Nga Mero Baze, 22 Dhjetor 2011
Pashë që Blendi Fevziu do të mbështesë kandidaturën e Fatos Nanos për president. E kish thënë në një studio televizive dhe e kishin botuar disa gazeta. E kish thënë pasi kishte bërë vlerësime fyese për presidentin në detyrë, po ashtu për arsye personale, pasi i kishte telefonuar 20 herë dhe nuk i kishte shkuar në promovim, dhe pasi kishte arsye të tjera personale për të mbështetur Fatos Nanon. Nuk dua të përfshihem në debatin rreth arsyeve personale të Fevziut. E njoh atë aq mirë sa të mos besoj asgjë që thotë dhe shkruan. Por kur njerëzit dëgjojnë se Blendi Fevziu do të mbështesë Fatos Nanon për president, kanë nevojë për disa sqarime.
Sqarimi më i rëndësishëm është se Blendi Fevziu nuk është deputet, nuk ka grup parlamentar dhe as parti politike, dhe tek ne presidenti nuk zgjidhet nga populli, por në parlament. Në këto kushte, ai nuk ka si ta ndihmojë si gazetar Fatos Nanon. Nëse do të zgjidhej nga populli, është korrekte të thuhet se një gazetar që mban qëndrime publike, mund të përcaktohet për një kandidat. Në rrethanat legjislative shqiptare, ky përcaktim e humbet kuptimin pasi çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje e vendimit politik.
Por njerëzit e kanë dëgjuar dhe herë të tjera Fevziun kur artikulon dëshirat e të tjerëve si të tijat. Sa herë që Berisha kërkon të bëjë diçka, disa ditë më parë del Fevziu dhe shpreh një dëshirë, e cila realizohet më pas. Mund të rreshtoj këtu shumë nisma të Berishës, që nga ajo e rishkrimit të teksteve të historisë pas një kritike të Fevziut, ajo e prishjes së Piramidës pas një shkrimi të Fevziut, ajo e festimeve të pavarësisë në Tiranë pas një opinioni të Fevziut, dhe më e freskëta ajo e dhënies së rrugës Rrëshen – Kalimash me koncesion, pasi u ndërtua një herë me lekët tona, pas një shkrimi të Fevziut.
Mund të numërosh pafundësisht gjëra të tilla, por që të mos lodheni, merrni çdo gjë që ka shkruar dhe folur Fevziu dhe nënkuptoni që pak më parë ajo ka qenë dëshirë e kryeministrit Fatos Nano, kryeministrit Ilir Meta dhe më pas kryeministrit Berisha. Të gjithë kujtojnë rimandatimin e Metës kryeministër pas zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2001 dhe deklaratën e Fevziut në studio të TV Klan ‘Fitorja e Ilir Metës është fitore e TV Klan’. Të gjithë injorojnë detajet dhe kanë në mendje faktin se Fevziu nuk i referohet ligjit, por kryeministrit.
Është pikërisht ky identitet prej tellalli kryeministrash, që i bën njerëzit të injorojnë pjesën formale të këtij skandali, të asaj se si Fevziu do të ndihmojë Fatos Nanon të bëhet president dhe të nënkuptojnë pjesën më racionale, që është dhe ana informale e çështjes, që Fevziu flet kështu pasi ka dalë nga zyra e Sali Berishës. Është kjo arsyeja që duket sikur ka kuptim të thuhet që Fevziu do të mbështesë kandidaturën e Fatos Nanos dhe ajo të hyjë në garë.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm. Është një zhvillim që në të vërtetë meriton të ndodhë. Fatos Nano i ka shërbyer Sali Berishës thuajse vullnetarisht deri më sot dhe ai pret natyrshëm një shpërblim prej tij. Unë nuk dua të parashoh se si do t’ia dalë Fatos Nano të mbledhë 20 firma majtas, djathtas dhe tek LSI, si do të fusë në garë PD me PS dhe si do të votohet, por jam i sigurt se Berisha ka dhënë leje që ai të jetë pjesë e garës, që në mos u bëftë president të bëhet një plagosës i ri i së majtës në parlament.
Për këtë vlen që Blendi Fevziut t’i lexohet filxhani pas kafes me Berishën, më shumë se sa librat apo intervistat e tij. Nëse ka një vlerë të qenësishme si fenomen propagandistik antigazetaresk në Shqipëri, e ka pikërisht tek fakti se prej delirit të tij dhe përpjekjes për t’u vetëmitizuar, kupton qartë në fakt se çfarë do kryeministri i radhës në këtë vend. Sali Berisha dashka Fatos Nanon president. Në mos ia arriftë asaj dite, Fevziu ia ka arritur të qetësojë Fatos Nanon, ndaj të cilit ka një detyrim personal, pasi e ka çuar me makinën e tij në takimin sekret me Sali Berishën në vitin 2007, para se të dilnin publikisht së bashku duke ia premtuar presidencën.
Tani është i qetë se ia ka arritur t’ia marrë Sali Berishës fjalën pas 5 vitesh përdorim të Fatos Nanos “pa asnjë lek”, nëse përdorim gjuhën e Fatos Nanos në këto raste. Ky është lajm që duhet marrë në konsideratë. Kurse pjesën tjetër të lajmit, atë për Bamir Topin, ju lutem injoroheni. Ajo i ngjante banalisht tekstit të Berishës, i cili tha se Topi kishte dhe nuk kishte ftesë për festën e themelimit të PD, njësoj si Fevziu thotë për promovimin e librit të tij, dhe po ashtu njësoj si Berisha ky nuk kishte respekt për Bamir Topin. Por pjesa për Fatos Nanon duhet marrë seriozisht, sikur nuk e ka thënë Fevziu. Është e Berishës! E thashë që Fevziut vlen “t’i shikosh dhe lexosh” filxhanin pasi pi kafe me Berishën, jo emisionin dhe librat.