Të pavarurit e PD-së dhe mungesa e mesazhit demokratik

0
36

Nga Ilir Yzeiri, 21 Maj 2013

Është bërë një traditë jo e mirë në Shqipëri që sa herë fillon fushata elektorale, media dhe komentatorët nuk merrem me thelbin e fushatës por parapëlqejnë të komentojnë sjelljet, taktikat, hiletë, kodoshllëkun, babëzinë, injorancën, karagjozllëkun dhe gjithçka të mbrapshtë që prodhon një fushatë elektorale. Zgjedhjet e 23 marsit do të duhej të ishin një ngjarje e madhe që do të duhej gjithashtu të vinin në lëvizje të gjithë aktorët e jetës publike, sepse, pas njëzet vjetësh, Shqipëria rrezikon të humbasë shansin për t’iu bashkuar Europës, sepse pas njëzetë vjetësh ne gjendemi në fazën më të keqe, gjendemi në hon të krizës së besimit dhe KQZ-ja ose organizmi që do të vlerësojë dhe do të certifikojë zgjedhjet, është thuajse i shpërbërë, sepse në të bëjnë pjesë vetëm skifterët e PD-së dhe një shkallë më lart gjenden të tjerë skifterë, janë ata të Kolegjit Zgjedhor, të cilët, jo më pak se dy vjet të shkuara e minuan tragjikisht besimin e publikut për zgjedhje të ndershme.

Në këto kushte, vëmendja e opinionit publik dhe e mediave do të duhej të përqendrohej më shumë te themelet e demokracisë, në vend që të merrej me lepuj e dhelpra që fshihen në Vlorë apo në ndonjë nahije tjetër.

E them këtë sepse kam parasysh dy gjëra. Dominik Uolton, një nga filozofët e shquar të komunikimit, thotë se përveç tre aktorëve që përbëjnë komunikimin politik, përkatësisht dialogu mes politikanëve dhe fjala e tyre, media dhe sondazhi, në hapësirën e opinionit publik një vend të konsiderueshëm zë edhe mendimi i intelektualëve dhe personaliteteve të shquara, të cilët janë sistem reference për vlerat e demokracisë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Mirëpo, në debatet që bëhen te ne, ky mendim thuajse është inekzistent, sepse intelektualët në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të rrallë, janë të brishtë dhe nuk kanë kurajë që të shfaqen si institucione të pavarura.

Janë më të sigurt kur mbulohen me tavanin e qeverisë ose të ndonjë force politike. Kështu, java që shkoi pati në qendër rolin e posaçëm që do të luante kandidati i pavarur Arben Malaj deri edhe në zëvendësimin e kryetarit të PS-së(!!!!), hamendësoi dikush.

Kaq shumë u amplifikua ky rast sa e humbi vlerën që kishte në fillim dhe u bë qesharak. Publiku e ka të vështirë të kuptojë se sa mundësi ka një i pavarur që të fitojë në kushtet e një sistemi elektoral të egër që favorizon koalicionet dhe partitë e mëdha. Megjithatë, media në Shqipëri e kundron betejën elektorale si një lojë futbolli dhe ajo që i intereson më shumë është insinuata për lojtarët e kundërshtarit, jo analiza e lojës dhe parashikimi real i rezultatit.

Po të ishte kështu, PD-ja është më e penalizuar nga të pavarurit. Fryma e Re Demokratike që kryesohet nga ish-nënkryetari i PD-së dhe ish-presidenti i vendit, Bamir Topi është një trupë tërësisht e pavarur që është shkëputur nga PD-ja, pra është sa dhjetë Arben Malaj.

Në këtë rast ka logjikë që të flitet për lepur që fle në Durrës apo në Tiranë, sepse dy kandidatët e Durrësit, Gazmend Oketa dhe Sami Gjergji kanë shumë mundësi që të fitojnë. Po ashtu edhe Bamir Topi në Tiranë ka shumë mundësi që të fitojë dhe të gjithë kandidatët e FRD-së në qarqe i prishin shumë punë PD-së, pra janë gati si deputetë të pavarur të së djathtës, sepse votat e tyre janë nga e djathta.

Mirëpo, kjo analizë nuk bëhet. Të gjithë merren me lepurin që fle në Vlorë duke treguar ndoshta një dëshirë të fshehtë për ta parë Edi Ramën që të vuajë. Mirëpo dëshira për të prodhuar efekte dhe analiza me fakte dhe për dukuri konkrete janë anë të ndryshme të analizës. Një dukuri tjetër që po vihet re në këto zgjedhje është mesazhi i vakët.

PS-ja ka gjetur një slogan(“Rilindje”) më të drejtpërdrejtë që përmbledh pak a shumë gjithë përmbajtjen e përpjekjeve të saj dhe konceptit që ajo ka për qeverisjen e ardhshme. Ky slogan radikal që e projekton kundërshtarin si shkakun e anemisë shoqërore e ekonomike është në sinkron me aksionet politike të opozitës dhe perceptohet më lehtë.

Ndërsa slogani i PD-së “Përpara” ka në thelb vazhdueshmërinë dhe motivohet nga optimizmi. Mirëpo, në qoftë se e para vjen nga megateksti i Rilindjes, e dyta, “Përpara” të sjell në mend sloganet e kohës së komunizmit, të punës dhe të aksioneve.

Madje një këngë me këtë titull dhe me vargjet “Përpara, përpara/ përpara, gjithmonë/Na prin fitimtare partia e jonë”, këndohej si hit nëpër aksionet e rinisë. “Përpara” të sjell ndërmend edhe kushtrimin partizan të raportuar si klishe nga tekstet mbi luftën partizane.

Siç shihet që të dyja sloganet janë të largëta në kohë dhe projektojnë një Shqipëri që duhet bërë nga fillimi në rastin e parë dhe një Shqipëri që shkon përpara si në socializëm në rastin e dytë.