Të premten do të ndodhë diçka e re

1
35

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 26.04.2010

Të premten me 30 prill do të mbahet në Tiranë protesta e opozitës për transparencën e zgjedhjeve dhe krizën ekonomike ku po rrokulliset vendi. Pyetja që po bëhet gjithandej në vigjilje të kësaj ngjarjeje të rëndësishme për demokracinë është: “Ç’do të ndodhë”? Interesi është i veçantë brenda dhe jashtë vendit. Pritshmëria vjen duke u rritur sa më shumë afrohet dita.

Shumica e njerëzve e ndjejnë dhe e thonë se protesta e së premtes në bulevardin “Dëshmorët e kombit” do të shënojë rifillimin e një zhvillimi të ri shumë pozitiv për demokracinë shqiptare. Populli do të zbresë në rrugë në radhë të parë për ligjin e tij, pasi e ka kuptuar se ligji i tij është buka dhe nderi i tij. E gjithë kjo do të jetë dëshmia e stadit të ri ku është ngritur e po ngrihet ndërgjegjja demokratike e shqiptarëve. Kur institucionet përfaqësuese dështojnë, siç ishte rasti i Kuvendit të Shqipërisë në 18 mars, fjalën e marrin institucionet e demokracisë së drejtpërdrejtë, siç është protesta.

Protesta vjen për të thirrur një “jo” , për të ndaluar një rënie, për “të urdhëruar” me gjuhën e saj specifike një reflektim, një ndryshim kursi, një zgjidhje. Të gjitha këto dihen, por askush nuk e di e nuk mund ta dijë me saktësi si do vazhdojë , ç’rezultate konkrete do të sjellë, si do të përfundojë. Rezultati është gjithnjë pjesë e lojës politike mes palëve, në rastin konkret mes protestës dhe qeverisë. Zhvillimet politike kanë anën e tyre të parashikueshme, por kanë edhe anën e paparashikueshme, që u shpëton llogarive në tryezë.

Këtu qëndron tërheqja, enigma dhe emocioni i politikës. Po ta dinim me saktësi se ku do të mbërrijmë, po të kishim mundësi t’i programonin si në një laborator rezultate e një lëvizjeje politike, politika do të privohej nga kuptimi dhe shija që ka. Kjo nuk mund të ndodhë. Por nga ana tjetër ekzistenca objektive e së papriturës nuk e përligj spontanitetin, papërgjegjshmërinë apo aventurizmin në politikë. Pavarësisht se cilët mund të jenë rezultatet, partitë dhe politikanët që thërrasin popullin në rrugë e kanë për detyrë të jenë në krye, duke respektuar parimet dhe ligjet e demokracisë.

Këtë ka bërë nëntorin e vitit të kaluar dhe këtë po bën sërish opozita shqiptare në edicionin e dytë të protestave për votën. Drejtuesit kryesorë të opozitës së sotme e njohin mësimin e liberalit të madh italian Benedeto Kroçe që thoshte se forca dhe mirëkuptimi janë skaje të bashkëlidhura në politikë. Pra duhet treguar forcë në kuptimin politik të fjalës, por nga ana tjetër duhen kërkuar zgjidhje me të gjithë e për të gjithë. Duke dashur të dekurajojnë protestën e 30 prillit disa kasandara qeveritare, por edhe ndonjë opozitar, po ngatërrojnë me dashje apo nga injoranca forcën e brendshme të protestës me përdorimin e forcës. Opozita ka bërë mirë që ka replikuar me ta, duke theksuar se është kundër formave të dhunshme të protestës.

Por pavarësisht se protesta janë zhvilluar shumë edhe në të kaluarën, pyetja “çdo të ndodhë” po intrigon kësaj here me shumë se herë të tjera. Parashikimet janë një potpuri e vërtetë, ku nuk mungojnë tamtamet dhe fantazmagoritë. Duke e lenë në qejfin e vet këtë festë të profecive, na intereson pikësëpari të njohim pikëpamjen e opinionistëve dhe gazetarëve që shprehin pak a shumë pozicionet e qeverisë. Sepse protesta drejtohet kundër qeverisë. Qasja e saj është e rëndësishme për të kuptuar perspektivën.

Këta opinionistë, që janë shfaqur dendur këto ditë në studiot e televizioneve përballë politikanëve të opozitës, në përgjithësi, kanë mendimin se protesta e 30 prillit do të jetë një përsëritje e protestës së 20 nëntorit të vitit të kaluar; njerëzit do të mblidhen, do të dëgjojnë fjalimet e politikanëve, do të hedhin parulla, do të këndojnë këngë dhe do të shpërndahen. Pra “nuk do të ndodhë asgjë dhe jeta do të vazhdojë të nesërmen dhe të pasnesërmen njëlloj si më parë, ashtu siç ndodhi edhe me protestën e nëntorit”, pohojnë ata.

