Të rrosh a të mos rrosh si taksashpagues?

0
75


Nga: Kiço BLUSHI

Ka ardhur koha të mblidhen ku janë e ku nuk janë analistët e pavarur, vendorë e ndërkombëtarë, OJF-të dhe specialistët e fushave të ndryshme që krahas rrahjes së problemit “ku po vemi?”, të diskutohet e më pas të propozohet nxjerrja nga përdorimi, fjala “taksapagues”, aq e shumë përdorur së fundmi. Kjo nismë duhet marrë jo vetëm se na ka ardhur në majë të hundës, por se në shoqërinë tonë fjala ‘taksapagues’ në të vërtetë nuk ka as kuptim, as vlerë, as detyrim ligjor…! Se mos e ndërtuan rrugën Durrës-Kukës taksapaguesit? Jo, atë e ndërtoi Sali Berisha.

Po të mos vendoste ky, Rruga e Kombit do të mbetej një ëndërr! Se mos borxhin gati dy miliard dollarë, bashkë me eurobondin 300 milionësh eurosh për këtë rrugë do ta paguajmë ne taksapaguesit? Jo, atë borxh do ta paguajë qeveria një për një, d.m.th, Berisha, ndërsa xhepi ynë nuk do të preket, kështu beson shumëkush nga ne, apo jo?…Pas Greqisë shteti ynë paguan më shtrenjtë interesin e borxhit në rajon, 13% të buxhetit, por as me këtë fakt tronditës ne qytetarët nuk kemi asnjë lidhje! Mjaftojnë, besoj, këto shembuj për të kuptuar pse duhet të nxirret nga qarkullimi e përdorimi fjala aq e lakuar “taksapagues”…

E huazuar nga bota demokratike e sidomos nga amerikanët, të cilët janë mjaft të ndjeshëm ndaj “billave”(shqip: taksa), ne nuk e kemi bërë dot aktive fjalën ‘taksapagues’, jo se nuk i paguajmë taksat, por se nuk e dimë dhe nuk e kuptojmë se me to (d.m.th, me paratë tona) paguhet qeveria, deputetët, ministritë, administrata publike, ndërtimet e rrugëve, investimet, borxhi, arsimi, shëndetësia, ushtria, policia etj, etj. Prej njëzet vitesh fjala ‘taksapagues’ vazhdon të tingëllojë si një kompozitë pa kuptim, si mish i huaj që nuk ka as edhe një lidhje me jetën e sidomos me djersën, xhepin, mirëqenien, sigurinë dhe punën tonë.

Fjala ‘taksapagues’ perceptohet e përcillet më vështirë se një “OK” apo se një “Ciao”, fjalë këto të përditshmërisë që tash shqiptohen me aq kollajllëk edhe nga lypësit, edhe nga katundarët, kur këta zbresin në qytet të shesin qepë e domate…Taksat, tatimet e faturat, po të jesh i varfër i paguan një për një, por po të jesh pasunar i partisë, mund të mos i paguash!

Sot gjuha e demokracisë na quan të gjithë taksapagues, gati-gati si me përkëdheli, po kush di të thotë ku dhe si përdoren taksat tona; nëse shpenzohen ato për të mirën e përbashkët, për punë në dobi të perspektivës, për të mirën tonë, me nikoqirllëk dhe efektivitet, apo mos bëhen rrush e kumbulla? Para ca vitesh nisi p.sh, ndërtimi i një mbikalimi te Zogu i Zi, por për “interesa partie”, për hir të luftës PD-PS, u ndërprenë punimet, u shkel kontrata, u ndërtua një tjetër “projekt”, paçka se u hodhën në erë disa milionë euro të cilat, si u tha asokohe, ishin të taksapaguesve.

Askush deri më sot nuk mbajti përgjegjësi për këtë krim të pashembullt ekonomik. U investua për ndërtimin e një TEC-i në Vlorë në kohën e krizës së dritave, u shpenzuan mbi njëqind e ca milionë euro, por ai nuk do të përdoret se energjia e këtij TEC-i me karburant del se kushtoka më shumë se po të blihet energji në cilindo treg evropian…Është e njëjta mendësi që ndërtoi uzinat e ferro-kromit dhe të kobaltit në Elbasan, pa menduar që qymyri special duhej të blihej në Poloni, të shkarkohej pastaj në Durrës e s’andejmi të çohej në Elbasan.

Por “çelikun e partisë” e donte partia për propagandë, njëlloj si sot; apo, e thënë më shkoqur: sot njëlloj si dje, kryetari vendos e vulos për çdo investim, qoftë edhe pa vlerë! Rruga “Durrës-Kukës” u pagua me një tender të dyshimtë thuajse me dyfishin e çmimit, po se mos i hyri kujt gjemb në këmbë? Nëse dje nuk pyeteshin taksapaguesit, se këta “nuk ekzistonin”, po sot që quhemi të tillë, a duhet dhe a mund të kërkojmë llogari?

