Të nesërmen e festës

0
41

Besnik Mustafaj, 24.07.2010

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha vendimin e vet dhe ky vendim shkon në përputhje me nevojat e Kosovës, por edhe me nevojat e krejt rajonit tonë për paqedhe stabilitet të qëndrueshëm, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe në shërbim të aspiratës sonë të përbashkët për integrim europian. Tashmë është krejt e kotë të bëhen hamendësime se çfarë dëmesh do të pësonte e sotmja dhe e ardhmja e afërt e Kosovës, në qoftë se ky vendim do të kishte qenë ndryshe.

Por është e sigurt se një destabilizim sado i vogël i procesit të ndërtimit të shtetit në Kosovë, do të ishte me ndikim të keq edhe ndër ne, fqinjët, e këtu kam parasysh jo vetëm Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku shqiptarët jetojnë në vazhdimësi territoriale me Kosovën, por edhe vetë Serbinë, për arsye shumë më të gjera e komplekse se ekzistenca e shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo e serbëve në Mitrovicën e Veriut. Me fjalë të tjera, ky vendim, në formën e plotë analitike që u dha nga trupi gjykues dhe në qartësinë, me të cilën u shpreh, është padyshim po aq edhe në dobi të vetë Serbisë. Çështja shtrohet se sa do të jetë në gjendje elita drejtuese e Serbisë ta kuptojë këtë gjë, të paktën nesër, pasi të kalojë vala e parë e emocionit të hidhur në Beograd. Gjithsesi, është detyrë e miqve të vërtetë të Serbisë, dhe të tillë ka shumë në botën e lirë, që ta ndihmojnë elitën e këtij vendi të mbledhë sa më shpejt veten dhe të marrë rolin që i takon përballë interesave madhore të kombit që përfaqëson. Do pranuar se gjatë kësaj dekade të fundit, kur Serbia fatmirësisht nuk është më në luftë dhe bashkë me të është në paqe krejt rajoni, elita serbe, qoftë ajo politike, qoftë edhe ajo intelektuale, nuk ka dëshmuar ende ndonjë pjekuri të lakmueshme.
Sado që në një pamje krejt tjetër, ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ve tashmë edhe elitën e Kosovës, sidomos atë politike, në një provë të re pjekurie. Çdo lloj euforie apo triumfalizmi i shfaqur tek elita përfaqësuese e Kosovës do të ishte me dëm të ndjeshëm jo vetëm për imazhin e saj ndërkombëtar, por edhe për përqendrimin e saj te problemet e panumërta që duhet të zgjidhë pa humbur kohë brenda për brenda Kosovës e që janë probleme të natyrshme për një shtet në formim, por edhe probleme të lindura gjatë rrugës si pasojë e dobësisë së kësaj elite, qoftë ajo në Parlament, në Qeveri, në Pushtetin Vendor apo edhe në Gjyqësor. Kemi vënë re një elitë e cila, shumë nga dobësitë e veta është përpjekur gjatë kësaj periudhe t’i fshehë pas zhvillimesh ndërkombëtare, përfundimi i të cilave për mirë a për mbrapsht nuk varej nga vullneti i Prishtinës. Një nga këto zhvillime ka qenë sigurisht edhe procesi i nxitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Serbia. Gjykuar nga televizioni gjatë daljeve të tyre në publik, udhëheqësit e Kosovës linin shumë shpesh përshtypjen se po e prisnin këtë vendim me një lloj ankthi, i cili, po të ishte i sinqertë, ishte i papërligjur, pasi ata e dinin fare mirë se në të gjitha versionet, ky vendim do të ishte vetëm këshillimor, dhe po të ishte i shtirur, po përdorej si një pretekst për të fshehur mungesën e rezultateve në transformimin e vendit. Ankthi i tyre, i vërtetë qoftë apo pretekst, me këtë vendim të GJND-së tashmë bie përfundimisht, që do të thotë se pastrohet rruga për udhëheqësit e Kosovës. Atyre u mbetet të tregojnë se sa të aftë janë për të zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme problemet sociale, ekonomike dhe politike me të cilat ballafaqohet në përditshmëri shoqëria e këtij vendi. Nuk mjafton vetëm të thuhet se nuk ka kthim prapa. Nevojitet kërcimi i fortë përpara. Fati i Kosovës tashmë varet krejtësisht nga progresi i saj.
