Të rihapet libri i Taçit

0
45

Gary Q. Kokalari

Nga Gary Q. Kokalari

Lajmi mbi sulmin e egër ndaj gazetarit Mero Baze nga Rezart Taçi dhe truprojat e tij shënoi një ditë të trishtuar në historinë e demokracisë shqiptare. Kjo sepse ky akt i urryer ishte një sulm direkt mbi parimin bazë të demokracisë – lirinë e shprehjes.

Megjithëse është një zhvillim pozitiv që Taçi është arrestuar, është e lehtë të kesh dyshime, nëse ai do të hetohet me tërë fuqinë e ligjit, kur sheh lidhjet e tij me familjen e kryeministrit Berisha dhe përpjekjet e kaluara të këtij të fundit për të minuar hetimet ndaj Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut.

Por mund të ketë një rreze drite mes këtyre reve. Me arrestimin e Taçit – që nuk do të kishte ndodhur pa presionin e madh ndërkombëtar mbi Sali Berishën – tani ekziston mundësia që prokurorët të rihapin librin mbi marrëveshjen për shitjen e ARMO-s dhe marrëveshjet e Taçit me familjen e Berishës.

Megjithatë, nëse ka ndonjë shpresë për të shkuar te ky objektiv, SHBA dhe BE duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qeverinë shqiptare për të shmangur ndonjë përpjekje të Berishës për të varrosur çështjen. Është inkurajuese që ambasadori Withers foli me tone të larta kritike për këtë akt vulgar gjatë konferencës me gazetarët, ku ishte dhe Mero Baze, por ambasadori duhet të dijë nga tani, se në Shqipëri çështje si kjo shpesh mbyten, nëse nuk vazhdojnë të mbeten në fokus të interesit amerikan dhe evropian.

Në vitin 2008 i dërgova disa e-mail-e “Patton Boggs”, një kompani e mirënjohur ligjore në Uashington, që këshilloi qeverinë shqiptare për privatizimin e ARMO-s. Kur po zhvillohej tenderi për ARMO-n, shumë mund të kujtojnë se një avokat i “Patton Boggs” u shfaq në një intervistë në Tiranë, që u transmetua edhe nga Zëri i Amerikës, në të cilën deklaroi se oferta për ARMO-n ishte transparente. Në këtë kohë u bë me dije se “Refinery Associates of Texas”, një kompani e dyshimtë amerikane, doli fituese. Diku mes kohës që avokati i “Patton Boggs” foli për transparencën dhe mbylljes së marrëveshjes, ARMO u shfaq nën kontrollin e Taçit. Bazuar në atë që i ndodhi Mero Bazes, sipas mendimit tim, Taçi duket se është saktësisht tipi i Delijorgjit, që merr urdhra nga Berisha. Unë e mendoj shumë më shumë se një koincidencë që Delijorgji dhe Taçi janë klientë të studios ligjore të Argita Berishës.

Sulmi i Taçit ndaj Mero Bazes ngre tashmë shumë pyetje. Pse nuk pati jehonë përfundimi i ARMO-s në duart e Taçit? Sa u pagua për ARMO-n, dhe cili ishte burimi i financimit? Përveç kostos së blerjes, fituesi duhet të investonte 250 milionë dollarë shtesë për të përmirësuar ARMO-n. A ka bërë Taçi ndonjë nga investimet e kërkuara? Unë i bëra shumë nga këto pyetje, në kohën kur ARMO u shit, por ato mbetën pa përgjigje. Në opinionin tim, tërë procesi i tenderit të ARMO-s duhet të hetohet, dhe nëse ka parregullsi ose nëse Taçi nuk ka përmbushur termat e marrëveshjes, atëherë ARMO duhet të merret nga ai dhe të rishkojë në tender.

Kësisoj do të mund të ketë një tender transparent, që do të shmangë konfliktet e interesit me familjen Berisha ose me mafien Meta/Prifti. Meqë jemi te Prifti. Çfarë fshihet pas përpjekjeve të tij për të larguar taksidarët nga Taçi? A presin diçka nga Taçi, Meta dhe Prifti për këtë gjë? Si i financojnë Meta dhe Prifti jetët e tyre shumë të shtrenjta? Siç edhe e ka thënë me herët, unë jam i gatshëm të ndihmoj falas me konsulencë në këto çështje.

Përpjekjet e mëparshme nga miqtë e Berishës për të censuruar Bazen dhe gazetarët e tjerë, përfshirë gazetën “New York Times”, kanë pasur për qëllim të ndalin kritikat ndaj qeverisë së tij përmes formave të ndryshme të frikësimit. Për fat të keq, një pjesë e medieve (gazetarë dhe botues) janë bashkëfajtore në këtë, sepse kanë qëndruar në heshtje përballë këtyre përpjekjeve për të parandaluar kritikat e hapura ndaj Berishës dhe miqve të tij.

Ka shpresë se sulmi ndaj Mero Bazes do të shërbejë si një thirrje për zgjim në Shqipëri, e kështu më shumë gazetarë do të shprehin të vërtetën dhe opinionet e tyre pa frikë nga hakmarrja e qeverisë.

Nëse qeveria Berisha ka lejuar njerëz si Taçi të grabisin asetet e shtetit, e pastaj e ndihmon atë të shmangë pagimin e taksave dhe përpiqet që të ndalojë fizikisht kritikat, atëherë ka ngjashmëri të madhe me mafien dhe jo me një qeveri demokratike që punon për popullin. Nëse komuniteti ndërkombëtar dhe prokuroria nuk hetojnë plotësisht veprimet e Taçit, atëherë ata do të jenë përgjegjës që e lejuan Shqipërinë të shkojë pas në kohë.

Unë u kujtoj gjithkujt se Kosta Trebicka shërbeu si një zë sinjalizues për marrëveshjen e paligjshme të shitjes së armëve me AEY (siç edhe u raportua në faqen e parë të “New York Times”), dhe që çoi në hetimin e tre amerikanëve nga Departamenti i Drejtësisë për mashtrim të qeverisë federale. Kosta u vra në një “aksident” të dyshimtë në një rrugë të thellë në Shqipëri dhe shumë vetë, përfshi edhe mua, besojnë se ai u detyrua të heshtë përgjithnjë, sepse foli kundër Berishës.

Duke parë agresionin e Taçit ndaj Mero Bazes, është e lehtë për mua të imagjinoj që Taçi dhe të tjerë si ai, me lidhje me Berishën, dinë më shumë për fatin e Kosta Trebickës se sa është folur.