TË PËRGATITËSH PËR TË “FITUAR” EDHE HUMBJEN

0
37

Ndue Dedaj

(Kultura e humbjes, sjellja jonë politike e munguar)

Duket se nuk është e rastit që dy grupimet e mëdha politike, në këto zgjedhje, kanë preferuar të vetëquhen me fjalën e pëlqyeshme “aleancë”; sikur ekspertët elektoralë të PD-së e PS-së të punonin në të njëjtën paradhomë dhe ashtu “së bashku” të caktonin paradite “Aleancën (blu) për Qytetarin” e pasdite “Aleancën (rozë) për të Ardhmen”. Por ajo që askush nuk e di, as liderët e partive, as këshilltarët e tyre, as ndërkombëtarët, është se cila nga këto dy aleanca më 8 maj do të jetë fituese e cila humbëse. Është e qartë se fjala humbje në një vend të mbarsur përjetësisht me frymën e heroikes, fitores, lavdisë ende nuk kapërdihet lehtë, ndaj dhe nuk kalon pa brenga.

Kështu është mbrujtur jo vetëm ky vendi ynë, “i shqiponjave”, po mbarë gadishulli ku rrojmë, ai ballkanik. Njëzet vjet tranzicion si duket janë ende pak për t’u çrrënjosur psikologjia stresuese e humbjes, që të kuptohet më në fund se të jesh humbës në një betejë elektorale nuk do të thotë asgjë më shumë se të kesh humbur një garë politike, në të cilën ai tjetri përballë teje luajti më mirë se ti. Në rastin e zgjedhjeve vendore, në 65 bashki e 308 komuna.

Kur humbës është kandidati

…E pse nuk u dashka pranuar humbja? Ti more përsipër dhe kandidove, ndërtove një projekt, strategji, e paraqite atë kudo në takimet elektorale të subjektit tënd politik, more përgëzime apo refuzime dhe erdhi dita që alternativa që ti ofrove nuk doli fituese. U votua ajo tjetra, përballë teje. Kjo është demokracia reale. Pa shumë koment. Ky është verdikti i atij që vulos me votën e tij. Sovrani kështu e ka gjykuar dhe ai asnjëherë nuk gabon mes dy mundësive që i jepen, paçka se çfarë “malli” i ofron atij politika për të votuar. Ai nuk ka në dorë të caktojë kandidatët, por ka në dorë të përzgjedhë mes tyre atë që i duket më bindësi. E teksa shembujt e qëndrimeve të ashpra të humbësve i kemi me bollëk, ata të sjelljes ndryshe, sado që i qëmtojmë, e kemi të vështirë t’i gjejmë, pasi kanë qenë tejet të paktë. Ndër ne rrallëkush ka ditur të sjellë një model humbësi për të qenë.

Se ja, sa janë ata që i kanë zgjatur dorën fituesit, si në zgjedhjet lokale, ashtu dhe në ato të përgjithshme? Ndërkohë që në botën e qytetëruar ky është tashmë modeli i vetëm i qëndrimit të humbësve. Ai që humbet, njeh humbjen e tij. Humbja elektorale nuk është diçka fatale, si humbja në Luftën e Dytë Botërore, ku më pas dikë do të ndiqte sa të ishte gjallë lavdia e fituesit e dikë tjetër damka e humbësit. Nuk ka tashmë “partizanë” e “kolaboracionistë” në dy kampe antagoniste, por shqiptarë në krahë të ndryshëm të politikës, në një shoqëri gjithsesi demokratike. E megjithatë, prapë humbja nuk pranohet. Të jetë vetëm përjetimi në aspektin tradicional, vetëm “nderi i humbur” ai që na mundon kur jemi humbës, apo ka gjasë që “drama” e humbjes së këtij apo atij kandidati të lidhet me humbjen e interesave të drejtpërdrejta për të cilat ishte bërë i mundur kandidimi, shpesh për të disatën herë?

Kur humbës është subjekti politik

Por në një palë zgjedhje nuk është vetëm individi ai që humbet, bashkë me të natyrisht që humbësi i radhës është dhe vetë subjekti që e ka kandiduar. Në një komunë apo bashki, në një qark apo në të gjithë vendin. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Dihet që nuk mund të ketë dy palë fitues, ashtu siç nuk mund të ketë dy palë humbës. Këto janë gjëra kaq të thjeshta për t’u kuptuar, por që pavarësisht kësaj, të tilla janë vetëm në orët e edukatës qytetare të nxënësve, kurse në arenën politike ndodh krejt ndryshe. Rrallë qëllon që të pranohet humbja. Ngjan si një dramë humbja. Si është e mundur? Ku do vemi pas kësaj? Çfarë do të bëhet më kryetarin e partisë humbëse? Do të rrijë apo do të ikë? Domethënë a do ta japë dorëheqjen? Jo, këtë harroje, ku ka kryetar që pasi ka humbur ka lëshuar frenat e partisë! Por nëse kjo nuk ka ndodhur deri tani, një herë duhet të ndodhë.

