Të lëpish mjaltë nga gjembi

0
41

Nga Adrian Thano, 2 Prill 2013

Një marrëveshje Rama-Meta e përfolur dje në Tiranë, ka ende shumë pikëpyetje që presin përgjigje. Në qasje të parë, të le një ndjesi të çuditshme: si të lëpish mjaltë nga një gjemb. Askush nuk e quan një lëvizje të mirë; më optimistët e quajnë “të domosdoshme”, shumica e kanë sulmuar ashpër.

Edhe një nga mbështetësit më të klikuar të opozitës, Mero Baze, shkruante mbrëmë në faqen e tij popullore online se ky bashkim do sjellë rrëzimin e Berishës, por do jetë një “rotacion që vjen nga dështimi i parimeve”. I mbështetur në sentencën shekspiriane ‘humba nderin, pjesën e pavdekshme timen – ajo që ngelet është kafshërishte’, qëndrimi i Bazes dominon hë për hë qëndrimin e përgjithshëm të të majtëve.

Por ka edhe këndvështrime të tjera, nga pena po kaq opozitare me Berishën: “Përballë një regjimi të tillë, edhe çdo qelbësirë që ka arsyet e veta kundër regjimit, duhet parë si një resurs opozitar” – përsërit prej muajsh Mustafa Nano.

Berisha? Megjithëse i korruptuar, i rrënuar dhe i palumtur, e ka tashmë edhe njëherë mundësinë të na turret siç di ai të turret. Si përherë do tentojë të na ulë të gjithëve në nivelin e tij: kashtë në dysheme.

Ilir Meta dhe të vetët kanë fikur celularët. Me gjasa mbrojtja e tij do jetë ajo që kemi dëgjuar aty këtu nga delfinët e tij mediatikë: Nëse çdokush merr atë që meriton, të gjithë do ta kishim hak kamxhikun.

Edi Rama? Askush nuk e di ende çfarë ka në mend para dhe pas 23 qershorit. Kurrë nuk e rroku dot rregullin bazë: Jepu njerëzve atë që duan – më pas mund t’u japësh atë që do ti. Minimalisht, edhe këtë herë e dëshmoi veten një vendimmarrës të sekondës së fundit: asnjë përgatitje e publikut, asnjë përpunim i opinionit, asnjë paralajmërim. Justifikimi me gjasa do jetë i tipit: nuk ka kuptim të kërkosh të dish nëse ajri është i mirë, kur nuk ke çfarë të thithësh tjetër. Mbetet padyshim alternativa më e mirë për të marrë pushtetin në Shqipëri. Po të mos kishte atë tip që ka, Shqipëria do ishte sot në luftë civile. Por shpesh janë notarët më të mirë ata që mbyten.