Është pozitive nga një anë që këta opinionistë nuk kanë ranë viktimë e propagandës qëllimkeqe sikur opozita do të mblidhet për marrjen e pushtetit me dhunë. Në të kundërtën, ata i mëshojnë idesë se opozita do të mblidhet për të bërë adetin dhe “nuk do të ndodhë asgjë”. Duhet thënë që në fillim se kjo “prognozë” referon para së gjithash një dëshirë: dëshirën që protesta të kalojë si një ditë e harxhuar kot. Por kjo “prognozë” tradhton ndërkaq një mendim sikur protesta popullore “bën diçka” vetëm kur protestuesit u vërsulen godinave qeveritare, pushtojnë, djegin, dëbojnë…

Kjo “prognozë” tradhton edhe një mendim tjetër sikur qeveria ka hallin vetëm të mos sulmohet, të ruajë prapanicën e vet, pa pse protestojnë njerëzit masivisht dhe në mënyrë paqësore në bulevard, kjo nuk ka pikë rëndësie për të. Një qëndrim si ky ndaj protestës qytetare s’ka asnjë lidhje me demokracinë. Për nga pasojat që prodhon, moskokëçarja e qeverisë ndaj protestave paqësore është e barabartë me përdorimin e dhunës kundër saj nga protestuesit. Por përveçse provokativ, vlerësimi si për asgjë i protestave demokratike është edhe thellësisht i gabuar.

Qeveria mendon se nuk ndodh asgjë, por në të vërtetë ndodhin gjëra të mëdha që vetëm budallenjtë nuk i dallojnë. Protesta e 20 nëntorit të vitit të kaluar ekspozoi botërisht, me bindshëm se çdo fjalim, çdo raport dhe çdo promemorie që ishte shkruar deri atë dit, krizën politike shqiptare, problematikën e zgjedhjeve të 28 qershorit, të vërtetën e një demokracie që ka me shumë fasadë se thelb. Ajo protestë e tronditi statusquonë dhe nxori në dritë një numër të madh gënjeshtrash politike dhe ekonomike.

Kriza shqiptare i dedikon protestës së 20 nëntorit ndërkombëtarizimin e saj dhe pastaj edhe valën e përpjekjeve, për fat të keq të dështuara, të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian për zgjidhjen e kësaj krize brenda institucioneve, me marrëveshje, me konsensus. Sa shumë misione europiane priti e përcolli Shqipëria këto katër muaj, sa shumë kërkesa me lutje dhe pa lutje iu drejtuan kryeministrit Sali Berisha për të bërë edhe ai një apo dy hapa prapa, që do të kishin qenë gjithashtu hapa para drejt marrëveshjes me opozitën e tij. Të gjitha këto ranë në vesh të shurdhër.

Protesta e 30 prillit do të jetë një përsëritje e protestës së 20 nëntorit përsa i përket organizimit dhe natyrës demokratike të saj, por do të jetë edhe e re për shkak të kontekstit të ri. Opozita ofroi zgjidhje në Kuvend, siç ju sugjerua nga ndërkombëtarët, por nisma e saj ligjore për transparencën e zgjedhjeve u sfidua bujshëm në sytë e botës. Europa dhe SHBA u sfiduan në angazhimin dhe pritshmërinë e tyre përballë intrasigjencës së qeverisë.

Ja pra, në pikëpamje të trajektores që ka ndjekur kriza politike dhe ekonomike këto katër muaj, protesta niset nga një pikë më e lartë e së drejtës së qytetarëve për të parë votën dhe nga një pikë gjithashtu më e lartë e përkeqësimit të gjendjes ekonomike sociale në anën tjetër. Prandaj pjesëmarrja pritet të jetë më e madhe. Shpirti i protestës gjithashtu.

Në kuptimin burracak të fjalës në këtë protestë “nuk do të ndodhë asgjë”. Ajo do të jetë paqësore, demokratike, por pikërisht në këtë vlerë qëndron forca e saj e jashtëzakonshme. Nuk ka dyshim se të premten do të ndodhë diçka e re, e madhe, e dobishme për Shqipërinë dhe demokracinë. Protesta qytetare është, si me thënë ,”senati” i demokracisë. Njerëzit që duan zgjidhjen e krizës politike dhe ndalimin e rrokullisjes ekonomike do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e kombit” për të pohuar me praninë dhe bashkimin e tyre këtë bindje dhe vullnet.

