Të shpërblyerit

0
109

Nga Mero Baze

Deputeti Saimir Tahiri ka bërë një gjest që po ngacmon debatin mbi opozitarizmin në Shqipëri. Ka parë dy doganierë në Qafë Botë që kërkonin dhe merrnin ryshfete, dhe i ka denoncuar. Shumë vetë po reagojnë në forume për “mistrecllëkun” opozitar të Tahirit, dhe kërkojnë opozitë të fortë, nga ajo që akuzon Berishën për vlera mbi 1 milionë dollarë deri në 1 miliard. Të tjerë përpiqen të kthejnë monedhën mbrapsht duke thënë se dhe doganierët socialistë ishin të korruptuar. Të gjitha këto janë të vërteta. Por më shumë se gjithçka konsensusi arrihet tek fakti që dy doganierët ishin dy njerëz që nuk kishin lidhje me vendin e punës.

Njëri ishte djalë i një deputeti minoritar në “Doganën e Çamëve” në Qafë Gjashtë dhe tjetri një vlonjat që jeton në Tiranë, por që nga halli punon në Konispol!! Ky fakt i bashkon komentuesit më shumë se çdo gjë tjetër, pasi ky në të vërtetë tregon se si funksionon sistemi 1 miliardësh i vjedhjes së qeverisë Berisha. Ky sistem është i bazuar pikërisht tek rekrutimi i administratës, gjetja e vendit të punës për njerëz që përdoren politikisht, në vend të specialistëve dhe profesionistëve të sigurt. Është e vërtetë se doganierët tashmë nuk janë më njerëz që pasurohen si në kohën e socialistëve, pasi qeveria e re ka ndryshuar dhe skemat e korrupsionit.

Pesha e përfitimit ka kaluar nga doganierët dhe tatimorët e thjeshtë tek biznesmenët e mëdhenj VIP që rrethojnë pushtetin. Ata që përfitojnë tani nga pushteti nuk janë njerëz të rastësishëm që paguajnë doganierët, por njerëz që paguajnë Ministrin e Financave, Kryeministrin apo Familjen e tij dhe ministra të veçantë që kanë konfidencën e Kryeministrit. Korrupsioni i doganierëve që ngrinin traun dhe ndanin lekët me biznesmenët ka perënduar bashkë me korrupsionin popullor të Fatos Nanos. Tashmë korrupsioni, si shumë gjëra të tjera, është centralizuar dhe është nën kontrollin e kryeministrit.

Kjo shpjegon dhe faktin që doganierët tani rendin pas bakshisheve të vogla, dhe torturës ndaj qytetarëve që vijnë nga jashtë. Unë ua qaj hallin dy doganierëve që po telendisen për një shishe shampanjë dhe ndoshta kanë dalë pa gjë për një kohë të gjatë, por ajo që duhet ndëshkuar në këtë histori nuk janë persona konkretë, por mekanizmi i pushtetit që prodhon këtë histori të shëmtuar. Siç theksova, debati këtu qëndron tek fakti jo sa kanë përfituar këta doganierë, por tek arsyet pse ata gjenden si doganierë në skajin jugor të Shqipërisë. Dhe arsyeja është se ata janë pjesë e nomenklaturës që duhet shpërblyer nga pushteti.

I njëjti fenomen i eksportuar në sektorë të ndryshëm prodhon pasoja dramatike. Le të rimarrim çështjen e grevës së urisë së minatorëve në Bulqizë. Ata po vetësakrifikohen nëntokë, pasi pushteti i ka lënë ata në mëshirë të disa shfrytëzuesve thuajse banditë të pasurisë sonë kombëtare. Masivi mineral i Bulqizës dhe Martaneshit është copëzuar në rreth 40 licenca minerare, të cilat në shumicë i kanë “njerëz të fortë”, të lidhur me njerëz “me pushtet” në Tiranë, dhe punëtorët nuk kanë asnjë hapësirë për të mbrojtur të drejtat e tyre në këtë histori. Kjo ka ardhur për shkak të vizionit thuajse kriminal që ka pushteti për mënyrën se si duhet shfrytëzuar kjo pasuri kombëtare.

Vite më parë kur industria e kromit në Shqipëri filloi të ndërtohej pak nga pak derisa u bë një degë dominuese e industrisë së rëndë shqiptare, vizioni për shfrytëzimin e mineralit të kromit dhe investimet prodhohej nga Instituti i Minierave, Instituti i Gjeologjisë, Instituti i Gjeofizikës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, Instituti i Kromit, si dhe dhjetëra ndërmarrjeve gjeologjike në veri të vendit. Tani të gjitha këto janë fshirë me një të rënë të lapsit dhe është krijuar një agjenci, ku si për ta fyer deri në fund këtë vend, drejtor është një detashment i Ilir Metës, i cili ka shkuar aty se ka pasur fjalë që bën lek me licencat e naftës dhe kontrollin e hidrokarbureve dhe nuk besoj që ka dëgjuar ndonjë herë për mineral kromi.

Ta katandisësh Shqipërinë nga profesor/doktorët që kanë zbuluar dhe kanë ngritur në këmbë minierat shqiptare, tek disa delikuentë që njihen si vjedhës biçikletash, natyrisht që do fusësh në krizë shoqërinë dhe do përplasësh minatorët e pafuqishëm me këtë administratë. Koncepti i këtij pushteti që institucionet janë vende ku duhet të bëjnë para njerëzit që duhen shpërblyer, i jep fund me themel idesë së luftës kundër korrupsionit, edhe sikur ta ketë sinqerisht qeveria.

Fakti që pasuritë tona kombëtare nuk administrohen nga specialistë dhe mendje të hapura që kanë ndërtuar këtë vend, por nga injorantë që kanë objekt zhvatjen e tyre me dhunë, fakti që doganat dhe tatimet shqiptare janë detashmente të shpërblyerish në natyrë për shërbimet ndaj pushtetit, dhe jo specialistë që të kujdesen për të ardhurat tona buxhetore, dhe mbi të gjitha fakti që qeveria është e dënuar të jetë në anën e atyre që vjedhin dhe vrasin, përballë atyre që përpiqen të ruajnë dinjitetin para kësaj bande grabitësish, tregon fundin që kemi prekur.

Debati që sot provokohet për faktet e lehta apo të rënda për të denoncuar qeverinë është fallco. Kjo qeveri është një sistem qarkullimi kapilar i korrupsionit, dhe kudo që ta prekësh nuk ke gabuar. Nëse prek një kapilar të hollë të saj siç është Dogana e Qafë Botës apo tatimorët i Agim Shehut, duket sikur je marrë me një peshk të vogël, por në të vërtetë je marrë me sistemin që na sundon. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh dhe nuk je aspak më i besueshëm po u more vetëm me Argitën, Shkëlzenin, Zamirin, Sandrin, Bashkimin apo parelinjtë që bëjnë miliarda duke ndenjur gjithë ditën me Sali Berishën.

Të gjithë këta, që nga ata që bëjnë miliarda deri tek ata që marrin qindarka, janë pjesë e një sistemi që mbahet gjallë pikërisht nga të qenit pjesë e sistemit të korrupsionit. Edhe pse të ndryshëm në pasurinë që bëjnë nga ky sistem, ata janë të njëjtë para pushtetit pasi bëjnë pjesë në kategorinë e të shpërblyerve. Ndaj nuk ka rëndësi kë nga këta denoncon, e rëndësishme është që ke treguar si po funksionon ky sistem kapilar korrupsioni, zemra e të cilit është pushteti personal dhe shteti paralel i Sali Berishës.