Të poshtëruar dyfish

0
32

Nga Enton Palushi

Raporti i organizatës spanjolle FRIDE, mbërriti në një moment kur ministri i Jashtëm spanjoll, vendit që mban presidencën e BE-së, Angel Moratinos, përmbyllte një tur ballkanik. Ai la jashtë axhendës së tij Kosovën dhe Shqipërinë. Të parën, shteti i tij nuk e njeh, duke mbajtur pezull edhe shumë vende latine të mos e njohin. Kurse për Shqipërinë, këto muaj të presidencës spanjolle, kanë qenë një dështim i vërtetë. Moratinos deklaroi në Maqedoni se do nisin negociatat me Bashkimin Europian, duke i lënë vetë maqedonasit pak konfuzë, pasi Greqia ka kohë që i bllokon negociatat. Për Shqipërinë, liberalizimi i vizave, që pritej të ishte çështje e zgjidhur në këto muaj, është shtyrë sërish.

* * *

Gazeta britanike “The Guardian” shkruante se “standardet europiane” po bëhen një pengesë për përparimin e reformave në Ballkan. Sipas kësaj gazete, tashmë debati nuk është më cilësor, por sasior, duke shkurajuar mediat, qytetarët dhe ata që nuk janë qeverisje, të angazhohen. Një diktaturë e re ndoshta?!

A nuk po ndodh kështu edhe në vendin tonë, kur çfarëdo veprimi që të ndërmarrë opozita, shkon kundër integrimit, e çdo gjë që bën qeveria është pro integrimit?

A nuk është thjesht sasiore kjo çështje, kur ne nuk jemi informuar se ç’ndodh me reformat?

Erdhi pyetësori, u plotësua, u dorëzua dhe nuk mori vesh kush se çfarë u pyet e çfarë u tha.

Dështuam herën e parë me liberalizimin e vizave, e sërish nuk na sqaroi kush në të vërtetë përse dështuam. Vetëm ministri i Jashtëm, Ilir Meta, na dha një shpjegim pranë të vërtetës. Ai tha se fajtor për këtë ishte izolimi komunist. Sa shumë që e duam këtë të “bekuar” komunizëm! E përdorim si të na dojë qejfi. P.sh e përdorim kur duam të dërrmojmë kundërshtarin, e përdorim kur duam të justifikojmë mungesën e reformave, e përdorim madje edhe kur duam të tregojmë shpirtin disident që na karakterizonte në komunizëm e gjatë rënies së tij.

Po sipas gazetës “The Guardian”, vetë Evropa nuk i ka arritur standardet, dhe po punon për të ecur përpara. Të kopjosh ligjet, shkruan britanikja e njohur, thjesht se ashtu bëhen në Europë, është një gabim i rëndë. “The Guardian” sjell rastin e drejtuesit të serbëve të Bosnjës, që ka vendosur të kërkojë miratimin e një ligji për heqjen e ferexhesë, ashtu siç po bën Franca e Belgjika. Por në rastin e Bosnjës kjo do ishte fatale.

A nuk ndodh kështu edhe me ligjet tona?

A nuk ishte një dështim spektakolar ligji europian për ndalimin e duhanit në ambiente publike?

A nuk ndodh kështu edhe me ligjin për mbrojtjen e pakicave seksuale?

Çfarë ndryshimi kanë qeveritarët tanë me adoleshentët e Lezhës që protestojnë kundër një të riu, që ka shpallur hapur prirjet e tij seksuale?

A nuk e kujtoni se gjatë shpalljes së këtij ligji, kryeministri e shpura e tij kujdeseshin më shumë të fyenin e përqeshnin kundërshtarin, të cilin e akuzojnë si pakicë seksuale?

Ndërsa gajaseshin e kakarisnin nën zë e mbi zë, deklaronin se do miratonin një ligj europian, por silleshin sikur të ishin në një qebaptore, e jo si drejtues mendjehapur që po miratojnë një ligj shumë delikat.

* * *

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit, presidencën e Bashkimit Europian do e marrë Belgjika, e cila gjithashtu ka shprehur prej kohësh rezerva ndaj zgjerimit. Ky vend “vuajti” më shumë fluksin e azilkërkuesve shqiptarë nga Serbia e Maqedonia, pas heqjes së vizave. Vetë kryeministri i këtij vendi, së bashku me zyrtarë të tjerë, shkuan në vendet prej nga vinin emigrantët, për të parë nga afër kushtet e tyre ekonomike e për të theksuar më pas se nuk është se informacionin e kishin të pakët për udhëtimin e lirë, por kushtet ekonomike i çuan në atë situatë.

Ndërsa vlerësimi i Komisionit Europian për vizat është bërë publik, një tjetër grup ekspertësh do të vijë të vizitojë Shqipërinë. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka deklaruar se e mirëpret edhe këtë grup, pasi ka deklaruar bashkë me kryeministrin se nuk kanë lënë kusht pa plotësuar. Mirëpo në vlerësim thuhet se Shqipëria është mbrapa në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Tani ngelet për të hamendësuar se çfarë do bëjë qeveria këto muaj që të bindë Europën se po e lufton korrupsionin e krimin.

* * *

Fati ynë është që jemi si një ishull, i rrethuar nga vendet që i përkasin Bashkimit Europian dhe jemi të dënuar që t’i përkasim atij. Por, pushtetarët tanë po shtyjnë në limit çdo reformë që duhej të ishte realizuar. Aq shumë i kanë shtyrë reformat, sa ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaron se tashmë heqja e vizave është çështje dinjiteti. E dihet shumë mirë se kur dikush kërkon dinjitet, është poshtëruar. Dhe kur Meta e ndjen veten të poshtëruar, qytetarët e këtij vendi duhet të jenë dyfish të poshtëruar. Njëherë nga Meta, e njëherë nga Europa.