Jo, pasi ne sërish i quajmë paratë e taksave e tatimeve si para të qeverisë, njëlloj si dje, në diktaturë; por edhe se administratorët e financave tona, qeveritarët berishistë janë të bindur, njëlloj si ne, se është e drejta e tyre ekskluzive të sillen me buxhetin dhe me financat e pronat publike si të duan. Fondet mund të vidhen, të shpërdorohen, të hidhen në erë, të përvetësohen me të ashtuquajturat tendera, të investohen në rrugë me asfalt “elektoral”, të harxhohen në shkolla e spitale, që pas një muaji u bie tavani …dhe askush të mos mbajë përgjegjësi!

Shikoni p.sh, si derdhen paratë e taksapaguesve me reklama dhe veprimtari të qeverisë a të Bashkive nëpër podiume, televizione dhe gazeta jo vetëm në kohë fushatash, por edhe në përditshmëri ku shkruhet :”Nën kujdesin e veçantë të filanit”. Shkon kryeministri në zonat e përmbytura a të hedhura në erë, si p.sh, në Gërdec, e në të dy rastet, edhe pse dëmet nuk u shkaktuan nga fatkeqësitë natyrore, por nga keqadministrimi i fondeve publike, premton t’u japë kaq e aq shpërblim fatkeqëve…

Në mbledhje të qeverisë, zëplotë e zemërmadh kryeministri premton t’u rrisë pensionet ushtarakëve, të kompensojë ish- pronarët, ish-të përndjekurit, të hapë tunelin Kërrabë-Elbasan, të ndërtojë boshtin e Jugut, rrugën e Arbërit etj, etj sikur fondet dhe pasuritë publike të jenë të vetat, të trashëguara, si të ishin para të xhepit të tij! Nuk gjen dot tjetër në botë një babagjysh të tillë, kaq të pashembullt e bujar sa kryeministri ynë që për çdo investim, rritje pagash, pensionesh a dëmshpërblimesh, të flasë vetëm me “unë”!

Që kur u vendos ekonomia e tregut dhe sistemi i taksapaguesve, nuk po resht ai që quhet evazion fiskal dhe punë në të zezë. Ende sot nuk dihet në i paguajmë taksat të gjithë njëlloj. Ka jo pak që nuk “i njohin” jo vetëm taksat e tatimet, por as faturat e dritave e të ujit e për këtë shkak fitojnë dhe jetojnë ku e ku më mirë se ne, taksapaguesit e ndershëm. Kjo “greminë” financiare është më e thellë mes biznesmenësh, që paguajnë e atyre që u shmangen detyrimeve ngaqë e kanë mirë me qeverinë…

Dihet se një nga rrugët më të sigurta të luftës kundër korrupsionit është kontrolli nëpërmjet taksave dhe tatimeve: nëse një qytetar, biznesmen, aq më tepër një ministër e deputet, ka bërë disa milionë euro fitim, jashtë sistemit të taksave dhe tatimeve, në cilindo vend të botës demokratike, nuk ka avokat, gjyq e gjykatës që e shpëton! Por, tek nuk ndodh kështu. Nuk ka punë më të lehtë se kjo për një Prokurori të përgjegjshme. Pyetja është e thjeshtë: ti zotëri që i ke kaq të ardhurat vjetore të deklaruara (ose jo), nga i ke nxjerrë këto fitime disa milionëshe? E pas kësaj, a paguajnë me të njëjtën shifër detyruese të pasurit edhe të varfrit?

A bëhet dallim mes biznesmenëve “të djathtë” e “të majtë”? A janë po aq detyrues qytetarët edhe të pushtetshmit, të fortët e lagjes, të qytetit e të pushtetit, njëlloj si në SHBA, ku nëse një syresh, qoftë ky artist i Hollivudit a kongresmen, u shmanget taksave e tatimeve, automatikisht rraset në burg?! Ja pra ç’e shkatërron sistemin demokratik: pabarazia jo vetëm ndaj ligjit, por edhe ndaj detyrimit të taksave dhe tatimeve! Nëse djersa e punës së ndershme poshtërohet e vihet nën hyqmin e trafikut, korrupsionit, vjedhjes, shmangies së detyrimeve, atëherë shoqëria mbetet në zgrip, ndërsa taksapaguesi një xhep i vjedhur!

