Të rrezikuarit nga koalicioni “Berisha 3”

0
54

Nga Mero Baze, 29 Mars 2012

Përpjekja e Berishës për një mandat të tretë përmes një koalicioni të gjerë me premtime për poste administrative vë seriozisht në pikëpyetje të ardhmen e kreut të republikanëve Fatmir Mediu si dhe aftësinë e partisë së çamëve për t’u përfshirë në parlament. Po ashtu aktorë të tjerë të rëndësishëm të koalicionit si legalistët ose ballistët, duket se nuk kanë më asgjë të re për tu përtërirë politikisht nën një koalicion ku votat e dyta i merr të gjitha Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në këto kushte Berisha duhet të gjejë një formulë të re zgjedhore për të kënaqur partnerët e koalicionit ose do të gjendet para rrezikut që partitë aleate të tij të spektrit të djathtë të shkojnë drejt koalicionit të tretë që mund të formohet nga partia e zotit Topi. Duke qenë se ato janë parti të barabarta në numër, shanset e tyre për tu kualifikuar si të dyta janë më të mëdha brenda atij koalicioni se brenda koalicionit me LSI si pjesë përbërëse ku ajo ka diferencë të madhe në raport me ta.

Por më i rrezikuari nga aleanca me Berishën mbetet kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mehdiu. Mediu, përveçse e ka të sigurt që nuk rizgjidhet më deputet me LSI brenda koalicionit, ka shumë serioze çështjen e imunitetit të tij. Fatmir Mediu shkon automatikisht para gjykatës nëse nuk rifiton imunitetin me të cilin ka shtyrë gjyqin. Ai ndryshe nga Ilir Meta hezitoi të shkonte para gjykatës, me të cilën mund ta kishte mbyllur gjyqin pa shumë kosto. Tashmë ai e ka gjyqin e hapur nëse nuk zgjidhet deputet dhe precedenti i gjykimit për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm e detyron atë të dënohet së paku me gjashtë vite burg.

Në këto kushte Fatmir Mediu ose duhet të kërkojë prej Berishës të hyjë në listën e Partisë Demokratike si deputet i sigurt, ose duhet të marrë një vendim për aleancat e tij paraelektorale, pasi brenda koalicionit të Berishës gjithë deputetët e partive të vogla i mbledh sipas kësaj formule partia e Ilir Metës. Sikur Mediu të mos kishte çështjen e imunitetit, ai mund të rrinte i qetë, por ai e ka serioze mbijetesën pa u gjykuar për shkak të imunitetit dhe kjo ia rrit shumë pasigurinë.

Një tjetër parti e rrezikuar brenda koalicionit me Berishën është fraksioni çam i Shpëtim Idrizit. Deputeti i vetëm që ata fituan si parti, Dashamir Tahiri, është shkëputur prej tyre. Idrizi është një deputet socialist që ka tradhtuar votat e socialistëve për t’iu përkushtuar besnikërisë ndaj çështjes çame. Nëse Tahiri kandidon vetë në Vlorë, sërish me një koalicion, qoftë ky i Berishës, i Topit apo Ramës, fraksioni çam i Idrizit bëhet i parëndësishëm dhe nuk përfaqësohet dot në Kuvend. Fuqia e deritanishme e partisë çame ishte se ata kishin një mandat përmes formulës së koalicionit, por janë partia që kanë më pak vota se të tjerët brenda koalicionit. Kështu që ata rrezikojnë të përfundojnë me dhjetë mijë vota, pa marrë dot as deputet dhe as poste administrative.

I njëjti fat pret dhe fraksionin e minoritetit grek brenda qeverisë. Reputacioni i tyre ka marr fund, fillimisht nga përpjekja e Berishës për të përçarë faktorin grek në Shqipëri dhe për të bërë “partinë e tij greke”. Fraksioni i Spiro Kserës, i cili ka disa ndikime lokale në Dervician dhe Sarandë, përfaqëson linjën e grekëve të moderuar që janë për bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje dhe me fraksionin e partisë çame. Kjo linjë në të vërtetë i nxjerr ata nga ndikimi mbi pakicën greke në Shqipëri, pasi grekët e moderuar të Shqipërisë me lehtë votojnë Partinë Socialiste se sa Berishën.

Kështu që ata si fraksion janë në vendin e gabuar, nëse llogarisim se pakica greke në Shqipëri voton ose Partinë Socialiste ose partinë e të drejtave të njeriut. Grekët më nacionalistë janë me Dulen, ndërsa ata të moderuarit, edhe pse duket sikur janë në qeveri me Berishën, më lehtë votojnë socialistët. Kjo u pa më së miri në zgjedhjet e fundit lokale në Sarandë, ku pavarësisht aleancave, MEGA, parti e minoritetit grek, ishte në koalicion me Berishën dhe votoi më shumë Stefan Çipën, ndërsa shumë krerë të partisë së Dules dhe anëtarë të tij votuan Edmond Gjokën, edhe pse ishin në marrëveshje elektorale me Partinë Socialiste të Ramës.

I paqartë mbetet fati i dy fraksioneve të partisë së Ballit dhe asaj të Legalitetit. Dy partitë e Ballit, ku ajo e drejtuar nga Artur Rroshi është pak më e stabilizuar së fundmi, janë të pashpresa për tu përfaqësuar në parlament dhe Berisha i mban të përçara pikërisht që të mos kenë shanse të marrin një deputet. Ata mund të qëndrojnë brenda koalicionit me Berishën pasi nuk humbasin gjë, por nëse arrijnë një marrëveshje për një listë të përbashkët, kanë shanse të kapin ndonjë deputet dhe jashtë këtij koalicioni.

Partia e Legalitetit e Ekrem Spahisë do të ishte harruar fare sikur Spahia të mos bëhej i gjallë duke rrëmbyer hurin ndaj homoseksualëve. Edhe pse i shumëkritikuar, ai në të vërtetë është në një pozicion të qartë konservator, siç janë shumë konservatorë në botë. Gjuha e tij e ashpër ndaj homoseksualëve ka të bëjë më shumë me kufizimet në fjalor se sa kufizimet e pozicionit politik që i takojnë të ketë. Por dhe ai është ende i pashpresë për tu përfaqësuar në Kuvend. Në mënyrë paradoksale, votat e legalistëve, ballistëve, republikanëve, çamëve e grekëve do të shkojnë për deputetët e Ilir Metës, i cili mes të tjerash ka shpëtuar përkohësisht dhe nga procesi penal që është hapur ndaj tij.

Dhe çfarë është më e pasigurt, ka të bëjë me faktin se ku mund t’i çojë Ilir Meta këto vota pas zgjedhjeve, nëse koalicioni i Edi Ramës del i pari? Askush nuk vë dot bast për besnikërinë e tij. I vetmi bast është që ai brenda koalicionit të Berishës i dërrmon përfundimisht aleatët e vegjël të Berishës dhe çon para drejtësisë Fatmir Mediun. Jashtë koalicionit, ai ul thuajse drejt zeros shanset të përfaqësohet në parlament dhe rrit shanset që dosjet e tij të rihapen. Për gjithë këto arsye, ai po sillet si një partner i zemëruar me koalicionin aktual, në pritje të pazarit që do t’i japin për zgjedhjet e reja. Dhe deri atëherë vazhdon të punoj me bllokun e vjetër.