Do të ishte gabim i madh që elitat e Kosovës ta përjetonin vendimin në fjalë, si fitoren e një ndeshjeje finale futbolli. Mundësinë e një gabimi të tillë e ndjeu, mesa duket, menjëherë edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili bëri sakaq një thirrje të qartë nëpërmjet zëdhënësit të vet që njoftimi i vendimit gjykatës të mos përcillet me provokime. Manifestimi me tifozëri mbart dashje pa dashje rrezikun e provokacionit. Është shumë e rëndësishme të mbahet parasysh ky fakt në Prishtinë apo kudo janë. Udhëheqja e Kosovës e ka për detyrë të lexojë me vëmendjen më të madhe deklaratën e Ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në dalje të selisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Serbia do të vazhdojë luftën paqësore diplomatike për Kosovën”, tha ai. Dhe bëri të ditur se kjo luftë do të vazhdonte në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatë së Kombeve të Bashkuara. Paraprakisht, sidomos tani mund të thuhet se shanset për të fituar diçka nga kjo luftë, janë thuajse hiç. Për të qenë më i kthjellët: kjo luftë diplomatike në OKB mund të vazhdojë për disa kohë të ndikojë deri diku në ngadalësimin e procesit të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga shtete të ndryshme, që do të thotë se mund të ngadalësojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Por a është në fjalë të fundit kjo ndonjë farë fitoreje për Serbinë. Unë me bindje them jo.
Anëtarësimi në OKB është një objektiv i natyrshëm për Kosovën. Por në perspektivën afatshkurtër e madje edhe afatmesme, nuk është aspak një domosdoshmëri përsa i përket hartimit dhe realizimit të reformave të thella e të gjithanshme, që i nevojiten vendit për t’u zhvilluar e modernizuar. Por edhe në këndvështrimin e marrëdhënieve me jashtë, pa të cilat këto reforma sigurisht që nuk do të mund të realizohen në cilësinë e duhur, mungesa e vendit në sallën e OKB-së nuk është aspak një pengesë reale. Kosovën e kanë njohur dhe kanë vendosur marrëdhënie normale diplomatike me të shtatë vendet më të zhvilluara të botës. Po ashtu edhe njëzet e dy, nga njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së. E njëjta gjë është arritur me disa nga vendet më të zhvilluara në Gjirin Persik, në Azi e në Amerikën Latine. Janë edhe shumë institucione financiare ndërkombëtare, si dhe organizata të tjera. Mjaft pra që të ndërtohen me këto vende apo institucione në nivel dy palësh, por edhe shumëpalësh, programe të pasura dhe realiste shkëmbimesh e të punohet me profesionalizëm për realizimin e tyre. Zvicra, sa për një shembull, nuk ka qenë anëtare e OKB-së për afro 60 vjet. Por kjo nuk e ka penguar aspak të begatohet e të afirmohet si një shtet serioz në familjen e madhe të shteteve. Për udhëheqjen e Kosovës mbetet kryesore që procesin e njohjes ndërkombëtare të mos e përjetojë si një obsesion sepse obsesioni paralizon mendjen. Dhe as të mos e përdorë si një pretekst, thënë shqip si një hile për të fshehur dobësitë e veta. Anëtarësimi në OKB, si dhe rritja e numrit të njohjeve, duhen gjykuar me qetësi dhe ndershmëri, për t’u dhënë vendin që meritojnë në axhendën shumë të ngarkuar të udhëheqjes së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë zhvlerësohen realisht betejat diplomatike të Serbisë në OKB dhe bie rëndësia e angazhimit absurd të miqve të saj të fuqishëm si Rusia në këtë “luftë paqësore diplomatike”. Është e qartë se Rusia po e përdor në këtë rast diplomatikisht Serbinë, për t’i treguar fuqinë e vet, qoftë SHBA-së e qoftë Bashkimit Europian. Mua sinqerisht nuk ma merr mendja se diplomacia serbe, një diplomaci e regjur tashmë, beson të arrijë ndonjë sukses përsa i përket pretendimeve të veta për Kosovën nëpërmjet kësaj ballëpërballjeje midis Rusisë dhe Perëndimit. Serbia me vetëdije po e le veten të përdoret. Është puna e saj. Kosovës i takon të gjykojë me gjakftohtësi dhe ta kontrollojë retorikën e vet, qoftë edhe kundër Rusisë. Kosova nuk mund t’i lejojë vetes të jetë më kundër askujt. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësinë, sot, që jemi të nesërmen e festës, i jep asaj arsyen përfundimtare të ndjehet pa asnjë gur në qafë dhe të punojë për vete, bashkë me të tjerët.