtuar asaj kohe të rëndë, duke përtypur fara luledielli e duke shpënë mendjen larg. Dukeshin vërtet sikur kërkonin në largësi një tokë tjetër, një shoqëri tjetër me njerëz të tjerë. Të paktën këtë kam ndjerë atëherë. Nuk më shkonte mendja se, pas më shumë se dy dekadash tranzicion, do të shikoja përsëri të shfaqeshin me shumicë po ata kaushë letre me fara luledielli. E jo vetëm trotuareve, por edhe në digën e liqenit artificial të Tiranës. Takoja fare pak njerëz, sepse më dukej sikur kishin prishur dhe gjuhën tonë të bukur!

Dëgjoje djem të rinj të përpiqeshin të bënin humor me fjalë të palara… Dhe atë lloj fjalësh e paskëshin edhe si argëtim (!) “Hajde, xhajë, hajde!- më tha një ditë njëri prej atyre rioshëve gojështhurur. “Tralala, zuna nji galë!… Po ne e kena me ba shaka, mor jaahu!” Tani pas më shumë se njëzet viteve tranzicion dëgjoj me atë fjalor të palarë, jo vetëm djem, por edhe vajza të reja (!). “Ditë e zezë, e natë e kujës!” – thoshte dikur mësuesi i nderuar gjirokastrit, i paharruari Thoma Papapano, kur shikonte tabelat e dyqaneve të shkruara me gabime gjuhësore. Po tani ku jemi?

Ju u burgosët shumë i ri. A keni krijuar familje tani? Si u njohët me bashkëshorten tuaj?

Mua më ka ndihmuar dhe fati. Mbase ai më ndihmoi dhe të martohesha. Dhe u njoha me bashkëshorten time gjithnjë me ndihmën e njerëzve të mi dhe njerëzve të saj. Sepse, po të qe vetëm për mua, ndoshta do ta kisha më të vështirë. Jo vetëm nga mungesa e përvojës në atë fushë, por edhe nga mungesat që e mbytin një të sapodalë nga burgu i gjatë. Ja që u kujdesën njerëzit e mi dhe për martesën time. Dhe, me gjithë paralajmërimet e mia për ato që do hiqte me një të burgosur thuajse profesionist në moshën time, asaj i mori dreqi mendjen dhe pranoi të jetë zonja e një të burgosuri.

Më 20 shkurt u përkujtua rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha. Çfarë ju kujton kjo datë?

Data 20 shkurt më kujton mënyrën sesi erdhi tek ne ai pluralizëm dhe ajo demokraci që kemi. Për mendimin tim, që të dyja janë produkte OMGJ me pasoja të rënda për shëndetin tonë shoqëror. Them kështu, sepse mendoj që diktatura i hodhi popullit të zemëruar llamarinat e bustit të Enverit dhe ka mbi njëzet vjet të gjatë që sundon këtë vend e këtë popull me metoda enveriste. Mjafton të shikosh tërë atë zjarr parullash, që lëshojnë enveristët e rinj në emër edhe të demokracisë, dhe kuptohet që shajnë e mallkojnë Enverin, por ruajnë me xhelozi enverizmin. Dhe kjo është më e rëndë nga sa duket së jashtmi. Mjafton të shikoni vendimet thagmatike të gjykatave tona këto ditë dhe nuk ka nevojë për fjalë të tepërta shpjeguese. Se jemi prapë vendi i parë në botë, ku gjykata nxjerr të pafajshëm vrasësit dhe bën fajtorë të vrarët. Jemi vendi i vetëm në botë, ku lepuri i egër vret gjahtarin (!). Ç’të thuash më për përkujtimin e 20 shkurtit nga enveristët e tranzicionit tonë të pasosur?