Të parët janë zaptuesit!

0
41

Nga Mero Baze, 14 Qershor 2013

Në pallatin ku kam banuar prej vitit 1996, në rrugën “Irfan Tomini”, e ke të pamundur të banosh më. Një banor i ri i pallatit, që ka mundur të blejë lirë një apartament në kat të fundit përmes një falimenti bankar të ish- të zotit, ka pushtuar tarracën dhe ka nisur një ndërtim me beton të një kati të ri. Në fillim ka prishur depozitat, antenat e banorëve dhe më pas ka bllokuar ashensorin duke e përdorur si vinç. Pallati ynë 9-katësh, që njihet si Pallati i INSIG, edhe ashtu është pak i dyshimtë për nga struktura.

Jabanxhiu i ri, që nuk lëshon emrin e Lulëzim Bashës nga goja, duke injoruar gjithë pallatin, filloi të prishë tarracën, të zbulojë kolonat dhe të hedhë në to kolonat e reja prej betoni. Përveçse këto ditë e ke të pamundur të banosh në atë pallat, kam frikë se dhe e ardhmja e tij është e rrezikuar.

Përveç meje, banorë të vjetër të pallatit janë dhe Sherefedin Shehu dhe Ylli Rakipi, dhe ata mundën të lidhen me Lulëzim Bashën sot, i cili u premtoi se do t’i ndalte punimet. Por asgjë nuk u bë. Policia Bashkiake ka ardhur dy herë, ka pirë birra me të “zotin e ri të tarracës”, dhe ka ikur. Ka shumë mundësi që disa ditë punëtorët të pushojnë, por problemi nuk ka për t’u zgjidhur. Unë nuk kam besim që ndërtimi do pezullohet, dhe as kam fare shpresë se zaptuesi dhe ndërtuesi i ri i tarracës do të riparojë dëmet e rënda në kolona dhe sipërfaqe të tarracës, që tashmë mund të dëmtojnë gjithë pallatin. I vetmi veprim i duhur është arrestimi i tij për një vepër penale dhe dënimi edhe me detyrim financiar për rindreqje të tarracës.

I mërzitur nga çfarë ndodhi, dhe si ma raportonin banorët, shkova tek zyra ime e vjetër, tek një pallat ngjitur me urgjencën e Tiranës, për të marrë disa materiale që më kanë mbetur aty. Kisha nja dy muaj pa shkuar aty. Nuk parkoja dot në oborr, edhe pse e kemi shumë të bollshëm. Dy grupe gati po rriheshin me njëri- tjetrin. Njëri kishte ndërtuar me urgjencë një parking në mes të oborrit, kurse një grup tjetër po punonte me intensitet për të ngritur një kat të ri në pallat. Këta të fundit ishin më “njerëzorë” se ndërtuesit e pallatit tim. Nuk po ndërtonin me beton, por me konstruksion hekuri. Gati e kishin mbaruar.

M’u turrën disa banorë të pallatit pse unë nuk po e ngrija zërin se kisha banuar me ta tre vjet aty, që kur gazeta kishte zhvendosur zyrat në atë pallat. U thashë që kam ndërruar zyra, kam shkuar tek Komuna e Parisit dhe nuk e kisha parë. Ishte vërtet një batërdi. Një kat i tërë i ndërtuar me urgjencë, përsëri nga njerëz që krekosen se janë njerëz të Lulëzim Bashës. Hyra si hajdut në zyrën time, mos të më shikonte njeri, dhe ika. Tek zyrat e reja në Komunën e Parisit, u ula në kafe dhe po u shpjegoja dy banorëve aty se ç’më kishte gjetur.

-Mos bë sikur nuk kupton, m’u turrën banorët. Pa hidhi sytë lart tek pallati përballë?

Ishte një surprizë e hidhur. Përsëri tek pallati përballë, që quhet ndryshe Kompleksi i Kikëve, përballë Euromaksit, kishte mbirë me urgjencë një kat i tërë me konstruksion hekuri, i veshur me kartonxhezë dhe i lyer me ngjyrë si pallati. Këta e kishin tepruar në arrogancën e tyre se kishin folur edhe në emër të Lulit, edhe të Majlinda Bregut.

Konstruktori i pallatit, që është dhe banor i pallatit, më tha se i ka shkruar Sali Berishës, Lulëzim Bashës, Policisë Ndërtimore, por askush nuk i ka dhënë shpresë. Njësoj si tek pallati im, dhe këtu kishin prerë depozitat e ujit, antenat e televizorëve dhe ishin bërë zot të pallatit.

Përfundimisht, tre pallate që unë kam të bëj në Tiranë, në njërin ku kam jetuar prej 1996 dhe në dy të tjerë që kam zhvendosur zyrat, janë bërë objekte zaptimi këtë muaj. Në të tre rastet përmendet emri i Lulëzim Bashës. Të tre pallatet po i tregoj me emra konkretë dhe fotografi. Media ka treguar dhe dhjetëra pallate të tjerë në gjithë Tiranën, ku po vazhdon kjo masakër. Në të tre pallatet unë kam një problem, tashmë jo me Lulëzim Bashën. Ai është përfundimisht një kukull e paaftë në dorë të mafiozëve të Tiranës, të cilën as marrin mundim ta pyesin, e jo më të zbatojnë urdhrat e tij. Kam një problem me banorët e këtyre pallateve, të cilët po pranojnë këtë fat.

Në Turqi po digjet Stambolli dhe po vihet në pikëpyetja qeverisja vetëm pse kryeministri i vendit, një autoritar turkoshak, kërkon t’u imponojë atyre betonizimin e një parku duke shkulur 600 pemë. Gjithë Stambolli po ngrihet të mbrojë parkun dhe më tej liritë e tyre të rrezikuara. Në këtë vend, ku qytetarët kanë në dorë dhe një ligj për administrimin e pallateve, ku duhet të caktojnë një administrator për hapësirat e përbashkëta dhe t’i miradministrojnë ato, po shkelen me këmbë nga disa mafiozë me mbështetje politike dhe heshtin. Të vetmen trimëri e kanë të kapin gazetarët dhe t’u kërkojnë ndihmë.

Unë pa diskutim që do merrem me këtë krim të ri që po i bën Tiranës ky njeri, mes të tjerash i paaftë, por do të doja të shkruaja më shumë për përleshjen e banorëve me mafiozët e Lulëzim Bashës se sa të ankohesha se si mafiozët e Lulëzim Bashës masakrojnë banorët e qytetit tim. Është e qartë se Lulëzim Basha nuk ka me se i kënaq çakejtë që përdor për vjedhje votash dhe deri vrasje kundërshtarësh politikë, si ata më 21 janar, por qytetarët e Tiranës nuk kanë pse e pranojnë këtë fat. Ky njeri që fsheh një krim pas çdo buzëqeshje, jo vetëm që po terrorizon Tiranën me planet për betonizimin e saj, por po terrorizon dhe banorët aktualë duke u vënë në rrezik jetën dhe të ardhmen e tyre me bandat që kënaq duke ngritur kate pa leje mbi kokat e tyre.

Dikush duhet të prodhojë lajmin e parë, se është zot i fatit të vet në këtë qytet dhe jo skllav i fjetores që kërkon të bëjë Lulëzim Basha. Atëherë do të shkruaja me qejf se këtu i pari është qytetari. Tani të parët janë zaptuesit barbarë të Lulëzim Bashës.



Pallati INSIG, Rr. Irfan Tomini


Pallati prane Urgjences Tiranes


Pallati tek Komuna e Parisit, Kompleksi Kika