* * *

“Martesa” e dy fjalëve, taksë+pagues, e panjohur dhe e papërdorur më parë (pasi diktatura e kishte shpallur vendin tonë të vetmin në botë pa tatime dhe pa taksa, ngaqë nuk na e fuste dorën e qeverisë në kuletë, po direkt e në bordero!), për arsyet e traditës dhe jo vetëm, pra edhe të evazionit të sotëm, nuk kapërdihet as nga qytetarët, as nga katundarët, madje as nga analistët e llogaritarët, aq më pak nga kasat fiskale të qeverisë që kërkohet t’i vendosen kryesisht shitësve…

”Taksapaguesin” nuk e kuptojnë (ndoshta duhet thënë: e keqkuptojnë, apo, më saktë: e keqpërdorin) më shumë se qytetarët zyrtarët e tatimeve dhe doganave, më pas kryebashkiakët e qeveritarët e lartë, por më së pari kuptimin e saj me sa duket nuk e respekton as kryeministri, kryeadministratori ynë, i cili gati çdo ditë del në mbledhje qeverie dhe shpall vepra, punime, investime, falje tokash, kompensime, dëmshpërblime si t’ia dojë interesi imediat vetjak, apo kokrra e qejfit! Shembulli më i dukshëm është dukuria e piramidës qeveritare, të piramidës në epiqendër të Tiranës.

Pa hyrë në llogarinë e humbjes së disa milionë eurove të harxhuara për sallën e rikonstruktuar të Kuvendit, për projektin e ndërtimit të Kuvendit të ri te ish-selia e KQ-së, për shpenzimet për transformimin e QNK-së në Teatër, Kryeministri nuk do t’ia dijë sesa ka kushtuar ngritja e piramidës së diktatorit; ai sillet sikur kjo ndërtesë madhështore është ngritur me paratë e diktatorit dhe të familjes së tij, ndaj shkatërrimi apriori quhet i ligjëruar. Ai kërkon që me paratë dhe me djersën e popullit të paguajë “faturën” e ish-komunistit që ngulmon të shpallet edhe njëherë tjetër si një antikomunist i tërbuar.

Ajo që e bën edhe më të dhimbshme këtë histori është fakti se piramida e diktatorit u ngrit në kohën e krizës më të madhe të shqiptarëve: me një vendim të Byrosë Politike nga buxheti i varfëruar skajshmërisht i shtetit, kur shqiptarët hiqnin të zitë e ullirit për një copë bukë, u hoqën miliona dollarë për ndërtimin e piramidës…! As atëherë nuk u pyet populli, me pretekstin se kjo vepra madhështore nuk po ngrihej me taksat e shqiptarëve, por me paret e qeverisë… me të njëjtën mendësi veprohet edhe sot me uzinat dhe kombinatet që u lanë të rrënohen e pastaj të shiten si truall, me rrjetin hekurudhor e detar, me ish-repartet ushtarake, por edhe me Pallatin e Kulturës të dalë jashtë funksionit, me hotel “Dajtin” etj etj, të cilat nuk trajtohen si prona publike, por si prona private të kryeministrit, apo të kryebashkiakut, të lëna trashëgim nga gjyshërit e tyre…Kryeministri dhe qeveria e tij nuk kanë mandat të bëjnë të tilla zullume me pasurinë kombëtare, por edhe kjo ka pak rëndësi! Rrëmbe ç’të rrëmbesh sa je në pushtet, se nesër…nesër askush nuk të kërkon llogari!

Për këto arsye te mosarsyes fjala “taksapagues” në Shqipëri nuk ka kuptim! Jo se shoqëria jonë ende lundron në evazion fiskal, jo se punët më të mira vazhdojnë të bëhen me punë të zezë a të pistë, jo se kontrabanda dhe korrupsioni, të cilat duket sikur nuk kanë lidhje direkte me taksapaguesit, kanë rënë sipas TIA-s 0,1%, jo se nuk e di askush sesa është TSHV-ja për çdo mall e shërbim, por se askush nuk e di dhe nuk e merr vesh dot kurrë se ku shkojnë e në ç’lumë përfundojnë taksat tona, d.m.th, paratë tona që vilen nëpërmjet TVSH-së, pa përmendur ryshfetin, gjobat, koncesionet, privatizim-përvetësim-legalizimet, lejet e ndërtimit për trafik influence etj, etj.

E pra, në këtë klimë, a ka kuptim fjala taksapagues dhe a nuk shërben ajo për të na hedhur hi syve? A nuk do të ishte më mirë të thuhej: taksashpagues, sipas foljes shpaguaj, e cila, në fjalor jep këtë kuptim: zhdëmtoj, paguaj vlerën e një diçkaje që kam dëmtuar e prishur! E pra, a nuk paguajmë ne vlerën e një qeverisjeje të prishur e dëmsjellëse?