Demokracia nuk do të importohet nga jashtë, domethënë nuk do të jenë as europianët, as amerikanët kur të dalë rezultati në selitë tona politike, që do të dinë se si të sillen, si me fitoren, si me humbjen, por do të jemi ne. Do të jetë Sali Berisha në selinë blu me të tijtë. Do të jetë Edi Rama në selinë rozë me të tijtë. Kjo është çështja. Shqip, si do të sillet njëri nga këta të dy? Nëse para shpalljes së rezultatit para selive të partive do të jenë mbledhur “tifozët” politikë duke bërë jehonë për fituesin e supozuar (veten), si do të mund të tërhiqen ata në çastin kur do të jetë shpallur rezultati dhe fitues do të jetë ai tjetri?

Prandaj s’ka kuptim të inskenohet fitorja paraprakisht nga asnjëra palë, por të pritet rezultati. As fishekzjarrë që hidhen, as shishe shampanje që hapen para se të vijë ora solemne e festës. Se ku i dihet, mund të mos jesh ti fituesi. Duhet të përgatitësh për të qenë edhe humbës. Asgjë nuk fiton as individi, as subjekti i tij nga hareja dhe ballot “popullore” para selive të partive, asnjë ndikim nuk mund të ketë tek ata që numërojnë votat dhe administrojnë procesin, komisionet zgjedhore. Një pritje e rezultatit (dhe e humbjes) me qetësi e dinjitet, me kulturë politike, është besim në vlerat e demokracisë. Demokracia nuk është vetëm kur fiton, por dhe kur humbet. Madje, thellë-thellë kjo është filozofia e saj. Të dish të fitosh dhe të dish të sillesh me humbjen.

Njohja e zgjedhjeve, si kryekusht i demokracisë zgjedhore

Po pse zgjodhëm këtë temë, bash në këtë fazë të zgjedhjeve, kur fushata është mbyllur? Jemi para një morie mospranimesh të rezultateve zgjedhore, që nga 26 maji i ‘96-s, kur opozita e atëhershme i braktisi zgjedhjet në pikun e votimit; duke pasur në zgjedhjet e mëpasshme, diku mosnjohje të pjesshme, diku rivotim, në zona ku ishte prishur procesi ditën e votimit etj. Për të ardhur te rasti i mosnjohjes së zgjedhjeve të përgjithshme nga opozita në vitin 2009. Partitë e kanë punën deri njëzet e katër orë parë ditës së zgjedhjeve dhe pas këtij caku nuk u përket më atyre të shprehen për “ditën e madhe”, por vetëm organeve zgjedhore, lokale dhe qendrore, të përcaktuara me ligj. Ato kanë barrën e administrimit dhe të përfundimit të procesit. Ato mund të na thonë se cilët jemi fitues dhe cilët jemi humbës. Natyrisht, dhe raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë, OSBE-ODIHR-it etj. Ka ardhur koha të mësohemi me këtë rregull themelor të demokracisë.

Suksesi i 8 majit është dhe i pozitës dhe i pozitës, pasi e para mban fjalën për të garantuar zgjedhje të ndershme, kurse e dyta bëhet bindëse në aksionin e saj politik dyvjeçar për transparencën e zgjedhjeve. Politika partiake nis vetëm të nesërmen e zgjedhjeve, pasi të jetë shpallur dhe pranuar rezultati, vetëm atëherë PD dhe PS mund të hedhin sytë nga një fazë e re politike, zgjedhjet e 2013-s, pasi vetëm ato do të mund ta ndryshonin boshtin e qeverisjes qendrore. Njohja e zgjedhjeve, përpos se sjellje politike korrekte, është njëherësh mirësjellje me njerëzit që kanë votuar.

Njëra nga dy “Aleancat” më 8 maj do të jetë humbëse

Pranimi i rezultatit bëhet dita-ditës gjatë fushatës, në kuptimin që palët sillen si në një proces zgjedhor normal dhe jo me ngarkesa politike, duke prodhuar incidente të vazhdueshme. Është duke u votuar pushteti vendor, bilanci dhe perspektiva e tij. Si do ta kemi qeverisjen lokale në katër vitet e ardhshme? Nuk është detyra e këtij procesi të mbajë mbi vete gjithë ngarkesën politike të vendit, nuk është ky proces, që mund të paguajë për 29 qershorin e dy vjetëve më parë. Por gjithsesi me 8 maj njëra nga dy “Aleancat” do të jetë humbëse. Të përgatitemi për këtë! Nuk na bën keq që të paktën njëherë në historinë tonë elektorale, t’i thurim lavdi humbësit, më saktë atij që e njeh humbjen e tij. Një humbje e (mirë)kuptuar do të ishte “fitorja” për të cilën kemi nevojë sot. 373 kandidatë i bie që të jenë humbës të mëdhenj, prej njërës apo tjetrës “Aleancë”. Por dhe të tjerë që nuk përfshihen në dy koalicionet e mëdha. Të shohim se si ata do të dinë ata t’i zgjasin dorën fituesit!