Në protestë populli flet para së gjithash me praninë e vet. Protesta është një mundësi dhe një shans për të gjithë, siç janë zgjedhjet, me ndryshimin se në zgjedhje votohet, kurse në protestë protestohet. Janë të gjitha gjasat që me 30 prill të ketë me shumë njerëz në protestë se me 20 nëntor. Pjesëmarrësit, secili veç e veç dhe të gjithë sëbashku do të krijojnë, pa sforcim dhe pa grimasa, atë britmën e një mase kompakte që bën të dridhen pallatet e qeverisë, siç thotë Pukevili, dhe të hapë rrugën drejt zgjidhjes së krizës. Kjo është ngjarja.

Deri në këtë pikë e shoh si ta kisha tani para syve protestën e 30 prillit. Pamjet e mëtejshme varen shumë nga qëndrimi që do të mbajë qeveria. Përballë protestave të opozitës, ku derdhen si në një lumë të madh protestat e grupeve të ndryshme të interesit dhe te qytetarëve të lirë, qeveria ka disa opsione. Opsioni i parë është të pranojë atë që ka kërkuar e kërkon prej saj Europa , SHBA-ja, opozita dhe populli opozitar, pra një zgjidhje të pranueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjasat për këtë zgjidhje janë tashmë pothuajse zero.

Qeveria ose e di se në ato kuti fshihet një turp i madh i paparë, majën e të cilit e pamë në kutinë e Ruzhdies, ose ka nevojë të jetojë dhe ta shtyjë sa të mundet brenda një krize politike me prejardhje nga opozita për të mbuluar dështimin e saj të bujshëm në ekonomi, drejtësi e tjerë. Opsioni i dytë është krijimi i një qeverie të përbashkët të integrimit dhe përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas një vendimi të negociuar. Rrezultati i ngushtë në zgjedhjet e 28 qershorit, leximi i barazimit të madh përsa i përket votës qytetare, faktet që kanë dalë nga Ruzhdia dhe në disa pika të tjera, hilerat dhe manovrat që kanë shoqëruar legjitimimin e sforcuar të zgjedhjeve, kriza ekonomike dhe vetë protestat – të gjitha këto mund të hidhen në peshoren e një vendimmarrjeje të urtë.

Opsioni i tretë, më i keqi, është indiferenca, mendimi se protestuesit do të durojnë sa do të durojnë dhe do të kthehen në shtëpi, organizimi i festave antiprotestë. Në demokraci protestat trajtohen, nuk balancohen. Opozita mund të organizojë njëqind protesta, qeveria nuk mund të organizojë njëqind festa. Por kriza nuk jep më kohë për shakara të tilla.

1 COMMENT

  1. Z Preç!
    Rizgjimi ka filluar, por ju nuk e shihni.
    Ne vend qe te shkruash supozime: “CDO TE NDODH?”, perse nuk shpjegon:
    – C’eshte dhe pse po ngrihet ndergjegja demokratike e shqiptareve?
    – C’eshte protesta dhe si duhet bere ajo ne menyre te ligjeshme?
    – Boll me lojerat politike, politika nuk bazohet mbi emocione.
    Klasa politike, pjese e te ciles, je edhe ti, duhet te kete tre cilesi per te qene e tille:
    – Vetedije politike, sociale, ekonomike
    – Unitet, e bashkuar dhe e organizuar
    – Perbetim, per interesin e popullit pa kufizim.
    Fuqia dhe konsensusi jane qe te dyja pjese e te njejtes strategji, fuqine e perdorin luanet dhe konsensusin e perdorin dhelprat -Machiaveli.
    – Prognozat e analisteve te paguar dhe papaguar asnjehere nuk kane dale per kete popull. Ne jemi populli i paradokseve: Nuk po te jap shembuj.
    – Ne lidhje me kulturen demokratike po ju citoj fjalet e JOHN DEWEY:”Nje person per te marre pjese ne demokraci duhet te kete 4 cilesi:
    – Te dije te shkruaj e te lexoje
    – Aftesi kulturore dhe sociale
    – Mendim te pamvarur
    – Nje predispozicion per te mbeshtetur te tjeret.”
    MAGNA CARTA ne Angli eshte firmosur me 1215, prandaj eshte koha qe te flitet me shume per te drejtat individuale, lirine fjales, te besimit dhe per garancite e tyre.

Comments are closed.